MEHMETALI REXHEPI: LAMTUMIRË OSMAN ZHITIA! TË TJERA ZEMRA DO TË RRAHIN PËR JU

Gjilan, 3 korrik 2020: (Homazh për Osman Zhitinë)
Osman Zhitia jetoi e shkoi në amshim, prore me mendjen e mbushur me brenga, me zemrën që gjithnjë rrihte për popullin, në kuptimin më të mirë të fjalës popull, si koncept me ngërthesa çiltërsie, atdhedashurie, dhimbje e vuajtje, flijimi e ngazëllimi… Baca Osman e mbrujti familjen, bijtë, shokët e bijve të vet me atdhedashuri të pastër, jo për përfitime personale a familjare… Ai i dha atdheut heronjtë… Ideologun e ri të idesë kombëtare Afrim Osman Zhitia me shokë; të cilët rrugën e çlirimit kombëtar e panë vetëm përmes luftës së pastër çlirimtare… Pararendës shpirtëror Afrimi me shokë kishin pikë së pari, mësuesit e tyre, prindërit biologjik sikurse Osman Zhitinë, mandej modelin frymëzues Bacën Adem, sikurse Rexhep Mala që kishte babë Mehmetin, Adem Demaçi vëlla Maliqin e kështu me radhë…

Me gjithë pengesat në frymëmarrje, me gjithë moshën që i rëndohej, me gjithë dhimbjen e bijve e të shokëve të tyre; baca Osman nuk mungonte në përvjetorët e dëshmorëve, rreshtohej pas të rinjve, iu bënte nderime familjarëve, atyre që kishin dhënë më të dashurit e zemrës; asnjëherë pa u ankuar, asnjëherë pa u ligështuar… Kurdoherë fjalë-pak, fjalë-ëmbël, për çështjen mbi çështjet tjera: kulmin për shtëpinë e atdheut… Një kulm mbi themele gjaku të trimave e trimëreshave më të mira, që u rreshtuan në radhët e UÇK-s. Brumi njerëzor e kombëtar që përfaqësonte baca Osman ishte i shëndosh, sikurse buka e duarve e qumështi i nënave tona, që edukuan brezat drejt, bindshëm, me urti e kulturë, me ndjenja dhembshurie, por assesi të nënshtrimit, as të kapitullimit përballë katrahurave…
Kështu, ata prindër si Osman Zhitia, me vuajtjet e tyre të pa treguara, me sprovat tehut të vdekjes dhe të jetës, zëvendësuan akademinë tonë të munguar, tëholluan intuitën kombëtare për të qëndruar, për të mos u dorëzuar, për të mos u kapluar nga euforia, nga vetëkënaqësia, nga mburrja false dhe kënaqësitë e rastit e dritë-shkurta…
Rexhepi, Nuhiu, Fahriu, Bahriu, Afrimi dhe dëshmorët e UÇK-s nga baballarë të tillë, sikur Osmani, ua lanë barrë ekzistencën familjare për të vijuar rritjen e trashëgimisë atdhetare…
Lamtumirë mësuesi i durueshëm i alfabetit të atdhedashurisë, baca Osman!
Më në fund së bashku me Afrimin e pasardhësit e tij çlirimtarë do të pushoni shpirtin… Të tjera zemra do të rrahin për ju…
Gjilan, më 2 korrik 2020

Baci Osman Zhitia, foto gjatë luftës – nga Valon Murati 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura