GJOKË DABAJ: APOSTOL BARKO MALËSHOVA (PARATHËNIE)

Pashtriku.org, 19 mars 2017: (“Hero është ai që ka dhënë jetën e tij për diçka më të madhe se vetëvetja. – Xhozef Kampbell)
P A R A TH Ë N I E
Shtytjet kryesore që më kanë motivuar për të shkruar këtë libër, ishin 2.
E para: Apostol Barko-Malëshova ka qenë një patriot ndër më të merituarit, megjithkëtë, një libër për të ende nuk ishte shkruar. Duhej shkruar, të paktën një libër përkujtues për atë njeri, të cilit, ndonëse e pat shkrirë jetën për Atdhe dhe, në fund, mbetur edhe pa varr, Atdheu ende s’ia kish kushtuar as edhe një rrasë përkujtuese.
E dyta, unë jam dhëndër në fisin Barkaj dhe, me qenë se merrem me letrat, më takonte ta shkruaja këtë libër, sigurisht me ndihmën e sime shoqeje, mbesë e patriotit, në mënyrë që fëmijët tanë dhe nipërit tanë, të mund ta njihnin më mirë njërin prej paraardhësvet të vet, me të cilin ata duhet të krenohen dhe të cilit do të ish mirë, do të ish e dëshirueshme, t’i ngjanin.
Apostol Barko-Malëshova bën pjesë në Panteonin e atyre të krishterëve tanë, të Jugut dhe të Veriut, të cilët e kishin kuptuar se Kombi ynë mund të rilindte vetëm duke bashkuar mendjen dhe shpirtin me atë pjesë të myslimanëvet shqiptarë që kishin mbetur atdhedashës dhe që vazhdonin të shtoheshin dita-ditës. Kombi ynë do të mund të formësohej, konsolidohej dhe përjetësohej, vetëm dhe vetëm duke mos u mbështetur në përkatësitë fetare. Këtë do të duhej ta kuptonte, jo vetëm pjesa jonë myslimane, por edhe pjesa jonë e krishterë, e cila i pat rezistuar me aq shumë sakrifica pushtuesit osman në disa shekuj. Kish filluar kjo filozofi e jona kombëtare, qysh me Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, a ndoshta më parë, dhe kish ardhur duke u mbrujtur e rrënjosur në vetëdijen e bartësvet të saj, aq sa ata qenë bindur se, për atë ide, ia vlente edhe të flijoheshe. Dhe u flijuan, njëri pas tjetrit, një plejadë e tërë: Që nga Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Anastas Kullurioti, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Themistokli Gërmenji, e deri te ky, për të cilin po shkruajmë sot, si dhe të tjerë që do të vinin pas këtij.

Apostol Barko-Malëshova (1874-1926, 53 vjet jetë) është pjesë e lavdisë së Jugut tonë, por është edhe viktimë e tragjedisë, si të Jugut, ashtu edhe të krejt Kombit Shqiptar.
Pjesë e lavdisë, sepse veproi në të njëjtën kohë, në të njëjtën linjë dhe me të njëjtën gatishmëri sakrifice, me Papa Kristo-Negovanin (1875-1905), Spiro Bellkamenin (1885-1912), Petro Nini-Luarasin (1865-1911), Themistokli Gërmenjin (1871-1917), Mihal Gramenon (1871-1931). Po të mos kishin vepruar ata në atë mënyrë dhe me aq vetëmohim, do kuptuar qartë që, ajo hapësirë e Shqipërisë së Jugut, që u përfshi më 1913-n brenda kufijvet të shtetit shqiptar, do të kish mbetur jashtë kufijvet të saj, siç edhe mbetën nën sundimin grek hapësirat e tjera të Jugut tonë. Dhe, nëse do të kishin mbetur edhe ato hapësira tonat jashtë shtetit të 1913-s, atëherë zor se do të mund të kishim një shtet shqiptar vetëm me Veriun. Aq më tepër, kur dihet se Veriun e kanë tejgjymtuar keqas pushtuesit që vinin nga ana e veriut dhe donin ende ta gjymtonin.
Apostol Barko-Malëshova e të tjerët, janë viktima të tragjedisë sonë, sepse, formula e Rilindjes sonë, shprehur në 2 vargjet e Pashko Vasë-Shkodranit, nuk funksionoi dot thuajse në gjysmën e Shqipërisë Jugore. Atje nuk u bashkuan dot të krishterë e myslimanë, sado që, për këtë, pat përpjekje e sakrifica të mëdha. Kisha Ortodokse Greke dhe shteti grek, arritën t’i vënë një shumicë të krishterësh shqiptarë të Çamërisë, Janinës, Konicës, Negovanit, Kosturit, Follorinës, kundër myslimanëvet shqiptarë. Kjo është tragjedia!
Historiografia jonë, midis së cilës edhe ky fragment i kësaj historiografie, ky jetëshkrim i shkurtër i Apostol Barko-Malëshovës, ka për detyrë t’i nxjerrë dhe t’i shpjegojë arsyet: Pse nuk funksionoi edhe më në Jug formula jonë rilindëse “Myslimanë e të krishterë, jemi një!” dhe pse u rrënua aq keq etniteti ynë i krishterë, filluar nga Preveza e deri në Follorinë?! Ç’qe ajo hata e madhe, ajo mynxyrë, që na e çoi drejt rrëgjimit, drejt humbjes, drejt zhdukjes së plotë, atë kulturë dhe atë histori tonën dhjetërashekullore molose, thesprote e lashtomaqedone, pra, të pjesës sonë ortodokse të Çamërisë e të visevet të tjerë jugorë?!
***
Një kujdes të veçantë m’u desh të tregoja, tek po shkruaja këtë libër, edhe ndaj një të vërtete të bukur, por që, gjithsesi, nuk duhej neglizhuar. Të shkruash një libër për një malëshovit, nuk është aspak lehtë. Arsyeja është, sa kënaqësishkaktuese, aq edhe turbulluese. Malëshova ka me dhjetëra shkrimtarë , Malëshova ka shumë poetë. Do të mund të thuhej: sa malëshovitë ka, aq ka edhe poetë. Malëshova ka shumë autorë librash, të cilët, fatmirësisht, sa vijnë e po shtohen. Kjo mori njerëzish të arsimuar dhe të ditur, është e gatshme të të shikojë e peshojë çdo fjalë që ke shkruar, të ta diskutojë çdo gjë që ke thënë dhe, pasojisht, të shkruash një libër për një malëshovit, duke mos qenë vetë malëshovit, jo vetëm është e vështirë, por është edhe e rrëzikshme.
Problemi nuk ish, si do ta prisnin malëshovitët këtë libër, shkruar prej një shestanasi, dhëndër në Malëshovë. Problemi ish: A do të mund t’u përgjigjesha unë kërkesavet të larta intelektuale të asaj krahine?!
Gj.D.
________________________
Lexoni librin në formatin PDF:
APOSTOL BARKO MALËSHOVA – Shqiptari i madh, që punoi, luftoi dhe, më në fund,
ra dëshmor për Gjuhën Shqipe e për Shqipërinë https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Gjoke%20D%20Apostol%20B%20Maleshova.pdf

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura