MR.SC.METUSH ZENUNI: SHQIPTARËT DHE MENTALITETI I ROBIT

(Zvicër, 18. 02. 2013) – Shqiptarët e Kosovës, dje me 17 shkurt 2013, festuan gjithkah me shumë pompozitet 5-vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, pavarësinë e Kosovës. Shikuar me sytë e një qeveritari festa e djeshme ishte gjithçka perfekt, parakalime, fjalime, lavde e dekorime, ndërsa shikuar me syrin e një qytetari të thjeshtë e të varfër festa ishte mjerim, hargjim kot nasi koti i parasë së popullit më të varfër në Ballkan dhe Europë.
Po si e ka parë dje festën e pavarësisë një veteran i luftës për liri, një luftëtar, një invalid ?
Ai më shumë se sa gëzim ka ndjerë dhimbje, ka patur protestë në shpirt e në zemër, ka vuajtur, sepse populli i tij ende po vuan, shpirti e zemra i kanë qarë, por është mbajtur gjoja po i gëzohet festës.
Ai tërë ditën ka ndejtur në shtëpi, ka pirë cigare, ka ofshamur, ka kujtuar shokët e tij të vrarë në burgje e të rënë në beteja për liri. Vonë, dikur afër muzgut me zemër të thyer e shpirt të vrarë deri në palcë, ka shkuar te varrezat ku pushojnë shokët e tij të luftës, por meqë nuk ka pasur para për të blerë një buqet lule, është ulur në dy gjunjë dhe ka plasur nga mërzia. Lotët nuk i kanë dalur, jo se nuk ka dashur të plas e të zhgrehet në vaj, por se i ka ardhur turp, nga shokët, nga fëmijët që i kishte me vete, nga vetevetja… Në varreza, ai ka takuar edhe shokë tjerë, me gjendje më të rëndë se ai, me fytyra jo të gëzuara kur ishin në radhët e UҪK-së, por të zbehura, thuaja se kanë dalur nga varrezat. Pak me larg ka parë edhe pushtetarë, biznesmen, dallavergjinjë, dilingjij, që poashtu kishin ardhur, jo për të nderuar dëshmorët, por për të nderuar veteveten, jo për t’i falenderuar dëshmorët për lirinë, por për të marrë ende nga ata, për t’i përdhosur e vrarë edhe një herë.

Në të vërtetë çka u festua dje, çka u tha e çka nuk u tha në tubime e festa anë e kënd Kosovës?
Populli, si popull i dalë nga robëria, i rropatur me varfëri e me halle, dje ishte munduar të bëhej kinse po feston, kinse gjithë puna është mirë edhe pse nuk i kishte as edhe 2 euro në xhep për të pirë një kafe, e lëre më të shkoj me familje dikund për të bërë qejfe.
Po pushtetarët, ata të veshur mirë me modën e fundit europiane, me xhipa korb të zinjë, me femra të veshura si top modele të Holivudit, dolën shesheve të qyteteve të Kosovës, jo për ta nderuar popullin, të rënët dhe dëshmorët, por për të treguar forcën e tyre, turpin e tyre, vogëlsinë e tyre, mjerimin e tyre. Ata në vend se dje të dilnin krenar para popullit dhe të rënëve me rezultatet e arritura në fushën e teknologjise, ekonomisë, arsimit, kulturës dhe politikës së drejtë, gënjyen masat e popullit me retorikë boshe, fshihnin gjithçka, madje edhe fytyrat e tyre të shëmtuara.
Ajo çka më habiste më së shumti, përsëri ishte vetë populli. Pse ne si popull, ende me shpirt robi, bëhemi sikur jemi të lumtur, kur në fakt jemi më të varfërit në Europë, pse heshtim dhe durojmë kur duhet të protestojmë, të flasim, të bojkotojmë, ashtu siç e kishim zakon të protestojmë kundër pushtuesit të egër e barbar turk, bullgar, serb, e kundër çdokujt që shkeli trojet tona.
A duhet që ne si popull të zgjohemi nga gjumi, të zgjohemi nga letargjia e rëndë që na ka kapluar dhe të fillojmë qoftë edhe nga sot të mendojmë dhe të veprojmë për veten tonë, ose së paku për fëmijët tanë, që janë e ardhmja e një kombi. A duhet që ne tu themi pushtetarëve MJAFT, MJAFT më me rrena, me hajni, me shantazh, me mashtrime.
A ka ardhur koha që të flasim, sepse duke heshtur në emër të bashkimit të rrejshëm, dikush që është i pafytyrë, po na shkel, po na vjedh, po na pi gjakun tonë të derdhur e bërë lumë në demonstrata, në beteja e në punë të rënda – rrugëve të mërgimit.
Kombi shqiptar, nuk është në rrezik nga anarkia, nga demonstratat, nga mosbindja qytetare, por ai është në rrezik nga pushteti, nga vjedhja që po i bëhet çdo ditë, nga përulja dhe çnderimi që po na bëhet çdo ditë në raport me Serbinë dhe të huajt. Ne shqiptarët jemi në rrezik nga vetvetja, nga heshtja jonë dhe frika se mos po i bëjmë dëm shtetit, duke protestuar dhe duke folur të vërtetën. Duke heshtur kështu ne dëshmojmë se ende nuk jemi komb që meritojmë lirinë, bashkimin, prosperitetin dhe zhvillimin. Duke heshtur kështu ne nuk mund ta bindim botën e zhvilluar se meritojmë të jemi partner të tyre në BE, se mund të ofrojmë dije, kulturë dhe punë. Europa kurrë nuk do të pranoj brenda saj një popull që është në gjumë, që e mashtron veteveten, që në pamjen e jashtme është shumë modern, por në pamjen e brendshme është i varfër, egoist, cikërrimtar, meskin, dashakeqës, i padijshëm, i pa arsimuar.
Të gjitha këto dobësi tona që duhet t’i pranojmë në vete, e ngadalsojnë zhvillimin tonë moral, arsimor dhe ekonomik. Ne duhet të bindim së pari veten tonë, se nuk jemi në nivelin e duhur, pastaj të zgjohemi nga gjumi për të punuar bashkë me të tjerët. Duhet ta bindim veteveten se gjithë kjo letargji, është pasojë e ndjenjës së robit që ka qenë nën sundimin e huaj 600 vjet. Robi edhe kur e fiton lirinë fizike, i duhet shumë kohë që të fitoj lirinë shpirtërore. Prandaj të vetëdijësohemi, se që nga sot duhet të punojmë për liri shpirtërore mes nesh, të pajtohemi së pari me vetveten, të duam shtetin tonë me punë dhe vepra, pastaj të kërkojmë edhe nga të tjerët që të na respektojnë dhe pranojnë si komb i vjetër dhe i barabart në familjen tonë që na takon, në atë europiane, demokratike dhe me traditë të lashtë.

…………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura