ELIFE PODVORICA: SHARJET PUBLIKE – VESE QË DUHET TË LARGOHEN URGJENTISHT!

Prishtinë, 01. 04. 2015 – “Kush të shajë kend nder vende të përmenduna (publike), a i shau kush kuej nanë a babë, ka për të la 250 grosh giobë e tre desh, po i pat mbushë 15 vjet”! (Marrë nga Kanuni i Lek Dugagjinit)!  Paramendoni, në atë kohë është paraparë një kod (ligj) i tillë! Nuk mund të them se sa ka qenë efekti i kësaj gjobe në atë kohë kur është shkruar ligji, por deri vonë, nuk ka qenë shumë e zakonshme që në familjet shqiptare të shaheshin në ‘nënë e babë’, ashtu siç bëhet sot, fatkeqësisht!
Ulen burrat nëpër restorane luksoze dhe pa një pa dy, në muhabet e sipër, marrin nëpër gojë e shajnë nënën e tjetrit, dhe për më keq, kohëve të fundit edhe motrat shahen! Kjo dukuri e shëmtuar ka marrë përmasa shqetësuese, për faktin sepse shfaqet kudo në vendet publike: në rrugë midis të rinjësh, në restorane, në shkollë, në vendin e punës etj., pa e vrarë mendjen “tipat” e tillë, që në afërsi të tyre ka gra e nëna, të cilat kur i dëgjojnë këto sharje e fyerje (nga më banalet), bien në siklet dhe natyrshëm mund ta lëshojnë edhe ndonjë të sharë në vetvete si: “ju marrtë e liga” ose “ju marrtë mordja”, si nuk ju vjen turp për këto sharje!
Nuk dihet me saktësi prej kur shqiptarët e fituan këtë shprehi, por ajo që dihet mirëfilli – nëpër familjet tona, ka pasur shumë kujdes për mënyrën e të shprehurit midis anëtarëve të familjes, sidomos para fëmijëve, si dhe midis miqëve e shokëve!

– T’i kursejmë nënat tona nga sharjet dhe fyerjet! –

Jam e sigurtë se pedagogët dhe mësuesit, gjatë procesit edukativo-arsimorë, duke filluar nga qerdhet e fëmijëve dhe nivelet tjera të shkollimit, nuk kursejnë asgjë që nxënësit (fëmijët tanë) t’i edukojnë në aspektin e mirësjelljes ndërnjerëzore, dhe për e mënyrën e komunikimet me të tjerët, që të mos jetë problem i theksuar në familjet tona dhe në rrethin e shoqërisë sonë. Nuk duhet të harrojmë faktin se, për një ofendim, njerëzit edhe janë vrarë mes vete, andaj kujdesi duhet të jetë i shtuar në këtë drejtim.
E di që institucionet arsimore në Kosovë, punojnë me shumë kujdes në këtë çështje, por ama pa institucionin Familje, fëmijët dhe të rinjtë tanë, nuk mund të edukohen aq sa ka nevojë, dhe aq sa do të duhej që ky ves dhe kjo shprehi tepër e rëndë të evitohej në përditshmërinë e komunikimit midis nesh!
Është vërtetë e pahijëshme kur midis të rriturve dhe njerëzve serioz dëgjon sharje banale! Po sikur ata vetëm pak të analizojnë sharjet në adresë të nënës së tjetrit? A thua, do ta bënin këtë gjë edhe më tutje? Unë dhe të gjithë ne e dimë se nënat shqiptare nuk e kanë zakon të shajnë (!!!) dhe nuk janë dëgjuar kurrë prej tyre të tilla shprehje, gjatë procesit të rritës e edukimit të fëmijëve? Atëherë, pse këta njerëz, bijë nënash, shajnë e ofendojnë me fjalë të rënda?!
Meqë kjo dukuri është veti e pahijëshme për një popull që flet gjuhën e vetë, atëherë shtrohet pyetja çfarë duhet të bëhet për ta ndalur këtë trend të shëmtuar?
1 – Të sensibilizohet opinioni përmes “këshillash” e platformash të ndryshme kombëtare si, në kohën e “pajtimit të gjaqeve” kur u bë një akt historik për zhdukjen e rrënjëve të gjakmarrjeve midis familjeve shqiptare, që e kishte bllokuar zhvillimin normal të kombit, në rrugën e tij për çlirim nga thundrat e okupuesit!
2 – Të bëhet sërish një platformë e tillë, nga intelektualët tanë, që kjo shprehi e keqe dhe ky ves të hiqet urgjentisht!
3 – Në këtë drejtim ndihmesë të madhe mund të japin edhe mediat tona televizive, sepse jam e bindur se po të bëhej një sensibilizim i tillë, shumë shpejt do të përmirësohej komunikimi midis njerëzve!
Apo, duam të vihet gjobë sikur në kohën e Lek Dugagjinit?! Ashtu siç u vu gjoba për pirjen e duhanit nëpër lokalet publike! (Është diskutuar shumë se kafenetë e restoranet tona do të boshatisen pas ndalimit të pirjes së duhanit! Por, jo! Nuk ndodhi kështu! Ato janë plotë dhe vërtetë është kënaqësi kur drekosh apo pish një kafe pa ‘perde duhani’ nëpër lokalet tona).
4 – Për evitimin e këtij vesi të keq, do të ishte punë e dobishme që të diskutohet edhe nëpër institucionet tona shtetërore, edhe pse nuk është një çështje politike, sepse institucionet me një veprim të tillë mund të japin një shembull të mirë në përmirësimin dhe rregullimin e raporteve komunikuese midis njerëzve të shoqërisë sonë!
Jam e vetëdijshme se, ata që do ta lexojnë këtë artikull, do të thonë: “nuk jemi vetëm ne shqiptarët që shajmë nënën e tjetrit, shajnë edhe popuj të tjerë”. Ani! Le të shajnë popuj të tjerë! Por, meqë ne po i themi vetes se jemi populli më i lashtë, më paqësor në Ballkan e Europë, ndërkohë që jemi më të pazhvilluarit në aspektin ekonomik, industrial etj., atëherë le të mundohemi të paktën me fjalë goje të jemi më të avancuar dhe më të kujdesshëm e më të kulturuar se të tjerët.
Dhe ky mund nuk kushton asgjë – është gratis dhe nuk ka nevojë për fonde e kapitale të mëdha!
“Të gjitha lëvizjet progresive sociale, edukatën e konsideruan çelës për arritjen e objektivave të tyre” – ka thënë M.Barllow! Ndërsa Sami Frashëri ynë për ‘edukatën në bashkëbisedim’ ka thënë: “Edukatë në bashkëbisedim nuk është vetëm të flasësh fjalë të mira, është konditë të mos flasësh fjalë të ligë. Prandaj ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata.” Ndërkaq shkrimtari francez, Viktor Hygo ka një thënia epokale: “Dy janë nëpunësit kryesorë të shtetit: nëna dhe mësuesi”!
Prandaj kam një lutje: t’i kursejmë nënat tona nga sharjet dhe fyerjet!
Uroj që këtë shqetësim timin ta lexojnë, sociologët e psikologët për ta trajtuar në mënyrë profesionale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura