Prof. Agim ZOGAJ: Çfarë mesazhe zymtësie përçon Spanja?

Prishtinë, 4 shkurt 2020: Zyrtarët spanjollë, sipas burimeve ndërkombëtare, i kanë tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kroacisë se, në rast se, Kosova do të ftohet në Samitin evropian, më 6 e 7 maj 2020, Qeveria spanjolle nuk do të merr pjesë. Spanja, kundërshton që, edhe në këtë Samit, ngjarje ndërkombëtare, Kosova, shtet i njohur ndërkombëtarisht, të jetë me status të barabartë, sikur edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndryshe, Kroacia si mikpritës dhe krye organizator, synon që, edhe në këtë Samit, të konfirmohet e ardhmja e barabartë evropiane për të gjitha vendet, shtetet e Ballkanit Perëndimor, të rajonit, pra, me të drejtë edhe për shtetin e Kosovës.
Ndryshe, Spanja, ka kundërshtuar që, në garat për plasman, kualifikim në garat evropiane të futbollit, për moshat deri në 17 vjeç, të përdoren flamuri i Kosovës dhe Himni i shtetit tonë, me pretekstin absurd, jo racional, tendencioz, të cilin vetëm ata e dinë. Federata evropiane e futbollit, u detyrua që, ta ndërroi vendin e organizimit të garave kualifikuese për në nivel evropian. Burimet ndërkombëtare bëjnë të ditur se, ndeshjet e Grupit për kualifikime, ku bëjnë pjesë Kosova, Spanja, Greqia dhe Ukraina do të mbahen, zhvillohen në Zvicër dhe jo, siç ishte paraparë në Benidor dhe në Alkaja. Për më tepër, Spanja, gjatë garave ndërkombëtare në karate, mbajtur në vitin 2919 në Madrid, i pamundësoi delegacionit të Republikës së Kosovës që, Kosova të garojë nën Flamurin dhe Himnin e Kosovës.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Çfarë mesazhe, me këtë qëndrim përçarës përçon Spanja, një ndër anëtaret e BE-së, të cilës, sikur nuk i mjafton të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, por, në evenimentet ndërkombëtare, aq më parë edhe kulturore, sportive, e pengon ngritjen e flamurit tonë shtetëror dhe lëshimin e Himnit. A është në pajtim me standardet e demokracisë së BE-së, që, një anëtare e BE-së, në mënyrë krejtësisht jo demokratike, jo qytetëruese, të mbajë qëndrime të veçanta, në kundërshtim me Dokumentet themelore të BE-së? Të mbash qëndrim të këtillë, diskriminues, jo demokratik, linçues ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, siç vepron Spanja, është jashtë çdo logjike elementare të një anëtareje të BE-së, e cila, në rastin konkret, së koti thirret në “ standardet “ e demokracisë evropiane. Kush dhe si e përcakton politikën e jashtme të BE-së, apo, ajo politikë e jashtme përcaktohet, sipas tekeve linçuese, diskriminuese të cilit do anëtar të BE-së? Si mund të ndodhë që, BE-ja, e cila thirret në politikat integruese mbarë evropiane, për të përfshirë edhe shtetet e Ballkanit perëndimor, ndërkohë që, një anëtare e saj, siç është Spanja, vë kushtëzime, ultimatume, krejtësisht jo demokratike, gjithsesi, në kundërshtim me standardeve bazike të filozofisë politike të BE-së!?
Nuk ka fije dyshim se, me veprimet e këtilla, Spanja, në raport me Kosovën, popullin e saj , i cili, me gjak e fitoi lirinë, çlirimin, shtetin e pavarur, të njohur ndërkombëtarisht, Republikën e Kosovës, e ka vënë në sprovë fytyrën e demokracisë së nëpërkëmbur evropiane. Për më tepër, Spanja, të cilës, sikur i pengon liria e popullit të Kosovës, themelimi i shtetit si garant i lirisë sonë, po e dëmton, po e zbehë edhe lavdinë e historisë së luftërave të popullit spanjoll për liri e demokraci, luftëra, në të cilat kanë marrë pjesë edhe idealistët, patriotët shqiptarë ( Të vrarë në Luftën e Spanjës: Asim Vokshi, Gjakovë, Xhemal Kada, Pejë, Zef Hoti, Shkodër, Teni Kononi, Korçë, Thimo Gogozota, Çamëri, Dhimitër Kosta, Leskovik etj.,)
Gjithsesi, në lidhje me politikat e BE-së, veçmas, qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës, në sprovë të veçantë do të jetë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, spanjolli, Josep Borrelli. Ai, gjatë qëndrimit në Kosovë, foli, kryesisht, bëri përpjekje të ishte i qartë dhe bindës!? Të shohim, ndërsa, në rast se, Josep Borreli, para qytetarëve të Kosovës do ta fitojë respektin, sikur dikur e kishte dhe e ka, bashkëvendësi i tij, guximtari, ish Sekretari i NATO-së, Havier Solana!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura