FATMIR GRAICEVCI: DREJTËSIA SELEKTIVE E EULEX-it

Prishtinë, 21. 06. 2013 – Janë interesante disa fabula të Ezopit, mendjendriturit të kohës antike. Në një nga ato tregohet se si një herë e një kohë nga që ishin bërë krime të tmerrshme, të gjitha kafshët kishin vendosur të bëjnë gjyqin dhe meqë dhelpra ishte më e mençura ajo do të ishte krye hetuesja dhe krye gjyqtarja. Seanca gjyqësore filloi me luanin i cili fliste lirshëm për krimet që kishte bërë dhe rrëfente se sa dele, drerë e drenusha kishte ngrënë dhe pranonte se kishte bërë dëme të shumta. Pasi dëgjon mirë e mirë, pa thënë asnjë fjalë se kush bëri krime dhelpra kërkon që para bankës së të akuzuarit të dalë ujku. Edhe ai tregon sesa shumë qengja kishte ngrënë dhe për dhimbjet që ju kishte shkaktuar deleve. Pasi vëren se dhelpra nuk po ia vë mendjen krimeve të tij edhe ai del jashtë duke ia liruar radhën shqiponjës. Edhe kjo tregon se si në pamundësi për ta shqyer prenë, atë e kishte hedhur nëpër gremina derisa ishte bërë copë copë dhe ashtu ia kishte dërguar të vegjëlve të saj. Dhelpra shton përsëri se duhet mbajtur të vegjlit disi dhe radha i kishte ardhur edhe qengjit. Ai thotë se nuk di të ketë dëmtuar ndonjëherë ndokënd me përjashtim të një rasti kur i ishte rrezikuar jeta nga mungesa e ushqimit dhe ai kishte marrë dy-tri gojë barë në një kullosë,… dhe ende pa mbaruar fjalë dhelpra filloj të çirret: Ja krimineli. Ky është krimineli dhe këtë duhet dënuar për krimet që janë bërë në mbretërinë tonë!!!
Ka kaluar shumë shekuj qyshkur fobilisti i njohur Ezop i ka krijuar fabulat e tij dhe është normale që gjatë këtyre dymijë e sa viteve, njerëzimi ka bërë hapa të mëdhenj përpara e shembujt e tillë nuk vlejnë më në shekullin e 21 sepse shoqëria i ka tejkaluar këto ligësi dhe marifete me vënien e drejtësisë, sidomos ato që drejtohen nga ekspert të drejtësisë. Kështu do të duhej të ngjajë edhe në Kosovë ku për vënien e rendit dhe ligjit kemi një mision të përbërë nga ekspert të vendeve më të civilizuara, sikur është Italia e cila gjatë kohës së renesancës, dogji në turrë të druve, Gjordano Brunon, vetëm e vetëm pse ai mbrojti një pikëpamje që ishte në kundërshtim me bindjet dhe shpjegimet e Kishës, bindje që u konfirmuan të vërteta shekuj pas djegies së tij në turrë të druve.

– Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt –

Askush nuk e mohon se në Kosovë ka pasur krime të luftës, se janë dhunuar mijëra femra shqiptare, se në Kosovë janë dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre afër 700 mijë shqiptarë, se janë vrarë e masakruar 15 mijë të tjerë, se ende nuk dihet fati 1800 të rrëmbyerve nga forcat policore e ushtarake serbe dhe që janë bërë krime monstruoze por çështja është se pse heshtet për këto krime por ka filluar kanë filluar gjykimi ndaj atyre që dyshohet se gjatë luftës paskan vrarë ndonjë bashkëpunëtor të forcave vrastare serbe apo ndonjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paska maltretuar ndonjë person të dyshimtë duke i kërkuar dokumente të identifikimit, apo se paskan mbajtur të burgosur nëpër objekte që nuk i kanë pasur kushtet e burgjeve të Zvicrës, Suedisë apo Norvegjisë. Sa human që është Salustro për këto viktima dhe sa i ngjashëm me dhelprën e Ezopit. Por le të më fal Salustro për këtë krahasim sepse ai është dukshëm më i mençur dhe largpamës se sa dhelpra. Këtë e themi duke u bazuar në studimet e themeluesit të sociologjisë dhe për mendimin tim një ndër sociologët më të mëdhenj, Emile Dyrkemi. Kontributi i tij dhënë sociologjisë është i jashtëzakonshëm. Por në këtë rast do veçuar vetëm roli i pikëpamjeve në fushën e drejtësisë dhe rolit të ligjit dhe zbatimit të tij. Duke folur për këtë tematikë, ai në mes tjerash do të konstatonte se qëllimi i dënimit nuk është vetëm dënimi si i tillë, por bindja e shoqërisë dhe anëtarëve të saj se mos zbatimi i normave të saj do të sanksionohet e kjo do të kishte për pasojë kohezionin e shoqërisë dhe anëtarëve të saj. Përkthyer në një gjuhë më të thjesht i bije se Salustro po provon që sjellje dhe veprime jonormale dhe të dënueshme nga bota demokratike të bëhen norma në shoqërinë tonë! Do të ishte mirë që ai këtë moral të ua ofroj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës së kohës së Sharl de Degollit e vendeve të tjera.
Në vijim të parashtrimit të idesë për krimin dhe ndëshkimit e tij, sociologu, Emile Dyrkem thotë se shoqëria nuk e dënon një vepër pse është kriminale, por vepra është kriminale sepse është dënuar. Pra, një vepër merr konotacionin negativ të saj dhe evidentohet kriminale, vetëm nëse dënohet. Mbase këtu qëndron edhe thelbi i tërë filozofisë së Salustros dhe ekipit të tij mbështetës. Deshëm apo nuk deshëm, kështu po provohet të ndërtohet e vërteta e periudhës dy vjeçare të luftës çlirimtare në Kosovë. Nëse krimet i masim në bazë të dënimeve të tyre, atëherë del se gjatë viteve 1998-1999 më shumë krime kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se sa pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë serbe të ndihmuara edhe nga grupe të shumta kriminale paramilitare. Janë me dhjetëra vendbanime në të cilat forcat serbe kanë vrarë civilë shqiptarë, kanë dhunuar vajza shqiptare, kanë vrarë edhe pleq e plaka, fëmijë, foshnje të porsalindura, ua kanë shqyer barkun në mënyrë barbare grave shtatzëna dhe nuk kemi asnjë serbe të dënuar për këto krime rrëqethëse. Nëse nuk ka dënime për këto vepra monstruoze një ditë nëpërmjet mungesës së këtyre dënimeve do të provohet të argumentohet se nuk ka pasur as krime! Një qytetar i Evropës një ditë mund të shtroj pyetjen se si është e mundur që misioni më i madh i Bashkimit Evropian për vënien e rendit dhe ligjit nuk ka mundur të vë para drejtësisë kriminelët për krime të tilla!!! Ai do të besoj se krime të tilla nuk ka pasur sepse po të kishte do të kishte edhe dënime të urdhërdhënësve dhe kryerësve të tyre.
Duket se kjo më së shumti i leverdisë Serbisë dhe miqve të saj të vjetër e të rinj. Nëse Salustro me ndihmën e mbështetësve të tij ia del mbanë që të ndërtojë të ‘vërteta’ të tilla atëherë pas një kohe do të hapet mundësia e kontestimit edhe të legjitimitetit moral të sulmit të NATO-s, të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për bombardimin e forcave serbe për shkak të vrasjeve, dhunimeve, masakrimeve dhe dëbimit të popullit shqiptar.
Po të merrnin me kohë dënimin e merituar kryesit e krimeve në Kroaci, nuk do të kishte masakra në Bosnjë e Hercegovinë sikur që po të merrnin dënimin e merituar dhe të menjëhershëm masakruesit dhe dhunuesit e 250 mijë boshnjakëve myslimanë nuk do të kishte krime monstruoze kundër popullit shqiptar në Kosovë. Por meqë ata nuk e morën dënimin e merituar as në Kosovë ata një ditë hëngrën kokën e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq e prej atje shkuan edhe në Libi duke i shërbyer Muhamed Gadafit deri në vrasjen e tij nga kryengritësit libian. Kriminelët nuk njohin kufi dhe Salustro do të ishte mirë që t’i dënoëj këta derisa nuk e kanë mbyllur qarkun në Itali. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm se të flasim edhe pak me gjuhën e Salustros. Nëse ai është i brengosur me peshkimin e peshqve të mëdhenjë për shkak të rrezikut që po paraqitkan këta për ekosistemin ujor atëherë shumë më mirë do të ishte që ai të angazhohej për peshkimin e peshkaqenëve që ndodhen në pjesën nga fryjnë erëra të ftohta. Nëse vërtetë EULEX-si dhe Salustro dëshirojnë të dëshmojnë se janë të përkushtuar që në Kosovë të ketë rend dhe ligjësi le t’i marrin sejmenët dhe gjahtojnë në veri.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura