GJEKË GJONAJ: LANUSH NUZI PERAJ (1878 – 1964)

Ulqin, 14. 11. 2016: (Fjala e tij gur i madh në kalanë e drejtësisë së kuvendeve të burrave) – Prej vitesh, qëkur kam filluar interesimet e mia të para për Anën e Malit-Ulqin, më kishin lënë përshtypje të pashlyeshme rrëfimet e anamalasve për disa burra të shquar popullorë të kësaj treve shqiptare, që i dinin mirë rregullat dhe normat kanunore. Një mrekulli e vërtetë. Njerëz që, ndonëse pa shkollë e, të shumtën e herës, pa zbritur ndonjëherë në qytete e pa parë ndonjë qendër të madhe arsimore e kulturore, dinin ta tëhollojnë bisedën aq bukur sa të duket se ishin me shkollë të lartë gojtarie, që sot mund t’ua kenë lakmi shumë intelektualë, e të kuvednojnë për pajtim, për probleme shoqërore për të përballuar rreziqe të ndryshme në mjedise të përshtatshme, në një dhomë, siç ka qenë tradicionalisht “oda e burrave” apo “oda e miqve”, një shesh apo log të përshtatshëm.
Ndër ata burra e pleqnar anamalas që flisnin me mend e me rend, në pajtim me thënien urtake:” Fjala pa rend, puna pa mend, si gjumi pa jorgan” ishte edhe Lanush Nuzi Peraj (1878-1964), nga Shasi legjendar, me origjinë nga fisi Nikaj e Mertur të rrethit të Tropojës. Fjala e këtij pleqnari popullor me qeleshe (plis) të bardhë, ashtu siç e kërkonte mençuria popullore, „ bluhej” para se nxirrej nga goja. Ajo nuk flitej pa u menduar mbase kishte peshë të madhe.

Ky burrë i mençur me forcën e fjalës së tij kishte për detyrë të gjykonte ngatërresa e grindje te ndryshme sipas Kanunit apo ligjeve kanunore tradicionale. Parimi kryesor i çdo pleqnari të ndërgjegjshëm, pra edhe i Lanushit, ishte ta zgjidhë çështjen drejt, pa anësime, pa u ndikuar nga asnjë trysni dhe të mëtojë që nga gjykimi të mos dëmtohet asnjëra palë pa të drejtë, sikurse edhe t’i zbusë konfliktet kur ishte e mundshme. Shprehje tipike e ketij synimi të mbarë është thenia: “Jo me i lanë armiq, por me i lanë vllazën”.
Emri dhe figura e Lanush Perajt në kujtesën e popullit të Anës së Malit me rrethinë ruhen të freskëta edhe sot. Anamalasit mburren me mendjeprehtësinë e tij, me gatishmnërinë që në çdo moment të jepte përgjgjen më adekuate edhe në situata, për të tjerët, pa shtegdalje. Kur përmendet emri i Lanushit, kudo në Anë të Malit, dhe në fshatra përreth, menjëherë përkujtohet plaku i urtë dhe i mençur, i cili ka ditë, siç thuhet në këtë krahinë, me pre. Përherë gjakftohtë, i matur, i drejtë, i sinqertë, i përmbajtur në fjalë, i panxituar në shpërthimin e ndjenjave, qofshin të gëzimit apo edhe të hidhërimit. Nuk lejoi kurrë që fjala e tij „të vrasë shtrembër”, sepse ishte i vetëdijshëm se fjala tek shqiptarët konsiderohet si plumbi, me anën e së cilës mund të fitosh, po edhe mund të humbasësh kokën.
Lanush Peraj me urtinë dhe mençurinë e tij la gjurmë të pashlyeshme në odat e burrave dhe në kuvende shqiptare, atëherë kur kullat (shtëpitë) tona ishin shkolla, fushëbeteja, ku matej burrëria e mençuria popullore, e që ishin gjykatore dhe drejtësia e tyre ishte më e fuqishme se ligjet e pushteteve antipopullore në këto treva. Fjala e tij ishte gur i madh në kalanë e drejtësisë së kuvendeve shqiptare të gjysmës së parë të shekullit njëzet.

Ulqin, 9 nëntor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura