GJENOCIDI DHE SPASTRIMI ETNIK I PLANIFIKUAR I SERBISЁ NЁ KOSOVЁ (1998-1999)
Nga Sheradin Berisha
Përmbledhje
Ky punim akademik analizon natyrën e planifikuar dhe sistematike të krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe akteve gjenocidale të kryera nga aparati shtetëror i Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë) në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Duke u mbështetur në parimin e analizës politike se krizat e mëdha dhe luftërat nuk zhvillohen spontanisht, studimi shqyrton bazën ideologjike serbe, planin operacional ushtarak të koduar “Patkoi” (Potkovica) dhe koordinimin e plotë mes Ushtrisë Jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive paramilitare. Përmes studimit të rasteve të masakrave kryesore, operacioneve për fshehjen e kufomave në varreza masive brenda territorit të Serbisë dhe vendimeve të formës së prerë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), punimi vërteton se krimet në Kosovë përbënin një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” të dizajnuar nga maja e hierarkisë shtetërore të Beogradit.
Fjalët kyçe: Kosova, Gjenocidi, Spastrimi etnik, Plani “Patkoi”, Masakrat 1998-1999, Varrezat masive, ICTY.
____
Hyrje
Ashtu sikurse në ekonomi që çdo ecuri zhvillimore planifikohet paraprakisht, edhe në politikë shkaktimi i luftërave dhe krizave të mëdha nuk ndodh aksidentalisht dhe nuk zhvillohet spontanisht. Presidenti i 32-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin D. Roosevelt (1882–1945), ka lënë një thënie epokale mbi logjikën e vendimmarrjes politike: “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht. Në qoftë se diçka ndodh, duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë.”
Ky parim gjen zbatim të plotë në analizën historike të luftës në Kosovë (1998-1999). Krimet në masë, vrasja e shqiptarëve të paarmatosur (pleq, gra e fëmijë), plaçkitja e pasurisë, djegia dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet sistematike të grave shqiptare, si dhe dëbimi masiv i popullatës nga Kosova nuk ishin vepra aksidentale apo reagime spontane të luftimeve. Ato ishin pjesë e një politike të mirorganizuar dhe të një plani kolektiv shtetëror, të dokumentuar gjerësisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Misioni Verifikues i OSBE-së (KVM) dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
1. Rrënjët ideologjike dhe konteksti politik
Dhuna shtetërore e fundit të viteve nëntëdhjetë mbështetej në një platformë të hershme politike dhe akademike serbe, e cila synonte ndryshimin e strukturës demografike të Kosovës.
- Memorandumi i Akademisë Serbe (SANU, 1986). Ky dokument krijoi bazën ideologjike nacionaliste për shtypjen e autonomisë së Kosovës (1989). Ai legjitimoi masat represive dhe politikën e aparteidit kundër popullsisë shumicë shqiptare.
- Suprimimi i autonomisë (1989). Regjimi i Sllobodan Millosheviqit hoqi me dhunë autonominë kushtetuese të Kosovës në mars të vitit 1989. Pas kësaj pasoi largimi masiv i shqiptarëve nga institucionet shtetërore, sistemi arsimor dhe shëndetësia.
- Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (JCE). Sipas aktakuzave dhe aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës (ICTY), udhëheqja politike, ushtarake dhe policore e Serbisë veproi si një “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” me qëllim dëbimin me dhunë të shqiptarëve dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm serb mbi territorin.

2. Plani Strategjik “Patkoi” (Potkovica) dhe logjistika shtetërore
Krimet dhe spastrimi etnik në Kosovë u kryen në zbatim të një plani operacional të hartuar nga shtabi ushtarako-politik i Sllobodan Millosheviqit, të koduar “Potkovica” (Plani “Patkoi”). Ky plan u bë publik në pranverën e vitit 1999 nga Ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe Ministri i Mbrojtjes Rudolf Scharping, bazuar në të dhënat e shërbimeve inteligjente perëndimore. Ish-ministrja e Jashtme bullgare Nadezhda Mihajlova (më vonë Neynski) deklaroi se qeveria bullgare kishte përcjellë te pala gjermane informacione të shërbimeve të saj për këtë plan.
- Strategjia e rrethimit gjeografik. Plani parashikonte rrethimin e popullsisë shqiptare nga tri drejtime (veriu, lindja dhe juglindja). Kjo formonte një patkua ushtarake që linte të hapur vetëm kufirin jugperëndimor drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke detyruar popullatën të largohej në masë jashtë vendit.
- Mobilizimi i resurseve shtetërore. Serbia mobilizoi administratën shtetërore, mjetet financiare, mediat propagandistike, gjyqësinë dhe transportin publik. Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (“Erasing History”, maj 1999), shteti vuri në dispozicion trenat e hekurudhave dhe autobusët e ndërmarrjeve publike për të transportuar qindra mijëra civilë drejt pikave kufitare.
- Fshirja e identitetit (Identity Cleansing). Forcat kufitare serbe u konfiskonin dhe u asgjësonin civilëve të dëbuar letërnjoftimet, pasaportat, diplomat dhe tapitë e pronave. Qëllimi strategjik ishte fshirja e gjurmëve të ekzistencës së tyre juridike dhe pamundësimi i kthimit në Kosovë.

Vendbanimet shqiptare të dëmtuara – djegura në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
3. Aparati ushtarak, policor dhe paramilitar
Dokumentimi i HRW-së përshkruan një përbërje të ndërlikuar të forcave të përfshira në operacionet në Kosovë: Ushtria Jugosllave (UJ), policia e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), njësitë speciale policore, shërbimet e sigurimit, formacionet paramilitare dhe milicitë lokale. Sipas HRW-së, Ushtria Jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë dhe ofronte mbështetje e lehtësim operacional.


Për realizimin e këtij plani shtetëror, Sllobodan Millosheviqi integroi nën një komandë të unifikuar të gjitha strukturat e rregullta të armatosura dhe formacionet paramilitare:
- Ushtria Jugosllave (VJ). Në Kosovë u angazhua superstruktura e Armatës së Tretë serbe, e udhëhequr nga Korpusi ushtarak i Prishtinës, së bashku me Korpusin 21 të Nishit, Korpusin 37 të Uzhicës, Korpusin 24 të Kragujevcit, Korpusin Special, Armatën e Parë të Beogradit dhe Korpusin 2 të Podgoricës. Këto njësi kryen rrethimin e zonave të banuara, granatimin me artileri të rëndë dhe logjistikën e transportit të viktimave.
- Ministria e Punëve të Brendshme (MUP). Përfshinte policinë e rregullt në Kosovë, Njësitë Speciale të Policisë (PJP) dhe Njësitë e ashtuquajtura Antiterroriste (SAJ). Këto forca kryen bastisjet shtëpi më shtëpi, ndarjen e burrave nga gratë dhe fëmijët, ekzekutimet dhe dëbimin e detyruar.
- Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (RDB / UDB-a). Operoi përmes Njësisë për Operacione Speciale (JSO – “Beretat e Kuqe”), duke koordinuar operacionet e fshehta dhe formacionet paramilitare në terren.
- Njësitë paramilitare dhe milicitë lokale. Nën komandën e strukturave shtetërore vepruan grupet famëkeqe “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Vojisllav Sheshelit, si dhe njësitë kriminale të serbëve lokalë të armatosur nga shteti. Këto grupe kryen vrasje makabre, përdhunime, plaçkitje të organizuara dhe djegie të vendbanimeve.

4. Kronologjia dhe përmasat e krimit në shifra
Sipas studimeve demografike të paraqitura në Tribunalin Penal Ndërkombëtar (ICTY) dhe të dhënave të dokumentuara nga organizatat ndërkombëtare, bilanci i krimeve në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 paraqitet me këto shifra:
- Viktimat njerëzore. Janë vrarë ose zhdukur rreth 13,518 persona, prej të cilëve mbi 10,000 civilë shqiptarë. Në mesin e viktimave të vrara numërohen 1,133 fëmijë.
- Spastrimi etnik. Mbi 850,000 shqiptarë u dëbuan me dhunë jashtë kufijve të Kosovës (në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi), ndërsa rreth 590,000 të tjerë u zhvendosën brenda vendit. Kjo përbënte mbi 90% të popullsisë shqiptare të Kosovës.
- Masakrat masive. U kryen mbi 400 masakra të dokumentuara ndaj civilëve të paarmatosur në të gjitha rajonet e Kosovës.
- Dhuna seksuale si armë lufte. Rreth 20,000 gra dhe vajza shqiptare u përdhunuan sistematikisht nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe me qëllim shkatërrimin e strukturës familjare dhe shoqërore.
- Shkatërrimi i pasurisë dhe trashëgimisë. Sipas raportimeve muzeore dhe arkivore, u shkatërruan ose u dogjën rreth 100,000 shtëpi banimi, 534 objekte arsimore, 240 objekte shëndetësore dhe 869 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare (xhami, teqe, kulla dhe biblioteka).
5. Dëshmi konkrete nga masakrat kryesore ndaj popullsisë civile në Kosovë
Për të vërtetuar karakterin sistematik të dhunës shtetërore serbe, historiografia dhe drejtësia ndërkombëtare mbështeten në hetimet mjeko-ligjore dhe dëshmitë e të mbijetuarve nga masakrat më të rënda të periudhës 1998–1999. Këto raste dëshmojnë një model të unifikuar veprimi: rrethimi nga ushtria, hyrja e policisë dhe paramilitarëve, ndarja e burrave nga gratë dhe fëmijët, dhe ekzekutimi masiv i civilëve të paarmatosur.
5.1. Masakra e Prekazit (5–7 Mars 1998)
* Konteksti dhe operacioni. Forcat speciale policore (SAJ) dhe njësitë ushtarake serbe rrethuan lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt me artileri të rëndë, autoblinda dhe helikopterë. Operacioni zgjati tri ditë dhe synonte asgjësimin e plotë të familjes së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
* Dëshmitë dhe viktimat. Sipas hetimeve të Human Rights Watch dhe raportimeve mjeko-ligjore, u vranë 59 persona, prej të cilëve 55 anëtarë të familjes së gjerë Jashari. Në mesin e të vrarëve kishte 18 gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16-vjeçare (më i vogli ishte 7 vjeç). Kjo ngjarje shënoi pikën e kthesës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
5.2. Masakra e Abrisë së Epërme (26 Shtator 1998)
* Konteksti dhe operacioni. Gjatë ofensivës së vjeshtës (1998) të forcave serbe në rajonin e Drenicës, njësitë e policisë speciale ekzekutuan anëtarët e familjes Deliu, të cilët ishin strehuar në pyllin e fshatit Abri e Epërme për t’i shpëtuar granatimeve.
* Dëshmitë dhe viktimat. Vëzhguesit diplomatikë dhe gazetarët ndërkombëtarë (përfshirë diplomatët e misionit KDOM) dokumentuan në vendngjarje trupat e 23 civilëve të vrarë nga afër. Viktimat përfshinin gra shtatzëna, pleq (një 94-vjeçar) dhe fëmijë, duke përfshirë foshnjën Dituria Deliu (6 javëshe) dhe Valmir Deliun (2 vjeç). Kjo masakër nxiti miratimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
5.3. Masakra e Reçakut (15 Janar 1999)
* Konteksti dhe operacioni. Pas rrethimit të fshatit Reçak (komuna e Shtimes) nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe, forcat speciale hynë në fshat, ndanë burrat nga gratë dhe i dërguan drejt kodrës së Bebushit.
* Dëshmitë dhe hetimet mjeko-ligjore. Të nesërmen (16 janar), shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker, vizitoi vendngjarjen dhe e cilësoi krimin si “masakër të patregueshme dhe krim kundër njerëzimit”. Ekipi i ekspertëve mjeko-ligjorë finlandezë, i kryesuar nga Dr. Helena Ranta, vërtetoi se 45 civilët e vrarë (përfshirë një djalë 12-vjeçar dhe një grua) ishin ekzekutuar me plumba në kokë dhe qafë nga afërsia, dhe nuk kishin qenë luftëtarë të UÇK-së.
5.4. Masakra e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël (25–27 Mars 1999)
* Konteksti dhe operacioni. Menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore serbe, të mbështetura nga formacione paramilitare dhe banorë lokalë serbë të armatosur, rrethuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël (komuna e Rahovecit).
* Dëshmitë dhe viktimat. Në Krushë të Madhe u vranë ose u zhdukën 243 civilë shqiptarë, ndërsa u dogjën mbi 800 shtëpi. Në Krushë të Vogël, forcat serbe ndanë burrat dhe djemtë mbi moshën 13-vjeçare, i futën në një shtëpi të fshatit, i ekzekutuan me breshëri automatiku dhe më pas u vunë flakën trupave. Në këtë fshat u vranë 113 burra dhe djem (rreth 70% e popullsisë mashkullore të fshatit). Dëshmitë e të mbijetuarve u përdorën si prova kyçe në aktakuzën e ICTY-së kundër Sllobodan Millosheviqit.
5.5. Masakra e Izbicës (28 Mars 1999)
* Konteksti dhe operacioni. Mijëra civilë të dëbuar nga fshatrat e Drenicës u grumbulluan në një livadh në fshatin Izbicë (komuna e Skenderajt). Forcat serbe rrethuan turmën, u grabitën paratë dhe stolitë, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët.
* Dëshmitë dhe viktimat. Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe pamjeve satelitore të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit në prill 1999, forcat serbe ekzekutuan me pushkatim 147 burra dhe pleq. Pas varrimit të viktimave nga banorët lokalë, forcat serbe u kthyen me makineri të rëndë në maj 1999, i zhvarrosën kufomat dhe i transportuan drejt varrezave masive në Serbi (si Petrovo Sello dhe Novopazarsko Banje) për të fshehur gjurmët e krimit.
5.6. Masakra e Mejës dhe Korenicës (27 Prill 1999)
* Konteksti dhe operacioni. Një operacion i gjerë i përbashkët i Korpusit të Prishtinës (VJ) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) në luginën e Carragojës (pranë Gjakovës) rezultoi në masakrën më të madhe masive të luftës në Kosovë.
* Dëshmitë dhe viktimat. Në pikën e kontrollit në fshatin Mejë, forcat serbe ndaluan autokolonat e civilëve të dëbuar, ndanë burrat dhe djemtë e moshës 14 deri në 60 vjeç dhe i ekzekutuan. Në këtë operacion u vranë 376 civilë shqiptarë (prej të cilëve 36 ishin fëmijë nën 18 vjeç). Pjesa dërrmuese e trupave u transportuan me kamionë frigoriferë në varrezën masive të Batajnicës pranë Beogradit, ku u zbuluan në vitin 2001.
5.7. Përmbledhje sintetike e masakrave kryesore të dokumentuara (1998–1999)
Analiza kronologjike e këtyre gjashtë masakrave më të rënda në Kosovë dëshmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave të rregullta shtetërore serbe në vrasjen e civilëve.
- Masakra e Prekazit (5–7 mars 1998, Skenderaj). Njësitë Speciale Antiterroriste (SAJ), Njësitë Speciale të Policisë (PJP) dhe Ushtria Jugosllave (VJ) vranë 59 persona, prej të cilëve 55 ishin anëtarë të familjes Jashari. Këto krime janë dokumentuar në raportet e Human Rights Watch (HRW).
- Masakra e Abrisë së Epërme (26 shtator 1998, Drenas). Njësitë Speciale të Policisë (MUP) ekzekutuan 23 anëtarë të familjes Deliu. Rasti u konfirmua në vendngjarje nga Misioni Diplomatik Vëzhgues (KDOM) dhe Human Rights Watch.
- Masakra e Reçakut (15 janar 1999, Shtime). Strukturat e MUP-it, PJP-së dhe Ushtrisë Jugosllave ekzekutuan 45 civilë të paarmatosur. Krimi u vërtetua nga Misioni Verifikues i OSBE-së (KVM) dhe autopsitë e Ekipit Mjeko-Ligjor Finlandez.
- Masakra e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël (25–27 mars 1999, Rahovec). Forcat e MUP-it, formacionet paramilitare dhe milicia lokale vranë ose zhdukën 356 civilë (243 në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël). Këto fakte u përfshinë si prova kyçe në Aktakuzën e Tribunalit të Hagës (ICTY) kundër Sllobodan Millosheviqit.
- Masakra e Izbicës (28 mars 1999, Skenderaj). Forcat e MUP-it dhe Ushtria Jugosllave pushkatuan 147 burra dhe pleq. Vrasjet dhe zhvarrosjet e mëvonshme u dokumentuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar (ICTY).
- Masakra e Mejës dhe Korenicës (27 prill 1999, Gjakovë). Njësitë e Korpusit të Prishtinës (VJ) dhe MUP-it ekzekutuan 376 civilë shqiptarë. Ky krim u gjykua në Tribunalin e Hagës (Rasti Shainoviq dhe të tjerët) dhe u vërtetua përmes zbulimit të trupave në varrezën masive të Batajnicës.
6. Operacioni i fshehjes së kufomave (varrezat masive në Serbi)
Një nga provat më të rëndësishme për përpjekjet institucionale për të fshehur krimet është transportimi i trupave të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në territorin e Serbisë dhe varrosja e tyre në varreza masive. Në aktgjykimin për Vlastimir Gjorgjeviq, ICTY-ja konstatoi se transportimi dhe varrosja e fshehtë e trupave në lokacione nën kontrollin e MUP-it ishte pjesë e një operacioni të koordinuar për të larguar provat e krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Gjykata vërteoi se operacioni ishte drejtuar nga Gjorgjeviqi në konsultim me ministrin Vlajko Stojiljkoviq dhe në zbatim të një urdhri të presidentit të RFJ-së, Sllobodan Millosheviq.
Një nga dëshmitë më të forta se krimet ishin të planifikuara nga maja e shtetit serb është operacioni sekret i koduar “Dubina 2” (Thellësia 2).
- Urdhri i Sllobodan Millosheviqit. Në mars të vitit 1999, Millosheviqi urdhëroi Ministrin e Brendshëm Vlajko Stojilkoviq dhe gjeneralin Vlastimir Gjorgjeviq që të zhduknin të gjitha gjurmët e krimeve në Kosovë përpara hyrjes së trupave ndërkombëtare.
- Transporti me kamionë frigoriferë. Qindra kufoma të civilëve të vrarë (gra, fëmijë dhe pleq) u zhvarrosën nga Kosova dhe u transportuan me kamionë frigoriferë në territorin e Serbisë.
- Lokacionet e varreve masive. Pas rënies së regjimit të Millosheviqit në vitin 2001, u zbuluan varreza masive brenda bazave policore dhe ushtarake në Serbi, përfshirë Batajnicën (pranë Beogradit, me mbi 740 trupa), Petrovo Sellon, Liqenin e Peruçacit dhe Rudnicën.
Zbulimi i trupave në këto lokacione, përfshirë trupat e transportuar me kamionë frigoriferë, ishte pjesë e hetimeve penale dhe identifikimit të viktimave. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit “Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting” përshkruan djegien, zhvarrosjen, transportimin dhe rivarrimin e trupave për të fshehur provat.
Edhe sot, mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të pagjetur.

7. Drejtësia ndërkombëtare dhe vendimet gjyqësore
Përgjegjësia e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe ushtarakë serbë për krimet e kryera në Kosovë u konfirmua përmes disa proceseve gjyqësore të rëndësishme, të përfunduara me aktgjykime të formës së prerë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë.
- Dënimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe ushtarakë. Tribunali i Hagës shpalli fajtorë dhe dënoi për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës disa zyrtarë të lartë të ish-Jugosllavisë dhe të strukturave shtetërore e ushtarake serbe, përfshirë zëvendëskryeministrin jugosllav Nikolla Shainoviq, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Dragolub Ojdaniq, komandantin e Armatës së Tretë Nebojsha Pavkoviq, komandantin e Korpusit të Prishtinës Vlladimir Llazareviq, kreun e policisë për Kosovën Sreten Llukiq dhe shefin e Sigurimit Publik Vllastimir Gjorgjeviq.
- Në gjykimin kundër Nikolla Shainoviqit dhe të tjerëve, Dhomat Gjyqësore konstatuan ekzistencën e një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale, që kishte për qëllim zhvendosjen me forcë të popullsisë shqiptare nga Kosova. Me aktgjykimin e Apelit të vitit 2014, u lanë në fuqi dënimet për krime të tilla si dëbimi, transferimi i dhunshëm dhe përndjekja, ndërsa u bënë ndryshime të caktuara lidhur me përgjegjësinë për vrasjet e kryera në disa lokalitete.
- Çështja e Sllobodan Millosheviqit. Ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në qelinë e paraburgimit në Hagë, në mars të vitit 2006, para përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij. Ai akuzohej për gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të rënda në Kroaci dhe Kosovë. Për shkak të vdekjes së tij, procesi gjyqësor përfundoi pa një aktgjykim përfundimtar mbi fajësinë ose pafajësinë e tij.
- Çështja e Vllastimir Gjorgjeviqit dhe fshehja e gjurmëve të krimeve. Në procesin gjyqësor kundër Vllastimir Gjorgjeviqit, ICTY-ja shqyrtoi rolin e tij në operacionin për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, si dhe përgjegjësinë e tij në lidhje me krimet e kryera nga forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë. Gjykata konstatoi se transportimi i trupave të viktimave drejt varrezave masive në territorin e Serbisë ishte pjesë e një operacioni të organizuar dhe të koordinuar, që synonte fshehjen e provave të krimeve të kryera në Kosovë.
Përfundim
Thënia e Franklin D. Roosevelt-it se në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht gjen zbatim të plotë në luftën e Kosovës. Dokumentacioni i OSBE-së, i HRW-së, i Departamentit Amerikan të Shtetit, i Fondit për të Drejtën Humanitare, dokumentet e shërbimeve inteligjente perëndimore dhe aktgjykimet e Tribunalit të Hagës dëshmojnë se, gjatë viteve 1998–1999, popullsia shqiptare e Kosovës iu nënshtrua një fushate të gjerë dhune, dëbimesh, vrasjesh, shkatërrimi të pronës dhe shkeljesh të rënda të së drejtës humanitare. Rrjedhimisht, provohet se vuajtjet e popullit shqiptar nuk ishin pasojë e luftimeve të zakonshme. Ato ishin rezultat i një projekti shtetëror gjenocidal, të hartuar dhe të ekzekutuar me gjakftohtësi nga strukturat më të larta politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.
________
Bibliografia
1. Human Rights Watch. (2001). Under Orders: War Crimes in Kosovo. New York: Human Rights Watch.
2. International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY). (2009). Prosecutor v. Nikola Šainović, Dragoljub Ojdanić, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević, Sreten Lukić (Case No. IT-05-87-T). The Hague.
3. International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY). (2011). Prosecutor v. Vlastimir Đorđević (Case No. IT-05-87/1-T). The Hague.
4. Organization for Security and Co-operation in Europe (OSCE). (1999). Kosovo/Kosova: As Seen, As Told – An analysis of the human rights findings of the OSCE
5. Kosovo Verification Mission (October 1998 to June 1999). Warsaw: OSCE/ODIHR.U.S. Department of State. (1999). Erasing History: Ethnic Cleansing in Kosovo. Washington, D.C.: Bureau of Public Affairs.
6. Judah, T. (2000). Kosovo: War and Revenge. New Haven: Yale University Press.
7. Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History. London: Macmillan.
8. SHERADIN BERISHA: ‘PATKOI’ SERB – PLAN PËR SHFAROSJEN E SHQIPTARËVE
9. FSHEHJA E KRIMIT NGA SERBIA ËSHTË KRIM I DYFISHTË!
____
Indeksi i Emrave, Vendeve dhe Termave Kyç
A
Abri e Epërme (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.2, 5.7)
Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU) – Kapitulli 1
Armata e Parë e Beogradit (VJ) – Kapitulli 3
Armata e Tretë Serbe (VJ) – Kapitulli 3, Kapitulli 7
Autonomia e Kosovës (Suprimimi i) – Kapitulli 1
B
Batajnica (Varreza masive) – Kapitulli 5 (5.6, 5.7), Kapitulli 6
Beli Orlovi (Shqiponjat e Bardha) – Kapitulli 3
Beretat e Kuqe (JSO) – Kapitulli 3
D
Deliu, Dituria – Kapitulli 5 (5.2)
Deliu, Familja – Kapitulli 5 (5.2, 5.7)
Departamenti Amerikan i Shtetit – Kapitulli 2, Kapitulli 5 (5.5, 5.7), Bibliografia
Drenica (Rajoni) – Kapitulli 5 (5.2, 5.5)
Dubina 2 (Operacioni i fshehjes së kufomave) – Kapitulli 6
E
Ekipi Mjeko-Ligjor Finlandez – Kapitulli 5 (5.3, 5.7)
Erasing History (Raporti) – Kapitulli 2, Bibliografia
F
Fischer, Joschka – Kapitulli 2
Fshirja e identitetit (Identity Cleansing) – Kapitulli 2
G
Gjakova – Kapitulli 5 (5.6, 5.7)
Gjorgjeviq, Vllastimir – Kapitulli 6, Kapitulli 7, Bibliografia
H
Human Rights Watch (HRW) – Hyrje, Kapitulli 5 (5.1, 5.2, 5.7), Bibliografia
I
Izbica (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.5, 5.7)
J
Jashari, Adem – Kapitulli 5 (5.1)Jashari, Familja – Kapitulli 5 (5.1, 5.7)
K
KDOM (Misioni Diplomatik Vëzhgues) – Kapitulli 5 (5.2, 5.7)
Korenica – Kapitulli 5 (5.6, 5.7)
Korpusi 2 i Podgoricës (VJ) – Kapitulli 3
Korpusi 21 i Nishit (VJ) – Kapitulli 3
Korpusi 24 i Kragujevcit (VJ) – Kapitulli 3
Korpusi 37 i Uzhicës (VJ) – Kapitulli 3
Korpusi i Prishtinës (VJ) – Kapitulli 3, Kapitulli 5 (5.6, 5.7), Kapitulli 7
Krusha e Madhe (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.4, 5.7)
Krusha e Vogël (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.4, 5.7)
L
Liqeni i Peruçacit (Varreza masive) – Kapitulli 6
Ll
Llazareviq, Vlladimir – Kapitulli 7, BibliografiaLlukiq, Sreten – Kapitulli 7, Bibliografia
M
Meja (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.6, 5.7)
Memorandumi i SANU-së (1986) – Kapitulli 1
Millosheviq, Sllobodan – Kapitulli 1, Kapitulli 2, Kapitulli 5 (5.4, 5.7), Kapitulli 6, Kapitulli 7
Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) – Kapitulli 3, Kapitulli 5 (5.2–5.7)
Misioni Verifikues i OSBE-së (KVM) – Hyrje, Kapitulli 5 (5.3, 5.7), Bibliografia
N
NATO – Kapitulli 5 (5.4)
Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (JCE) – Abstrakti, Kapitulli 1
Njësitë Speciale Antiterroriste (SAJ) – Kapitulli 3, Kapitulli 5 (5.1, 5.7)
Njësitë Speciale të Policisë (PJP) – Kapitulli 3, Kapitulli 5 (5.3, 5.7)
O
Ojdaniq, Dragolub – Kapitulli 7, Bibliografia
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB / Rezoluta 1199) – Kapitulli 5 (5.2)
P
Pavkoviq, Nebojsha – Kapitulli 7, Bibliografia
Petrovo Sello (Varreza masive) – Kapitulli 5 (5.5), Kapitulli 6
Plani “Patkoi” (Potkovica) – Abstrakti, Kapitulli 2
Prekazi (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.1, 5.7)
R
Rahoveci – Kapitulli 5 (5.4, 5.7)
Ranta, Dr. Helena – Kapitulli 5 (5.3)
Reçaku (Masakra e) – Kapitulli 5 (5.3, 5.7)
Roosevelt, Franklin D. – Hyrje, Përfundim
Rudnica (Varreza masive) – Kapitulli 6
S
Skenderaj – Kapitulli 5 (5.1, 5.5, 5.7)
Spastrimi etnik – Abstrakti, Kapitulli 2, Kapitulli 4
Stojilkoviq, Vlajko – Kapitulli 6
Sh
Shainoviq, Nikolla – Kapitulli 5 (5.7), Kapitulli 7, Bibliografia
Sheshel, Vojisllav – Kapitulli 3
Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (RDB / UDB-a) – Kapitulli 3
Shkorpionët (Njësia paramilitare) – Kapitulli 3Shtime – Kapitulli 5 (5.3, 5.7)
T
Tigrat e Arkanit – Kapitulli 3
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) – Abstrakti, Hyrje, Kapitulli 1, Kapitulli 4, Kapitulli 5 (5.4–5.7), Kapitulli 7, Bibliografia
U
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) – Kapitulli 5 (5.1)
Ushtria Jugosllave (VJ) – Abstrakti, Kapitulli 3, Kapitulli 5 (5.1, 5.3, 5.5–5.7)
W
Walker, William – Kapitulli 5 (5.3)
———————
Shtojcë
Bibliografia e konsultuar
1. Human Rights Watch. (2001). *Under Orders: War Crimes in Kosovo*. New York: Human Rights Watch. https://www.hrw.org/report/2001/10/26/under-orders/war-crimes-kosovo
2. Human Rights Watch. (2001). *Under Orders: War Crimes in Kosovo*, kapitujt “The Chain of Command” dhe “Background”. https://www.hrw.org/reports/2001/kosovo/
3. International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY). (2014). *Prosecutor v. Šainović et al.*, Appeals Judgement, Case No. IT-05-87-A, 23 January 2014. https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/acjug/en/140123.pdf
4. House of Commons, Foreign Affairs Committee. (2000). *Fourth Report: Kosovo*. Seksioni mbi Operation Horseshoe. https://publications.parliament.uk/pa/cm199900/cmselect/cmfaff/28/2811.htm
5. OSCE/ODIHR. (1999). *Kosovo/Kosova: As Seen, As Told – An Analysis of the Human Rights Findings of the OSCE Kosovo Verification Mission, October 1998 to June 1999*. Warsaw: OSCE. https://odihr.osce.org/odihr/17772
6. Humanitarian Law Center. *Kosovo Memory Book*. Baza e të dhënave për personat e vrarë ose të zhdukur, 1 janar 1998–31 dhjetor 2000. https://www.hlc-rdc.org/en/loss-database/kosovo-memory-book/
7. Ball, P. & Krüger, J. (2015). *Evaluation of the Database of the Kosovo Memory Book*. Human Rights Data Analysis Group / Humanitarian Law Center. https://www.hlc-rdc.org/en/publications/evaluation-of-the-database-of-the-kosovo-memory-book-conclusions-and-recommendations/
8. medica mondiale & Medica Gjakova. (2024). *“I Am Not Guilty for What Happened to Me”: Study on Sexual Violence during the Kosovo War*. https://medicagjakova.org/wp-content/uploads/2024/09/mm_Kosovo-Studie_2024_FULL-REPORT_FINAL.pdf
9. Human Rights Watch. (1998). *Humanitarian Law Violations in Kosovo*. Seksioni për Drenicën dhe Prekazin. https://www.hrw.org/report/1998/10/01/humanitarian-law-violations-kosovo
10. Human Rights Watch. (1999). *A Week of Terror in Drenica: Humanitarian Law Violations in Kosovo*. https://www.hrw.org/reports/1999/kosovo/
11. ICTY. (2009). *Prosecutor v. Milutinović et al.*, Trial Judgement, Case No. IT-05-87-T, 26 February 2009. https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/en/jud090226-e2of4.pdf
12. ICTY. (2014). *Prosecutor v. Vlastimir Đorđević*, Appeals Judgement, Case No. IT-05-87/1-A, 27 January 2014. https://www.icty.org/x/cases/djordjevic/acjug/en/140127.pdf
13. U.S. Department of State. (1999). *Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting*. Washington, D.C. https://1997-2001.state.gov/www/global/human_rights/kosovoii/homepage.html
14. United Nations. (1948). *Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide*, 9 December 1948.
Sheradin Berisha © Pashtriku.org