NDOSHTA REAGIMI I FUNDIT KUNDËR BROÇKULLAVE TË XHAFER DURMISHIT

Si reagim ndaj librit “QENDRA JUSUF GERVALLA, 2022” me autor Xhafer Durmishi

NDOSHTA REAGIMI I FUNDIT KUNDËR BROÇKULLAVE TË XHAFER DURMISHIT

Nga Ibrahim Kelmendi, Pashtriku 27.01.2023

Shoku Sheradin, unë vlerësoj bashkëveprimtarinë tonë në Lëvizje, meqë nuk kam përjetuar e nuk kam informacion për ndonjë keqveprimtari Tënde gjatë asaj kohe. Prandaj për hir të asaj bashkëveprimtarie po pranoj të debatojmë, edhe pse je lodh goxha shumë me shkrime e publikime për t’më diskredituar (*).

(1)
Xhafer Durmishi paska publikuar “librin” e 22-të elektronik, të cilët kanë për tabelë kryesore qitëse Ibrahim Kelmendin (mua). Zotëri Durmishin e kuptoj, sepse i duhet hakmarrja, meqë jam dëshmitar konkret i krimeve dhe komploteve të tij, i komanduar e i shpërdoruar nga UDBashi Sabri Novosella, i cili e ka kooptuar Z. Durmishi në fund të korrikut 1981 në “komitet qendror” (inekzistent) të LNÇKVSHJ-së, ndërsa pas vrasjeve e ka komanduar të bëhet trashëgimtar politik dhe organizativ i Jusuf Gërvallës, pasi kolegët e SN i vranë Jusufin, Kadriun e Bardhoshin, sepse tashmë UDB-a kishte planifikuar ta vriste edhe Emigracionin patriotik politik.

(2)
Nga koha kur i kam lexuar “letrat” dhe “raportin” që JG duhet t’ia ketë dërguar SN unë kam krijuar dilemën e madhe, nëse duhet ta mallkoj naivitetin tim që kam pranuar të bashkëpunoj me njeriun që paskësh qenë aq naiv, sa të shpërdorohet e viktimizohet nga një rrobaqepës analfabet; po vazhdoj me besua se JG nuk e ka ditë që SN është kuadër i UDB-së, i caktuar për të simuluar udhëheqësin e LNÇKVSHJ-së, të sajuar nga UDB-a. Gjithashtu po vazhdoj me shpresua se “letrat” e “raporti”, – për të cilat (dez)informohemi se janë të Jusuf Gërvallës dhe ai ia paskësh dërguar Sabri Novosellës, – nuk janë origjinale, por të kompiluara nga ustallarë të UDB-së. E nëse janë të vërteta, mallkoi naivitetin tim që nuk kam ditur sa naiv paskësh qenë JG, që t’mos i ofroja besimin, shërbimin e mbrojtjen qysh kur e kam takuar për herë të parë.

Po sjell pjesën hyrëse nga “letra” që JG duhet t’ia ketë dërguar SN më 14 prill 1981:

“I dashuri shok, Bashkim!

Letrën tënde (një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.

Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.

Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.

Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna.

Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë. Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.

Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët.(…)

(3)

Kush është ai njeri me mend racionale në kokë që nuk do të irritohej nga kjo që përmban teksit që citova? Nëse vërtet e ka shkruar JG, rezulton të jetë mashtruar e manipuluar nga SN, meqë për bindjen time SN duhet të ketë qenë telefonuesi i natës së 14 dhjetorit 1979, për të cilën flitet në ketë letër. Nga ato që dimë, këso praktike nuk janë përdor nga UDBashët kur kanë marrë në pyetje të paraburgosurit politik (bile ditën e parë të arrestimit të Hysen Gërvallës, vëllait më të moshuar të JG). Ndërsa nëse vërtet ashtu ka ndodhur, JG shpërfytyron e diskrediton karakterin e tij. Fatkeqësi mjerane është si duhet t’i kenë lotuar sytë apo si duhet t’i jetë përjargë goja, duke iu përgjëruar kaq përgjërueshëm një anadollaku analfabet, nëse vërtet JG e ka shkruar atë “letër”!

(4)
Edhe vetëm për aq bashkëveprimtari, sa JG duhte ta ketë (dez)informuar SN, më mjafton të ndihem krenar, përndryshe, nëse rezulton që korrespondenca e JG me SN dhe zagarin e UDB-së, Nuhi Sulejmanin, është autentike, origjinale, mallkoj edhe atë bashkëveprimtari. Po të kisha ditë atëherë që SN është UDBash dhe që JG kishte filluar të shpërdorohet aq vulgarisht nga SN nga prilli 1981, sinqerisht, jo vetëm që nuk do të bashkëpunoja, por edhe do ta izoloja për të mos takuar bashkëveprimtarët tonë, meqë JG, pos Misin Mavrën dhe një tjetër, nuk kishte kontakte të tij me bashkatdhetarë tjerë (sepse bënte jetë familjare, nuk kishte kushte për rrugëtime, nuk kishte dokument udhëtimi).

(5)

Nuk më bëhet vonë që mitizimi i JG, për të cilin mitizim kam kontribuar edhe unë, ndikon të keqkuptohem nga tifozët naiv të JG e SN (tashmë edhe të Donka Gërvallës), sepse tani jemi te ballafaqimi i fakteve dhe “fakteve”.
Fatkeqësisht po mungojnë specialistë stili që do të verifikonin, nëse këto “letra” dhe “raporti”, që JG duhet t’ia ketë dërguar në Turqi SN, janë apo nuk janë origjinale. Nëse do bindesha që janë origjinale, do të pendohesha pse e kam njohur dhe kam bashkëpunuar me JG. Ndërsa nëse dalin të kompiluara nga Xhafer Durmishi dhe tjerë falsifikues bashkëpunues, do kem keqardhje të dyfishtë: për vrasjen fizike dhe për vrasjen morale që po i bëjnë falsifikuesit dhe diskredituesit e sojit SN, Xhafer Durmishi, por edhe familjarët Hysen, Avdyl, Syzanë e Donikë Gërvalla.

(6)
Njerëzit korrektë e fisnikë, do mjaftoheshin të dinin për përballjen që kam pas me Riza Salihun qysh në janar 1980, të cilin kryehetuesi operativ gjerman e dyshonte si vrasës të 17 Janarit 1982. Fatkeqësisht (dez)informimi që është në “raport” nuk është i sakt, prandaj më bën me dyshuar se nuk është shkruar nga JG, por nga dikush që i ka dëgjuar e lexuar rrëfimet për krimet e RS kundër JG dhe të tjerëve.
Ata që duan të krijojnë mendim, kush në fakt ishte Riza Salihu, ua propozoj ta përcjellin intervistën që Riza Salihu ia ka dhënë Baton Haxhisë në vitin 2013 (linkun po e citoj në fund të këtij teksti). Pra, kam rrezikuar veten për ta mbrojt JG nga ai zagar i UDB-së. Ndërsa as familjarët e JG, por as Xhafer Durmishi dhe sisoji i tij, nuk e marrin fare në mbrotje JG nga shpifjet, diskreditimet e denigrimet që ua ka bërë Riza Salihu JG dhe Badhoshit edhe tani. Ndërsa unë nuk po mund të hesht, sepse në procesin gjyqësor në Gjykatë (Landgericht) në Stuttgart isha dëshmitar. I akuzuar si i dyshuar për vrasje ishte Riza Salihu. Gjykimi është zhvilluar në vitin 1991, pasi e kanë mbajt në paraburgim hetues mbi 15 muaj…

(7)
Sinqerisht më vjen keq që më janë shkaktuar këto dilema e dyshime ndaj JG, sepse “letrat” dhe “raporti” që i kanë publikuar Sabri Novosella, Faridin Tafallari e Xhafer Durimishi dhe shpifjet që kanë bërë ca familjarë të JG dhe mercenarë të SN, nuk lënë indiferent as gurin, e jo mua që e kam vuajt gjatë kaq shumë vitesh fushatën e orkestruar të specialistëve të luftës speciale të shërbimeve armiqësore dhe viktimave të tyre.

UROJ që këto “letra” e “raporti” të dalin të kompiluara (falsifikuara), dhe JG të jetë shpërdoruar e viktimizuar nga UDBashi SN si idealist romantik, të cilët i karakterizon besimi naiv ndaj atyre që dinë të simulojnë patriotizmin revolucionar e çlirimtar! Në atë rast do lumturohesha ekstra dhe sinqerisht do më vinte keq pse po më brengosin këto dilema e dyshime ndaj Jusuf Gërvallës.

(Ibrahim Kelmendi)

Këtu linku i intervistë së Riza Salihut:

_______________

(*) REAGIM NDAJ FJALËS DISKREDITIM

Një reagim i editorit Sheradin Berisha ndaj fjalës “diskreditim”!

I nderuari Ibrahim Kelmendi

Të diskreditosh dikë do të thotë t’ia humbasësh vlerësimin e nderimin e të tjerëve dhe besimin që kishin tek ai, t’i bësh që të tjerët të mos e vlerësojnë e të mos i besojnë më. Personalisht kurrë, asnjëherë nuk e kam bërë një diskreditim të tillë ndaj teje dhe ndaj askujt tjetër. Përkundrazi portali Pashtriku.org ka qenë, është dhe do të mbetet një dritare e hapur për të gjithë veprimtarët e Lëvizjes (dhe jo vetëm) që vepruan nga themelimi i saj – deri më sot.

Portali Pashtriku i ka botuar librat tuaj: “ATENTATET” dhe “LËVIZJA…” si dhe pa rreshtur shkrime autoriale për angazhimin tuaj në Lëvizje dhe jo vetëm.

Prandaj nuk është mirë të vjellësh mllef shfrenues jo argumentues ndaj bashkëveprimtarit tuaj (1982 – 1983) Xhafer Durmishi (dhe jo vetëm), i cili ka shkruar dhe po shkruan për aktivitetin e Jusuf Gërvallës si QENDRA e Lëvizjes, deri më 17 janar 1982.

Mundësisht lexoje librin “QENDRA JUSUF GËRVALLA” të Xhafer Durmishit me qetësi e durim dhe pastaj mund t’i përgjigjesh pa u xhindos fare. Me këtë rast ju keni sjellur këtë reagim ndaj librit “QENDRA…” dhe pashtriku.org e boton pa hezitim, si çdo shktrim tjetër që keni adresuar për publikim.

Ibro,

E kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsërisi se, polarizimet konceptuale midis krerëve të organizatave (të LNÇKVSHJ, PKMLSHJ dhe OMLK me FKP e shkrirë në OMLK) që e bënë bashkimin e 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, të cilat e kanë përcjellur LR(S)SHJ-në deri në ndarje (në vitin 1985…) dhe transformimin e saj në dy LPRK – OMLK (në vitin 1986 – 87… me adresë e pa adresë) dhe krahun e Komitetit Drejtues (KD) të LRSSHJ me Partinë Komuniste të Kosovës (PKK) si avangardë, në krye me Abdullah Prapashticën, Osman Osmanin dhe Faton Topallin (me organet e tyre “Punëtori” dhe “Kosovarja”)…, kanë shkaktuar trajtimin e njëanshëm dhe subjektiv të historisë së Lëvizjes nga themelimi e tutje. Rrjedhimisht këtu e shoh defektin e trajtimit përjashtues dhe herë – herë subjektiv të kësaj historie prej të gjitha grupimeve pjesëmarrëse të Lëvizjes ndër vite… Dhe  në këtë drejtim e themë me keqardhje më i zëshmi ishit JU Ibrahim Kelmendi.

Prandaj, të lutem mos u tërbo, ruaje qetësinë dhe ekuilibrin njerëzor.

Shëndet e shumë suksese në punët tuaja të përditshme!

Editori i pashtrikut, Sheradin Berisha – më 27.01.2023🤝

***

Në vijim ju ftojë të lexoni

QENDRA JUSUF GËRVALLA ( 1 )

Nga Xhafer Durmishi

***

QENDRA JUSUF GËRVALLA (UNITETI I OMLK-së ME FRONTIN E KUQ DHE 17 SHKURTI 1982) ( 2 )

***

QENDRA JUSUF GËRVALLA (SKEMA E GËNJETRAVE TË IBRAHIM KELMENDIT DHE E VËRTETA NË RAPORT ME JUSUF GËRVALLËN) ( 3 )

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 25.01.2023

_____________

Ndërsa librin në tërësi mund ta lexoni këtu:

QENDRA JUSUF GËRVALLA

Autori: Xhafer Durmishi

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura