GJOKË DABAJ: DREJTUAR – ZOTIT VAXHID SEJDIU DHE SHOQATËS ATDHETARE “LIRIA KOMBËTARE”, ZVICËR

I nderuari z.Vaxhid Sejdiu!
Të nderuar miq të Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare”! Në imelin tim erdhi shkrimi Juaj “Për çfarë kanë nevojë shqiptarët në IRJM?” Jam Gjokë Dabaj, autor, midis tjerash, edhe i librit “Strategjia e shqiptarëvet”. Në respekt të punës Suaj atdhetare, në respekt të asaj që keni shkruar në shkrimin që më erdhi dhe duke qenë përgjithësisht i një mendimi me Ju, dua, me lejen Tuaj, t’i shtoj atij shkrimi një element shumë të rëndësishëm:

SHQIPTARËT KANË NEVOJË PËR NJË ORGANIZIM GJITHKOMBËTARISHT dhe kanë nevojë të veprojnë si një komb i vetëm. Jo copa-copa! Kjo është kërkesa më e ngutshme e shqiptarëvet në kohën e sotme. Ju, me të drejtë, e keni shtruar atje krijimin e një Këshilli Kombëtar. Kur po them ORGANIZIM, pikërisht në atë linjë po flas edhe unë. Ç’do me thënë, sipas meje, ORGANIZIM? ORGANIZIM, midis tjerash, do të thotë edhe kjo: Në ditën kur shihet e nevojshme për të protestuar, në këtë rast, kundër shqiptarofobisë në IRJM, shqiptarët të dalin dhe të protestojnë, jo vetëm në Shkup e në Tetovë, por NË TË GJITHË QYTETET E SHQIPËRISË, si dhe në disa nga pikat kryesore në diasporë.

_____________________________________

Do të mund ta lija me kaq ndërhyrjen time, por kam frikë se shumë njerëz do të kalonin mbi të pa u ndalur e pa u thelluar sa duhet. Çfarë duhet të kuptojmë me shprehjen “të dalin etj., NË TË GJITHË QYTETET E SHQIPËRISË”? Me këtë shprehje duhet të kuptojmë që, në të gjithë këta qytete (që do t’i përmend më poshtë), të kemi DIKËND që do të mund të bëjë ORGANIZIMIN, në këtë rast, të protestës. Me fjalën DIKËND, unë kuptoj 1 njeri, 5 njerëz apo 7, të cilëvet do t’u përgjigjeshin dhe do t’u shkonin pas e pakta 100 vetë. Them e pakta, sepse e mira do të ishte: 1000 apo 10 mijë e 20 mijë.
Në ditën dhe në orën e caktuar, me Flamurin që thoni Ju, me Flamurin e Shenjtëruar të Kombit tonë, dhe me pankartat përkatëse, të dalin protestues, në sasitë që thamë më lart, e pakta në këta qytete: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Suvarekë (Therandë), Kavajë, Shijak, Lezhë, Pogradec, Preshevë, Bujanovc, Ulqin, Tuz, Lushnjë, Peqin, Rrogozhinë, Malishevë, Istog, Klinë, Burrel, Rrëshen, Kukës, Gjilan, Shtime, Fushë-Kosovë, Fushë-Krujë, Krujë, Mamurras, Laç, Vorë, Plavë, Podujevë, Strugë, Gostivar, Ersekë, Dibër, Peshkopi, Kërçovë, Ohër, Manastir, Gramsh, Çorovodë, Përmet, Sarandë, Delvinë, Tepelenë, Ballsh. Pra, në të gjithë këta qytete të Shqipërisë, të mund të nxireshin në ditën dhe në orën e caktuar, për të protestuar, jo vetëm për problemet e shqiptarëvet në IRJM, por për të gjithë problemet që e shqetësojnë këtë Komb, tashmë të tejshqetësuar, të tejlodhur dhe të tejstresuar.
A jemi në gjendje ta realizojmë një punë të këtillë shumë konkrete?! Tash për tash nuk jemi në gjendje! Nuk jemi në gjendje dhe fajin e kemi ne! Jo dikush tjetër! Ditën kur do të mund ta bëjmë një punë të këtillë, kur t’i kemi të ORGANIZUAR nga 5 njerëz në të gjithë këta qytete, Ju siguroj unë se shqiptarëvet do t’u largohen një nga një të gjitha lodhjet dhe të gjithë streset. Do t’u largohen, sepse do të mund të shohin dritë përtej tymit dhe mjegullës.
Ju uroj përzemërsisht.
Gjithë të mirat, Gjokë Dabaj
Durrës, 18 maj 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura