New York, 22. 03. 2016: Trieshi është një trevë iliro-shqiptare midis Kuçit e Malësisë së Mbishkodrës. Qeta e Trieshit siç e quanin motit, shtrihet në krahun e djathtë të lumit Cem. Deri në fund të viteve 60’në Triesh jetonin më shumë se 200 shtëpi. Në të kaluarën edhe Trieshi njësoj si krahinat tjera shqiptare u sulmua nga pushtuesit e ndryshëm. Në fillim të viteve 1880’ Trieshi sidomos katundi Nikmarash pësoi rëndë nga sulmet sërbo-malazeze. Si pasojë e këtyre sulmeve pjesa më e madhe e popullësisë u largua nga Trieshi dhe u vendosë në trevat shqiptare të Malësisë që në atë kohë ishin nën sundimin e Turqisë. Refugjatët nga Trieshi ikën atje për shkak të sulmeve sërbo-malazeze. Forcat sllave dogjën e shkatrruan shumicën e shtëpive në Triesh dhe plaçkitën të gjitha pasurit që kishin lënë pas. Më në fund në Kongresin e Berlinit u vendosë që Trieshi të mbetet nën Mal të Zi. Knjaz Nikolla kishte pranuar kthimin e refugjatëve, duke kërkuar nga ata nënshtrimin e pushtetit të tij. Trieshianët refugjatë si kusht për kthimin e tyre kishin kërkuar autonomi fetare dhe disa të drejta kombetare e në veçanti të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në jetën e përditshme. Qeveria e Malit të Zi e kishte bërë këtë premtim duke mos ndërhyrë në çeshtje fetare dhe as në përdorimin e gjuhës shqipe. Pushtuesit nuk kishin ushtruar dhunë kundër traditave të vendit. Familjet dhe individët e ndryshëm që kishin bashkëpunuar me regjimin e Malit të Zi, dhe me regjimet tjera të mëvonshme. Austro-Hungaria nuk i kishte pëlqyer shumë planet e pushtimit të tokave shqiptare nga sërbo-malazezët. Kështu kishin vepruar më vonë edhe Italia e Gjermania. Pas pushtimit të Shqipërisë, Italia bëri përpjekje për bashkimin e tokave shqiptare në Ballkan. Shqiptarët në tokat e pushtuara morën frymë kombëtare në kohën e pushtimit italian dhe vetëm në kohën atij okupimi gëzuan të drejta dhe liri kombëtare. Periudhën e pushtimit italian shqiptarët e robëruar e quanin koha e lirisë. Shumë trieshianë e malësorë kishin hyrë vullnetarë në Ushtrinë Fashiste të Italisë sepse ky regjim kishte premtuar bashkimin e tokave shqiptare.
Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Trieshi ishte njëra prej trevave më të rëndësishme të Malësisë së Madhe. Shkodra ishte qëndra kryesore e të gjitha lidhjeve kombëtare, fetare, ekonomike, dhe shoqërore të Trieshit. Deri atëherë Famullia e Trieshit ishte pjesë e Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe vetëm pas pushtimit malazez kjo Famulli kaloi nën jurisdiksionin e Arqipeshkëvisë së Tivarit, ngase edhe ky qytet i stërlasht ilir ishte pushtuar nga Mali i Zi. Famullia e Trieshit ishte themeluar 253 vjet më parë dhe deri në atë kohë ishte drejtuar kryesisht nga meshtarët e Famulisë së Grudës dhe shumë herë edhe të Kelmendit. Historia e vertetë e Trieshit është në Shkodër. Pavarësisht presioneve të ndryshme Trieshi sot e kësaj dite martohet me Hot e Grudë dhe Kojë e Luharë. Në të kaluarën kur nuk kishte pëngesa kufitare Trieshi ishte martuar me Kelmend,Shkrel e Kastrat. Martesat me vajza shqiptare kanë luajtur rolin kryesor për ruajtjen e gjuhës dhe traditës kombëtare. Aty këtu trieshianët janë martuar edhe me vajza malazeze,por ato pas një kohe flisnin shqip. Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore pushtetet sllave kanë bërë presion kundër shkollimit në gjuhën shqipe. Ata bënin përpjekje për asimilimin e popullit shqiptar në trojet e tyre. Trieshi ishte njëra prej trevave më të varfëra. Pushtuesit nuk kishin vullnet për asnjë lloj ndërtimi në Triesh. Deri në vitin 1954 Trieshi nuk kishte rrugë automobilistike, ekzistonte vetëm një rrugë kuajsh. Shteti jugosllav e ndërtoi në atë kohë rrugën e Trieshit për nevojat e veta ushtarake, kryesisht për ruajtjen e kufirit me Shqipërinë. Jugosllavia komuniste kishte ndërtuar 5 karaulla ushtarake në zonat kufitare midis Trieshit dhe Kelmendit. Një karaull ishte në Lemajë, një në Poprat, një e madhe në Koritë, një tjetër në Koshticë dhe një në qëndër të Trieshit në Stjepoh. Rojet e armatosura qëndronin në gjëndje gatishmerie 24 orë në ditë. Njerëzit e moshës sime i mbajnë mend ato kohëra dhe kontrollet që bënin rojet ushtarake jugosllave në Triesh dhe në zonat kufitare. Rruga e Trieshit të cilën e ndërtuan jugosllavët për interesat e tyre ushtarake dhe politike kalon nëpër disa rajone malazeze. Pavarësisht se ishte ndërtuar për çeshje ushtarake ndërtimi i kësaj rruge kishte rëndësi jetike për Trieshin. Kjo rrugë e ndihëmoi shumë ndërtimin e vendit. Ka qënë rrugë hije mirë sepse për më shumë se 6 dekada asnjë trieshian nuk pësoi fatëkeqësi në këtë rrugë. Qysh atëherë e deri sot në këtë rrugë kishte vdekur si pasojë e një aksidenti vetëm Masha Preka Lulgjuraj nga Selishti. Ai kishte ndodhur në një kamion me disa udhëtar sllavë që ishin nisur për në Triesh. Nga Dojani e deri në Qafë të Rozdecit kjo rrugë është thikë përpjet dhe në disa pjesë shumë e rrezikshme sidomos prej kilometrit 7 e deri në Kukël të Ledinës. Edhe Jutet deri në Qafë të Rozdecit janë të papërshtatshme për rrugëtim, sidomos gjatë dimërit. Për rreziqet e mundshme në Qafë të Rozdecit flitet sot e kësaj dite. Qafa e Rozdecit në kohëra të borës së madhe është e pakalueshme, por edhe Jutet janë të vështira. Në vitin 2006 si pasojë e borës së madhe rruga e Trieshit qëndroi e mbyllur për 7 javë. Ata që e përjetuan këtë mot të vështirë tregojnë shumë episode për ato ditë të mbylljes së Trieshit nga bora e nadhe.
Deri në kohën e pushtimit nga Mali i Zi, lidhjet rrugore të Trieshit me Fushën dhe Malësinë ishin nëpër Qafë të Ulicës, nëpër Qafë të Nagrivës, i Qye te Rrasës nëpër Grykë të Smedecit, e nëpër Grykë të Delajëve dhe ndonjë kalim tjetër nëpër Bekaj e Poprat. Rruga kryesore e Trieshit për Malësi kalonte nëpër Grudë. Qafë Nagrivë – Selisht-Pikalë – Dinoshë. Këtë rrugë e kishte ndërtuar Austria, bile ishte rrugë karroce. Disa malësorët të moshuar mund ta mbajnë mend këtë rrugë.
Në vitet 1980’ Trieshi dhe Malësia kishin bërë shumë takime për rindërtimin e Rrugës Dinoshë -Triesh.Shumica kishin rënë dakord për ndërtimin e kësaj rruge historike. Ata kishin caktuar një këshill për grumbullimin e fondeve në Malësi dhe në diasporë. Pas një kohe kishin dërguar në Amerikë z. Vasel Margilaj për ngritjen e fondeve të duhura. Vasel Margilaj bëri një fushatë në New York, por edhe me shumë, në Detroit, duke kërkuar mbështetje morale dhe material nga malësorët e atij qyteti. Ai dhe Pjetër Gjergji Lucaj bënë punë të madhe për ngritjen e fondeve. Ata kishin kërkuar ndihmë shtëpi për shtëpi. Vasel Margilaj dhe Këshilli i kësaj rruge përpara se të fillonin punën kishin bërë projektin për ndërtimin e rrugës Triesh-Selisht, dhe ishte pranuar nga autoritetet përkatëse. Vasel Margilaj dhe Familja e tij më në fund e kishin marrë përsipër ndërtimin e rrugës Triesh-Selisht. Ata e hapën rrugën ashtu siç ishte paraparë 7 metra të gjërë. Duhet thekësuar se kjo rrugë i kushtoi shtrejtë Familjes Margilaj. Ata dhe shumë kush të tjetër dyshojnë se djali i tyre Marashi ishte smurë nga tymi i helmuar i dinamitit dhe baruteve e ndryshme gjatë atyre punimeve. Marash Margilaj vdiq një vit më vonë në moshën 33-vjecare në një spital të New Yorkut.
Të gjithë e dijnë dhe e pranojnë se rruga e Trieshit nëpër Grudë është 10 kilometra më e shkurtër se Rruga e tanishme e Trieshit. Në këtë rajon të Grudës nuk bjen borë kurrë sepse është tërë kohën ne krah të diellit dhe në atë rajon dominon klima e butë e Cemit. Nga ana tjetër kjo rrugë kalon nëpër tokë shqiptare. Edhe për trieshianët që kanë prona në Cem, Rruga Triesh-Dinoshë është shumë e përshtatshme.
Trieshi është pjesë e Komunës Urbane të Tuzit, kështu që Rruga Trieshë-Dinoshë ka rëndësi të veçantë, pastaj ka rëndësi të dyfishtë sepse shumë shpejtë kjo rrugë mund të lidhet me autostradën Dinoshë-Vermosh-Plavë e Gusi dhe vazhdon për Kosovë.
Kohë më parë disa trieshianë kanë filluar fushatën për përmirësimin e rrugës së tanishme e cila kalon nëpër Fudna dhe Rashviq e Jute. Deshira e tyre për përmirësimin e kësaj rruge duhet të respektohet, sepse është rrugë e kahershme dhe në ato kushte ka luajtur rol me rëndësi për të mirën e Trieshit. Rindërtimi I kësaj rruge nuk I sjellë asnjë te keqe Trieshit. Por duhet pranuar se ambient i Rrugës së Malesisë për në Triesh është më i përshtashëm. Fakti që disa anëtarë te komisionit ishin kategorik kundër Rrugës së Malësisë, bile disa edhe u tallën me këtë rrugë. Ndonjëri nga ata në mënyrë cinike dhe sarkastike e quajti “rruga e kombit”, “rruga e patriotëve” më në fund e quajtën edhe “rruga e karabushit”. Ata nuk duan të dëgjojnë se nëpër këtë rrugë kanë kaluar labeatët, pastaj arbërit dhe shqiptarët. Nëpër këto rrugë mund të kenë kaluar: Agroni e Teuta, Diokleciani e Justiniani, pastaj Pjetër Bogdani, e Pjetër Budi. Nëpër këtë rrugë kanë kaluar Dedë Gjo’Luli, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Isa Boletini dhe Imzot Serrreqi. Nëpër këtë rrugë kaluan të gjitha ata që e nënshkruan Memorandumin e Greçës. Këtu ka shërbyer edhe Patër Anton Harapi. Frymëzimin për veprën e tij të madhe “Andrra e Pretashit” , është ngjizë në trevat pranë Rrugës Dinoshë-Triesh. Pra kjo rrugë nuk është për t’u qeshur sepse është historike. Më në fund nëpër këtë rrugë kanë kaluar Vuksan Gela, Pretash Suka dhe Zef Miliqi e shumë e shumë burra e gra legjendare të Malësisë. Për këto troje botuan vepra Mary Durham, Antonio Baldacci dhe shumë e shumë tjerë. Nga ana tjetër bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet kurrë pa ndërtimin e rrugëve. CIA-amerikane kishte bërë një studim të hollësishëm 25 vjet më parë në lidhje me mundësinë e bashkimit të trojeve shqiptare, por ata e panë të pamundshme bashkimin e kombit shqiptar pa ndërtimin e rrugëve të rëndësishme midis trojeve shqiptare. Për këtë çështje kishte shkruar gjërsisht gazeta “The New York Times”.
Disa nuk kanë mësuar dhe nuk duan të dëgjonë për të kaluarën e lidhjeve të Trieshit me Malësinë dhe me Shqipërinë. Përpara se të fillonte Lufta në Kosovë, bota perëndimore ishte shumë e shqetësuar për fatin e shqiptarëve në Mal të Zi, bile edhe për fatin e trojeve shqiptare në Malësine Mbishkodrës në Mal të Zi. Dhe për këtë gazeta më e madhe amerikane “The New York Times” kishte dërguar në Ubla të Kuçit në Mal të Zi, gazetarin e njohur Chris Hedges për të biseduar me qytetarët e Kuçit për sulmet e mundshme të Millosheviqit dhe Bullatoviqit kundër shqiptarëve në Mal të Zi. Në vazhdim po sjellim disa pjesë që kanë të bëjnë me urrejtjet patologjike të kuçasëve ndaj malësorëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Gazeta “The New York Times” e datës 28 Maj 1998 në rubrikën e saj për çështje ndërkombëtare shkruante: “Përkrahësit e Millosheviqit shumë herë u referohen shqiptarëve dhe myslimanëve të tjerë si”turq”. Zoti Bullatoviq kishte thëne,iu lutem mos na tregoni se shqiptarët dhe mysliamnët do ta mbrojnë Malin e Zi nga Jugosllavia”. Mbështetësit e Millosheviqit marshuan nëpër rrugët e Podgoricës duke brohoritur; “kush do të jetë i pari dhe kush do të jetë i dyti që do të pijë gjak turku?” Ky është shovinizmi i Millosheviqit dhe Bullatoviqit,drejtuar kundër 20 për qind të popullësisë që janë shqiptarë dhe myslimanë që mund të jetë elementi më shpërthyes në këtë çarje. Fshatarët besojnë se kjo është një teori konspirative e cila ka për qëllim shkatrrimin e sërbëve. Lufta kundër Jugosllavisë drejtohet nga Perendimi për të na dobësuar dhe për të na shkatrruar ne, tha një fshatar i cili nuk deshi të identifikohet.
Ublat 10 milje në verilindje të Podgoricës si në shumë pjesë te Malit të Zi, janë besnik klanesh fisnore dhe diktojnë punët e shtetit. Pikërisht këtu Bullatoviqi dhe Millosheviqi kanë gjetur përkrahesit e tyre më të zellshëm”
Në vitin 1998 gjëndja e shiptarëve në Malësi ishte në rrezik. Ne kishim dijeni për këtë shkrim dhe për shumë veprime e kërcënime tjera kundër shiqptarëve. Në atë kohe flitej edhe për kontrollin e madh të forcave jugosllave kundër malësorëve dhe udhëtarëve në drejtim të Shqipërisë. Kjo temë ishte e pranishme në Malësi dhe ne diasporë. Në kushtet e atëhershme politike Rruga e Trieshit nëpër Grudë ishte si diçka e domosdoshme. Por pas ndërhyrjes së NATO-s kundër disa objektivave ushtarake të Malit të Zi, gjendja ndryshoi dhe shqiptarët shpëtuan nga gjenocidi dhe dëbimi në Shqipëri. Kjo histori nuk ka ndodhur 300 vjet më parë por me 24 Mars të këtij viti bëhen 17 vjet. Nuk janë aspak të mira kërcënimet e përditshme të Rusisë kundër Malit të Zi, sepse në një rast të tillë shqiptarët do të pësonin më shumë se kushdo tjetër.
Rindërtimi i rrugës së tashme është punë e mirë. Ndërsa përfundimi i ndërtimit të rrugës së Trieshit nëpër Grudë do të ishte vepër e madhe. Këtë rrugë mund ta përdorte e gjithë Malësia e Madhe deri në Shkodër e më gjerë për turizmin verorë në bjeshkët e permendura të Trieshit siç ështe Korita, Greça e të tjera. Udhëtimi i shqiptarëve nëpër tokat e arbërit është më i natyrshëm se nëpër tokat e huaja. Por mosmarrëveshjet për njërën ose tjetrën rrugë e dëmtojnë Trieshin dhe Malësinë. Trieshi me dy rrugë automobilistike do të ishte më mirë.