YLLI POLOVINA: IBRAHIM RUGOVA NË BALLAFAQIM ME TREQIND GAZETARË NË SALLËN STENDITOIO TË KOMPLEKSIT SAN MIKELE NË ROMË (12)

Tiranë, 10 prill 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i dymbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
*
**
Nuk kisha shkuar kurrë në Kompleksin San Kamilo, sepse shërbimi i diplomatit, i cili do të qe shtysa kryesore, ato gjashtëmbëdhjetë muaj pune në ambasadë nuk ma kishin mundësuar këtë prani. Dija vetëm që në këtë strukturë të Ministrisë së Kulturës të Republikës Italiane, sidomos për sallën e madhe Stenditoio në katin e gjashtë, i cili qe edhe i fundit i godinës kryesore, më shumë ndihej dobësia që kishte për të Lamberto Dini, i pari i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai e pëlqente mjaft për të organizuar atje veprimtaritë e tij më spektakolare.
Në orën 18.00, pikërisht në këtë sallë, do të niste konferenca e shtypit e Ibrahim Rugovës dhe prania e pazakonshme e masës së gazetarëve qe fort e kuptueshme. Në njëzetë e katër orët e para të tij në Romë çfarë kishte në kokë dhe do të kryente realisht në ditët e mëpasshme, i dinin kryeministri italian D’Alema dhe ministri i jashtëm Dini, ambasadori amerikan në Shkup Christopher Hill, ministri i Jashtëm britanik Robin Cook dhe sekretarja e Shtetit e SHBA, Madeleine Albright.

Ndërkohë Rugova nuk kishte dhënë asnjë intervistë për median. Në rast se do të hapej dhe do të qe transparent ky ishte rasti i madh dhe i papërsëritshëm gjatë tërë jetës së tij politike: afro treqind gazetarë nga vendi dhe e tërë bota, të akredituar në Romë, po e prisnin për t’ja mijrafishuar çdo mesazh që do të jepte.
Të nderura me “sytë” e tyre të qelqtë qenë edhe dyzetë apo pesëdhjetë kamera, një pjesë të fiksuara në trekembëshit e tyre mbajtës menjëherë pas pjesës kryesore të turmës së gazetarëve.
Çfarë do të thoshte Ibrahim Rugova me të vërtetë, kjo ishte një kërshëri për të gjithë të pranishmit, por për autorin e këtyre rradhëve edhe një ankth. Të dhënë pas detyrës kryesore që përherë kishim për ruajtur imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kjo ndjenjë e merakut ngulmues për të shmangur çdo përkeqësim të tij qe shndërruar në një gjendje psikologjike dhe shpirtërore të përhershme.
Nuk besoja se Rugova mund ta dëmtonte këtë imazh, llogaritja sa do ta rriste, ngrinte lart. Lufta e Kosovës vërtet ua kishte përkeqësuar shumë humorin disa qarqeve në Itali dhe kontinent, por ishte edhe një rast i shkëlqyer që të ripërtërinte pjesë të jehonës së luftës proevropiane të Skënderbeut, për të cilën veçanërisht italianët kishin respekt dhe admirim.
Ishin çaste që ta mbanin frymën pezull.
Konferenca e shtypit nuk do të transmentohej e gjitha live, por do të kishte vetëm kronika dhe raportime për të, pak a shumë lajme.
Vendosja e të ardhurve në sallën e madhe Stenditoio u vetrregullua në dy pjesë. Njerëzit e zhurrmshëm të medias me regjistratorë, blloqe shënimesh dhe stilolapsa, me kamera dhe aparate fotografikë, u sistemuan në pjesën e parë. Atyre profesionalisht u duhej vendosje sa më e afërt me Ibrahim Rugovën dhe presidiumin e pritshëm të konferencës për shtyp. Zërat apo figurat e regjistruara duhej të qenë sa më të pastërta dhe cilësore, por edhe kontakti vizual sa më shumë i afërt për të ndjekur, kuptuar dhe interpretuar të ftuarin e jashtëzakonshëm, të moderuarin Rugova, siç edhe e emërtonin për ta veçuar e madje diferencuar prej të pamoderuarve, njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pjesën e dytë të sallës Stenditoio, menjëherë pas ”murit” të kamerave televizive të fiksuara në trekembësha të lartë, në disa radhë afër murit fundor, u rregulluan pa fare potere dy apo tre dyzina personash, të cilët mendoja se qenë pothuaj si puna ime: diplomatë. Doemos nuk kishte asnjë mundësi që aty të mos qenë edhe zbulues të kamufluar, të dërguar posaçërisht prej disa ambasadave të shumë interesuara për ta ndjekur nga afër Ibrahim Rugovën.
Më shkoi befas nëpër mend se mund të qe edhe ndonjë ambasador, edhe ai i kamufluar, sepse e kisha një përvojë personale për këtë gjë. Kur në Romë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, erdhi zonja Madeleine Albright, ambasadori im, P.P., papritmas më tha se edhe ai kishte shumë dëshirë ta ndiqte nga afër konferencën e saj për shtyp.
Por nuk e kish të mundur, lejohej vetëm për njerës të medias, përfshi edhe diplomatët.
Prandaj edhe ma propozoi rrugëzgjidhjen: Unë duhej t’i lëshoja një autorizim sikur P. P. ishte punonjës i Zyrës së Shtypit të Ambasadës, gjoja një vartës imi.
Ja dhashë sigurisht këtë vërtetim dhe ai mes grupit të madh të të ardhurve zuri një skaj për të mos u dalluar nga kuriozë të mundshëm, por edhe nga kamerat.
Unë e përpilova këtë paloautorizim dhe ja dhashë. P.P. erdhi, por u përpoq tërë kohës së shtyp-konferencës, të ishte sa më larg dukshmërisë dhe çdo mundësie tjetër për ta njohur njerëz të Protokollit në Ministrisë së Jashtme Italiane.
Me pak fjalë zuri një cep.
Prandaj këtë herë, në orën 18.00 të 6 majit 1999, në pjesën fundore të sallës Stenditoio, pashë shkarazi mos ishte aty kolegu im i ambasadës greke, Vasili, një diplomat shumë profesionist, i cili për shkak të talentit të tij kishte më tepër se një dyzinë vitesh që endej nëpër përfaqësitë diplomatike të shtetit të tij nëpër Evropë, pa u rikthyer dot në administratën qendrore të Ministrisë së tij në Athinë. Me të kisha krijuar raporte të ngushta e të sigurta besimi reciprok, çfarë në një çast të caktuar të këtij cikli do të përpiqem ta rrëfej.
Por kolegun grek nuk e vura re.
Por isha i bindur se prania e ambasadës së vendit fqinj, me një lidhje të vjetër historike me Serbinë, nuk mund të mungonte. Vasili duhej të kishte dërguar ndonjë prej vartësve të vet, por këta për fat të keq nuk i njihja, përveç njërit që merrej me botimin e posaçëm të një buletini informativ në gjuhën italiane, i cili ishte një revistë e vërtetë.
Kolegun jugosllav të shtypit që duhej të ishte patjetër aty, nuk kisha si ta njihja,sepse marrëdhëniet mes dy ambasadave tona ishin të mbyllura krejtësisht. Për fat njihnim mediatikisht ambasadorin jugosllav Miodrag Lekiç, i cili qe malazez dhe figurë mjaft interesante Siç do ta tregoj njëherë tjetër, ai pati kontakt formal në një debat televiziv me ambasadorin tonë Leontiev Çuçi.
Kur në sallë hynë Ibrahim Rugova, Masimo D’Alema, Lamberto Dini dhe Marko Miniti, unë ndërkohë e kisha bërë një sondazh të shpejtë me tre gazetarë italianë, të cilët nuk i pata takuar ndonjëherë më parë. As mua nuk më interesonte ta shfaqja identitetin tim, përveç se në rastin kur bashkëbiseduesit do të këmbëngulnin.
Prej tre gazetarëve që “hetova” veç e veç, kuptova menjëherë se ata qenë të interesuar të dinin nga Ibrahim Rugova, dy çështje:
– çfarë pati biseduar kokë më kokë me Sllobodan Millosheviçin dhe
– a kishte fuqi dhe autoritet ai ta defaktorizonte UÇK-në.
Kur Presidenti i Kosovës hyri në sallë bashkë me kryeministrin, nënkryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, menjëherë në sallë ra një heshtje e çuditshme. Gazetarët po e përpinin me sy, kamerat ngulitur mbi të. Ibrahim Rugovës i kishte dalë nami si Ghandi i Dytë, i “Ghandi i Ballkanit”, madje asnjë nga të pranishmit nuk e dyshonte si të pamerituar këtë emërtim.
Vura re se Rugova qe si i shkrehur, më shumë se i lodhur nga ngarkesa fizike dhe psikologjike që pati kaluar, prej natyrës së tij, temperamentit. Nuk të linte përshtypjen se qe politikan. Zotëronte pamjen e një filozofi. Dukej mendimtar.
Ky imazh i tij ishte shumë më i përpunuar dhe më i kultivuar nga sa e mbaja mend prej vizitave që Rugova pati kryer në Tiranë gjatë regjimit komunist dhe pas rënies së tij.
Një cilësor mbase është jo krejt me vend, por ngjante me një hutaq.
Tip artistik, pse jo.
Nuk e shuante në fytyrë një buzëqeshje prej njeriu të ndruajtur. Herë pas here vështronte me përgjërim nga Masimo D’Alema.
Mos Ibrahim Rugova luante nga pak edhe të krishterin?
Për një çast më mbetën sytë tek këmisha e tij e kuqe. Nuk pati zbarkuar në Romë i veshur me të. Sllobodan Millosheviçi, duke e interpretuar se e kuqja qe zgjedhur si simbol i flamurit kombëtar shqiptar, do ta merrte për provokacion.
Ndërkohë ajo ngjyrë përveç se e shqiptarëve qe e preferuar edhe e Selisë së Shenjtë, Krishtërimit Katolik. Ja pse, sapo e dallova këtë detaj, mendja më shkoi tek një zgjedhje e qëllimshme e Rugovës.
Xhaketën e kishte gri të errët, me sa mbaj mend, kravatën si dikur të përflaktë, por tashmë të venitur, shallin karakteristik me ngjyrën blu me nëpër të topa të verdhë. Përgjithësisht kostumi i dukej mjaft i përdorur.
Ibrahim Rugova, po ta shihje edhe me fare pak vëmendje, dukej si i veshur shpejt e shpejt, pa ndonjë kujdes e radhë të caktuar, madje pa qejf, por sidoqoftë qe mjaft elegant. Trupi i tij nuk kishte asnjë grimë mishi të tepërt.
Këtë vlerësim të tij fizik që atë mbrëmje disa televizione, por veçanërisht të nesërmen dy-tri gazeta, do ta spikatnin. Ishte e papritur për mua kjo vëmendje për imazhin fizik të Ibrahim Rugovës, por media italiane nuk gabonte në zgjedhjen e saj.
Ajo, si tërë populli i vet, dëshironte që tek pacifisti shqiptar nga Kosova, të shfaqej në mos një “star”, një i Shenjtë, kurse tek udhëheqja e UÇK-së, imazhi i një djalli të zi me brirë.
Thelbi ishte: Rugova nga sa dukej qe njeri humbës apo fitimtar?
Salla, edhe pse në mëdyshje për këtë vlerësim, sidoqoftë nisi ta admironte edhe më shumë nga sa pa e parë e kishte shprehur këtë ndjenjë.
Në fillim e mori fjalën kryeministri italian. Mes të tjerash ai theksoi: “Rugova është simbol i popullit kosovar, ndaj të cilit populli italian ka një ndjenjë të veçantë”. Pastaj Massimo D’Alema theksoi posaçërisht: “Prania e Rugovës duhet interpretuar si një sinjal nga Beogradi…si shenjë e autoritetit e vullnetit për një zgjidhje politike”.

Më tej: “Në këto orë kemi diskutuar me Ibrahim Rugovën, kemi manifestuar një ndjenjë të dukshme miqësie, tani ai i lirë është një njeri, një familje, një shpresë…që kjo tragjedi të ketë shpresën për Kosovën…ne jemi me këtë shpresë…ne ndihemi në kërkim të zgjidhjes e në krahun tuaj, do të jemi në krahun tuaj edhe një ditë më pas, nesër, kur Kosova do të rindërtohet, sepse është një grumbull gërmadhash…ju do të mbështeteni gjithnjë tek Italia. Ju uroj, president!”
Ibrahim Rugova e falënderoi kryeministrin italian me një buzëqeshje të ndrojtur, por edhe të përrulët sadopak, pastaj e mori fjalën. Ishte në frëngjisht.
“Ju falënderoj juve kryeministër që jam këtu në Romë, tha, falënderoj që sot jam në Romë mes miqsh bashkë me familjen time. Po ashtu falënderoj Italinë në përgjithësi…gjej rastin të falënderoj të gjithë bashkësinë ndërkombëtare që po ndihmon për Kosovën”.
Pas pak: “Njerëzit e Kosovës po lënë Kosovën, po shkojnë në Maqedoni, në Shqipëri dhe jemi me shpresë që ata të kthehen…edhe ata që janë në Kosovë janë në kushte të vështira. Në Kosovë njerëzit janë në gjendje tragjike..Duhet prania e forcat ndërkombëtare të paqes ku të përfshihen të NATO-s dhe të vendeve të tjera, largimin e forcave serbe që të krijohet mundësia që jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët po ashtu të rikthehen në shtëpitë e tyre”.
Më tej: “Isha vetëm në Prishtinë me familjen time dhe falënderoj me këtë rast edhe D’Alemën…”, “Gjatë ditëve që isha në Kosovë, bëra edhe disa takime me autoritete të Beogradit, përfshi zotin Millosheviç, për të diskutuar vazhdimin e procesit të paqes, po ashtu edhe për të krijuar besim mes nesh, besim që të punojmë sëbashku…”
Ibrahim Rugova do të thoshte në vijim: “Në Rambuje ne e pranuam marrëveshjen dhe ata nuk e pranuan, për një zgjidhje politike paqësore të situatës, rikthimin e refugjatëve kosovarë dhe krijimin e sigurisë”.
Presidenti shqiptoi edhe dy tri fraza të tjera dhe e përfundoi fjalën e tij me sërish buzëqeshjen e ndrojtur. Pa nga Masimo D’Alema. Ky tundi kokën në shenjë pëlqimi për çfarë Ibrahim Rugova sapo kishte thënë.
Pse të mos ishte i gëzuar? Ai dhe qeveria italiane qenë në përputhje të plotë.
Më pas e kërkoi fjalën ministri i Jashtëm Lamberto Dini.
Në përfundim të tij nisën pyetjet e gazetarëve. Në fillim ishte drejtuesja e Sallës së Shtypit të huaj në Romë, e cila tha, se në rast që Ibrahim Rugova ishte përfaqësues i Kosovës, si mendonte për zgjidhjen e krizës.
Rugova u përgjegj fjalë për fjalë: “Sigurisht unë jam përfaqësues i Kosovës, jam president i zgjedhur lirisht dhe përfaqësoj ende popullin kosovar. Si në çdo shoqëri pluraliste ka mendime të ndryshme, por unë do të ndihmoj që të rindërtohet jeta politike e shkatërruar nga ngjarjet tragjike që ndodhën”.
Pas një çasti: “Nuk dua të jetoj gjithë jetën në mërgim, kam ardhur përkohësisht të ndihmoj zgjidhjen e tërheqjen e forcave serbe, praninë e forcave ndërkombëtare në Kosovë”.
Drejtori i gazetës komuniste “Liberazione” i kërkoi kryeministrit italian dhe Ibrahim Rugovës që të shpreheshin për UÇK-në. Masimo D’Alema tha: “Atje tani ka luftë dhe në luftë ka forca që rrëmbejnë në duar armët…Atje nuk ka vetëm UÇK, por edhe grupe, bashkësi njerëzish që marrin armët për t’u mbrojtur, këtë gjë ma tha edhe zoti Rugova….Në një situatë të tillë dramatike duhen forcat ndërkombëtare, nën lidershipin e OKB-së, sepse është ajo që mbetet forca e sigurisë në rajon. Një nga objektivat e kësaj force ndërkombëtare është çarmatimi…që në çastin e parë të largimit të forcave serbe do të jetë çarmatimi i forcave të tjera, përfshi edhe UÇK-në. Sigurinë e të gjithë civilëve, të shqiptarëve e serbëve, të pakicave të tjera etj, janë trupat e ardhshme ndërkombëtare që do ta kryejnë”.
Në përgjigje të pyetjes së shefes së Sallës së Shtypit të Huaj në Romë, e mori fjalën edhe Ibrahim Rugova. Tha shkoqur: “Ka opinione të ndryshme në Kosovë…i gjithë populli është për zgjidhje politike paqësore…edhe njerëzit e UÇK-së kërkojnë një zgjidhje politike dhe paqësore…”.
Kjo deklaratë ishte befasuese. E paimagjinuar ta shqiptonte Rugova. Shumë zhgënjyese për ata që në sallën Stenditoio pritnin që ai t’u sulej rivalëve politikë dhe t’i mallkonte si luftëkërkues.
Pastaj me buzëqeshjen e tij të ndrojtur e përherë në formë si të përrulur, çfarë të bënte të dyshoje mos ishte truk dhe dredhi komunikative e Ibrahim Rugovës, u rikthye nga numri një i qeverisë italiane: “Falënderoj edhe njëherë kryeministrin D’Alema dhe ministrin Dini…”, Pasaj: “Situata në Kosovë është tragjike, por në sajë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka shpresë për të ndërtuar të ardhmen”.
Me këtë rast përsëriti fort, tashmë shumë i gjallëruar, sikur në gjak t’i ishte rritur me vrull adrenalina: “Një marrëveshje për tre vjet nën praninë ndërkombëtare ne e pranuam, por serbët siç e dini nuk e pranuan. Duhet të bëjmë çmos që tani njerëzit të kthehen e të mbushin Kosovën…shumë kosovarë kanë braktisur vendin e tyre…”.
Pastaj me vështrimin nga salla, aspak i hutuar, por tepër i përqendruar: “Unë ju falënderoj edhe ju gazetarët për informacionin që jepni…”.
(Vijon)

Ylli Polovina – Tiranë, më 26 mars 2019
_______________________
YLLI POLOVINA: SI E FOTOGRAFON SHËRBIMI INFORMATIV SHQIPTAR (SHISH), FSHEHTAS IBRAHIM RUGOVËN NË ROMË (11)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8642

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura