LETËR DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE AMBASADËS NË BERLIN

Nga Isuf Bytyçi

Zonja e zotërinjë,

e nderuara Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës znj. Donika Gërvalla, i nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin z. Faruk Ajeti, kam kënaqësinë që kudo në Europë e në botë i kemi të hapura ambasadat dhe konsullatat tona, nga shteti i Kosovës. Po ashtu, gëzohem që i kemi njerëzit tanë, që na përfaqësojnë me dinjitet dhe shumë nga ata janë të ndershëm, atdhetarë, punëtorë, kompetentë dhe mbi të gjitha njerëzorë. Mirëpo, si në atdhe ashtu edhe në diasporë, ka raste ku janë punësuar njerëz jo kompetentë, jo punëtorë dhe të paaftë.

Një ministër/ministre i/e punëve të jashtme, një ambasador/e dhe një konsull/e i/e një vendi, jo vetëm që përfaqëson popullin dhe shtetin e tij/saj, por edhe kulturën e tij/saj e përfaqëson. Kështu që ai/ajo duhet të jetë sa më ideal/e.

Zëri i atdheut është i çmuar, poaq sa edhe jeta jonë! Këtë zë e presim pa durim për çdo ditë me duarhapur nga përfaqësuesit tanë politikë e diplomatikë, kudo që janë! Na mban shpresa që në të ardhmën të mos ndodhin veprime jo të mira sikur në Munih, në konsullata e ambasada kudo që i kemi në diasporë!

Kemi menduar se do të tejkalohen disa praktika të pakëndshme e të dëmshme si në atdhe ashtu edhe në diasporë, për të cilat ju shkruaj me keqardhje se po na përsëritet historia! Në rastin e parë kur qe hapur konsullata e Kosovës në Munih, me konsull gjeneral Naser Idrizin, me vetëm shkollë fillore apo edhe gjimnazin e kryer, të cilin na e solli Qeveria Haradinaj, që shumëherë shkonte në punë edhe me trajnerka, që në vend se konsulli të ishte zë i mërgimtarëve e përkrahës, ai bënte vetëm pengesa…!

Ne i lajmëruam Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Arsimit si dhe Ambasadën e Kosovës në Berlin për djallëzitë e tij dhe, brenda disa muajsh shkoi ai! Por, çka ndodhi pastaj? Atë të parin që e solli Qeveria Haradinaj shkoi e, na e solli këtë tjetrin po ajo qeveri!

Na erdhi konsull gjeneral Afrim Nura, i cili u bë sundues, me pak më tepër shkollë se ai i pari! Na del se e ka të kryer vetëm shkollën e mesme, i cili vet e dëshmoi në një emision në TV Dukagjini, i cili u mor pikërisht me konsullin gjeneral të Kosovës në Munih, Afrim Nurën! Reporteri e pyeti se “çka keni të kryer, ju si konsull gjeneral që jeni në Munih?” Afrim Nura përgjigjet (në minutën e 26): “E kam mbaruar shkollën e mesme, ngaqë u suprimua autonomia e Kosovës, që atëherë nuk munda ta vazhdoj shkollimin.”

Sipas CV-së,  Afrium Nura nuk e ka të përfunduar arsimin e lartë. Ai shkruan se nuk ka mundur ta përfundojë Fakultetin e Mjekësisë, pasi gjatë viteve 1989-1991, fakulteti ishte mbyllur nga regjimi serb.

***

I paska filluar studimet në Prishtinë për mjekësi dhe nuk i ka përfunduar, kurrë! Po ashtu, paska provuar të studiojë në Munih të Gjermanisë dhe nuk i paska mbaruar! Që do të thotë se e kemi një kryediplomat pa përgatitje të mjaftueshme shkollore dhe jo kompetent.

Sikur askush tjetër nga ajo periudhë nuk paska kryer shkollë dhe sikur s’ka shteti i Kosovës njerëz më të shkolluar dhe kompetentë, që ta udhëheqin me dinjitet konsullatën e Kosovës në Munih! Ky na doli se i kishte gjithsejt 13 vite shkollë të kryer! Alamet intelektuali! Tani m’u kujtua thënia e Faik Konicës, kur i ka thënë Ahmet Zogu, njërit: “Ti Halim që s’di këndim, bëhu ministër për arsim!”
Qeveria e parë – Kurti, me Ministër i Punëve të Jashtme z. Glauk Konjufca, kishte premtuar se për korrupsion e familjarizëm, do të ketë zero tolerancë! Në përpjekjet e qeverisë për të larguar njerëz  që ishin emëruar jashtëligjshëm si diplomatë, në medie doli edhe emri i konsullit të përgjithshëm në Munih Afrim Nura, të cilit i paska ardhur radha për zëvendësim!

Menduam se tash e mbrapa do të ketë rregullsi dhe do të na vijë konsull gjeneral i Kosovës në Munih dikush me fakultet apo dr., sikur që ishte Msc. Dhurata Selimi apo Dr. Hamdi Reçica, por nuk na doli! Ra Qeveria e parë – Kurti e, së shpejti na erdhi Qeveria e dytë – Kurti dhe u harrua zëvendësimi i Afrim Nurës, edhe pse pothuajse të gjithë ata tjerët u larguan e u zëvendësuan, Afrim Nura ngeli konsull gjeneral i përhershëm në Munih, i cili më tepër merret me shoqata e grupacione se që merret me punët e konsullatës!

Përveç kësaj, konsulli gjeneral Afrim Nura, sillet jo – vëllazërisht, me konsujtë e Shqipërisë, që janë në të njëjtin objekt! I maltreton përditë dhe e ka sjellë gjendjen deri në atë shkallë, sa që shumëherë as që flet me ta ose flet, vetëm sa për t’u ngatërruar! Edhe dhomën e përbashkët të palëve e ka ndarë në dysh, që t’u tregojë atyre se ky është pronari i konsullatës!

Kjo është e patolerueshme, sepse Shqipëria është shteti ynë amë dhe ne s’guxojmë t’i prishim marrëdhëniet me ta. Përkundrazi, të bashkëpunojmë ngusht me ta dhe të shkojmë drejt bashkimit kombëtar e shtetëror.

Në një takim që shkova në konsullatën e Kosovës për t’u konsultuar me z. Afrim Nura, në raport me LAPSH-in (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Bavari) dhe zgjedhjet, që do të pasonin, kërkova që ai të mos lejojë parregullsi dhe t’i përkrahë njerëzit kompetentë e me përvojë udhëheqëse. Por, a e dini ju se çka më tha ai?: “Leni bre dallaveret, ti edhe Mustafë Krasniqi se boll mirë është kryetar i LAPSH-it, Milazim Ukaj! Kryetar është tash edhe në mandatin tjetër le të jetë”, dhe ashtu ndodhi.

Në saje të intrigave dhe shantazhit, që i bënin disa tipa nga Fondacioni «BESA» bashkë me konsullin gjeneral të Kosovës, Afrim Nura, ngeli kryetar i LAPSH-it Milazim Ukaj, me vetëm gjimnazin e kryer, që para mandatit të parë as anëtar i LAPSH-it nuk ishte, kurse unë e Mustafë Krasniqi, jemi profesorë të letërsisë e të gjuhës shqipe, gazetarë të lirë, autorë librash, lektorë librash të autorëve tjerë dhe themelues të LAPSH-it në Bavari. Ndërsa, konsulli na thotë se me vota të lira i fitoi gjimnazisti zgjedhjet  me 3-4 vota më tepër se kandidati tjetër (unë), në saje të shantazhit që bëri ky me shokët e tij të Fondacionit BESA, mbi mësueset dhe prindërit shqiptarë.

Që m’u kujtua thënia e Viktor Hygojt: “Në demokraci, dy budallenjë vlejnë më shumë se unë!”
Ndërsa Milazim Ukaj, që është produkt i masonëve shqipfolës të shoqatës «BESA», në Munih, në një shkrim në WhatsApp,  më shkroi:  “Çka dinë bre mësueset më tepër se unë? Shumica nga ato, i kanë blerë diplomat nëpër kiosqet e Kosovës e të Shqipërisë!”  Ndërsa, disa nga përfaqësuesit e shoqatës “BESA” janë një grup shqipfolësish të lidhur me xhaminë e shqiptarëve të Maqedonisë  “BALLKAN” dhe mbahen me ta!  Ato një mijë a po dy mijë Euro, të cilat ua jep xhamia atyre, ata ia dhurojnë LAPSH-it, në mënyrë që ta kontrollojnë dhe thuhet se i hanë disa dreka e darka bashkë me konsullin gjeneral të Kosovës, Afrim Nurën dhe shokët e tyre! Ndërsa mësueset, të cilat kanë të kryer sëpaku shkollën e lartë, fakultetin apo magjistraturën, udhëhiqen nga gjimnazisti Milazim Ukaj, i cili vetëm di t’i dëgjojë shefat e tij.

Por, çka më tha në momentin tjetër Konsulli gjeneral i Kosovës Afrim Nura, duke aluduar në përfaqësuesit e konsullatës së Shqipërisë:
 “Disa njerëz po mendojnë se Kosova është provincë e Shqipërisë! Jo-jo! Kosova është shtet edhe UÇK-ja s’ka luftuar për flamur të Shqipërisë, por ka luftuar për këtë flamur që e ka tani Kosova!” Dhe, unë ia bëra: “Hajt Afrim,  hajt! Flamurin e Kosovës nuk e ka parë UÇK-ja, sepse ky flamur për herë të parë u punua dhe doli në skenë më rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës – në vitin 2008 e, jo para lufte dhe se Kosova është pjesë e ndarë pa të drejtë nga Shqipëria që herëdokur do t’i bashkohet!” E humbi durimin konsulli gjeneral i Kosovës në Munih, Afrim Nura dhe nuk diti tjetër gjë të thotë, pos që më uroi rrugë të mbarë!

Kjo është dija e konsullit gjeneral të Kosovës, në Munih, për të cilin  mendoj që duhet të lirojë rrugë për njerëz të përgatitur e kompetentë në diplomaci.  

Dhe, krejt në fund, nëse ka nevojë, unë jam në gjendje të ballafaqohem me të gjithë këta persona që i përmenda, në të njëjtën kohë: në mediet e shkruara, në TV dhe që ka nevojë edhe në gjyq, për ta mbrojtur të vërtetën dhe të drejtën. Sepse, në këtë mënyrë, duke u ngatërruar me inate, e pengojmë zhvillimin e mësimit plotësues në Bavari, i pengojmë proceset politike, diplomatike e kombëtare, gjë që armiqtë tanë i kanë mundësitë reale që ta dëmtojnë rëndë çështjen kombëtare shqiptare, kudo që jemi.

Pra, mbetem me shpresë, që do ta merrni parasysh këtë shkresë, ta lexoni e ta analizoni me vëmendje dhe të merrni vendim të arsyeshëm e të drejtë, në raport me kushtet dhe etikën politike e diplomatike shqiptare të shtetit të Kosovës. Sepse, dëmi është i madh për mërgimtarët, diplomacinë dhe për shtetin e Kosovës, kurse pasojat shumëfish më të mëdha!  

Ta bëni ndryshimin dhe të na e hiqni qafe këtë barrë që kemi, sa nuk është bërë vonë.

Me respekt ju përshëndet Isuf Bytyçi: profesor, publicist dhe autor, Munih, 22. 06. 2023

Numri i telefonit: 0049/ 01787806805 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura