GJOKË DABAJ: ALBIN KURTI, UDHËHEQËS I MADH I KOMBIT SHQIPTAR NË KOHËN TONË /FOTO + VIDEO/

Durrës, 05. 12. 2015: Manifestimi i 28 Nëntorit 2015 në Prishtinë, me 35 mijë pjesëmarrës, nuk ishte madhështor, por ishte i mjaftueshëm për të treguar që shqiptarët nuk e kanë realizuar ende PAVARËSINË. Nuk e kanë realizuar atë PAVARËSI që e patën projektuar dhe shpallur solemnisht para 103 vjetësh.
U mbajtën 4 fjalime brilantë, të cilëvet nuk mund t’u heqësh asnjë fjalë si të tepërt dhe asnjë pohim që nuk do t’u shkonte, datës dhe qëllimit. Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Visar Ymeri, në këtë ditë feste, nuk ishin përfaqësues vetëm të subjektevet të tyre politikë, por ishin realisht përfaqësues të aspiratavet të krejt kombit shqiptar.
Edhe fjalimi i Albin Kurtit ishte një PROGRAM UDHËRRËFYES për krejt kombin shqiptar. Ai fjalim ishte përmbledhje koncize e politikës KOMBËTARE DHE SOCIAL-EKONOMIKE, e rrugës që duhet të ndjekë kombi shqiptar në këtë të quajturën epokë integrimi. Nëse Evropa kërkon vërtet dhe seriozisht të integrohet, nëse shqiptarët duan barazisht dhe mençurisht të integrohen në Evropë, pra në kontinentin e vet, ata duhet ta studiojnë me vëmendjen e duhur PROGRAMIN E ALBIN KURTIT, ta pëlqejnë e miratojnë atë dhe, natyrshëm, të ndjekin rrugën e projektuar prej tij.
Para se të bashkohet shtetërisht me shtetet e tjerë të Evropës, kombi ynë duhet të jetë më parë i bashkuar shtetërisht brenda vetes. Shqiptarët nuk e dëmtojnë Evropën, nëse shkojnë atje edhe shtetërisht të bashkuar. Shqiptarët nuk e destabilizojnë Ballkanin me bashkimin e tyre dhe me fuqizimin e tyre ekonomik. Destabilizimi i Ballkanit shkaktohet, pikërisht dhe më së shumti, prej mosbashkimit të shqiptarëvet. Ekonomia e shqiptarëvet do të kish një të ardhshme forcimi e konsolidimi, vetëm atëherë kur shqiptarët të jenë edhe shtetërisht të bashkuar dhe kur pasuria e tyre të mos grumbullohet në duart e një pakice kombharruese, kombmashtruese dhe kombshkatërruese.
I vetmi flamur i shqiptarëvet, tha Albin Kurti, është flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrerëshe në mes. Asnjë flamur lara-lara nuk ka vlerë për shqiptarët.

Bashkësia e sërbëvet brenda Republikës së Kosovës, ajo që në gjuhën e tyre quhet zajednica, them unë, është një ZORRË QORRE E MBUSHUR ME QELB në trupin e krejt kombit shqiptar. Bashkësia e sërbëvet brenda shtetit shqiptar të Kosovës, ajo që në gjuhën e tyre është emërtuar urithërisht zajednicë, është një apendicit, një mahisje mu përmidis trupit shtetëror të kësaj republike të re dhe mos’heqja e këtij apendiciti, lejimi i qelbëzimit të mëtejshëm, nuk do të sillte tjetër, veçse VDEKJEN e kësaj republike shqiptare. VDEKJEN e kësaj republike e, në vazhdim, VDEKJEN e sigurtë edhe të republikës tjetër të shqiptarëvet, asaj që u proklamua në Vlorë para 103 vjetësh. Kush nuk e ka kuptuar këtë, nuk ka kuptuar asgjë nga komploti i sotëm antishqiptar, në Ballkan, në Evropë e deri në shkallë botërore. Këtë të vërtetë e dëshmojnë një varg faktesh, që nga ÇARMATOSJA me tam-tam, që nga ÇUARJA NË ZERO e një ekonomie mjaft solide, që e kishim, e deri te shpallja e Kosovës „SHTET MULTIETNIK“.
Që zajednica sërbe, në trup të Republikës së Kosovës, është një ZORRË QORRE E MBUSHUR ME QELB, do të mjaftonte që Evropa jonë, BE-ja jonë, të bëjnë një sondazh fare të vockël brenda asaj zajednice:
1. Priftërinjtë dhe kallugjerët e tyre, mësuesit dhe udhëheqësit e tyre partiakë, SA, po them SA u flasin sërbëvet të atyshëm për CILËSITË E MIRA të shqiptarëvet?! Le të bëjnë statistikë. Le të incizojnë të gjithë predikimet publikë të tyre dhe le të nxjerrin konkluzionin: SA punojnë predikuesit sërbë për ta afruar popullin e vet me popullin shqiptar?
2. Priftërinjtë dhe kallugjerët, arsimtarët dhe prijësit e tyre partiakë, SA u flasin sërbëvet të atyshëm për VRASJET dhe MASAKRAT, për djegiet e shtëpivet të shqiptarëvet, për plaçkitjet e pasurisë së shqiptarëvet nga ana e bashkëkombësvet të tyre sërbë?! SA edhe SI u flasin?! A lëvdohen që „ne ua kemi bërë kështu e kështu shqiptarëvet“, apo i dënojnë ata veprime?! Apo, ndoshta, ata predikues, mundohen të na nxjerrin ne shqiptarët si vrasës e kriminelë, ndërsa veten e konsiderojnë krejt të pastër e të pafajshëm?!
3. Le të hyjnë dhe le të kontrollojnë, Evropa jonë, BE-ja jonë dhe Amerika jonë, nëpër bodrumet e manastirevet, në Graçanicë, në Deçan, në Prizren e kudo në Republikën e Kosovës, le të hyjnë, pra, dhe le të shikojnë në bodrumet e izbat e kësaj ZORRE QORRE, ÇFARË ARMËSH dhe SA ARMË kanë grumbulluar sërbët atje! Le t’i survejojnë murgjit, a janë vetëm murgj apo mos janë edhe farë njerëzish të armatosur?!
Këto punë duhet t’i bëjnë ndërkombëtarët dhe pastaj t’i thonë Isa Mustafës: Shko e kontrollo çfarë armësh mban VETËVENDOSJA në selinë e vet! Këto punë t’i bëjnë dhe pastaj le të çelin një „ekspozitë“ krahasuese: Sa „armë“ dhe ç’lloje „armësh“ kanë gjetur në selinë e VETËVENDOSJES dhe sa armë e ç’lloje armësh (të mirëfillta) kanë gjetur në territoret e „TËDREJTAKËRKUESES“ ZAJEDNICË!?
Ndërkaq, unë, që jam një shqiptar nga Tivari, qytet që shtetërisht gjendet në Malin e Zi, jam moralisht i detyruar dhe i thirrur t’u them pushtetarëvet të sotëm malazias: „Zotërinj pushtetarë të Malit të Zi, po më detyroni t’i rikthehem historisë! Po më detyroni të shoh EDHE NJËHERË ç’kanë bërë TË PARËT TUAJ në tokat shqiptare dhe të ju them me zemër shumë të çiltër: MOS VEPRONI SI TË PARËT TUAJ!“
Këtë herë, sa për ilustrim, po nxjerr vetëm disa shembuj nga libri i Zekeria Canës „Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar, 1912-1913“, Prishtinë, 1977, dhe nga libri i Shaban Brahës „Gjenocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare, 1844-1990“, Tiranë, 1992. (Këtu, shkurt: Z.C. dhe Sh.B.)
„Pas vitit 1877 (shqiptarët dhe myslimanët e Podgoricës) u dëbuan me forcë nga qyteti, kurse pazarit dhe shtëpivet iu vu zjarri.“ (Z.C.f.18) (Sipas E.Durhamit „Brenga e Ballkanit“, f.383)
Dhe tash, ju, pasardhësit e atyre pushtuesve, shkatërruesve të vendit tonë dhe vrasësve të njerëzvet tanë, kërkoni të ju falim edhe 9000 hektarë tokë!?
„Nokshiqi u bë hi e pluhur.“ (9-14 tetor 1912) (Z.C. f.25)
Dhe tash, ju, pasardhësit e atyre pushtuesve, shkatërruesve të vendit tonë dhe vrasësvet të njerëzvet tanë, kërkoni të ju falim edhe 9000 hektarë tokë!?
„(Në Plloçicë) malazezët hoqën 30 koka shqiptarësh.“ (Z.C. f. 26)
Dhe, ju, pasardhësit e atyre vrasësve… kërkoni të ju falim edhe 9000 hektarë tokë?!
„(7 nëntor 1912) (në Rugovë) pak shtëpi mbetën në këmbë.“ (Z.C.f.26)
Dhe… ju, pasardhësit atyre shtëpirrënuesve, madje në Rugovë, kërkoni t’u falen 9000 hektarë tokë?!
(Sekretari i komandant Vukotiqit i thotë mis Durhamit): „Ne vramë të gjithë burrat e fisit të Rugovës… Ju siguroj që nuk mbeti asnjë gjallë.“ (Z.C. f.26)
Dhe tash, ju, pasardhësit e të atillë vrasësve, kërkoni që pikërisht Rugovës t’i zhvatni një copë tokë, duke u shtirur fqinjë të ndershëm?!
(Pushkatohen 11 vetë nga paria e Plavës.) (Mars 1913) (Z.C. f.30)
Dhe tash, ju, pasardhësit e atyre pushkatuesve, kërkoni t’i rikujtojmë këta pushkatime?!
(Pantoviqi pushkaton në Guci 12 vetë.) (18 mars 1912) (Z.C. f.30)
Dhe ju prapë kërkoni shtyrje kufijsh në dëm të shqiptarëvet?! A s’u vjen zor?!
„Në Murinë vriten 8 vetë.“ (Z.C. f.30)
Dhe prapë kërkoni edhe 9000 hektarë tokë?!
(Më 21 mars 1913 pushkatohen 6 gucianë.) (Z.C.f.30)
Dhe pasardhësit e atyre pushkatuesve kërkojnë kufij me hile!… Ç’kërkoni, në këtë kohë, kur kombet duhet të shkojnë mirë, sidomos kombet e vegjël?! Kërkoni t’i gërvishtim plagët e së shkuarës së turpshme, për ju e jo për ne?!
(Në Qafë-Previ pushkatohen grupe-grupe rreth 600 shqiptarë të Plavës dhe Gucisë.) (9-22 mars 1913) (Z.C. f.31)
I ka pushkatuar Mali i Zi, zotërinj! Dhe nuk janë pak! Janë 600 njerëz, të cilëvet nuk u kalben kockat! A nuk i keni parasysh të këtillë “episode”, kur negocioni për demarkacionin?!
“24 vetë vriten midis Nikqit dhe Vuklit.“ (Mars 1913) (Z.C. f.31)
Dhe tash, ju, pasardhësit e atyre vrasësve, kërkoni të na zhvatni edhe sado pak tokë, se nuk ju mjaftokan, Podgorica, Tivari, Ulqini, Gucia, Plava, që na i keni marrë me ndihmën e Fuqivet të Mëdha?!
(Brigada e Bjellopavliqëvet, po në mars 1913, ka pushkatuar te Ura e Limit 24 shqiptarë të Vuthajvet. Të rritur dhe fëmijë.) (Z.C. f.32)
Bjellopavliqtë janë, sipas dokumentevet, gjak arbërish. Krejt popullsia e Malit të Zi, sipas studiuesit Mirosallav Qosoviq, 60% është me prejardhje arbërore ose vllahe. A nuk ish turp për ta, të vrisnin shqiptarët e Vuthajvet në vitin 1913, dhe a nuk është turp për Malin e Zi të sotmin, të lakmojë qoftë edhe 1 pëllëmbë tokë të Republikës së Kosovës?!
(Në Çerem kapen 27 vetë dhe vriten që të gjithë.) (Pranverë, 1913) (Z.C. f.34)
I kapin dhe i vrasin malazezët, paraardhësit tuaj, dhe ju tani, më një anë duke rrëfyer „miqësi“, më anë tjetër, duke lakmuar të zbrisni me kufi deri mes të Rugovës, nuk po i merrni aspak parasysh të këtilla të vërteta rrënqethëse!
„Të plaçkitunit e të grabitunit në vfendin tonë kje aq i madh sa dami i bam mundet me kapë ma se 50 milionë franga e mundet me e pa vetë i nalti Gjyqi i Paqes se sa të vështira e të zeza i takoi me pa vendit tonë të vogël të PODGORICËS… Këta të paburrni e të panjerëzi e kanë krye malazezët përmbi ma se 7500 shpirt myslimanë e ndër ta edhe disa katolikë…“ (19128) (Sh.B. f.257)
Ky tekst është i mjaftueshëm për të dëshmuar se, para më pak se 100 vjetësh, PODGORICA nuk ka qenë qytet malazias. Tash është kryeqyteti juaj. Nuk po kërkon kush që ai qytet t’i rikthehet Shqipërisë. Por po kërkojmë dhe duhet të kërkojmë që ju të mos silleni ndaj shqiptarëvet si paraardhësit tuaj, sikur s’ka ndodhur asgjë midis nesh në të kaluarën!
„Më 2 dhjetor 1918, kur protestohej në Konferencën e Paqes në Paris, theksohej se forcat malazeze në PODGORICË, pa përjashtue as gra as fëmijë, rrahën me rreptësi krejt popullsinë myslimane dhe banë këta akte barbarë: Vranë me pushkë dhe therën me thikë 11 vetë, ndër këta edhe gruen Hatixhe Limani, plagosën Sanie Shabën e Islam Delasin, ndërsa Pashkë Llukaqevin e torturuen tue ia vu kambët në zjarm. Plaçkitën e grabitën teshat e pasuninë që gjindesh nëpër shtëpiat e magazinat e myslimanëvet e katolikëvet e që kishin një vleftë prej 30 milionë koronash.“ (Sh.B. f.259)
Njeriu bashkëkohor i Malit të Zi, o duhet të reflektojë me katarsis ndaj këtyre sjelljeve primitive, o do të vazhdojë edhe në ardhshmen të jetë primitiv.
(„Më 4 janar 1919 jepej njoftimi se në PODGORICË u vranë, u therën dhe u mbytën: Halit Tahiri, Mustafë Veliu, Osman Aga, Sulejman Ahmeti, Omer Aga, Mustafë Gruda, Jakup Luma, Mahide Hanmi.“ (Sh.B. f.259)
Nuk mund të themi dhe nuk duhet të themi që, në ato kohëra, nuk kish midis shqiptarëvet edhe ZULLUMQARË ndaj popullsisë së krishterë malaziase. Por nuk ka asnjë dëshmi që pikërisht këta ishin të tillë e prandaj u vranë. Brezi i malazezëvet të sotëm duhet t’i shohë gjërat me syrin e gjykatësit objektiv dhe të ruhet shumë për të mos rënë në lajthitjet e të parëvet të vet, ashtu si edhe shqiptarët e sotëm duhet të ruhen shumë për të mos u bër pre prej gjithfarë botëkuptimesh lajthitës.
„Më 20 mars 1919, sërbët masakruan me mitralozë 356, fëmijë, pleq, plaka dhe burra sakatë, i dogjën në një zjarr duke kërcyer si bisha rreth e rrotull zjarrit vallen e vëllazërimit ballkanik.“ (Sh.B. f.263)
Dokumenti thotë „sërbët“, prandaj, duke mos ditur a ishin vërtet sërbë apo ishin malazezë ata që e kryen atë vepër atavisht antinjerëzore, unë po kufizohem vetëm me pyetjen: „A kështu luhet vallja e vëllazërimit ballkanik?!“
„(Në shkurt të 1919-s) në Rozhajë numri i viktimavet arrin 700 vetë.” (Sh.B. f.263)
Janë 700 vetë, zotërinj! Nuk janë 7! Por edhe 1 i vetëm do të ish tepër, kur është viktimë!
“(Më 24 shkurt 1919 njoftohej Komanda Aleate se) vandalët sërbë e malazezë kanë djegë Rugovën, Plavën e Gucinë me gjithë katunde dhe kanë ba me marrë malin me borë ma se 15 mijë vetë, me kalamaj e me gra. Pleqtë, gratë e fëmijët që s’kanë mujtë me ikë dhe kanë ngelë ndër vende të vet, i kanë masakrue, dhe plaçkitë pasunitë e të gjithvet.” (Sh.B. f.263)
Pas gjithë këtyre, pushtetarët e sotëm malazias nuk është dashtë t’i lejojnë vetes për të kërkuar qoftë edhe 1 pëllëmbë tokë nga ajo e Republikës së Kosovës. Aq më tepër, të nxjerrin pretekste sikur ajo tokë është e tyre.
“Në rrethin e Plavës e të Gucisë, numri i burravet të mbytur është 942 vetë, i gravet 399, i fëmijëvet 360, i shtëpivet të plaçkitura 2073, i shtëpivet të djegura 945.” (Viti 1919.) (Sh.B. f.271)
Dhe tash, ju, pasardhësit e atyre pushtuesve, shkatërruesve të vendit tonë dhe vrasësvet të njerëzvet tanë, kërkoni që ne shqiptarët të ju falim edhe 9000 hektarë tokë?!
(Në vitin 1920 në trevat Plavë-Guci, në vendbanimet: Guci, Vuthaj, Kolinë, Kroshavë, Vishnjevë, Bodovicë, Hakaj, Vojnasellë, Gjyriç, Jasenicë, Hot, Bogajç, Përnjanar, Livadhaj, Plavë, Luz Bahinë, Jarë, Mesehet, Komaracë, Skoç, Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, Brezovicë, Martinaj, Dolni Reçan, Vërmosh, Bucel dhe në 13 fshatra të tjerë në trevën e Plavës, gjithsej në 41 vendbanime, sërbo-malazezët kanë bërë krimet më të përbidshëm.)
“Numërohen të mbytur 4966 vetë. Nga këta, 954 gra dhe 1046 fëmijë. 6050 banesa të djegura, 73884 bagëti të imëta të grabitura dhe 17842 krerë bagëti të trasha (të grabitura).” (Sh.B. f.283-284)
Para këtyre shifrave njeriu mbetet pa gojë. Në ç’gjendje janë tash këta vendbanime që u përmendën?! Sa banorë jetojnë tash në këto hapësira?!
(Në krahinën e BIHORIT) “çetnikët malazezë, të primun prej Pavle Gjurishiqit, i prishën dhe i shfarosën , në pak kohë, 82 katunde… Banorët, të tmerruem, duelën në mes të natës prej shtëpivet, që të shpëtonin prej zjarrit, të veshun e të zhveshun, por ranë në duert e çetnikëvet të egër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kursyen as gra, as fëmijë, as pleq. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëvet, e gjeti vdekjen në bjeshkë, prej të ftohtit.” (Sh.B. f.389)
Bilanci i Masakrës së Bihorit, kryer më 5 janar 1943 nga çetnikët malazias, është ky: Të vrarë, burra, gra e fëmijë, 1631; të masakruar në forma çnjerëzore, burra, gra e fëmijë, 1175; të ngrirë në borë, burra, gra e fëmijë, 832; vdekur urie, 103. (Sh.B. f.401)
“251 shpirtna që mungojnë, shumica e madhe asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob, që t’u shërbejnë çetnikëvet për të plotësue veprën e tyne të turpshme çnjerëzore.” (Sh.B. f.398)
Këtë statistikë do të duhej t’ua çonim Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, natë për natë, te jastëku ku vënë kryet për të fjetur.
Vjen kështu edhe MASAKRA E TIVARIT, prill 1945. Janë vrarë 3000 a 4000 shqiptarë. S’është nevoja të themi, ishin të fajshëm a të pafajshëm. Fajtorë janë VRASËSIT. Madje janë kriminelë nga më të pakonceptueshmit, sepse veprojnë kolektivisht dhe me qëllime krejt të pajustifikueshëm.
Asnjëri prej historianëvet malazias nuk është marrë me këtë masakër, të kryer në prill të vitit 1945 në Tivar. Kjo është e kuptueshme, sepse askush nuk dëshiron të flasë për TURPET E KOMBIT TË VET.
Në fundin e vitit 1944 dhe në muajt e parë të 1945-s, kohë kur u pushtuan prej armatës jugosllave trevat shqiptare midis liqenit dhe detit, kanë lëvizur këndej disa formacione të asaj armate, të quajtur JNOA (Jugosllovenska Narodno- Osllobodillaçka Armija, që do të përkthehej në shqip kështu: Armata Jugosllave e Çlirimit të Popullit) (Konsulto librin „Virpazar, Bar i Ulcinj“, autorë të ndryshëm.)
Batalioni I i Brigadës VI Malaziase, kompania I e batalionit IV të Aradhës së Llovqenit, Kompania II e batalionit IV të Aradhës së Llovqenit, një batalion i Brigadës X Sulmuese Malaziase, Grupi Operativ i Bregdetit, Batalioni Vëzhgues prej 120 vetësh, i ngarkuar për të mbikqyrur rrugën Tivar-Shkodër, batalioni II i Brigadës I të Bokës dhe, më në fund, krejt Brigada X Malaziase.
Nëpër dokumentet dhe kujtimet, në librin e mësipërm, përmenden edhe shumë personalitete, partiakë e ushtarakë malazias, një numër i të cilëvet është e pamundur të mos kenë marrë pjesë në atë KASAPHANË SHQIPTARËSH. Por as historianët, as ata vetë, nuk thonë asnjë fjalë. As unë, ndoshta, nuk do të kisha folur me kaq ngulm, në qoftë se qeveria e Malit të Zi, e sotmja, do të kish hapur SHKOLLA SHQIPE për më se 20 mijë shqiptarët e Tivarit dhe për shqiptarët e qytetit të Podgoricës, dhe në qoftë se qeveria aktuale e Malit të Zi nuk do të kish kërkuar TË ZAPTOJË të tjera toka të shqiptarëvet.
* * *
Manifestimi i 28 Nëntorit 2015 në Prishtinë, me 35 mijë pjesëmarrës, nuk ishte madhështor, por ishte i mjaftueshëm për të treguar që shqiptarët nuk e kanë realizuar ende, as pas 103 vjetësh, PAVARËSINË.
Kur do të ishte MADHËSHTOR një manifestim i shqiptarëvet në Ditën e Flamurit dhe në ditën e kërkimit për të mos u dhënë toka të tjera Sërbisë dhe Malit të Zi?! Do të bëhej MADHËSHTOR ai manifestim, në qoftë se atë ditë do të kishin ardhur nga Republika e Shqipërisë 300 autobusë me manifestues, nga Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë 150 autobusë, nga Lugina e Preshevës 30 autobusë, nga Republika e Malit të Zi (Ulqin, Tivar, Podgoricë, Tuz, Guci e Plavë), e pakta 30 autobusë dhe nga Çamëria e pakta 1 autobus me çame ortodoksë, të vetëdijësuar se asimilimi grek s’u ka sjellë asgjë të mirë. T’u shtojmë këtyre edhe 300 autobusë prej Republikës së Kosovës dhe atëherë mitingu do të ish vërtet MADHËSHTOR.
Një i tillë tubim i shqiptarëvet do të bartte me vete, përmes historisë, tiparet e një MADHËSHTIE SHPIRTTRONDITËSE DHE NJËKOHËSISHT SHPRESUSHQYESE. Jo për shkak të numrit, por sepse një i tillë tubim, FESTIV e njëkohësisht TËDREJTËKËRKUES, për shkak të përfaqësimit të dukshëm gjithshqiptar, do t’i tregonte botës se NUK MUND TË NXIRRET MË FATI YNË NËPËR PANAIRE MALLRASH PËR T’U DJEGUR. Nuk mund të nxirret, do të thoshte ai tubim, fati i shqiptarëvet atje ku shiten dru zjarri, qymyr e tallash sharre, por as fati i Ballkanit, të cilin miopia e paarsyetueshme e politikanëvet perendimorë po e çon prapë në skena të ngjashme me atë të Bihorit e të Tivarit. E tha këtë, me mënyrën e tij dhe për të hequr fajin nga vetja, edhe z.A.Vuçiq në mbledhjen e Beogradit.
Mjafton të bëjmë, me këtë rast, vetëm 1 pyetje: Në një kohë kur Rusia ndërton BAZË USHTARAKE, me vlerë fillestare 2 miliardë e gjysmë euro, vetëm pak kilometra larg një baze të SHBA-së, si ka mundësi të qorrohet Perendimi dhe t’i miratojë Sërbisë REPUBLIKË SËRBE brenda shtetit shqiptar?! Përgjigjja s’mund të jetë, veçse dypjesëshe, fjali e quajtur veçuese: OSE PERENDIMORËT VËRTET NUK E KUPTOJNË Ç’PO NDODH E Ç’PO PËRGATITET KËTU NË BALLKAN, OSE JANË PARAPLANIFIKUAR QË, NË NJË SITUATË SHTËRNGESE, TA LËSHOJNË KËTË GADISHULL, DUKE RISAKRIFIKUAR KOMBIN SHQIPTAR.
Perendimorët, u muar vesh, ose nuk janë në gjendje të kuptojnë e të bëjnë politikë në favor të vetë atyre, ose e kanë bërë pazarin me kohë, gjithsesi në dëm të vetë atyre. Po qeveritarët tanë, psh. këta të Tiranës, a edhe këta janë trullosur e verbuar?! Ç’do të ndodhte nëse, fill pas ceremonisë në Vlorë, do të kishin ardhur edhe ata në Prishtinë dhe ta festonim bashkë Ditën e Flamurit, duke rrëfyer para botës, hem qartësi veprimi, hem vendosmeri për të realizuar një integrim, jo siç predikojnë zorrët e burokracisë, por ashtu siç duhet. Qeveria Rama edhe ashtu i mori shpullat nga Isa Mustafa. Ç’do të ndodhte, nëse Qeveria Rama do t’i kish thënë qysh më parë Isa Mustafës: Ne do të vijmë në Prishtinë, edhe për festë, edhe për ta përkrahur opozitën! Do të vijmë, qoftë edhe vetëm me ftesën e Shpend Ahmetit. A do ta quante Isa i ynë ndërhyrje në punët e brendshme dhe shkelje të integritetit?! Sigurisht që po. Por në Prishtinë po vijnë kriminelët sërbë, vrasës të shqiptarëvet, varg njëri pas tjetrit!
Nëse Qeveria Rama dhe subjekte të tjerë, shtetërorë, partiakë, kulturorë, shencorë e juridikë, nga e gjithë Shqipëria, filluar në Bujanovc e Medvegjë e mbaruar diku në ekstremin tonë jugor, do të ishin prononcuar kundër 2 zvogëlimevet dhe copëtimevet të Republikës së Kosovës, a do të bëhej kiameti?! A do të fillonte Lufta e Tretë Botërore?! Por ajo tashmë ka filluar! Ne, në ditshim të vetëmbrohemi, mund edhe të shpëtojmë disi, në mos ditshim, mbytjen në det e kemi gjithsesi të garantuar.
Më në fund, kur themi, dhe s’ka pse të mos themi, në qofshim të kthjellët nga mendja, se ALBIN KURTI ËSHTË NJË PRIJËS I MADH I KOMBIT TONË, pse të mos i jepen Albin Kurtit titujt dhe mirënjohjet përkatëse prej sa më shumë organizmavet të Shqipërisë?! Për Adem Demaçin kemi pritur sa t’ia japin të huajt „Saharovin“. Ne nuk i dhamë asgjë Adem Demaçit! A duhet edhe për Albin Kurtin të presim sa të kujtohen të tjerët?!
Gjokë Dabaj, Durrës 1 – 4 dhjetor 2015

Fjalimi i Albin Kurtit në Manifestimin për Republikën | 28 nëntor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura