PASIONI I INTUITËS DHE VETËDIJA AKSIOLOGJIZUESE PËR LIRINË

PASIONI I INTUITËS DHE VETËDIJA AKSIOLOGJIZUESE PËR LIRINË

Nga Dr.Arben Hoxha, Pashtriku 28 Prill 2022

Liria, në vetvete, si ndjenjë dhe pasion i intuitës, nuk është aftësi; ajo është kushti i të gjitha aftësive. Si aftësi, ajo është cilësi e gjësë, por jo qenia e gjësë. Është kjo arsyeja se pse Hajdegeri në ontologjinë fundamentale të tij thekson se nuk është njeriu që e zotëron lirinë, është liria ajo që e zotëron njeriun. Liria nuk është shprehje e marrëdhënies së mbyllur që një subjekt vendos me pasionin e vet të intuitës. Ajo është motori lëvizës i një ekzistence në bërje. Liria, si pasion i intuitës, është përfaqësimi i drejtpërdrejtshmërisë së qëndrueshmërisë që një person ka në bindjen për rolin e vet në bërjen e gjerave në botë.

Liria shkon përtej kufijve të njohjes logjike dhe është kushti i saj. Luftëtar i lirisë jo domosdoshmërish duhet t’i kesh të lexuar filozofët apo shkrimtarët që kanë shkruar për lirinë. Adem Jasharit nuk i janë dashur t’i lexojë Platonin, Homerin, Eskilin, Spinozën, Kantin, Hegelin, Sartrin, Poperin etj., si parakusht për ta materializuar aktin e vet të flijimi për liri. Pasioni i intuitës për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë rrënjëve të fijeve të barit të atdheut të kërcënuar nga shkelja e çizmes së huaj e tejkalon çdo përfytyrim të arsyeshmërisë njerëzore për kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes. Pa këtë pasion as ideja e luftës së UÇK-së nuk do të mund të ekzistonte, e aq më pak do të mund të flitej për aktualizimin e saj.

Për kundër kësaj, ideja e vlerës së lirisë nuk është detyrë e pasionit të intuitës. Ajo i takon vetëdijes aksiologjizuese aftësitë e së cilës përcaktohen nga kapacitetet e kulturës në përgjithësi (edhe të kulturës së leximit, në veçanti) të një subjekti që pretendon të jetë racionalisht vetëreferencial në procesin e rritjes e të zhvillimit të vetes.

 Liria si vlerë

Pasioni i intuitës është instrument që, në situata të skajshme ekzistenciale, e siguron mbijetesën, por i pamjaftueshëm për ta kuptimësuar objektivisht funksionin, orientimin dhe qëllimin e lirisë. Ideja e lirisë, si vlerë, e vendosur brenda gjendjes së vetëdijes aksiologjizuese, i përcakton aftësitë e një individi, të një populli, të një kombi për të zgjedhur atë që është e rëndësishme nga ajo që është e parëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e vet në botë.

Vlera e lirisë është e pandarë nga vlera e sakrificës. Sakrifica është ngjarja që e bën të depërtueshëm në ekzistencë vlerën e lirisë. Shumëkush mund ta dojë lirinë; vetëm sakrifica, si vlerë, është kriteri që e matë vullnetin e forcës së një dëshire që synon ta realizojë lirinë. Vetëdija jonë aksiologjizuese, në mungesë të këtij kriter për matjen e sakrificës, edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet në një gjendje të rënduar skepticizmi e rezignimi përballë antipodeve të vlerës së lirisë: karrierizmit politik, demagogjisë politike, relativizimit të të vërtetave për heronjtë dhe për tradhtarët, etj. Mungesa e hierakizimit të vlerave midis sakrificave të llojeve të ndryshëm, është tregues i mungesës së kriterit për vlerësimin e lirisë nga vetëdija aksiologjizuese. E kjo do të thotë për mungesën e theksuar të aftësive për të marrë orientim në procesin e vetëbërjes.

Një kriter matës për vlerësimin e gjendjes së pakonsoliduar të vetëdijes sonë aksiologjizues në raport me vlerën e lirisë mund të na shërbej qëndrimi unë ndaj luftës së UÇK-së.

Nga zgjedhja që kemi bërë për mënyrën e (ri)varrimit të dëshmorëve të UÇK-së menjëherë pas luftës; me qëndrimin tonë ndaj memorialit të Kullava të Jasharajve tash e 23 vite; nga mënyra e satanizmit të ushtarëve të UÇK-së në mediat tona para e pas lufte; prej hartimit të Ligjit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së; prej mënyrës së hartimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila luftën e UÇK-së nuk e përmban si premisë juridike-politike të shtetësisë së Kosovës; nga mënyra e themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, mund të konkludohet se vetë UÇK-ja, si qenie e lirisë – në radhë të parë nga shqiptarët, e më pas edhe nga ndërkombëtarët – është parë si një vlerë me rrënjë në aksiologjinë utilitariste, e cila, brenda forcave politike shqiptar në luftën për pushtet, në njërën anë, llogarit në interesin (edhe material) praktik tash dhe këtu, ndërsa, nga ana tjetër, në rrafshin e politikave ndërkombëtar, si vlerë për ekuilibrim forcash në shoqërinë botërore. Në të dyja rastet, më parë se sa një e mirë e dëshirueshme si qëllim, UÇK-ja do të perceptohet një e mirë e dëshirueshme si mjet.

Themelimi i Gjykatës Speciale është finalizimi i agresionit që Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, ka bërë, në njërën anë, mbi hapësirën e boshatisur të vetëdijes aksiologjike shqiptare për lirinë, si vlerë supreme, dhe, nga ana tjetër, mbi territorin utilitarist të vetëdijes aksiologjike në arealin e mendjes politike perëndimor. Ndërsa presioni i bashkësisë ndërkombëtar kundrejt deputetëve të Kuvendit të Kosovës për domosdoshmërinë e themelimit të Gjykatës, do të jetë tregues i krizës së vetëdijes aksiologjike të mendjes perëndimore, aprovimi i Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të jetë treguesi i kapaciteteve të ulëta të vetëdijes aksiologjike shqiptar për vetëbërje; në të vërtetë do të jetë treguesi i aftësive të munguara krijuese përballë qëllimit për kapërcim nga modusi i mbijetesës në modusin e bërjes së ekzistencës.

Ideja e lirisë dhe gjykimi aksiologjizues

Vlera e lirisë, mishëron shkallën më të lartë të abstraktimit reflektues për marrëdhënien tonë me veten dhe me botën. Struktura e pa konsoliduar e vetëdijes sonë aksiologjizuese – si pasojë e mungesë së vlerës aksiologjikisht të pareflektuar të lirisë – shpërfaqet në aftësitë tona të kufizuara hermeneutike në të kuptuarit teorik të identitetit tonë kombëtar, si dhe në paaftësinë tonë – si pasojë e paaftësisë së parë hermeneutike – për të vendosur një dialog krijimtar me të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Një vete që e përjashton veten nga mendimi, s’ka se si të jetë krijimtare. E gjendur nën kushtet e pezullimit nga dimensioni aksiologjizues i vlerës së lirisë, vetëdija jonë marrëdhënien me të kaluarën tonë do ta ndërtojë mbi premisa psikologjike, përmes të cilave do të faktohen gjendjet tona emocionale, qoftë individuale qoftë kolektive, në raport me botën. E bazuar në premisa të tilla vështirë të matshme, aftësitë e vetëdijes sonë bërëse do të tregohen të paafta për t’i dhënë orientim dhe kuptim marrëdhënies sonë me botën në të ardhmen.

E kaluara jonë e dhënë përmes përshkrimit monumental të vuajtjes, si gjendje psikologjike në vetvete, do të jetë perdja për mbulimin e aftësive tona të tejet të kufizuar për bërjen e vetës subjekt, i cili e vetëçliron veten nga forcat kufizuese që ia pamundësojnë ndërtimin e marrëdhënieve krijues me botën. Marrëdhënia jonë me të kaluarën në bazë të modelit monumental të vuajtjes, si realitete në vete, më parë se sa nga fuqia e lavdisë që krijon “vazhdimësinë madhështore të të gjitha epokave”, te ne vazhdon të zbatohet si instrument i përditshmërisë sonë për ushqimin apo riparimin egove individuale apo kolektive të cenuar moralisht.

E kaluara në jetën tonë mendimore, për shkak se nuk do t’i kalojë kufijtë e të qenit një përmbajtje psikike, nuk do të arrijë të shndërrohet në përmbajtje të gjykimit vlerësues, si mekanizmi që përcakton se çfarë është e rëndësishme dhe jo për zhvillimin e vetes sonë si komb në të ardhmen. Në këtë pikëpamje, mund të thuhet se e kaluara në jetën tonë mendimore është një aset tejet deficitar, përkundërt hiperinfacionit të marrëdhënies sonë me tipin e kujtesës monumetale që i përgjigjet nevojave të komunikimi të përditshëm, e cila, sipas sociologut francez Moris Albvaks-i (Maurice Halbwachs), nuk e kalon njëqindvjetshin. Në këtë pikëpamje, mund të thuhet se marrëdhënia që shqiptari i sotëm ka me kujtesën për gjenocidin serb të ushtruar në luftën e fundit, as për nga përmbajta as për nga struktura, nuk dallon nga marrëdhënia me kujtesën që ka pasur shqiptari që ka përjetuar gjenocidin serb në gjysmën e shek. XIX apo të fillimi të shek. XX. Ashtu sikur dje, përmes këngëve epike, ashtu edhe sot pemës shënimit të përvjetorëve të masakrave serbe në luftën e fundit, vuajtjen tonë nuk arrijmë ta transponojmë në vlerë drejtësie, si pjesë organike e vlerës supreme të lirisë në rrugën e bërjes së vetes sonë subjekt në histori.

Kjo është edhe arsyeja se pse pas luftës së fundit vetëdija jonë – nën presionin ndërkombëtar për nevojat e një “paqeje emergjente”, që i shpërfill dhe i injoron nevojat e Drejtësisë, me lehtësi të papërballueshme do të heq dorë prej dimensionit të së kaluarës, si aset i rëndësishëm i kujtesës dhe vetëdijes aksiologjizuese.

Një kujtesë pa të dhëna të koduara dhe të ruajtura, vetëdijen emancipuese e lë pa materialin bazik të punës së vet për bërjen e një subjekti vetëbërës në botë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura