‘ETJA’ E ‘GURRA’, REVISTAT ME MISIONE TË SHUMËFISHTA NË HAS E VRRI TË PRIZRENIT

GazeatePrizrenit,net, 30 tetor 2018: Në rrethanat kur pas vitit 1990 në Kosovë gjithnjë e më shumë vështirësohej mundësia për informimin shqip dhe mediumet në këtë gjuhë, në rajonin e Prizrenit filluan rrugëtimin e tyre dy revista. Në Has filloi botimin “Etja”, ndërsa në Vrri doli revista ”Gurra”, emrat e të cilave simbolizonin karakteristika të këtyre rajoneve . Ndonëse për mungesë financash nuk mbijetuan gjatë, misioni i tyre tejkaloi rolin informues duke kryer misione të shumëfishta kombëtare, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Fryma e re dhe mobilizimi i rinisë studentore dhe popullatës shqiptare në fillim të vitit 1990 u reflektua edhe në Prizren e rrethinë. Revistat u themeluan pikërisht në kohën e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, kur mendësisë së re, duhej t’i jepej përkrahje, shpirt dhe orientim të qartë. Intelektualët, aktivistët dhe bashkëpunëtoret e tyre punonin me përkushtim, pa ndonjë shpërblim material, përkundër rrezikut permanent nga pushteti i instaluar.

Revistat: ETJA, kryeredaktor Nexhat Òªoçaj dhe GURRA, kryeredaktor Sheradin Berisha

Ideja për nxjerrjen e gazetës “Etja” lindi nga Këshilli Organizativ për Emancipim, që në atë kohë bëri një aktivitet për emancipimin e femrës hasjane, përkatësisht shkollimin e saj dhe zhdukjen e fenomeneve të vjetra siç ishin fejesat me pahirë, që në mënyrë simbolike u quajt “Lulehelmi”. Ky atëkohë ishte aktiviteti më i rëndësishëm, pas pajtimit të gjaqeve, që u mbajt më 2 maj 1990 në Gjonaj të Hasit.
Gazeta “Etja” nisi të botohet në mars 1992, tre muaj pas themelimit të Ndërmarrjes Botuese “Bogdani”, e cila u regjistrua më 28 nëntor 1991.
Qëllimi i botimit të gazetës ishte prezantimi i historisë dhe të arriturave të Hasit. Numri i parë u shtyp në Prishtinë, më pas disa numra u përgatitën në Has dhe u botuan në Tiranë. E veçanta e botimit atje ishte se gazeta filloi të shpërndahet edhe në Shqipëri, e që gëzoi simpati dhe përkrahje të madhe, dhe nga ajo kohë nisi edhe bashkëpunimi me njerëzit e penës nga Hasi, të cilët pos shkrimeve të tyre, sollën edhe gëzimin për gazetën, që u bë urëlidhëse e ribashkimit të kësaj krahine të ndarë në dy shtete.
Në Këshillin redaktues pos Nexhat Çoçajt (kryeredaktor) ishin edhe Besim Muhadri, Gaspër Karaqi (tash dëshmor i Kosovës), Hajdar Mallaku, Melihate Çoçaj, Hatixhe e Merita Çollaku, Marte Prenkpalaj, etj. Bashkëpunëtorë ishin Kristë Rrasi, Fatmir Qollaku, Qazim Morina, Rexhep Pnishi, Bekim Shatri, Refki Demaj, Anton Shala, Rafet Shehu, e nga Kruma e Shqipërisë, Sejdi Dida, etj.
Gjithsej dolën 20 numra të gazetës, që botohej çdo tre muaj. Në faqet e saj u botuan shumë shkrime për Hasin e në veçanti shumë intervista me personat, që kufiri i kishte ndarë nga familjet e tyre. Janë me dhjetëra intervista të kësaj natyre.
Ne numrat e kësaj gazete u botuan edhe intervistat me Anton Çettën, Mark Krasniqin, Sabri Hamitin, Muhamet Shukriun, pastaj janë botuar dhjetëra portrete të furrtarëve si dhe janë prezantuar të gjitha ngjarjet e dhunës dhe të reprezaljeve serbe ndaj hasjanëve nëpër Jugosllavi. Po ashtu janë botuar me qindra poezi të nxënësve. Një kënd i veçantë ka qenë për etnografinë e Hasit, ku janë botuar doket dhe zakonet si dhe frazelogjizma nga kjo krahinë. Në kuadër të kësaj gazete janë botuar edhe 3 revista : “Revista letrare”, “Të jesh grua” dhe revista enigmatike “ABC”.

REVISTA “GURRA” E VRRINIT
Në rrethanat e okupimit klasik, disa intelektualë të guximshëm që vepronin prej kohësh në trevën e Vrrinit dhe të Zhurit, në fillim të vitit 1992 në një takim të mbajtur në Zhur morën nismën për botimin e një reviste mujore kulturore-letrare dhe informative të nivelit regjional me emrin karakteristik “Gurra”, për faktin sepse në këtë treve janë dy burime “gurra” ujore, në fshatrat Poslisht dhe Vërmicë.
Numri parë i revistës doli në prill 1992. Redaksia e “Gurrës” me shumë mund e përkushtim i nxori gjithsej 11 numra (nga 500 – 700 ekzemplarë) dhe një numër të jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 24 majit 1992. Numri i fundit doli në korrik 1993. Prej 11 numrave të revistës, shtatë ishin mujore, ndërsa katër të tjera dy mujore.
Përmes kësaj reviste synohej që popullata e këtij lokaliteti të jetë vazhdimisht e informuar, me zhvillimet shoqërore-politike, të cilat asokohe ishin shumë dinamike dhe vendimtare për çështjen kombëtare shqiptare. Rrjedhimisht kjo revistë e përmuajshme kulturore dhe informative përbënte një aktivitet me interes për opinionin publik në këtë lokalitet dhe më gjerë.
Revista “Gurra” për rrethanat në të cilat është botuar, i tejkalonte përmasat e një reviste, dhe vlerësohet si arkiv faktografik i kohës.
“Iniciativa për nxjerrjen e saj doli nga një grup entuziastësh nga Billusha dhe Zhuri, e që pastaj numri i përkrahësve të rritet edhe nga entuziastët nga fshatrat tjera” (“Gurra, nr.1, prill 1992, fq,2). Pos kryeredaktorit Sheradin Berisha, këshillin redaktues e përbënin: Myrfet Shasivari , Jemin Gavazaj , Riad Ajazaj dhe Besnik Hoxhaj. Në cilësinë e redaktorit në numrat e vijues të revistës u angazhuan edhe Adem Gavazaj, Naim Fanaj, Ahmet Poniku, etj. Redaktor teknik ishte Fatmir Sahiti, etj. Kopertinat i punoi Nesim Kryeziu dhe Agim Kryeziu, ndërsa karikaturat, Merxhan Susuri.
Revista “Gurra” financohej nga dashamirët e fjalës së shkruar, dhe disa të mërgimtar të kësaj treve, që punonin, në: Austri, Gjermani dhe në Zvicër. Revista shpërndahej në fshatrat e Vrrinit, Lumës, Opojës, pastaj në 3 pika të shitjes në Prizren dhe në Prishtinë, përmes bashkëpunëtorëve të revistës në disa qytete të Kosovës dhe mërgimtarëve tanë në perëndim.
Revista përmbante informacione të larmishme dhe përmbajtjesore nga aktualiteti i kohës, përvjetorët e ndryshëm, dëshmi historike, intervista, kulturë, kritikë letrare, këshilla mjekësore, aforizma, humor etj.
Të gjitha shkrimet e botuara kanë vlerë të çmuar dhe si të tilla lexoheshin me interesim nga lexuesit, në veçanti intervistat me personalitetet nga jeta publike-politike e kohës, si ajo me prof.dr. Ejup Statovcin (1992); intervista me gazetarin e televizionit hungarez, Karoly Varszegi, intervista me Mr.Ukshin Hotin, intervista me artistin e popullit, Reshat Arbana (janar 1993); etj.
Nga studimet historike janë botuar shkrime për Masakrën e Billushës – 1913, atë të Dobrushtit; Masakrën në Vërmicë më 1912…, Falja e gjaqeve, plagëve dhe e ngatërresave në trevën e Vrrinit (prill 1993), etj. /GazetaePrizrenit.net/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura