FEHMI RAMDANI: SHKËMBIM TERRITORESH, SI MODALITET I VETËM NDËRMJET PRISHTINËS DHE BEOGRADIT

(Prishtinë, 31. 05. 2012) – Pas zhvillimeve të fundit në rajon, përkatësisht zgjedhjeve në Serbi dhe fitores së forcave ultranacionaliste serbe, riaktualizimi i zgjidhjes së problemit të të ashtuquajturit “veriu i Kosovës”, sërish ka hap debate, si në skenën e brendshme shqiptare, por edhe atë të jashtme. Opinionet janë ndër më të ndryshmet, por ndër më i rëndësishmi i këtyre ditëve është qasja e Janush Bugajskit, një analisti amerikan me reputacion ndërkombëtare, i cili thotë se ky problem ka dy forma të zgjidhjes së tij; a) decentralizimi i plotë i “veriut të Kosovës”(statusi special autonom) dhe b) shkëmbimi i veriut të Kosovës me tri komunat e Kosovës Lindore, apo Luginës së Preshevës. Dhe, jo vetëm kaq, ai ka sugjeruar politikën e Kosovës të mendoj mirë rreth këtyre dy opsioneve, sepse në këto rrethana nuk ka alternativë tjetër.
Mungesa e planit kombëtar
Ky problem ka ardhur në mungesë të një plani të përbashkët kombëtar dhe ka mundësuar që fati i problemit të“veriut të Kosovës” të mbetet në duart e ekstremistëve serbë të këtij rajoni, të politikës ultrancionaliste të Beogradit të mbështetur nga Rusia, por edhe të politikës ndërkombëtare. Tashmë është e qartë se politika e Prishtinës dhe Tiranës në përgjithësi është nën kontrollin e interesave dhe politikës ndërkombëtare dhe nga ky ‘nënshtrim” nuk do të mund të ketë ndonjë shmangie të theksuar.

Janush Bugajski

_______________________________

Janush Bugajski jo vetëm ka dhënë opinion, por duke pasur ndikimin e tij, sidomos në disa qarqe politike në Uashington dhe qarqe tjera të ndikueshme politike evropiane ka sugjeruar rrugët e mundshme për kohën e zgjidhjes së këtij problemi të mbështetur plotësisht në real politikën ndërkombëtare. Mirëpo, mbetet në faktorin politik të Prishtinës dhe Tiranës të zgjedhin se çfarë vërtet mund të zgjedhin nga këto modalitete.
Modaliteti i parë i dhënies së statutit special për “veriun e Kosovës” tashmë është një modalitet i cili është duke u shqyrtuar seriozisht në qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe është shumë pranë zbatimit të tij. Ky modalitet është i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës, sepse do të kemi instalim të një entiteti të veçantë në kuadër të Republikës së Kosovës dhe kjo më shumë do të çojë drejt “Bosnjizimit” të Kosovës dhe krijimit të një shteti jofunksional dhe me probleme të nduarduarta, me një pasiguri permanente dhe një jo stabilitetit të vazhdueshëm për rajonin.
Forma e dytë e zgjidhjes së këtij problemi, i shkëmbimit territorial të një pjese të veriut të Kosovës (Zubin Potokut dhe Leposaviqit) me një pjesë të Kosovës Lindore, apo Luginës së Preshevës (PMB) është propozuar edhe më herët nga shumë analistë të huaj, por kishte sinjale edhe nga vetë Beogradi për një mundësi të tillë. Padyshim, se sugjerimi i Bugajskit ka bazën e tij në politikën realiste dhe pragmatike ndërkombëtare. Ndikimi i tij në projektet e politikës ndërkombëtare është i rëndësisë së madhe dhe ato gjithnjë kanë pasur përfillje në arenën e kësaj politike.
Sugjerimet e Bugajskit
Një marrëveshje e re për një ripërkufizim të ri territorial ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, apo shkëmbim të pjesëve të lartcekura nuk do të jetë vetëm një mençuri jo populiste e politikës së Prishtinës dhe Tiranës, por një guxim dhe vizion, të cilat politikanët shqiptarë deri më tani nuk e kanë shprehur. Andaj, në këtë kohë vendimtare për këtë sfidë të re këta politikanë duhet të tejkalojnë dobësitë e shprehura dhe të gjejnë guximin që ky problem ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të marrë zgjidhjen e duhur.
Me zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb dukshëm do të shtensionohen raportet e ngarkuara qindravjeçare ndërmjet këtyre dy popujve, por do të hapet edhe një kaptinë e veçantë për pajtim ndërmjet tyre, për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në rajonin e trazuar të Ballkanit. Më pastaj, do të mund të hapen rrugët e ndryshme të biznesit dhe bashkëpunimit, si dhe të integrimit të këtyre dy popujve në mekanizmat evropiane dhe ndërkombëtare.
Sugjerimet e Janush Bugajskit, duhet të konsiderohen të pranueshme dhe miqësore, sepse me qëndrimet e tij pro Kosovës dhe shqiptarëve, si në të kaluarën dhe të tanishmen ka dëshmuar mikun e mirë të tyre. Faktori politike në Prishtinë dhe Tiranë nuk duhet anashkaluar këto qëndrime, por ato duhet të shërbejnë si modalatitete shtytëse për futjen e tyre në planin për “veriun e Kosovës”që duhet të kenë me rastin e zhvillimit të negociatave të ardhshme politike, si me Beogradin dhe Bashkësinë ndërkombëtare.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura