ELIFE PODVORICA JASHARI: 8 MARSI, DITA E LULEVE!

Prishtinë, 8 mars 2018: Sot ishte ditë lulesh ,dhe më dolën lotët disa herë gjatë ditës që nga mëngjesi!Urimet që më vinin përmes mesazheve , ishin të stilizuara me shumë elegancë dhe fjalët e ngrohta që më drejtoheshin , më bën vërtetë disa herë të më rrokulliseshin lotët si rruaza te tejdukshme!
Ishin mesazhe urimesh nga mike te vjetra të miat, me të cilat fijet e miqësisë janë thurur që nga rinia ime, fije të cilat janë endur ne stofin e jetës , duke lidhur nyjet e viteve si lule me nuanca ngjyrash shumë!
Urimi i vajzës dhe fjalët e saja të dala nga zemra e saj, poashtu më nxorën lotët , që sot po rrinin në cep të qerpikut- mbledhur ndër vite !
Festat dhe urimet , disi vetvetiu bëjnë përmbledhjen e një rezymeje raportesh e lidhjesh familjare e shoqërore!Dhe ajo që më sillte në delir emocionesh e më shpërthente në lot, ishte se unë e ndjeja se jeta ime kishte bërë një grumbull vitesh , gjurmët e të cilave sot po merrnin trajtën e urimeve dhe fjalëve kaq të bukura shqipe!
Eh!- Nuk është se kam qenë më e mira në jetën që e jetova gjer në këto çaste, as që kam qenë më e dijshma , as më e menqura, por jam munduar që kurrë mos të bëj keq, kurrë të mos bëhem jofalenderuese, që kurrë mos t,i lëndoj të tjerët, që asnjëherë të bëhem mospërfillëse ndaj prindërve, ndaj fëmijëve të mi, ndaj nxënësve e studentëve, ndaj kolegeve e kolegëve , ndaj mikeve të mia!Të kesh një mike të dashur në jetë , konsideroj që është dhurata më e bukur që jeta të servirë!

Jam munduar të jetoj si shqiptare me të gjitha virtytet që duhet ti ketë një grua shqiptare!
Jam munduar….por e di që nuk kam mundur të jem çdo herë e përkryer!E di se kam mundur të bëj edhe më shumë, edhe më mirë…Me kalimin e viteve e kam kuptuar se të jesh grua dhe të edukosh fëmijë, është një gjë shumë e rendësishme dhe me përgjegjësi të shtrenjtë ndaj familjes, ndaj shoqërsisë!Kam kuptuar se sa më të mira të jemi ne gratë, sa më vigjilente të jemi, sa më të vyeshme në raport me fëmijët tanë në rritën e edukimin e tyre, sa më të zonjat të jemi në punën profesionale, në kuzhinën e shtëpisë sonë, në ruajtjen e traditave të mirëfillta shqiptare, sa më të sjellshme që të jemi me prindërit, vjehërrit, fëmijët tanë , shoqërinë pjesë e së cilës jemi, aq më e ngritur dhe e integruar do të bëhet kjo shoqëri !Aq më i bukur do të bëhet kombi jonë!Kujdesi i mirëfilltë ndaj fëmijëve tanë, është edhe kultivimi i racës sonë!Sa më të zonjat të jemi, sa më të dijshme të jemi, aq të shëndosha do të jenë familjet tona!
Dhe si një grua që ka prekur cepat e dekadës së pestë në jetë, kam të drejtë të them një konkluzion-është krejtësisht në dorën e gruas kultivimi dhe bukuria e një kombi-integrimi dhe zhvillimi i tij!Vetëm duhet të dijmë të dëgjojmë dëshirat tona, dashurinë tonë, aftësinë tonë dhe menqurinë tonë!Jam e bindur se tashmë e kemi kuptuar se emancimi dhe e drejta e gruas nuk gjindet nëpër restorane , por në gjirin e familjes së vet-brënda shtëpisë ku e ka ndërtuar folenë e saj!Jam e bindur se gruaja shqiptare e ka kuptuar se bukuria e saj nuk shprehet në stolitë e lluksin e pafund të veshmbathjeve e veturave luksoze, por në shkollimin e fëmijëve të saj dhe në aftësimin e tyre në jetë si intelektual të mirfilltë!Jam e bindur që gruaja shqiptare e ka kuptuar tashmë, se raportet e shëndosha ndër familjare, janë konstrukcion i mirësjelljes së saj, i modestisë së saj! Dhe se kënaqësia nuk kërkohet jashtë folesë së saj, por në suksesin dhe shendetin e fëmijëve të saj!
Ne gratë shqiptare nuk mund të ankohemi që nuk dalim e nuk shëtisim , nuk kemi standart për mirëqenien tonë!Ajo që duhet të shqyrtojmë dhe të jemi të vëmendshme,është autokritika!Sa jemi puntore e të vyeshme, sa kemi dëshirë e vullnet për sjelljen e mirë ndaj familjes , ndaj rrethit ku jetojmë, sa të afta jemi që me punë të ndershme e të vyeshme , të rregullojmë e të tejkalojmë sfidat që jeta sjellë për çdo grua – jo vetëm për shqiptaret!
Andaj e dashur grua shqiptare , mos u ndjejë viktimë në familje dhe në shoqërinë që e edukojmë vet !
Gjersa nëpër botë kjo ditë shënohet si një ditë proteste, tek ne, gratë e veshura e të ndreçura me frizurë e veshmbathje plotë elegancë, i mbushin restorantet përplotë , ashtu siç janë të mbushura duart e tyre përplotë dhurata duke filluar nga bashkëshorti, fëmijët, familja dhe rrethi i gjërë shoqëror!
Andaj,të bëhemi falenderuese për ato që kemi !Dhe të bëhemi të afta e të zonjat, të arrijmë ato që nuk kemi… 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura