GLAUK KONJUFCA: HASHIM THAҪI, AZEM VLLASI I KOHËS SONË

 (Prishtinë, 08. 11. 2012) – Zonja dhe Zotërinj, Kryeministri ynë është njëfarë Azem Vllasi i kohës sonë. E mbani mend Azem Vllasin, kur ishte nevoja ai nuk e mbrojti bile as autonominë, e lëre më Republikën. Hashim Thaçi nuk po e mbron as Planin e Ahtisaarit, e lëre më Republikën.
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Kryeministrit Thaçi po i pëlqejnë darkat. Para pak ditësh një gazetë jona e përditshme tregoi se si kishte rënë në posedim të e-maileve të miqve ndërkombëtarë të kryeministrit Thaçi. Në këto e-maile zbulohej se si në një darkë Kryeministri i kishte premtuar një kompanie të huaj që do t’ia shiste PTK-në. Dhe se do ta eliminonte një kompani tjetër për pronarët e të cilës në media. Kryeministri ynë po ashtu na thotë se i ka miq të sinqertë. Kryeministri të gjithë i ka miq pa dyshim. Veçse disa i eleminon në mënyrë të paligjshme. E disa tjerë të cilët e kanë korruptuar më shumë siç duket i bën miq më të mirë. Nuk e di nëse prokuroria i ka ftuar gazetarët në fjalë për ofrimin e dëshmive për një rast kaq të rëndë në të cilin Kryeministri involvohet drejtpërdrejt në favorizimin dhe eliminimin e kompanive të huaja. Natën ai merret me këto punë kurse ditën na flet për tregun e lirë të investimeve të huaja për të cilat aq shumë paska nevojë Kosova.

Lakmuesit e darkave!

……………………………………….

Por, mbrëmë Kryeministri ka pasur po ashtu një tjetër darkë. Jo për pazarllëqet se si ta shesë pasurinë publike të Kosovës. Kësaj radhe pati darkë me vëllanë e vogël të Milosheviqit për një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo Qeveri po na tregon dita-ditës se këta tashmë janë pajtuar me një autonomi për veriun. Kjo Qeveri nuk e ka hallin se si ta shpëtojë veriun. 
Por se si t’ia shesë popullit kompromisin e ardhshëm. Qeveria jonë po hyn në këto negociata me Serbinë me Planin e Ahtisaarit. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar që kompromisi që do të vijë në fund do të jetë përtej Planit të Ahtisaarit. Vetë Kryeministri ka thënë në njërën prej seancave të kaluara se nuk është se e ka qejf takimin me Daçicin.
Atëherë, shtrohet pyetja, nëse ky takim nuk është me qejf, ku është zori pra?
Prej nga vjen ky zor?
A mos nga fakti se Qeveria e Kryeministrit i ka dosjet e korrupsionit në EULEX-in e Catherine Ashtonit?
Qeveritarët tanë e mbajnë pushtetin në kurriz të Kosovës dhe popullit të saj. Këta njerëz pa pushtet janë zero, janë asgjë. Krejt çka kanë këta është pushteti të cilin e fitojnë në mënyrë të dyshimtë, e mbajnë me shtet policor si dhe e shfrytëzojnë për t’u pasuruar dhe për ta ngrënë Kosovën. Sikur në darkën e mbrëmshme. Në darkën e mbrëmshme është servuar vetëm një ushqim. Ky ushqim është Kosova. Këta njerëz i frikësohen një dite kur të mos e kenë pushtetin. Pse frikësohen ata pa pushtet?
A frikësohet njeriu i pastër i ndershëm dhe i pakorruptuar?

…………………………………………

Deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës,
Kjo që po na ndodh është turp jo vetëm për Qeverinë. Kjo që po na ndodh është e turpshme edhe për opozitën. Në vend që opozita tash të bashkohet rreth një platforme të kushteve që duhet t’i mbajë Kosova në raport me Serbinë, partitë opozitare i bashkohen karvanit të Qeverisë, si dhe ia japin Kryeministrit të gjithë mbështetjen. Thonë ne po ia japim mbështetjen, e nëse nuk i del fjalës, atëherë shohim. Po i besojnë njeriut që ishte në krye të manipulimit të zgjedhjeve; që tha nuk do të ketë negociata politike, dhe i bëri; që dha premtim për sovranitetin dhe nuk e bëri, e kështu me radhë. Këtij njeriu po i beson opozita, e kjo është njëjta sikur t’i besosh ujkut se do të t’i ruajë delet. Kësi opozite do të kishte ëndërruar çdo lider qeveritar autoritar. Një opozitë që e përkrah Qeverinë gratis. Opozitë e cila nuk e sfidon Qeverinë, por i nënshtrohet asaj.
Zonja dhe Zotërinj, Kryeministri ynë është njëfarë Azem Vllasi i kohës sonë. E mbani mend Azem Vllasin, kur ishte nevoja ai nuk e mbrojti bile as autonominë, e lëre më Republikën. Hashim Thaçi nuk po e mbron as Planin e Ahtisaarit, e lëre më Republikën.
– Fjala e Gluak Konjufcës në seancën e 8 nëntorit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Hashim Thaci edhe me veprime trupore i ngjanë Azem Vllasit!

…………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura