EDI RAMA ËSHTË KOMBËTARISHT I DETYRUAR …

EDI RAMA ËSHTË KOMBËTARISHT I DETYRUAR …

Nga Gjokë Dabaj, Durrës – 24 korrik 2021

…E. Rama, po them, është kombëtarisht i detyruar të flasë me A. Vuçiqin për krimet që ka kryer Sërbia në Shqipëri! Por, a po i quan E. Rama Prishtinën dhe Mitrovicën pjesë të Shqipërisë?!

…A e quan një qeveritar i Dublinit Belfastin Irlandë apo Angli?! Një qeveritar i Dublinit, sigurisht që Belfastin nuk do ta quajë kurrë pjesë të Anglisë, sado që ai Belfast ka disa shekuj nën sundimin e Kurorës Angleze. Një qeveritar i Dublinit nuk është injorant në aspektin kombëtar. Një irlandez nuk mund të jetë aq injorant sa, pjesë të atdheut të vet, t’i quajë pjesë të Anglisë dhe nuk mundet që, mbi bazën e këtij koncepti, të zhvillojë bisedime me përfaqësues të Mbretërisë së Bashkaur…

…Nëse E. Rama, në bisedat e tija me A. Vuçiqin, nuk e trajton problemin e krimevet që Sërbia e sotme ka kryer në Shqipëri, nuk mjafton që ai të quhet injorant. Ai është më keq se injorant!

Ç’do me thënë për E. Ramën dhe për të gjithë shqiptarët, të ndërtohet “minishengen”, ose edhe “makroshengen”, duke harruar të kaluarën?! Shkurt e qartë, kjo do të nënkuptonte që masakruesit e kombit të E. Ramës dhe të të gjithë ne të tjerëvet, E. Rama dhe ne, t’i lejojmë të shkelin, pa u ndier fajtorë dhe pa i brejtur ndërgjegjja, sipër eshtravet të të masakruarvet. Masakruesit e kombit të E. Ramës!

…Unë nuk po mund të shprehem ndryshe!.. Më besoni që nuk dua të flas kështu për E. Ramën, sepse asnjë qeveritar në Republikën e Shqipërisë, mbas vitit 1990, nuk ka punuar më mirë se E. Rama. Por jam i detyruar!.. Ku po e çon mushka këtë njeri?! Dhe ku po na çon mushka të gjithë ne që po shkojmë mbas tij?!

…Edhe për Z. Zajevin kam simpati. Por, a flet Z. Zajevi me A. Vuçiqin për masakrat që kanë kryer bashkëkombasit e A. Vuçiqit në territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore?! Burgun e Idrizovës e ka aty Z. Zajevi, me gjithë kronikat e tij të zymta e të zeza! Edhe Vakëfin e Benacit e ka aty! Edhe statistikat e masakravet që kanë kryer sërbët mbi prindët e shtetasvet të tij, Z. Zajevi duhet t’i marrë me vete, kur të shkojë për bisedime me cilindo përfaqësues të Sërbisë.

…Paturpësia e atij farë A. Vuçiqit është e pakonceptueshme dhe e patolerueshme! Si guxon ai sërb të ulet në tryeza bisedimesh me shqiptarët pa kërkuar falje publike për krimet që bashkëkombasit e tij kanë kryer mbi kombin e këtyre bashkëbiseduesve?! Sigurisht, fajin nuk e ka krejt A. Vuçiqi. As Z. Zajevi nuk mund të akuzohet për faj, aq sa po merr përsipër E. Rama për t’u akuzuar e anatemuar në të gjithë shekujt që do të vijnë mbas nesh?!

…E. Rama nuk duhet të pranojë të fillohet asnjë seancë bisedimesh me sërbët, aq më tepër me A. Vuçiqin, pa mbajtur një minut heshtje për viktimat e krimevet të Sërbisë në Shqipëri! Në Shqipëri, në kuptimin më të plotë të këtij nocioni gjeografik!

Një minut heshtje! Të ngrihen në këmbë pjesëmarrësit në bisedime, të rrinë në heshtje në shenjë pendimi e mos‘harrimi dhe të thonë: I përjetshëm qoftë kujtimi i të vrarëvet dhe të masakruarvet shqiptarë nga armët dhe nga duart e sërbëvet!

…Pa u përsëritur kjo formulë përshpirtjeje në të gjithë takimet midis shqiptarëvet dhe sërbëvet, nuk ka katarsis në kombin sërb dhe rrjedhimisht nuk është i mundshëm kurrfarë “shengeni”!

Durrës, 24 korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura