FATBARDHA DEMI: PLISI – MITI I ORIGJINËS SË PELLAZGËVË HYJNORË (I)

Tiranë, 22. 11. 2014 – (“Një gjë marrim ne përsipër: Gjithshka sa kemi sqaruar në lidhje me historinë, është e bazuar mbi llogjikën e fakteve…Në qoftëse do të merren me to njerëz të tjerë, më të zotë dhe më të ditur se ne, ata do të jenë të shoqëruar në punën e tyre nga bekimet tona më të zjarrta.” – Pashko Vasa (1825-1892) «E vërteta mbi Shqiperinë dhe shqiptarët»)
Si simbol i Beogradit, kryeqytetit të Serbisë, ngrihet madhështore Kolona “Fitimtari i Kosovës” (e përuruar me 07.10.1928) kushtuar, sipas medias sërbe, fitores në Fushkosovë mbi osmanët. Statuja shpreh forcën ushtarake (kolona, trupi nudo i mashkullit dhe shpata) si dhe mbrojtjen hyjnore (shqiponja).
Modeli i monumentit, e ka origjinën tek tradita e Pellazgëve të lashtë, të cilët ngrinin shtylla të gurta mbas çdo fitoreje. Këtë fakt na e dëshmon Diodorit (Diodorus Siculus, shk 1 pK) i cili pohon se faraoni Sheshoshi (Sesostri) ndërtoi shtyllat në formën e organeve gjinitale të burrit, në rastin e popujve luftarak, duke besuar se mënçuria e shpirtit të çdo populli do të çfaqet qartë në brezat pasardhës nga pjesa kryesore e trupit (1)

Natyrën jo sllave të këtij monumenti e dëshmon edhe mbulesa e kokës (fig.1), origjina e së cilës, lidhet me mitet Pellazge dhe në të gjitha format e saj historike, ka qenë karakteristikë e veshjes tradicionale të Shqipetarëve deri në ditët e sotme.
Sa e lashtë është mbulesa e kokës së shqipetarëve?
Siç ka ndodhur edhe në studimet e tjera për traditën e Kombit tonë, edhe kjo temë të çon në periudhat më të herëshme të historisë njërëzore. Për të ndjekur këtë rrugë dhjetra-mijë vjeçare, si udhë-rrëfenjës do të përdorim mjetet e mbijetuara nga ajo kohë e largët: GJUHËN pellazgo-shqipe, gjetjet arkeologjike dhe mitet.
Mbulesa tradicionale e kokës (sot e përdorur vetëm nga meshkujt) në shqip emërtohet Qeleshe, Plis, apo Qylaf. Pikërisht, tek dy emërtimet e para do të nis edhe studimi ynë. Emërtimi Qeleshe tregon se materiali i përdorur është leshi i bagëtisë. Sipas legjendave popullore të trashëguara nga periudha Ilire, Qeleshia punohej prej leshit të deles i shkelur (i shtypur me këmbë).(2)
Punimi me leshin e deles i Qeleshes, kishte një domethënie, sa historike aq edhe besimtare.
Në kohën kur njeriu primitiv, filloi « të vriste mëndjen» duke shfrytëzuar natyrën jo vetëm për t’u ushqyer, siç veprojnë kafshët, mund të themi se nis edhe historia e NJERIUT të sotëm. “Njeriu, pohon Mircea Eliade (1907-1986), është produkti përfundimtar i një vëndimi të marrë që në Krijim (al principio del Tempo): të vrasë për të jetuar”. (3) Materialet arkeologjike tregojnë se kafsha e parë e zbutur prej tij ka qenë delja (para 8000 vjetësh). Studiuesja M.Gimbutas (1921- 1994) pohon se delet dhe dhitë, përbëjnë 90% të kockave të gjëndura në shtresat neolitike.(4) Me delen nisi edhe profesioni i bariut, emër që simbolikisht e mori mbreti në lashtësi (mbreti-bari) dhe drejtuesit e besimit kristian (bariu i tufës së besimtarëve).
Delja bën pjesë në të njejtën familje (caprinae) sikurse edhe dhia. Mishi dhe qumështi i saj janë një ushqim që sigurohej lehtë, ndërsa lëshi i dëndur, ritej shpejt dhe ngrohte shumë. Përgjithësisht leshi i saj është në ngjyrë të bardhë. Ngjyra e bardhë është zotëruese në veshjen shqipetare. Në lashtësi ngjyra, forma apo materiali për objekte të rëndësishme, kishte një domethënie besimtare.
Për hir të këtyre cilësive, kjo familje (delja, dashi, dhia ) zë vend të rëndësishëm në simbolet dhe mitet e besimit Pellazg dhe janë trajtuar krahas kaut, si kafshë të shenjta. Sipas studiuesit të traditës shqipetare, Mark Tirta (1935), dhia paraqitet me cilësitë e hyjnisë së pyllit (…) Gjahtarët para se të dilnin për gjah në vendet ku kishte dhi të egra, laheshin dhe kryenin një sërë ritesh. (5)
Dashi është përdorur në lashtësi për flijime kushtuar Perëndive. (fig.b poshtë), huazuar në mitin kristian, ku Abrami flijon një dash në vënd të birit të tij Isakut.(6)

Që në mijëvjeçarin e VII-të, gjatë periudhës së bakrit e bronxit, figurinat e dashit të zbukuruara me figurat gjeometrike (V, zig-zaku,vijat paralele), përdoreshin si objekte kulti të Perëndeshës me kokë zogu (Perëndeshës Shqiponjë – shën im), në hapsirën Euro-Aziatike. Në kulturën ilire Vinka, figurina të Perëndeshës parahistorike kanë brirë të dhisë (4500 pK). (7)
Në pjesën më të madhe të qytetrimeve të lashta delja ishte një kafshë simbolike që mishironte forcat e natyrës dhe lidhej me Perëndinë Hermes (Thot tek egjiptianët e lashtë) i cili mbahet edhe si shpikësi i shkrimit. Herodoti (484-425 pK) tregon se barbarët, për shkrimin e librave, kanë përdorur lëkurë delesh dhe dhish. (8) Në përkthimin e Strabonit (libri VII kapitull 5) për gadishullin e Ballkanit, nuk figuron emri i Dalmacisë, por emri Ardi (…) Në gjuhën baske, (që është gjuhë e trashëguar nga fiset pellazge-shën im), “ardia” quhet delja. (9) Ndër fiset e njohur të Ilirëve kanë qenë edhe Ardianët, emërtim i cili mund të ketë patur lidhje më kafshën hyjnore.
Përdorimi i leshit të deles dhe ngjyra e bardhë e saj (e ndriçimit hyjnor), dëshmonin rolin SIMBOLIK, fetar dhe administrativ, të vetë Qeleshes. Kjo vërehet tek fakti se në pikturat e enëve të qeramikës dhe skulptura e lashta, Perënditë dhe gjysëm-Perënditë e Olimpit, që ishin Mbretër-Kryepriftërinj, kanë mbi krye Qeleshen e rumbullakët apo në formë konike, por jo njerëzit e thjeshtë (fig a,b,c). Figura e Qeleshes, në objektet arkeologjike të periudhës romake, përfaqësonte fëmijët e Zeusit- binjakët Dioskurë, si simbol i origjinës së tyre mbretërore dhe hyjnore.(10)

E thënë më qartë: Qeleshja i shprehte popullit të thjeshtë, të drejtën hyjnore të Mbretit apo Faraonit, për të gjykuar, drejtuar dhe mbajtur rrëgullin tek nënshtetasit e tij. Sipas studiuesit të besimeve të lashta M.Eliade “Rregulli shoqëror përfaqësonte një anë të rregullit kozmik. Që në krijimin e Botës, të qënit mbret ka qenë një akt hyjnor. Krijuesi ishte Mbreti i parë (…) Ai ia kalon këtë detyrë birit dhe pasardhësit të tij, Faraonit të parë. Ky akt e shenjtëroi mbretërimin, si një institucion hyjnor” (11)
Qeleshja si simbol fetar dhe mbretëror është hyjnizuar në shumë objekte prej guri të etruskëve (fig.a poshtë): në Marzabotto, Bologna, Pisa, Settimello (Firenze), Populonia, Volterra, Orvieto etj. dhe fiset e tjera pellazgo-ilire. Qeleshe/guri janë gjendur edhe në Delfi, që sipas studiuesve, përfaqsonin Perëndinë Apollon dhe në Tebë, Perëndinë Amon. Objekte të tilla arkeologjike njihen edhe në qytetrimin babilonez dhe hitit.
Ndër objektet arkeologjike hasen edhe Qeleshe-guri me simbolin e pellazgëve, shigjetën dy krahëshe (fig.c). Sipas studiuesit Petro Zhei (“Shqipja dhe sanskritishtja”), simboli i shigjetës me dy krahë (fig.c), tregon NDARJEN e kryer nga ZOTI, që solli krijimin e Botës materiale. (12)

 

b) Qeleshja u përdor si simbol i fëmijëve të Zeusit, Dioskurët (Castore dhe Polideuce). 

Siç do të vërejmë më poshtë, jo vetëm elementet e përbashkëta të gjuhës, riteve, simboleve apo miteve, por edhe veshja në objektet arkeologjike, dëshmon përkatësinë etnike, përhapjen apo ndikimin e fiseve të caktuara në hapsira të ndryshme gjeografike.
Mbretërit, që ishin në krye të ushtrisë apo fiseve, kanë sulmuar apo kanë marrë arratinë, të zbuar nga rivalët, drejt vëndeve më të përshtatshme. Kjo çvendosje ka qenë e PËRHERSHME. Siç pohon Nikola Lahovari: “Dihet tashmë se ka patur një epokë, nga mijëvjeçari III dhe IV, ku qytetrimet e të njejtit trung shtriheshin nga India deri buzë Adriatikut. Duke kaluar nëpër Iran, Mesopotami dhe Egjipt, në atë kohë, njerëzit që i përkisnin një tërësije, tipeve të njejtë fizikë dhe që flisnin gjuhë të së njejtës familje, banonin në luginën e Indusit, Persi dhe Kaukaz, Mesopotami si dhe brigjet e Detit të Zi dhe Egjeut, Afrikës së Veriut, Greqisë, Italisë, Francës, Iberisë dhe Anglisë. (13)
Ky fakt, na lejon që për Qeleshen të gjurmojmë në të gjithë hapësirën Euro-Afro-Aziatike. Nga e majta në të djathtë (fig.a,b,c,d poshtë), kemi të pasqyruar Qeleshen shqipetare tek Perëndia henore Men e frigeve, mijevjeçari i katërt (Mesopotami); tek statuja e gjetur në malin Lykaion-Arkadi (Helladë); tek çifti mbi varrin etrusk (Itali); Faraoni (Egjipt) dhe Albani 6 vjeç i ditëve të sotme.(14)

Siç vihet re Qeleshja, në lashtësi përdorej në Europë, Afrikën Veriorë dhe Azinë e Afërt, fakt që përputhet me të dhënat historike të përhapjes së fiseve pellazgo-ilire. Emri Alban (fig.e) dhe Qeleshja, dëshmojnë trashëgiminë pellazge nga para-historia deri në shk.21. Në mijëvjeçarët e fundit pK, shikojmë se Qeleshja nuk përdorej vetëm nga Mbreti-Kryeprift, rrethi i tij familjar apo krerët e ushtrisë, por edhe nga ushtarët e fiseve me përkatësi pellazge, siç parqiten në shumë relieve murale në të gjithë hapësirën mesdhetare.
Qeleshja ishte pjesë e veshjes së luftëtarëve dhe qëllimi i përdorimit të saj ka qenë gjithmonë besimtar: Mbrojtja hyjnore e përdoruesit dhe është paraardhëse e helmetës së mëvonshme metalike, si tek fiset ilire, galo-kelte, etj. Në periudhat para-historike, por edhe në ditët e sotme, simbolet e besimit pellazg kanë patur një vend të rëndësishëm, në veprimet ushtarake. Këtë na e dëshmon edhe një ngjarje historike: “Në vitin 1715, feldmarshalli prusian Schulenburg, i këshillonte autoritetet veneciane, që ta bazonin ushtrinë e tyre tek elementi shqiptar: edhe në rast se do duhej të rekrutonin ushtarë nga kombësi të tjera, këta duhet të mbanin kapelë shqiptarë”. (15)
Cilësimi vetëm për kapelën dhe jo veshjen, dëshmon se ajo luante rolin e mbrojtjes hyjnore “të dorës së Zotit”, që ndikonte në moralin, si të luftëtarëve edhe mbi kundërshtarët (fig.a,b,c poshtë).

(16) Nga e majta: Luftëtare hitite; beteje të fiseve sarmate (Rossolani) banorët e lashtë të Europës qëndrore; Helmete e Kultures Golasecca; Monedhe romake 108-107 pK. në të majtë ndodhet një shpatë, e cila poshtë dorezës ka një qeleshe ku varet një yll/kryq (Zoti-mbrojtja hyjnore). (17)

Në foton (fig.a lartë) kemi një skulpturë “kokë” pa trup, e shk7-6 pK, e emërtuar “Daun”. Siç shihet, Qeleshja është e njejtë me të Faraonit, Menhotep III në Egjiptin e lashtë (fig.b). Këto skulptura -Kokë, shprehin nje shkalle të re në besimin e pellazgëve: hyjnizimin e trurit. Sipas M.Eliade, “shpirtit” ne trupin e njeriut nuk shikohej më tek zemra, por tek truri. “Koka, si burim i forcës hyjnore u bë keshtu nje objekt kulti”. (18)
Dauni janë një nga popullsitë e lashta të krahinës së Pulies (Itali), por legjendat e tyre tregonin se Dauno, ishte bir i mbretit të Arkadisë (Helladë) që u hodh për të pushtuar toka në Italinë qëndrore. (19) Origjinën trako-ilire, e dëshmojnë edhe “kokat” e ngjashme të gjetura në krahinën e Panonisë dhe Trakisë (Helladë). Sipas studiuesve, shumica e këtyre kokave me qeleshe u përkisnin femrave priftëresha.
Megjithëse në shumë skulptura të fiseve etruske, maqedone, trako-ilire dhë fiset iliro-trojane të Azisë së Vogël dhe deri në dinastitë e para të Egjiptit vërehet Qeleshja, çuditërisht, studiuesit e lashtësisë dhe të arkeologjisë, nuk e zbulojnë këtë lidhje me mbulesën e kokës në veshjen tradicionale të shqipetarëvë të sotëm. “Krahasimi – thekson K. Nieri-shpesh lejon të dallosh lashtësinë e herëshme apo më të vonëshme, të disa fakteve kundrejt të tjerave” (20)
Studiuesi O. Rexhepi (Preshevë), vëren se “Veshjet e luftëtarëve të ruajtura në rasat e Mikenës dhe në poçeri janë po ato veshje të sotme kombëtare shqipetare, fustanella dhe plisi”. (21)
Por historia e Qeleshes nuk mbaron këtu! Objektet arkeologjike, dëshmojnë se ajo ka patur një para-rendëse më të herëshme, e cila nuk kishte lidhje më figurën e shenjtë të deles dhe formën gjysëm-sferike që i vishet mitit të Vezës, por më mitin e ORIGJINËS së NJERIUT. Për këtë fakt, na ndihmon po gjuha pellazgo-shqipe: emërtimi “Plis”, i përdorur në Malësinë e Shqiperisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Ky emërtim është edhe më i lashti.
HISTORIA E PLISIT
Fjala PLIS në gjuhën shqipe emërton një copë dheu, që shkëputet kur hapet brazda për mbjellje apo ndonjë punim tjetër. Kur filloi të punohej toka dhe të mbilleshin bimët e egra, që shënoi lindjen e agrokulturës (afro para 7-8000 vjetësh) dhe vënd-banimeve të përhershme, atëhere ka lindur edhe hyjnizimi i dheut. Etruskët e Tarkuinës (Tarquinia, Itali), një fis pellazg, e shikonin fatin e tyre tek plisi i një toke të punuar në orët e para të mëngjesit.(22) Siç pohon albanologu Hahn (Johann Georg von Hahn,1811-1869): “Pellazgët e kohës para-historike, ishin bujq të mirë, mjeshtër të zot dhe tek ata kulti fetar ishtë mjaft i zhvilluem“. (23) Në këtë periudhë lindi edhe miti i Dhemitrës.
Nga toka buronin lumenjt që me ujin magjik ushqenin bimët dhe gjallesat e tjera dhe nga thellësia e saj, rrënjët lartësonin pemët e pyllit drejt qiellit. Toka “lindte” natyrën përreth, por edhe trette në gjirin e saj çdo gjë, sigurisht edhe njeriun që ecte mbi të dhe ushqehej me prodhimet e saj. Mund të pohojmë, vëren M.Eliade, së disa mite njiheshin nga njerëzit paleolitikë: në rradhë të parë mitet kosmogonike dhe MITET e ORIGJINËS (origjina e njeriut, e kafshëve dhe e vdekjes etj) (24) Është interesant një e dhënë e Hahnit: “Më duket se kam këndue te një vjershëtor i vjetër, se krijesa e parë e botës asht delja, e cila ka dalë nga Toka” (25)
Njeriu i lashtë, njohu fuqinë krijuese të Dheut dhe e quajti “Mëmë-dhe”, siç e emërtojnë edhe sot shqipetarët vëndlindjen e tyre, por edhe disa popuj të tjerë europianë, duke bësuar së prej saj kanë lindur. “Pellazgu, babai i parë i popullit Pellazg, mbret në Argolidë. Sipas legjendave dhe miteve ishte Njeriu i Parë që jetoi në botë dhe në Arkadi, kishtë lindur nga dheu.” (Vojtech Zamarovský ,(1919-2006), “Heronjtë e Miteve Antike” f260, 1983) (26)
Vetë dy emërtimet e lashta të fiseve të para, “lelege” dhe “pellazge”, në gjuhën shqipe shprehin mitin e origjinës se tyre. Sipas studiuesit Niko Stillo (“Toskërishte Etruskishte”): Emërtimi “Lelegë”, do të thotë «lindur të lindëses tokë » dhe «Pellazgë» do të thotë pjellë (dial.çam femijë) «e lindëses tokë» (të lindur nga toka-shën im) (27) Nga ajo kohë para-historike, tek shqipetarët ka mbetur emërtimi FARË për njerëzit e një fisi, i përjetësuar në Egjiptin e lashtë tek emri Faraon (fara+(j)on, dmth prej fisit tonë). Ky emërtim diktohej për të bërë dallimin midis popullsisë vendëse të Egjiptit dhe sunduesve pellazgë. Sipas Herodotit, egjiptianët që kishin origjinë vendese, ishin të vetmit që nuk lejoheshin të hynin në asnjë tempull. (28)
Hyjnizimi i Tokës nuk lidhej vetëm me idenë e lindjes së njeriut, por edhe të RILINDJES së tij mbas vdekjes brenda saj. Kjo dëshmohet nga përdorimi që në kohët më të herëshme, të ngjyrës së kuqe (simbol i gjakut dhe i jetës), me të cilën lyheshin kockat e të vdekurve. Në rast se më përpara i linin të vdekurit në një guvë të shpellës, tani njeriu “bujk” i fuste në dhe, me bindjen se do “të rilindnin” përsëri. Këtë e dëshmon edhe modeli, në formën e mitrës të varreve me një zgjatim “për të dalë”. Siç pohon M.Eliade, në periudhën Neolitike, për paraardhësit tanë, jeta mbas vdekjes vijonte në botën e nëndheshme. (29)
Ky besim, e bënte varrin të shihej si një vend i shenjtë, traditë që është trashëguar në malësitë shqiptare në Veri dhe në Jug edhe sot, ku respektohen jo vetëm varret e të parëve, historia e të cilëve njihet pak a shumë nga populli, por dhe varret e vjetra, historinë e të cilëve nuk e njohin fare. (30) Hahn tregon edhe një zakon që kanë patur fiset e origjinës pellazge, si armenët, frigët dhe dardanët e Europës, të cilët “jetonin në banesa nën tokë” (Straboni, VII, f316) (31)

Në objektet arkeologjike shohim figurina që ju blatoheshin Perëndive, që mbanin mbi kokë një copë dheu-Plisin (fig.1,2 poshtë, nisur nga e majta). Për ta bërë më të qartë simbolin mitik, kjo pjesë lyhej më bojën e zezë, siç është ruajtur në foton e dytë (Hyjnesha nga Siria dhe Iraku (periudha Halaf…). Me këtë “shenjë” dëshmonin përkatësinë e fisit të tyre “të lindur prej dheut” dmth prej fiseve pellazge. Forma konike (fig.3) si e fëmijëve të Zeusit, binjakëve Dioskurë apo e Aleksandrit të Madh është ruajtur tek shqipetarët e sotëm (fig.4) të zonës së Labërisë dhe Çamërisë (Molosia e lashtë). Në skulpturën e Perëndisë tokësore Serapi, Plisi(dheu) është i zbukuruar me bimë; tek Perëndësha Astarte, copa “e dheut” ka formën cilindrike(fig.5,6) e cila është forma e qeleshes më e përhapur tek popullsia shqipetare (fig.7). Sot e gjejmë si mbulesë të kokës, po në ngjyrë të zezë edhe tek priftërinjtë e Kishës ortodokse (fig.8).
Vendosja e copës së dheut mbi kokë, ishtë një ide e njeriut primitiv që e praktikonte mbi figurinat prej balte, të cilat liheshin në altare apo vëndet e shenjta. Praktikisht, njeriu e vendosi mbi kokë, shumë më vonë, në kohën kur mësoi ta përpunojë leshin e deles (kur filloi artizanati) gjithmonë për të treguar origjinën e tij hyjnore. Gjurmët më të lshta të përdorimit të Qeleshes janë gjendur në mijëvjeçarin e tretë pK.

– FATBARDHA DEMI –

(VIJON…)

……………………………………………………………………..

PJESA E DYTË:
FATBARDHA DEMI: PLISI – MITI I ORIGJINËS SË PËLLAZGËVË HYJNORË (II)
HAPE: http://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=3354

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura