ELIFE PODVORICA: NJË DITË LOTI E DHIMBJEJE NË PRISHTINË!

Prishtinë, 9. 11. 2016: Prishtina sot mezi ishte ngrysur nga shiu që binte pareshtur! Kryeqyteti ishte lagur nga qielli i errët që nuk pushonte shiun e dëndur nga retë e zeza skëterrë përmbi të! Por, kjo gjëmë nuk ishte vetëm nga qielli i saj këtë ditë të marte! Prishtina ishte qullur nga lotët e njerëzve të kërrusur nën obrellat e zeza, qanin me dënesë! Në këtë kor vaji, sot ishin bashkuar të gjithë: gra e burra, pleq e të rinjë, nxënës e studentë! Lotët ishin gjuha që flitej ngado që i hidhje sytë e përlotur! Ndërsa dënesja ishte hallka që ngjitej lartë në qiellin që gjëmonte! Sot, në kalendarin e ditëve në Prishtinë, nuk flitej, nuk këndohej! Lotët që rrëshqisnin fytyrës së mijëra njerëzv, ishin notat më pikëlluese që dikush kishte shkruar një varg!

…Ishte edhe më pikëlluese se vet vargjet e Migjenit “Poemë e Mjerimit”, me të cilën Visari kishte përshkruar personalitetin e shokut të tij të idealit, në Akademinë Komemorative që mbahej në sallën e Fakultetit Filologjik!

Këto lule të freskëta në duartë e këtyre të rinjëve, janë sikur dhimbja e tyre e freskët nga dy ditë më parë, që nga momenti kur kishin marrë lajmin e hidhur se shoku i tyre kishte ndërruar jetë!
Dhimbja u kishte rënë si tis i errët në shpirtin e fytyrat e tyre të njoma… sikur lulet që mbanin në duar!

Kortezhi i gjatë i njerëzve të mbuluar me ombrellat e zeza, e kishte një vend ku donte të arrinte!
Dhe këtu të priste arkivoli i Astritit – i studentit të Mjekësisë, i cili sot në vend që të ishte i ulur pranë shokëve të tij në ligjërata, po i priste shokët në arkivol të mbulluar – me lulet ngjyra-ngjyra nga duartë e njoma që ia vinin në momentin kur po bënin përshëndetjen e fundit me kolegun e tyre student!
Majtas arkivolit, e takoje Albinin! Sot jo duke folur para masës siç jemi mësuar ta shohim! Albini sot rrinte ulur dhe i heshtur! Ai sot nuk fliste! Fjalët e tij ishin lotët që i rridhnin pa ndërperë në fytyrën e tij të zbehtë! Pak më tutje tij, ishte ulur edhe Shpendi! Djali i Harvardit sot nuk ishte në vendin e tij të punës! Ishte ulur para Teatrit Kombëtarë dhe priste njerëzit që bënin Homazh! Dhimbjen e thellë nga shpirti i tij, e nxirrnin në pah lotët, që rrëshqisnin ashtu të qetë, pa zhurmë, pa fjalë, të mbështjellur nën pikëllimin e trishtë që ia kishte mbuluar fytyrën!

E në mesin e tyre, ishin të ulur dy prindër! Që sot kishin Qiellin e Tokën – nikoqirë të djalit të tyre që mbanin në arkivol mu aty përmbri! Sytë e tyre ishin mbështjellur me dhimbjen si çarçafi i reve të zeza në qiell, me gjëmën e murmurimës së zhurmëshme! Ajo sikur kishte vajtuar tërë natën e kaluar, në vend të shpirtit të tyre të copëzuar në qindra mijëra copëza dhimbjeje që avullonin përmbi retë e zeza në qiellin e mbushur lot…
Ata, të heshtur në dhimbjen e tyre vullkan, po rrinin edhe pak çaste pranë trupit të pajetë të djalit të tyre! Sytë e tyre nuk kishin lot! Lotët e tyre i kishte marrë turma e njerëzve që e heshtur në rend priste të bënte përshëndetjen e fundit me djalin e tyre, me djalin e Prishtinës! Me djalin e Kumanovës!
Me djalin e gjithë Kosovës!
Me djalin e gjithë shqiptarisë!
Ideali i tij dukej në përbërjen e kortezhit të tij! Njërëz që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare! Secili nga ata kishte një amanet me vete-që nga zakonet e vendeve që vinin, ta përshëndesnin këtë djalosh dhe t’i bënin nderimet e fundit ashtu siç i ka hije një burri të tillë, që për komb e ideal nuk frikohej as para vdekjes…

Këtë nderim të fundit, po ia bënte dhe mikja e tij e idealit për shumë vite me radhë – Marigona! Ajo sot, shokun e saj po e bartë me duart e veta në arkivol të mbështjellur me flamurin kuq e zi, të qëndisur nga Marigona e një shekulli më parë! Ishte e heshtur Marigona sot! Nuk luftonte, nuk protestonte, nuk vraponte! Ajo ecte sot nën ritmin e hapave mortor! Marigonën sot nuk kishe nevojë ta tërhiqje zvarrë, siç ka ndodhur me dhjetëra herë, gjatë aksioneve të saja, nganjeherë e torturuar vrazhdë, e shëmbur për toke! Jo! Ate kësaj here nuk kishte nevojë as ta tërhiqje zvarrë, e as ta shembje për toke!
Në momentin që kishte dëgjuar lajmin e humbjes së Astritzit, ajo ishte përplasur vet për tokë. Ishte shembur dhe u mundonte të hynte brënda saj, vetëm mos të dëgjonte fjalët e hidhura! Dhe ja! Sot e pa fjalë, krejtë e qetë, e pa frikshme për askë, Marigona e shekullit 21, e bartë me duart e njoma studentore, kolegun e saj të mbështjellur me flamurin kuq e zi! Shokun e akcsioneve, mikun e Idealit të saj, shembullin e rinisë shqiptare, birin, mikun dhe studentin Astrit Deharin, i cili të 26 pranverat e tij po ia dhuronte Kosovës që ti ruante në Altarin e saj – Të Lirisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura