GJOKË DABAJ: LUFTA E PASTËR E UÇK-së

Durrës, 19 korrik 2019: Libri „Syri i Shqiponjës“, vepër e Ilaz Kadollit (veprimtar dhe luftëtar i shquar për liri e bashkim kombëtar), meriton të analizohet faqe për faqe, sepse prej tij nxirren shumë mësime. Këtë libër duhet ta lexojnë, veçanërisht dhe para të gjithëvet, të rinjtë e sotëm shqiptarë, në mënyrë që të mund të marrin shembull prej brezavet të mëparshëm. Por këtë libër, përkthyer në gjuhën sërbe, do të duhej ta lexonin edhe të rinjtë sërbë, në mënyrë që t’u bëhet e ditur sa keq kanë vepruar një pjesë jo e pakët e të parëvet të tyre. Këtë libër, përkthyer në gjuhët e tyre, duhet ta lexojnë të gjithë lexuesit evropianë: francezë, anglezë, spanjollë, gjermanë, polakë, italianë, prej të cilëvet ne shqiptarët s’po pushojmë së kërkuari përkrahjen që e meritojmë. Duhet ta lexojnë lexuesit amerikanë dhe duhet ta lexojnë edhe rusët. Nuk është libër voluminoz. Rreth 200 faqe me gjithë fotografitë. Por është një dëshmi autentike, me të dhëna të sakta dhe pa kurrfarë zbukurimesh a mburrjesh dhe njëkohësisht pa nota ankimi apo vajtimi. Nuk është libër i shkruar me të dëgjuara apo me hulumtime nëpër arkiva. Autori e ka jetuar vetë, e ka parë me sy dhe e ka pësuar mbi trupin e vet, deri në shembje veshkash, atë pjesë të historisë sonë. Ai s’është vetëm përshkrues! Ai është një ndër krijuesit heroikë të kësaj pjese të historisë së kombit tonë. Vepra e tij meriton të analizohet faqe për faqe dhe të përhapet me të gjitha format, deri sa të jetë bërë pjesë e shpirtit të brezavet që vijnë njëri pas tjetrit. Por unë këtu po marr vetëm një fragment prej asaj vepre, te i cili po më duket se duhet të ndalemi në mënyrë të veçantë. Është fragmenti që flet për një aksion të forcavet të UÇK-së ndaj një kishe ortodokse, i titulluar “Lufta e pastër e UÇK-së”. Unë, jo më kot, po e citoj këtu fjalë për fjalë.
„Përgjithësisht Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër, duke respektuar konventat ndërkombëtare të luftës për civilët dhe robërit e luftës. Kjo bëri që lufta e UÇK-së të fitonte përkrahjen e opinionit demokratik dhe të faktorit ndërkombëtar me aleancën më të madhe ushtrake, Paktin NATO në krye.
UÇK-ja ruajti me fanatizëm pastërinë e luftës çlirimtare nga etiketimet e jashtëm, që kërkonin t’i jepnin karakter fetar e terrorist.

Vlen të përmenden vetëm disa raste gjatë luftës sonë, që e dëshmojnë këtë. Policia sërbe gjatë luftës kishte mobilizuar e armatosur gjithë civilët sërbë, duke keqpërdorur madje edhe objektet fetarë sërbë.
Gjatë korrikut e gushtit 1998 lufta kishte përfshirë pjesën më të madhe të Zonës Operative të Pashtrikut. Luftime përmasash të mëdha zhvilloheshin në rrethinat e Rahavecit e të Therandës.
Nga Shtabi i Përghjithshëm kërkohej që Brigada 123 të ndi(hmonte popullatën në Zo)qishtë e Apterrush. Nga kisha e Zoqishtës pati të shtëna me armë në drejtim të ushtarëvet tanë. Nuk dihej a kishte në atë objekt ushtarë e policë sërbë, apo vetë personeli i kishës po qëllonte në drejtimin tonë.
Kisha e Zoqishtës ishte ndër monumentet e vjetër të ritit ortodoks, për të cilin thuhej se para ardhjes së sllavëvet kishte qenë iliro-shqiptare. Ajo ishte në zonën tonë të veprimit dhe nën kontrollin tonë.
Nuk e kishim vështirë të dëmtonim edhe kishën, edhe njerëzit që rrëzikonin me armë njerëzit tanë. Pas një rrethimi të kujdesshëm, sërbët i pushuan gjuajtjet. Iu bë thirrje të dorëzoheshin të gjithë ata që gjendeshin në kishë.
Nga dera kryesore e kishës doli një njeri me të zeza. Në dorën e ngritur mbante një karton të bardhë me shkrimin DORËZOHEMI, në gjuhën sërbe. Prapa tij fillojnë të dalin nga kisha, ngadalë e në radhë, personel kishe, njerëz të veshur me të zeza, në dukje të gjithë klerikë, që në popull njihen si popa. Midis tyre kish edhe disa femra që shërbenin si personel ose ishin gra fshati. Ushtarët tanë u futën ngadalë dhe të sigurt brenda kishës. Duhej kontrolluar çdo skutë për gjetjen e armëvet, që disa orë rresht kishin rrëzikuar ushtarët tanë.
Klerikët, të gjithë sa ishin, qëndronin në këmbë në oborr para hyrjes së kishës, të frikësuar e me duar të ngritura lart. Pas 10-15 minutash ushtarët tanë dolën nga kisha të ngarkuar me plot armë të të gjithë kalibrave. Kishte pushkë njëzeçe, automatikë të prodhimit jugosllav, një mitroloz të ri dhe shumë municion. Ushtarët i pyeta a kishin kontrolluar çdo gjë dhe në mos kishin mbetur pjesë të pakontrolluara. Ata thanë se kontrolli ishte bërë edhe në trupat e klerikëvet.
Atë që doli i pari dhe nga veshja dukej se ishte kryepop i kishës, e urdhërova të shikonte armët që u nxorën nga kisha dhe ishin vendosur në një qoshe të oborrit. Pasi i shikoi mirë, e pyeta në gjuhën sërbe: „Pope, da li imaš još oružja?“ („Pop, a ke armë të tjera?“) Për një moment ai u zbeh edhe më tepër dhe nuk foli. Nga vonesa në përgjigje dhe nga fytyra e zverdhur, kuptova se ai po fshihte diçka. Iu drejtova edhe njëherë: „Pop, për herë të fundit po të pyes, a ke edhe armë të tjera?“ Ai ngriti kokën dhe me shikim prej dhelpre u përgjigj: „Po, kam edhe një“, tha duke çuar ngadalë dorën nga pjesa e përparme e rripit. E urdhërova të mos bënte asnjë lëvizje, as me duar, as me këmbë. Një ushtar yni futi dorën nën rripin e përparmë të panallonavet të popit. Gati nga fundi i brekëvet të tij nxori një revole. Ishte e kalibrit të vogël e prodhimit “Crvena zastava”, shumë e bukur, si e porositur për trofe lufte.
Xhavit Bajraktari, tani dëshmor i kombit, me qetësinë e një profesionisti, bëri incizimin e ngjarjes së popavet, personelit të kishës dhe armëvet të konfiskuara.
Pavarësisht se i paralajmëruam të ndiheshin të sigurt se nuk do të pësonin asgjë, shihej qartë sa ata dridheshin nga frika. Në mesin e tyre qenë edhe dy burra, që doli se ishin nga qyteti i Nishit. Nga biseda e kuptuam që aty kishte njerëz që nuk ishin personel kishe. Kjo u provua lehtë, sepse, për shembull, ata të dy nuk kishin haber për historikun e kishës. Madje ata identifikoheshin fare lehtë edhe nga veshja, sepse mbanin xhinse dhe këpucë terreni. Pelerina e tyre e zezë shërbente vetëm për maskim. Dukej qartë se ata nuk qëndronin rastësisht në kohë lufte në atë kishë. Edhe pse ishin nga qyteti i Nishit, ata nuk kishin njohuri as për origjinën e lashtë të emrit të qytetit të tyre. Madje dy të ardhurit nga Nishi nuk kishin as njohuri elementare për kryeqendën e kishës ortodokse. Herë thoshin se ajo është në Moskë, herë në Beograd.
Pavarësisht kësaj, ne u treguam klerikëve se UÇK-ja nuk është ushtri banditësh, si ajo e tyre që vret klerikë, gra e fëmijë. I strehuam, u dhamë bukë e ujë, dhe të nesërmen, të gjithë sa ishin, ia dorëzuam me protokoll zyrtar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Popat rrëfyen në hollësi se armët që u konfiskuan në kishë ishin futur pa dëshirën e tyre nga policia sërbe. Megjithatë, ne ishim të vetëdijshëm që Kisha Sërbe dhe klerikët e saj kanë qenë gjithmonë në shërbim të politikës gjenocidale sërbe. Në shumë raste Kisha Sërbe u ka paraprirë autoriteteve pushtues sërbë për shkombëtarizimin dhe zhdukjen e elementit shqiptar në trojet tanë. Ata, nëse do të nxirreshin në gjyqin ushtarak, ndoshta edhe e meritonin plumbin kokës, mirëpo me këtë do të përfitonte propaganda sërbe. Kisha do t’i shpallte shenjtorë, ndërsa qeveria sërbe do ta përdorte këtë rast për të goditur e komprometuar luftën e pastër të UÇK-së para faktorit ndërkombëtar.
Ishim të sigurt se gazetarë nga e gjithë bota do të interesoheshin për fatin e këtyre klerikëve. Në vijim i përcollëm me vëmendje edhe deklarimet e tyre para mjetevet të informimit. Për çudi, kryepopi sërb nuk pranoi të binte në provokimet e gazetarëvet sërbë dhe të huaj. Ai, në të gjitha intervistat që dha, në Prishtinë, në Graçanicë dhe në Beograd, u shpreh: „UÇK-ja nuk është një organizatë a grup terrorist, siç etiketohet, por një ushtri e rregullt që zbaton me përpikëri rregullat e luftës.“
Për rastin e kishës dhe të klerikëvet sërbë, shtëpitë e filmit në Rusinë e Putinit bënë pas luftës edhe një film horror, duke shtrembëruar ngjarjen në tërësi, për qëllime propagandistikë, racistë e fashistoidë, kinse klerikët sërbë ishin kindapuar nga UÇK-ja dhe ishin liruar me forcë nga njësitë speciale ruse, që në atë kohë luftonin në anën e sërbëvet kundër UÇK-së.
Pothuajse në të njëjtën ditë kur u liruan klerikët e Zoqishtës, policët dhe ushtarët sërbë në qytetin e Rahavecit kishin masakruar shumë qytetarë civilë, madje edhe ata që ishin strehuar në teqenë e qytetit. Nga barbarët sërbë ishte ekzekutuar edhe vetë shehu i teqesë së Rahavecit.“
(Marrë nga libri: Ilaz Kadolli „Syri i Shqiponjës“, f.170-174, botim i Shoqërisë LËVIZJA, Prishtinë, 2017)
Duke lexuar e rilexuar këta rreshta, gjithnjë e më plagëçjerrëse po më kalojnë nëpër mendje ngjarje nga historia plot peripeci e Kombit tonë, të cilat lidhen pikërisht me veprimtari të quajturish klerikë. Çfarë po bën nëpër një pjesë të Shqipërisë një Janullatos, një i quajturi klerik ortodoks?! Po luan me eshtra të vdekurish, në Korçë, në Përmet e në Grykën e Këlcyrës! Çfarë po bën nëpër Mal të Zi dhe në disa pjesë veriperendimore të Shqipërisë, një tjetër i quajtur klerik ortodoks pravosllav me emrin kishtar Amfillohije?! Po ngre kisha llamarinash në majat e malevet shqiptarë, po mban liturgji provokuese në kishat arbërore të Shasit dhe po i quan „çlirimtarë“ të Shkodrës mijëra ushtarët sërbë e malazezë, vrarë në përpjekjet e tyre, jo për ta çliruar, por për ta pushtuar Shkodrën! Çfarë po bëjnë, nën petkun fetar, një pjesë të quajtur klerikë myslimanë, të cilët po i çojnë jo pak shqiptarë në rrugë krejtësisht antikombëtare e, rrjedhimisht, edhe antifetare?!
Po mjaftohem vetëm me kaq shembuj (sepse historia jonë është plot me të tilla punë, gjoja klerikësh, gjoja kishash e gjoja xhamish, në dëm të kombit tonë) dhe po vë përballë të këtillë shembujve qëndrimin aq korrekt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po vë përballë të këtillë shembujve edhe një plejadë klerikësh tanë arbro-shqiptarë: një Gjergj Pelin, një Pal Engjëll, një Pjetër Bogdan, një Gjergj Juban, një Dom Nikollë Kazaz, një Hoxhë Vokë (Said Najdeni), një Dom Nikollë Kaçorr, një Papa Kristo Negovan, një Hoxhë Kadri Prishtinë, një Shtjefën Gjeçov, një Fan Nol, një Baba Faja Martaneshi, shembuj brilantë, jo vetëm të përkushtimit ndaj kombit të vet dhe ndaj besimit të vet fetar, katolik, mysliman apo ortodoks, por edhe në qëndrimin korrekt përballë të gjithë kombevet të tjerë.
Dhe është vërtet e pakuptueshme, por edhe revoltuese, pse diplomacia perendimore e sotme nuk po dëshiron as ta shohë me sy këtë dimension të madhërishëm të Kombit Shqiptar dhe po na nxjerr përditë lloj-lloj xhiblash, si „kushte“ për të na pranuar në të quajturin Bashkim Evropian. E ç’bashkim mund të jetë ai, pa ne shqiptarët?! Pa shembullin e ne shqiptarëve!
Gjokë Daba, Durrës 18 korrik 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura