EGOIZMI, INJORANCA, KORRUPSIONI E TRADHTIA JANË TË KËQIJAT QË PENGOJNË ZHVILLIMIN E KOMBIT

EGOIZMI, INJORANCA, KORRUPSIONI E TRADHTIA JANË TË KËQIJAT QË PENGOJNË ZHVILLIMIN E KOMBIT

Nga Skënder Sadri KAPITI, Durrës 13 Nëntor 2021

Kur egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia sundojnë dhe zgjedhin elitën politike, akademike dhe  demokracinë, drejtësinë, patriotizmin e qeverisjen atëhere individi, kombi dhe sovraniteti i shtetit janë të rrezikuar e të kërcënuar seriozisht.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia, këto nuk janë tipare vetëm të politikës e të politikanëve shqiptarë, por këto janë të dëmshme kur kapin, mbërthejnë dhe kërcënojnë edhe  shoqërinë civile, intelektualizmin dhe mediat.

Egoizmi negativ, injoranca, korrupsioni, servilizmi dhe sahalëpirja politike janë  karakteristikë dhe virtyt edhe i  intelektualizmit akademik në Tiranë por edhe në Prishtinë. Mjerisht edhe akademikët e profesorët në Shqipëri e Kosovë shumica janë injorantë dhe si doktorë e  profesorë të graduar me pameritë, me miq, me ryshfet dhe me mbeshtetje politike  të cilët  i shërbejnë politikës dhe oborrit të politikës e të pushtetit.

Nuk dëgjohet zëri i tyre  kritik kundër  fenomeneve e të këqijave politike e kombëtare të politikës, nuk dëgjohet mendimi intelektual i tyre përvecse nga tepër të  paktët prej tyre për probleme e shqetësime të tilla si të kufirit detar Shqipëri-Greqi, as kundër  politikës për  coptimin e Kosovës, kundër   Minishengenin, as për korrupsionin, as për mosintegrimin, as për eksodin, as për varfërinë e as për papunësinë.

Edhe akademikët, mediatikët, intelektualët e kryetarët e OJQ-ve, edhe ata  që flasin e duken, ata në të shumtën prej  tyre  nuk flasin pa marrë leje e pa qenë në vijë  dhe në një linjë me pushtetin dhe  me përfitimin e me interesin material personal. Të tjerë intelektualë rrinë si “qëngja” të urtë dhe qëndrojnë “indiferent e nuk trazojnë” politikën e pushtetin pasi kanë frikë se u hiqen postet e detyrat, por me një finesë servilizmi e djallëzie ata  i bëjnë shërbime politikës e pushtetit, pasi politika e pushteti i mban dhe i zgjedh ata.

Politika dhe ky lloj intelektualizmi e profesionalizmi egoist tinëzar, servil e injorant nuk lejon por e pengon dhe madje edhe i përjashton  jo vetëm nga karriera politike dhe  akademike por ua  imponon akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve dhe artistëve, pra  intelektuailzmit të  vërtetë e patriotik që të largohet nga Atdheu.

Pra ashtu si politika dhe mediat, ashtu  edhe Akademia në Shqipëri,  e cila  ka edhe sot  për kryetar të saj  një ishministër të kohës së komunizmit  ka si trashëgimi shërbimin dhe servilizmin intelektual të akademisë së kohës së regjimit komunist, ku intelektualizmi akademik e shkencor marksist-leninist  ishte mbështjellja intelektuale, propogandistike dhe oksigjeni i ishregjimit komunist.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia kur ato dominojne në një komunitet atëhere aty nuk ka harmoni dhe as dashuri kombëtare, nuk ka respekt, besim e as solidaritet të ndërsjelltë mes bashkëkombasve dhe në këtë gjëndje atëhere edhe patriotizmi e atdhedashuria  gjënden vecse si fjalë krenarie,  dhe përderisa është kështu dhe prandaj  njerëzit vetëm sa largohen nga atdheu prej padrejtësive, prej pasigurisë, prej mosrespektit, prej mosvlerësimit,  prej varfërisë  dhe prej hakmarrjes e urrejtjes.

Egoizmi, injoranca ,korrupsioni dhe tradhtia e arroganca kërcënojnë patriotizmin dhe konsolidimin e përparimin e Kombit, pengojnë bërjen dhe lartësimin e tij.

Prova më e madhe për patriotizmin, për pushtetin e mirë  dhe për patriotët është pushteti dhe paraja, pra prova është se si ata   sillen me pushtetin dhe se a i josh, dhe a i korrupton ata pushteti, korrupsioni e paraja.

Patrioti i cili spekulon me patriotizmin dhe me kontributin e vet  e që përpiqet që me to të justifikojë  korrupsionin, arrogancën  dhe  hajdutërinë   kur vjen dhe kur “rehatohet” me pushtet, me para e pasuri,   atij i errësohet logjika, shformohet dhe shpirtligësohet  duke rënë  nën nivelin dhe më poshtë se zullumqari e   tradhtari. Është mjerim për atë shoqëri që ka si “patriotë” kësisoj  të këtillësh.

Patrioti i vërtetë është a i cili gjithmonë mbetet shërbëtor i interesave kombëtare, është  ai i cili është dhe sillet ashtu si thotë një fjalë popullore:”trimi i mirë me shokë shumë”; është ai i cili nuk mban e nuk zgjedh rreth vete injorantë e servilë, puthadorë e përfitues; është ajo  se cfarë ai respekton e mban rreth vetes, dhe se sa tregohet  pushteti e pushtetari patriot respektues dhe  jo egoist, joinatxhi e joidhnak me patriotizmin,me aftësinë dhe me kontributet e të tjerëve.

Është demokracia e vërtetë  ajo e cila përzgjedh elitën drejtuese patriotike, politike, intelektuale dhe juridike   të moralshme,të pakorruptuar; elitën e cila   gjen dhe e ka interesin e vet brënda atij kombëtar.

Pra, është demokracia e vëretetë dhe ligji demokratik  ajo që zgjedh dhe ia beson pushtetin  patriotizmit real dhe që  ndëshkon injorancën, egoizmin autokratik, arrogancën, mosmirënjohjen, mashtrimin,  korrupsionin dhe tradhtinë.

Po të studiohen me qetësi dhe në mënyrë të faktuar e me argumente historike, politike e diplomatike rrjedha e atyre popujve e kombeve të fuqishëm e të  lavdishëm të cilët kanë sundur e dominuar epokat historike të lashta, të Mesjetës dhe të kohëve moderne do të konstatohet se ato kombe janë bërë të tilla sepse popujt e tyre kanë mposhtur egoizmin, injorancën, korrupsionin dhe kanë fituar lirinë, demokracinë dhe zhvillimin gjithpërmasor intelektual,kulturor, ekonomik, juridik e të mirëqënies.

Kombet e mëdha dhe të lavdishëm nderojnë, respektojnë dhe u japin vëndin e duhur dhe të merituar patriotizmit, aftësisë dhe atyre individëve të cilët kanë dhënë kontribute dhe që kanë bërë epokë e histori në shëbim të kombit e të atdheut.

Madje ka kombe, popuj e shtete që edhe kanë ngritur kulte, kanë fabrikuar dhe kanë marrë por edhe vjedhur heroj, historira, kultura e vlera të kombeve  të tjera dhe i kanë bërë ato të tyret.

Ndërsa fatkeqësisht jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën dhe herojtë politika shqiptare i ndan politikisht, e madje politika shqiptare edhe të kaluarën mundohet që ta ndreqë politikisht,pra aq shumë e politizuar është politika  shqiptare dhe shoqëria  sa që shqiptarët edhe sot akoma mësojnë historira të paragjykuara e të vlerësuara anshmërisht e politikisht sipas dëshirave dhe interesave të politikës, atyre personale e korruptive..

Jo vetëm kaq por politika shqiptare sot akoma bën e vepron politikisht dhe për interesa të saj në cdo gjë e aspekt shoqëror, shtetëror, filozofik, akademik, juridik dhe ekonomik e demokratik.

Mund të jesh shkencëtar, intelektual, biznesmen,  mendimtar, profesionist e patriot, por, po nuk qe i angazhuar e në shërbim të këtij apo të atij krahu politik, po nuk i bëre shërbimin dhe servilin pushtetit kurrë mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se ata e kanë të hapur rrugën për të bërë karrierë, për të marrë dhe për t’u vlerësuar kompetenca, aftësia, virtyti e morali atyre që i kanë ato.

Por jo vetëm politika, por te shqiptarët në përgjithsi vihet akoma re inati dhe egoizmi negativ ndaj kompetencës, aftësisë, patriotizmit dhe të suksesit të tjetrit, dhe nëse ke edhe shumë  të mira , jo vetëm politika por madje edhe në një masë të konsiderueshme edhe opinioni i infektuar si politika egoiste dhe smira  mezi pret që të gjejë një të metë, gabim apo dobësi dhe aty përqëndrohet e godasin  me qëllim për të përbaltur individët të cilët meritojnë respekt, nderim e mirënjoje.

Por është edhe kjo, është indiferenca djallëzore dhe hipokrizia, mosmirënjohja, mosrespekti shoqëror dhe mosmbështetja për mbartësit e virtytit,  ndershmërisë, moralit, patriotizmit.

Në shoqërinë shqiptare mungon në një shkallë të lartë  solidariteti human në shoqërinë civile, pasi nuk ka reagim shoqëror ndaj padrejtësive që shteti, ligji e drejtësia u bën padrejtësi qytetareve.Shoqëria civile është e manipuluar dhe pothuajse është inekzistente dhe patericë e politikës.

Pse shqiptarëve nuk u ndahen vuajtjet  dhe padrejtësitë?!

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur popujt fqinj armiq të egër e të pabesë. Kjo dihet. Por shqiptarët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “armiq” edhe të keqijat brënda vetes , e që nuk po u ndahen ato.

Armiqtë dhe kërcënimi, moszhvillimi e mosprogresi  kombit i vjen edhe atëhere kur ai është i infektuar nga xhelozia dhe egoizmi, nga korrupsioni dhe nga tradhtia.

Nëse njeriu dhe komuniteti i një kombi i cili nuk mposht egoizmin atëhere aty jo vetëm pushtetin por edhe shtetin, shoqërinë, moralin, ligjin, drejtësinë,  kompetencën dhe dhuntinë e drejton pamerita dhe injoranca.

Injoranca joshet dhe bie shpejt dhe lehtë  pre e gënjeshtrave, manipulimeve dhe të mashtrimeve, dhe shumë e shumë më keq akoma është kur injoranca merr dhe forcohet e armatoset me para, me pasuri e me pushtet, atëhere  ajo rrëmben  edhe  kompetencat e talentit,të diturisë e të patriotizmit.

Nëse një popull nuk ndëshkon korrupsionin por pajtohet me të atëhere te ai popull është shumë i vështirë  instalimi i drejtësisë dhe zhvillimi e progresi drejt më të mirës, mirqënies, sigurisë dhe  pëmirësimit.

Nëse një komb nuk e “vret” tradhtinë, pra nëse nuk e ndëshkon atë por e toleron tradhtinë  politikisht atëhere aty sundon e qeveris edhe hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni të cilat edhe ato janë tradhti.

Dhe kur kjo ndodh vazhdimisht   edhe vuajtjet  vijnë  si meritë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura