GJOKË DABAJ: NGA SE VARET FATI I KOMBIT SHQIPTAR?!

(Durrës, 12. 11. 2012) – Toelerancë, siç e dimë të gjithë, do me thënë, aftësi për të duruar njëri-tjetrin. Kjo aftësi për ta duruar njëri-tjetrin, madje edhe për ta dashur tjetrin, kërkohet psh edhe në familje, sado që ai tjetri, vëllai, motra, prindi, nusja, mund të mendojë e veprojë ndryshe. Kjo aftësi është pjesë e kulturës dhe pjesë e formimit moral, qoftë të individit, qoftë të grupevet njerëzorë. Ne shqiptarët kemi shumë nevojë për ta përsosur këtë aspekt të kulturës dhe të moralit tonë. Kemi nevojë për ta përsosur: si pjesëtarë të familjevet, si pjesëtarë miqësish e fqinjësish dhe si pjesëtarë të Kombit, të cilit i përkasim. Është madje njëri nga komponentët më të rëndësishëm të qenies sonë, nëse duam ta marrim seriozisht çështjen e madhe të TË PËRPARUARIT ose të TË MOSPËRPARUARIT të Kombit, të cilit, ndoshta dhe rastësisht, i përkasim.
Shkas për të shkruar këtë artikull u bë qëndrimi i 2 miqvet të mi, mbasi botova shkrimin “Homazh për Enver Hoxhën”. Jo se më refuzuan haptazi. Përkundrazi, ndërsa njëri m’u paraqit sikur ish tepër i zënë me punë, tjetri erdhi me mua e madje më dha edhe kafe. Por në fytyrat e tyre pashë një shprehje ndryshe, gati një ashpërsi.
Jemi miq prej kohësh dhe shkaku i miqësisë, që ata më kanë ofruar, kanë qenë, libri im “Shestani” dhe botime të tjerë me përmbajtje atdhedashëse. Ata janë djem patriotë. Unë e di këtë. Por janë politikisht të pozicionuar ndryshe dhe mundohen t’ia mbushin mendjen vetes se e kanë drejt, ashtu si mundohem unë t’ia mbush mendjen vetes se e kam unë drejt. Mirë deri këtu, le t’ia mbushim mendjen vetes si të duam, por tjetrin pse ta urrejmë, sepse mendon ndryshe?!
Pikërisht kjo më bëri të shqetësohem e të mendohem shumë në lidhje me disa probleme RRËNJËSORË që i dalin përpara Kombit tonë.

……………………………………………………………………

Edhe rilindësit tanë kanë pasur shumë probleme, por problem nr.1 i tyre, i brendshëm, ka qenë ai i qëndrimit ndaj religjionevet. Njerëzit me pushtet, të cilët patën përqafuar fenë e pushtuesit osman, fenë myslimane (ata vetë ose paraardhësit e tyre, s’ka shumë rëndësi kjo), janë sjellë tepër ashpër ndaj bashketniasvet të vet të krishterë. Madje shumë më ashpër se vetë osmanët. I kanë shkatërruar me mijëra kisha (Unë kam llogaritur diku rreth 10000 kisha të rrënuara në truallin e Arbërisë, në harkun e 4 shekujvet.), Kanë keqtrajtuar klerikët. Me dhjetëra sish janë ngulur në hu. Vetëm në Tivar, në fillim të sh XVIII, u janë prerë kokat 72 të krishterëve, sepse nuk pranuan të ndërronin besimin. Në anë tjetër, në trevat e Lezhës psh apo të Shkodrës, katolikët u fusnin bashkëvendësvet të vet myslimanë, derra në xhami, në ditët e Bajramit.
Rilindësit (por edhe të mëparshmit arbër, të krishterë e myslimanë, të ndodhur para ngjarjesh shumë herë tepër alarmuese), e patën kuptuar që, pa e kapërcyer këtë sëmundje, morale kuptimore, kaq të rëndë, Kombi ynë nuk do të mund ta merrte veten kurrë. Prandaj rilindësit bënë një propagandë shumë të madhe, shumë intensive, nën sloganin, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Fjala FE aty nuk përdorej me kuptimin e mirëfilltë, por figurativisht. Domethënia e krejt sloganit nuk ishte që shqiptarët duhej tash t’i braktisnin doemos religjionet dhe të krijonin një religjion tjetër. Përkundrazi, ata mund të praktikonin çfarëdo besimi fetar, por duhej të mos harronin se ishin shqiptarë dhe se, si të tillë, duhej njësoj të respektonin edhe besimet e shqiptarëvet të tjerë.
Kjo doktrinë e jona kombëtare arriti deri atje, sa vetë klerikët myslimanë predikonin: “Ai që jep jetën për lirinë e vatanit, qoftë edhe kundër Dovletit, bie shehit dhe shkon në xhenet.” Ndërsa Atë Gjergj Fishta deklaronte: Ne e dimë ç’i kanë ba (bërë) kombit tonë sulltanët ndër shekuj, por, për ta mbrojtur Atdheun prej pushtuesvet sllavë, prej shkievet, do t’i bashkonim armët tona edhe me sulltanin. (Vo! Citimi nuk është fjalë për fjalë.Gj.D.) Atë Gjergj Fishta tha edhe kështu, kur ia dhanë për të lexuar poezitë ateiste e Migjenit ateist: “Lenie djalin e Gjushit në punë të vet! Mos e ngitni djalin e Gjushit!”
Në këtë mënyrë, DRITA e Rilindjes së Kombit tonë u krijua shekullisht, jo prej 1, por prej 3 lumenjsh. “Lumi” i parë tradicional ishin të krishterët që i kishin rezistuar islamizimit, këtu, brenda Atdheut. “Lumi” i dytë, me shumë merita, ishin: arbëreshët, arvanitët dhe të mërguarit e tjerë arbër, të krishtrerë, por edhe myslimanë, të ndriçuar tashmë prej idevet të iluminizmit evropian. “Lumi” i tretë ishte masa e madhe e shqiptarëvet myslimanë brenda Atdheut, të cilët e vunë qenësinë e vet kombëtare, jo MBI, por PARA besimit fetar. Ata e kuptuan se ishin më parë arbro-shqiptarë e, pas kësaj, ishin edhe myslimanë (kryesisht për shkak të një tradite kohësisht më të shkurtër se e të krishterëvet).
Pa këta 3 lumenj, “hidrocentrali” i mendjes sonë kombeatdhedashëse nuk do të prodhonte kurrfarë DRITË.
Nëse përdorim, në funksion të sqarimit të kësaj dukurie historike të Kombit tonë, figurën e bukës, filozofia e krijimit dhe e shpëtimit nga zhdukja të këtij Kombi, është: THARMI i “bukës”, që u gatua në këtë proces rilindjeje, ishin TË KRISHTERËT, të cilët i patën rezistuar pushtimit osman, edhe fetarisht, për 4 shekuj. MIELLI i kësaj “buke”, në shumicën e vet, ishin MYSLIMANËT shqiptarë, të cilët, me gjithë ndërrimin e fesë, në të gjithë këta shekuj, nuk i patën humbur gjuhën dhe vetitë e tjera etnokulturore iliro-arbro-shqiptare.
Pa MIELLIN, vetëm me THARMIN, “bukë” nuk mund të kishte. Por pa THARMIN, “buka” prapë nuk mund dhe nuk do të bëhej.
Pikërisht këtu qëndron ajo FORCË E MADHE KOHEZIONALE e Kombit Shqiptar të sotëm, ajo që e shpëtoi këtë Komb nga zhdukja e sigurtë në shekujt XVIII, XIX e XX.
Për fatin tonë të keq, veçanërisht në ÇAMËRI, ajo forcë e jona KOHEZIONALE, ndonëse ekzistonte, nuk funksionoi deri në fund. Shqiptarët myslimanë, pasi edhe vetë kishin bërë reprezalie, u dëbuan egërsisht prej trojevet të vet, dhe sot atje nuk ka më as shkolla shqipe, as deklarim apo regjistrim me kombësi shqiptare dhe, le më xhami, por as kishë ortodokse autoqefale shqiptare. Nuk ka asgjë kombëtare, veç një vetëdijeje të vagëllt, frikacakërisht të fshehur. Nga mosfunksionimi me sukses i asaj force KOHEZIONALE, që u shpjegua këtu, as pjesa jonë myslimane e atjeshme nuk e gëzoi vendrrënjën e vet, as pjesa jonë e krishterë e atjeshme nuk po i gëzon traditat e veta disamijëvjeçare të etnokulturës së vet. I humbën të dyja palët, që të gjitha! Le të shpresojmë se do t’i rifitojnë!!
Kjo analizë që e bëra dhe që është e qartë për të gjithë, vlen të merret si një mësim i rëndësishëm edhe në fushën e bindjevet tona TË SOTME ideologjike e politike. Në radhë të parë intelektualët, angazhuar (midis tjerash, nëse do të arrijë të bëhet, edhe në institucionin që unë e kam quajtur Fjalëmira e Gjuhës Shqipe), e, mbas intelektualëvet, sa më shumë njerëz nga masa e popullit, duhet ta kuptojnë që interesi i Kombit qëndron mbi çdo lloj interesi tjetër e, rrjedhimisht, edhe mbi interesat ideologjikë apo partiako-politikë.
Nëse nuk do të KUPTOHET e VEPROHET kështu, madje me ngut, Kombi ynë, duke gjalluar për një kohë në gjendjen PËR T’U MËSHITRUAR, s’ka ku të shkojë tjetër, veçse drejt ZHDUKJES NGA MË FATALET që mund të përfytyrohen. Do të shkojë drejt ZHDUKJES FATALE, siç kanë shkuar: Çamëria, Tivari, Zeta, Plava, Bihori, Peshteri, Prokupla, Kurshumlia, Toplica, Kosanica, Medvegja, Vranja, Velesi, Manastiri, Ohri, Follorina, Kosturi, Konica, Janina. Do të shkojnë drejt ZHDUKJES FATALE, (nuk po i përmend tash emrat), të gjitha krahinat tona, nëpërmjet zvetënimit, nëpërmjet braktisjes, nëpërmjet shpërndarjes, nëpërmjet harrimit të gjuhës (Kush mund ta dashurojë e ta ruajë një gjuhë qensh që hanë njëri-tjetrin?!), nëpërmjet shpërbërjes dhe, më në fund, në rastin më të parë të një lufte, nëpërmjet copëtimit midis fqinjëvet !!!
Prandaj, pjesa e vetëdijshme e jona duhet të predikojë me të gjitha format që, sidomos në raste votimesh, njerëzit tanë në radhë të parë të shikojnë, me kthjelltësi, kush nuk e ka mbrojtur me dinjitet Kombin tonë, dhe atij të mos ia japin votën. (Mjafton 1 tregues, nuk duhen 5 a 15 tregues. Mjafton të dihet që kandidati, psh e tradhton të shoqen, pra, nuk mbron nderin e familjes së vet. Prej tij mos prit të të mbrojë, as pasurinë e as nderin e Atdheut.) Njerëzit tanë duhet të mësojnë T’I BRAKTISIN MASIVISHT ata persona dhe ato parti politike që i kanë zhgënjyer. Njerëzit tanë duhet të mësojnë të mos i mbrojnë partitë e veta me justifikime bosh, me justifikime pa baza, aq më tepër, t’i mbrojnë me shtrembërime. Me disa “arsyetime” nga më banalët!
Në marrëdhëniet njëri me tjetrin, shqiptarët E SOTËM duhet të mësohen, duhet ta mësojnë veten, edhe me tolerancë politike, ashtu siç janë mësuar tashmë, në shumicën më të madhe, me respektin reciprok në pikëpamje fetare. Lidhur me tolerancën ndërfetare, të cilën na e kanë lënë trashëgim rilindësit, jemi vërtet një komb i lavdërueshëm në shkallë botërore. Madje, jemi të lavdërueshëm edhe me tolerancën ndërnacionale si askush tjetër. Mirëpo, në pikëpamje politike, jemi faqja e zezë.
Nuk më takon mua t’i them atij tjetrit, ku ka gabuar e ku po gabon në bindjet e tija politike. Ai duhet vetë t’i gjejë gabimet apo fajet e vet, ashtu si më duhet edhe mua të analizoj vetëveten dhe të shoh ku kam gabuar. Unë nuk e fsheh bindjen time. As ai, bashkëbiseduesi, fqinji, shoku i punës, bashkudhëtari në autobus, le të mos e fshehë bindjen e vet. Por secili të shkojmë deri te kufiri i lejuar i mirësjelljes. Vetëm kështu do të arrijmë ta realizojmë unitetin tonë kombëtar, atë duhet ta quajmë KOHEZION kombëtar, brenda një diversiteti të pashmangshëm, madje të këshillueshëm, bindjesh politike. Sa mirë i themi bashkëbiseduesit të rastit, kur marrim vesh se ai është i një feje tjetër: “Një Zot kemi që të gjithë.” Pse të mos i thotë i quajturi ZOGIST të quajturit ENVERIST (sado që askush s’e ka ndërmend t’i risjellë këtu ato kohë të perenduara): “Një Atdhe kemi që të gjithë.”?! Pse të mos i thotë një i quajturi RUGOVIST një të quajturit UÇËKËIST: “Një Atdhe kemi! Bashkë, madje, edhe me zogistët, edhe me enveristët.” ?!
Për një kohë të gjatë, duke jetuar në fqinjësi dhe duke qenë unë mësuesi i fëmijëvet, nipërvet e mbesavet të tija, e kam pasur mik Osman Dokën, një zogist gjithë jetën të palëkundur. 5 ditë para se të vdiste, ai erdhi në shtëpinë time, ndenjëm e biseduam më se 2 orë dhe në fund më tha: “Kam dëshirë që ti të mbash një fjalë rasti ditën kur të varrosem.”
Në e vënshim ne populli Kombin mbi të gjitha dhe shkuarjen mirë njëri me tjetrin, vetë politikanët do të detyrohen më në fund, ose të kthehen NË RRUGËN E ATDHEUT, ose të largohen nga politika.
Unë nuk po dua tash të përmend as emrat e 2 miqvet të mi, në fytyrat e të cilëvet vura re një shprehje të atillë zymtësie, sikur unë të isha shndërruar papritur, nga një shok i deridjeshëm, zgjedhur prej tyre, në një armik me brirë. Nuk po dua as të përmend emrat e disa politikanëve tanë, të cilët qartazi e kanë zhvleftësuar veten dhe të cilët meritojnë të bojkotohen në votime. Kemi shumë politikanë që meritojnë TË BOJKOTOHEN MASIVISHT. Të bojkotohen një palë, të sillen të tjerë, por duke i kaluar nëpër shoshën e moralit. Të bojkotohen edhe ata, nëse nuk na e justifikojnë votën, dhe kështu me radhë, me durim e me këmbëngulje, deri sa në krye të partivet tona dhe të shtetevet tanë të vihen njerëz sa më dinjitozë.
Ne populli, ndërkaq, të shkojmë për të uruar FESTËN E FLAMURIT te të gjithë njësoj, pa dallim bindjesh politike!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura