FATOS BAXHAKU: SA NDRYSHUAM NË NJË SHEKULL?

(Tiranë, 29. 08. 2012) – Mbi këtë truallin tonë kanë kaluar plot udhëtarë, reporterë, spiunë, aventurierë, madje deri edhe gjuetarë të thjeshtë. Shumë kanë lënë pas shkrimet e tyre. Vetëm pak vetëve u kujtohet, mirësia, profesionalizmi, ndershmëria dhe një veti krejt më vete, ajo që në disa raste quhet “morbus Albanie” (sëmundja e Shqipërisë). Një ndër to është një zonjë bavareze. Ajo quhej Marie Amelie Freiin von Godin. Kishte lindur në Mynih, më 7 mars të 1882, në një familje fisnikësh të rënë nga vafti dhe edukata e saj e parë ishte fort e rëndë. Për t’i shpëtuar jetës së zymtë ajo ndërmori një udhëtim të gjatë në Lindje. Asokohe, kjo quhej një “aventurë e madhe”. Baronesha shumë shpejt u lidh me Eqrem bej Vlorën, një figurë brilante e aristokracisë shqiptare të kohës dhe me motrën e tij. Që në këtë kohë ajo u bë një mike e madhe e shqiptarëve. Që në 1902 ajo ishte korrespondente nga Shqipëria për “Koelnischen Volkszeitung” dhe “Taeglichen Rundschau”. Në 1914 hapi me iniciativën e saj një spital fushor për të ndihmuar viktimat e luftës dhe të kolerës. Vdiq në Mynih në 1956. Thuhet se në ditën e varrimit të saj shumë shqiptarë të përlotur kanë thënë si nëpër dhëmbë: Sot vdiq nëna e vërtetë e Shqipërisë. (Lexoni ketu: http://de.wikipedia.org/wiki/Marie_Amelie_von_Godin – Sh.B)
Citimet që do të keni mirësinë t’i lexoni më poshtë janë shkëputur nga disa shënime të saj të mbajtura në 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë tonë. Jemi mësuar të na shajnë, të na citojnë si të paaftë për të bërë shtet apo shoqëri moderne, dhe gjithherë për këto akuza e kemi pasur gjuhën brisk. Ky rast ndryshon kryekëput, ky rast tregon se si do donte ta shihte Shqipërinë e së ardhmes një njeri që e dashuronte vërtet atë. Është një rast më shumë që të gëzojmë e të bëjmë hare për 100-Vjetor, por edhe ta vrasim mendjen për atë çka mund të bënim më mirë. Një shekull gjithsesi nuk është pak.

………………………………………………………

Vetëdija politike
“… Në pjesën dërmuese shqiptarët nuk janë në gjendje të lexojnë gazetat e huaja, kështu që, në një farë mënyre, janë në mëshirën e kafehaneve, ku një gjykim politik duhet, apo mund të formohet vetëm nga lajmet që sjellin agjentët e qeverisë turke, apo të kapitenëve të anijeve dhe të kasnecëve. Në këto kushte vetëkuptohet që horizonti politik është habitërisht i ngushtë, saqë ngjarjet vendore fitojnë një peshë dhe rëndësi krejt arbitrare në krahasim me ato në vendet e huaja, apo madje edhe në krahinën fqinje, një rëndësi që ka vetëm një efekt: të shtrembërojë në kokat e shqiptarëve raportet e drejta të gjërave…”. A ndodh kjo edhe 100 vjet më pas? Kush e di?
Shpërfillja ndaj pushtetit
“…Për shkak të shtypjes politike, gjatë së cilës shqiptarëve u ishte mohuar, madje me kërcënimin e dënimeve të rënda, çdo pjesëmarrje në jetën politike, pjesa më e madhe e popullatës ishte mësuar të çinteresohej për çështjet publike dhe kjo, siç ishte e natyrshme, nga shpërfillja e ngjarjeve politike, çoi në humbjen e krejt shpresave për të ardhmen, që te çdo popull tjetër, jo kaq të shkathët e energjik, do të kishte degjeneruar në një letargji të thellë e pa shpëtim. Mirëpo shqiptari shquhet për zgjuarsi dhe energji të pashterueshme, dhe kështu e gjithë kjo tepricë forcash shpirtërore dhe të vullnetit, e cila nuk gjeti vend në jetën publike të vendit, kërkoi fusha të tjera sendërtimi, qoftë në shërbim të Turqisë, apo vendeve të tjera jashtë vendit, qoftë brenda vendit në lëmin e jetës private, në të cilën shqiptarëve u ishte lënë aq shumë liri veprimi, sa edhe ç’u ishte kufizuar në jetën publike. Kjo rrethanë, së bashku me shkakun kryesor për rëndësinë jashtë çdo kriteri që janë fituar në Shqipëri çështjet vetjake, interesat vetjake dhe nderi vetjak përballë çështjeve publike, është në themel që sjellin me vete gjakmarrje dhe jo më pak edhe të gjitha aktet e shumta të dhunës dhe të shkeljes së ligjshmërisë, nëpërmjet të cilave shumica dërrmuese e shqiptarëve mbron përfitimet dhe, në rastin më të mirë edhe nderin e vet… Kujdesi i pamasë për interesat personale, ku energjia e shqiptarit ka gjetur fushë veprimi, dëshira për aventura, në të cilat dëshmohet gëzimi i këtij populli, ka çuar, sidomos në fushën e pronës private, në ‘shtrembërimin e konceptit të drejtësisë’…”. Në këtë pikë nuk kemi ku luajmë, të gjithëve ne, me ndonjë përjashtim të ndonjë idealisti të marrë, ende na dhembin më shumë hallet e shtëpisë tonë sesa “çështjet publike”. E bukur arritje në 100 vjet…
Partitë
“…Ndërsa gjithë çfarë thonë partia kundërshtare, partia kundërshtare që ka qenë denbabaden kundërshtare, sepse formimi i partive nga të pushtetshmit kalon trashëgim nga babai tek i biri, sikundër edhe përkatësia partiake e njerëzve të popullit, është paraprakisht e keqe, e paarsyeshme dhe që duhet luftuar, gjithë ç’është e kundërshtarit duhet hedhur poshtë dhe nderi e kërkon që e jotja duhet mbrojtur me çdo kusht. Duket shkoqur se sa e vështirë është të çajë rrugë një mendim i aftë për të zgjuar një jetë të mirëfilltë politike në një popull të tëjuhazuar kaq shumë ndaj një realiteti publik dhe shoqëror dhe të përçarë aq zellshëm në një mijë parti për shkak të interesave të veçanta…”. Mbase ky citim na çon ndërmend se si sillen partitë kundërshtare edhe sot njëra me tjetrën…
Shqiptari dhe forca
“… Jam shumë e bindur: sapo shkollat e mira t’u mësojnë fëmijëve konceptet e vërteta të moralit, koncepte që u përgjigjen marrëdhënieve normale të një shteti të rregullt, atëherë masa e shëndetshme e popullsisë do të jetojë me të njëjtën ndershmëri fanatike për sa u përket këtyre koncepteve të reja, me të cilat ato përmbushin sot detyrat, shpesh të vështira, të mikpritjes, të mbajtjes së fjalës, të miqësisë, të përkatësisë partiake, të përmbajtjes ndaj grave, të cilat ua kërkon zakoni i të parëve. Pa dyshim që ky popull i zgjuar dhe energjik do ta shfrytëzojë shumë shpejt fuqinë e tij në fushën e punës praktike, sapo të ndiejë mbi vete një dorë të fortë, të cilën ai do ta vlerësojë, sepse shqiptari e vlerëson gjithmonë forcën. Ambicia e tij dhe mania për të fituar e përshpejtojnë këtë shndërrim më shumë sesa vetitë e çdo populli tjetër. Sapo ndershmëria në Shqipëri të çojë drejt qëllimit përmes marrëdhënieve të rregullta më mirë sesa grabitja, atëherë shumë shpejt hajduti do të quhet si i marrë, pikërisht sepse ai do të jetë i pasuksesshmi, sikundër deri më sot, burri absolutisht i ndershëm ishte i pasuksesshëm për faj të qeverisë turke…”.
Mirë asokohe, kur hajduti quhej një njeri plot vlera, po sot, kur nuk jemi më të pushtuar?! Apo mos vallë ai pushtimi i vjetër ndër mendje e zemra vazhdon të na ndajë në të aftë e të paaftë, përkatësisht në hajdutë e johajdutë? Baronesha vazhdon të na bëjë pyetje të vështira, fort të vështira.
(Për më gjerë shiko: Marie Amelie Freiin von Godin, Nga Shqipëria e re; përktheu Elda Gjana-Boriçi dhe Afrim Koçi, Koçi, Tiranë 2007).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura