Itali, 1 mars 2019:
I.- Tetë njësitë administrative të Thesprotisë.
Është një e drejtë dhe e arsyeshme përgënjeshtrimi i mashtrimeve, kamuflimeve dhe shpifjeve të kahershme dhe në vazhdimsi të atyre që sot çirren duke deklaruar se: “Çështja çame nuk ekziston”.
Mbështetur në burime të ndryshme, në këtë trajtesë po shuaj dyshimet e shumta, sidomos të palës greke, të cilët i përmbahen tezës së sajuar se, toponimi “Çamëri” na qënka vendosur në kohën e pushtimit Osman. Meqë pala greke ka alergji dhe tmerr nga ajo perandori, kërkon ta shuajë nga harta, nga historia deri edhe nga librat shkollorë, për fat të keq mundet të pranohet nga ndokush edhe prej nesh që, ose historia kombëtare është e panjohur, ose në pamje të jashtëme sillen si “trumcakë”, por u shërbejnë “lëpushkave”. Zoti u a shpërbleftë, ashtu si e mertitojnë!!.
Njihemi me disa të vërteta, të cilat me shumë mundim e vullnet i zbuluam për të mos u harruar nga askush dhe për të injoruar historiografët mashtrues të jashtëm apo dhe të brëndshëm.
Çamëria në kohën e hershme, të perandorisë romake dhe fillimet e perandorisë bizantine, ka qënë e ndarë në tetë njësi bashkësish të brendshme fisnore, të cilat kishin emërtimet dhe kufijtë e tyre ndarës brenda hapësirës territoriale të Thesproti/ Çamërisë.
Për herë të parë po shpalos këtu, disa të pathëna historike dhe gjeografike, të cilat zbulojnë identitetin e rajonit të Thesproti /Çamërisë, rajon mbi të cilin prej mbi 2 mijë vjetësh janë bërë përpjekje të pareshtura për shtrëmbërimin e identitetit, duke i mohuar të vërtetat me deklarime shpifëse, mashtrime dhe manipulime të shumllojshme dashakeqe.
ââÂNjësitë e brëndëshme administrative të rajonit të Thesprotisë.
1• Parakallamo (1) (Përkundrejt lumit Thyamis-Kalama).
Kjo njësi përfshinte territorin nga Sajadha deri sipër Mininës, në afërsi të fshatit Raveni, ose territoret nga veriu i shtratit të lumit Kalama deri në Konispol. Emri “Parakallamo”, është i përbërë nga dy fjalë: para dhe kallamo. Fjala “parà” është fjalë e gjuhës më të vjetër ‘Hitite”, që njësohet me fjalën “përballë”; ndërsa fjala “kallamo” është vendosur për një përcaktim të saktë të vendndodhjes dhe lidhet me emrin e lumit “Kalama”. Pra, përballë lumit Kalama.
2• Dagavi (Vëndasit e quanin “Plakonia”).
Në këtë zonë gjeografike përfshihet territori midis dy lumenjëve Thyamis dhe Acheron. Kjo zonë aktualisht përfshin ose në ‘të bëjnë pjesë qendrat e banimit: Mazrrek (2), Pargë, Arvenicë, Skopjonë, Salicë, Koshovicë, Kurtec, Vrastova, Globoçari, Pllatareja, Grikohori, Gravva (Gumenica e sotme) dhe përfundon në fshatrat Varfanj (Parapotam), Rizanj/Rrëzanj /(sot Agios Georgios), Dramës, Dhërmicë, Koriqan, Dolan, Pjadhul, Bedelen, Vratilë.
Nënnjësia, për vetë relievin kodrinor -malor, njihej edhe si “Malsia” e Çamërisë; ndërsa toponimi “Dagavi”, nënkuptonte “Vila në pyll” (shtëpi në pyll). Hapësira territoriale quhej “Dagavi”, ndërsa banorët i përkasnin nënfisit thesprot “Agest”, fisi më i dëgjuar, më i moçmi, ku mblidhej kuvendi i rajonit. Nisur nga rëndësia e nënnjësisë dhe banorëve të saj, ai nënfis njihej edhe me emrin “Plakonia”(pleqësija).
3• Phanari (Fanari).
Njësia që përfshin territoret në jug të Mazrrekut, qytetin e Pargës dhe fshatrat për rreth, deri në grykderdhjen e lumit Acheron.
4• Çamohori (Thsamokhori: emërtimi në greqisht trajtohet për t”ju ardhur kujtesa edhe vetë grekërve).
Përfshin territorin nga jugu i Fanarit deri në veri të fushës së Lamarit. Nuk ka dyshim se toponimi i njësisë “Çamohori”, informon për të kuptuar të vërtetat e rajonit të Çamërisë. (Fjala “hor”= fshat, pra: “fshati Çam’.
Territori i kësaj njësie përbëhet nga toka me gropa-sopa (rough). Në emrat e banorëve të atij rajoni, është ndeshur edhe emri “Çamo” tek meshkujt dhe “Çame” tek femrat.; siç përdoren edhe emrat “alban” dhe “alba” në Shqipëri. Toponimi “Çamëri” është edhe përshtashmëri me njësinë “Çamohori”, sikundër në mesjetë ka rrjedhur edhe Albania nga emri i njësisë “Albana”. Nuk përjashtohet mundësia që emri Çamëri ta ketë fillesën tek Çamohori, ashtu siç e pati Albania fillesën tek fisi i Albanëve në Shqipërinë e mesme.
5• Lamari.
(Lumara dmth ara lumëla, që përshkohen nga uji i lumit)). Kjo njësi përfshin territorin nga jugu i njësisë së Çamohorit deri në Prevezë. Edhe sipërfaqja e kësaj njësie është tokë brinjë, me sope, tokë vende vende e ngritur, ose paraqitet me gunga-gunga. Tokat e kësaj njësie përshkohen nga lumi Acheron.
6• Kampos
Njësi territoriale që kufizohet nga perëndimi me Lamarën deri në jug të Llakës, ose veriu i Prevezës, ndryshe Fusha e Lurit (Gliqit), e cila kufizohet me fushat e Filipiadhës. Emri “Kampos”, i përgjigjet në shqip fjalës “fushë”; ndërsa vëndasit e quanin “Fusha e Zonjës”. Vendosja e emrit “kampos”, kuptohet është ndikim Venedikas. Siç dihet nga historia, mbretëria e Venedikut (3) zotëronte hapësirat teritoriale të bregdetit Adriatik dhe detit Jon.
7• Llaka
Është njësia terririale nga veriu i Filipiadhës deri në jugperëndim të “shkallës së poshtëme”.
8. Kato skala (Shkalla e poshtëme).
Është njësia e fundit administrarive, territori i saj kufizohet nga perëndimi me Lumarën e Janinës, ose përfshin territoret nga veriu i Filipiadhës, perëndimin e njësisë së Llakës duke përfunduar me territoret e qendrës së banimit Mininë (Neraide), në afërsi të qytetit të Ajdonatit ose Paramëthisë. Emri “Kato skala” përbëhet nga dy fjalë: “kato” dhe “skala”. Në dialektin çam kati i parë i banesave quhet katua ose katoj, që do të thotë më poshtë, pra kati poshtë-katoj ose katua. Ndërsa fjala skala kuptohet që është shkalla. Njësia e tetë është “shkalla e poshtëme”. (Shif: Njohuri historike për Thesproti/Çamërinë, fq.76,bot. i vitit 2014-Tiranë FD).
Kjo është e vërteta e Thesprotisë apo e Çamërisë. Por ja që ka dhe gënjeshtra, mashtrime, shpifje që ndërthuren me endje, dhe tregëtohen me dinakëri e dhunë për të ndryshuar identitetin e prejardhur nga lashtësia para Homerike, për tu tjetërsuar si territore të të ardhurve aziatikë gjatë shekullit XX. Fallsifikime mjeshtërore të cilat nuk e kanë të vështirë të zënë vend në mendjet e shumta mediokre, ku finesa e dinakërisë greke tek këta lloj “dijetarësh”, ngjit si me zamkë.
Së fundi dua të ndaj me lexuesit e nderuar një merak: Nëse arrihet nënëshkrimi i marrëveshjes mes dy palëve dhe vendoset që të mos përmendet emëri Çamëri dhe as të shkruhet në librat shkollore, vallë cili do të jetë fati i mijëra e mijëra librave, hartave, legjendave të ndodhura nëpër raftet e shumta të bibliotekave, jo vetëm atyre greke e shqiptare por edhe atyre botërore, ku flitet, shkruhet dhe paraqitet ky emër mijëvjeçar “Çamëri”?.
Ndërsa për heqjen e emrit tjetër “Vorio Epir”, i cili nuk ka ekzistuar para 1914 në atë rajon, por është i sajuar nga fallsifikatorët, nuk është shumë problem, sepse nuk ka volume shkrimesh apo hartash!. Është emër i panjohur gjeografikisht dhe historikisht.
II.- Vagenetia (Bagenetia)
Lidhur me emrin mesjetar “Vageneti”, ndryshe nga sa është shkruar deri tani, po bëj sqarimet plotësuese:
Vagenetinë “provincë e Shqipërisë përballë Korfuzit” (provinciam Albanie oppositam Corfoy)”.
Pozicioni gjeografik i Korfuzit, duke u nisur nga Sajadha, ndodhet në 39º36’11” dhe kepi jugor i tij ndodhet në 39º22’22”; ndërsa Thesprotia apo Çamëria nga veriu fillon me 39º47’32” dhe jugu në Prevezë ndodhet në 38º59’20”. Ky pozicion gjeografik, tregon se përballë Korfuzit ndodhet një territor, ose stere (pjesë e Çamërisë) matanë detit vetëm 0º25’10”; ndërsa jugu i Çamërisë ndodhet në 38º59’20”, krahasuar me jugun e Korfuzit (39º22’22”), tregon se territori gjeografik, pjesa jugore e Çamërisë prej Oº23’02”, nuk ndodhet përballë Korfuzit. Ndërsa Vagenetia shtrihej në një territor prej 0°25’10” (nga veriu 39°47’32” deri në jug 39°22’22”).
Sipas këtyre parametrave, Vagenetia shtrihej përafërsisht në 52 % të territorit veri-jug të Çamërisë (përfshi dhe territotin e pjesës së Çamërisë brenda kufirit të RSH-0º11’21”). Gjithashtu, sipas këtyre treguesave, rezulton që tokat (stereja) përballë Korfuzit zinin rreth 28%. Pjesa tjetër e territorit, mbas jugut të Vagenetisë, nga vendasit thirrej Dagavi ose Dag. Nga këto llogaritje, rezilton se afro 72 % e territorit të Çamërisë nuk ndodhet përballë Korfuzit, apriori kuptohet që emërtimi Vageneti nuk presupozon gjithë Thesproti/Çamërinë, ndryshe do të thuhej që edhe zona gjeografike e Peloponesit do të ishte quajtur Vageneti?!.
Krahas këtij realiteti, si dhe nga përshkrimet e emrave të vendeve dhe qyteteve të atij rajoni, prej disa autorëve të mesjetës së hershme, Vagenetia shtrihet nga veriu i Delvinës, përfshi fshatrat rreth saj, vazhdon me qytezën e Konispolit dhe fshatrat rreth tij deri në afërsi të Filatit, ose territoret në veri të Parakallamos. Ky territor, i cil përfshin fusha tepër të begata, në shekujt që përmendëm, duke qenë nën sundimin bullgar, u quajt Vageneti (Bagenetia- vend i begatë), toka pjellore, vend me prodhime të bollshme.
Nga letërkëmbimet me profesor Resmi Osmanin, shkrimtar me origjinë nga Çamëria, pasi u njoh me këto arritje, lidhur me trajtimin historik dhe gjeografik të Vagenetisë, është shrehur: “Fahri, shumë e qartë dhe e saktë. Krijova një parafytyrim të plotë. Një kuriozitet: Në Kestrinë (Mursi), mbreti Pirro kishte një çiflig ku veç të tjerash rriste edhe gjedhë, qe brirëmëdhenj dhe lopë qumështi. Kjo lopë u ka qëndruar kohëve dhe nga studjuesit e zooteknisë është quajtur “Raca e Mursisë”. Kësisoj kjo justifikon edhe emrin e hershëm të Vagenetisë (vend i begatë)”.
Për ta mbyllur me Vagenetinë duhet theksuar edhe një realitet tjetër, i cili lidhet me masakrat e Kryqzatave të vitit 1204 në Konstandinopojë, ku një pjesë e banorëve aziatikë, për të shpëtuar nga vdejkjet, me ndihmën e Komnenit, i cili u quajt prej tyre si Noe i dytë, kanë emigruar në zonën e Vagenetisë, ku janë dhe sot. Por, sipas përcaktimit të kombit mbi baza fetare, sot banorët që banojnë kryesisht në komunën e Mesopotamit dhe për rreth ka gjasa, me që janë ortodoksë trajtohen si minoritet grek.
Në Mesopotam edhe sot gjejmë objektet e kultit të ndërtuara në shekullin e XIII-të. Sipas arkeologut Reshat Gega, Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam), Manastiri duhet të jetë ndërtuar në 1224. Absida (Pjesë e dalë në murin e prapmë të një kishe, që ka trajtën e një gjysmërrethi) e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë hipotezuar që ky manastir të ketë qenë përdorur për mesha si katolike ashtu dhe ortodoks.
Nga sa sipër, kjo dukuri e asaj kohe na tregon se jo të gjithë banorët ishin konvertuar në ortodoksë, pra banorët e asaj zone ishin të ndarë në dy besime:
ââ banorët vëndas, autoktonë ishin të besimit katolikë dhe
ââ të ardhurit nga Konstandinopoja ishin të besimit ortodoksë.
Per trevën e rajonit të Çamërisë, informon edhe prof. Kristo Frashëri, i cili i referohet historianit preveziot Panajot Aravantinoi i shek. XIX-të, “….jetoi e punoi në Epir, madje ai shërbeu si arsimtar në Prevezë. E reja që përmban punimi i Aravantinoit, sipas prof. K. Frashëri, është përdorimi i emërtimit Çamëri dhe përcaktimi i shtrirjes së saj territoriale. Në zërin “çamët” dhe “Çëmëria”, Aravantinoi shkruan: “Çamët janë banorët e Thesprotisë dhe të Kestrinit, domethënë paramithiotët, filatasit (filaqotët-FD) dhe margëllëçiotët e tanishëm dhe një pjesë nga administrata e Delvinës”.
Duhet shënuar se banorët e Parakallamit, dinë dhe flasin disi greqishten. Ndërsa ndër homogjenët e tyre, banorët e provincës Dagi, domethënë të Margëllëçit dhe të Paramithisë, të paktë janë ata që dinë greqishten”, thuhet nga historiani.
Informimi për të folurën edhe në gjuhën greke, ndryshe nga sa është shkruar nga disa historianë, sqarojmë se paramthiotët e flisnin gjuhën shqipe dhe gjuhën greke, ndërsa margëlliçiotët dhe gumeniciotët, që përfshihen në njësinë gjeografike Dagi/Dagavi nuk e flisnin greqishten (me disa përjashtime dhe kryesisht burrat që merreshin me tregëti). Rajoni i Çamërisë etnografike, aktualisht përfshin prefekturën e Thesprotisë, prefekturën e Prevezës dhe prefekturën e Artës me një sipërfaqe prej 2,354/km².
Njohja me shumë shkrime të historianëve, më të shumtit prej tyre shqiptarë, theksojnë se historia e Thesprotisë gjatë mesjetës së hershme, na qenka karakterizuar, “ashtu si ajo e mbarë Gadishullit Ballkanik, nga një mungesë gati e plotë e burimeve të shkruara dokumentare. Varfëria e njoftimeve dokumentare është aq e theksuar sa deri sot nuk kemi ndeshur asnjë akt dokumentar apo shkrim kancelaresk që t’i cilësojë banorët e Çamërisë helenë apo ilirë ose shqiptarë”.
Këto deklarime, tërheqin vëmëndjen, habisin me kurajon e tyre, ku haptazi mohojnë të vërtetat historike, krijojnë dyshime, që të gjitha sëbashku, ndihmojnë në humbjen e hapsirave etnike të dardano-arbano-epirotëve të mesjetës dhe të shqiptarëve sot.
Nëse dikush ka vullnet dhe i hyn problemeve të historisë së popullit të tij, duhet të hulumtojë, të futet në arshivat e rafteve historike të internetit, që për fat të mirë janë plot e përplot dhe shpalosin dukshëm përpjekjet e parreshtura të antishqiptarizmës për të fshehur, mashtruar, fshirë gjithçka ndaj etnosit ilir (dardano-arbërorë-epirotë).
Por edhe në mos paçin vullnet për të lexuar, hulumtuar dhe studjuar, duhet ti drejtohen disa veçorive tepër dalluese mes popujve, siç janë gjuha, zakonet, traditat, emrat e maleve, lumenjeve, etj- Dhe, nëse merret ky minimundim do të kuptojnë se banorët e Thesprotisë së lashtë, të Vagenetisë, Dagavit, të Temës së Nikopolit gjatë mesjetës së hershme dhe banorët e sotëm të Çamërisë, janë trashëgimtarë në vijë të drejtë të fisit më të vjetër pellazg. Krahas gjuhës, traditave, zakoneve, territorit etj, historia kujton edhe krijimin e dy Principatave mesjetare të Arbërisë në fund të shekullit XII-të. Vagenetia vazhdoi të quhej krahinë, ashtu si dhe krahina Dagi-ose Dagavi, të cilat edhe pas rënies së Perandorisë Bizantine në vitin 1204, mbetën të tilla. Atyre vetëm sa u ndryshoi vartësia. Nuk vareshin më nga Kostandinopoja, por kaluan në vartësi të Republikës së Venedikut.
(Pjesë nga libri për botim: “ENIGMA E ÇAMËRISË”
Shënim (1): Parakallamo, përkundrejt lumit Kalama.
Shënim (2): Para shekullit XII-XIII-të, nuk njihej Margëlliçi. Kështjella e Margëlliçit është ndërtuarë gjatë shekullit të XIII-të nga Venecianët. Para Margëllëçit ishte Qendra e Mazrrekut.
Shënim (3): Emërtimi i njësisë ‘kampos” na vërteton se ndarjet e tetë njësive administrative të Çamërisë, kanë qenë edhe në kohën e Republikës së Venedikut, pra përpara se sa të vinte perandoria Osmane.
Itali, më 28 shkurt 2019.
Studjues Fahri Dahri