ENIS VELIU: ‘BAUSHTELLAT’ E HASHIM THAҪIT!

Prishtinë, 26. 03. 2014 – Afrimi zgjedhjeve nacionale në vend, e të cilat planifikohen të mbahen në qershor të këtij viti, ia kanë nxjerrë gjumin kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Ai ditëve të fundit ka nisur fushatën e tij të premtimeve megalomane, e disa prej të cilave në praktike vështirë se do të realizohen, pasi që kanë një kosto të madhe buxhetore. Thaçi gjatë ditëve të punës, por edhe gjatë vikendit po vazhdon turneun e tij, tashmë jo “dorë më dorë”, siç e pati emëruar fushatën e tij në zgjedhjet e fundit lokale në vend që u mbajtën në fund të vitit që lamë pas, por “derë më derë”, gjithnjë duke u lavdëruar e duke premtuar ditë më të mira për ta.
Ai gjatë dy javëve të fundit thuajse çdo ditë ka promovuar një vendim që ka një kosto të lartë buxhetore, e që në çdo moment e vë në rrezik buxhetin e shtetit.
Madje si për çudi vendimet e tij po përkrahen dhe promovohen edhe nga vartësit e tij profesionalë.
Punësimi i 4000 personave në Qendrën e Skijimit në Brezovicë ishte premtimi më i fundit i kryeministrit Thaçi që e dha të hënën në mëngjes. Në parim një premtim aspak i besueshëm, dhe aspak i vërtetë. Tamam premtim politik, ashtu siç do t’i bëjë Thaçi.
Disa orë më vonë kryeministri Thaçi vazhdoi “fushatën” e tij në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë duke bërë premtime astronomike.

Më 24 mars 2014, Hashim Thaçi ka zgjedhur Vushtrrinë, për të dhënë premtimin më të madh të këtij viti, duke u zotuar që në katër vitet e ardhshme do të investohen 500 milionë euro në bujqësi dhe do të krijohen 50 mijë vende të reja të punës!!!

* * *

 Sipas tij, në vitet në vijim në sektorin e bujqësisë do të investohen 500 milionë euro, duke hapur kështu 50 mijë vende të reja pune.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi, pasi që kryeministri Thaçi shkoi edhe më larg. Ai tha se nga muaji maj fermerët që e punojnë tokën do të marrin nga 300 euro për hektar.
Nënshkrimi i kontratës kolektive pa dyshim se mbetet vendimi më i rëndë financiar i kryeministrit Thaçi pas atij për rritjen e pagave, pasi që vetëm pagesa për shujtën e ngrohtë llogaritet të jetë me e larte se 60 milionë euro për një vit.
Por, një ditë para se ta bëjë këtë, Thaçi e mori edhe një vendim tjetër në Rahovec ku aty vreshtarëve u premtoi ngritje të shumës për subvencione nga 500 euro sa ka qenë më herët për një hektarë vreshta, në 1000 euro sa do të jetë në ditët në vijim. Premtime të reja dhe dyfishime të subvencioneve të vjetra ai premtoi edhe kultivuesve të pemëve dhe perimeve në këtë komunë.
Kryeministri Thaçi, gjatë ditëve që lamë pas mori edhe një vendim sa interesant, aq edhe të rrezikshëm për vendin, kompensimin prej 25 milionë euro për punëtorët e ish Fabrikës së Tubave në Ferizaj. Këta betejën për kompensim të pagave e kishin fituar thuajse në kohën kur Thaçi fitoi zgjedhjet në mandatin e parë si kryeministër.
Mirëpo, për shtatë vjet qeverisje të Thaçit një vendim i tillë asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë. Është dashur të vijnë zgjedhjet e që ai të jetësohet. Mirëpo, edhe më tutje mbetet mister mënyra se si. Një gjë të tillë si duket s’po e di mirë edhe as vetë Thaçi.
Nuk kaluan shumë ditë kur kryeministri i Kosovës në prag të fushatës parazgjedhore rriti pagat e shërbyesve civilë të Kosovës për 25 %.
Vendimi u bë publik, por mënyra dhe shuma që do të shpenzohen për këtë qëllim mbeti sekret institucional. Për këtë çështje nuk e folën as një fjalë as zyrtarë të Ministrisë së Financave (MF) si implementues të këtij vendimi.
Po ashtu, Thaçi ngriti pagat për 50 % edhe për minatorët e Trepçës të cilët kryesisht janë nga rajoni i Mitrovicës, pikërisht në komunën ku kandidati i tij Avni Kastrati nga PDK-ja humbi zgjedhjet karshi Agim Bahtirit nga AKR-ja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura