Durrës 29. 07. 2013 – Monoteizmi, ta quajmë kushtimisht MESDHETAR, pa kaluar në religjionet e tjerë të planetit, ka lindur si një domosdoshmëri historiko-shoqërore në kushtet e një fiaskoje të pariparueshme të rendit skllavopronar të Antikitetit. Gjeografikisht, të shfaqurit e kësaj feje lokalizohet në pellgjet rrotull Mesdheut, ndërsa shtetërisht ai përkon me shtetin e madh të atëhershëm të Romës. Unë, atë shtet, e quaj ndryshe, vetëkuptohet, konvencionalisht: Unioni Mesdhetar i Antikitetit, për ta paralelizuar me Unionin e sotëm Europian dhe me Aleancën Euroatlantike.
Pushtetarët e Romës Antike, dmth pushtetmbajtësit e të atëhershmit Union Mesdhetar, e patën tejkaluar, në sjelljet e tyre me popujt, çdo masë humane, NJERËZORE. Pushteti qendror romak, në shekujt e dytë e të parë para Krishtit, ishte shndërruar në një pushtet KRIMINAL nga më të padurueshmit. Në të gjitha luftërat me popujt e tjerë, romakët dilnin fitimtarë, të gjitha revoltat apo kryengritjet, ata i shtypnin në mënyrën më çnjerëzore. Kujtojmë Luftërat Punike, Luftërat Romako-ilire, ku përfshihen edhe ato me shtetin e Maqedonisë, Kryengritjen e Spartakut, Kryengritjen e Ilirëvet nën udhëheqjen e Batos së desidiatëvet, revoltat e vazhdueshme në brigjet lindorë të Mesdheut, Izrael, Palestinë, Jordani etj. Kudo, pas shpatës dhe pas zjarrevet, vinin KRYQËZIMET. Pamjet rrënqethëse të KRYQAVET, ngulur rresht anash rrugëvet e në maja kodrash, i shtynin njerëzit e asaj kohe të kërkojnë e të gjejnë RRUGËZGJIDHJE. Thonë që vetëm në viset e Mesdheut Lindor kishte mbi 20 mijë KRYQA, rreth të cilëvet fluturonin re të zeza të pambarimta sorrash dhe korbash.
RRUGËZGJIDHJA me forcën e armëvet tashmë ish treguar e paefektshme. Kryengritja e skllevërvet, me Spartakun në krye, mund edhe të fitohej, por pastaj ç’do të bëhej më pas? Më pas do të zëvendësohej një perandor me një tjetër dhe gjendja do të vazhdonte po ajo. Perandori që do të vinte, qoftë edhe vetë Spartaku apo një pauses i tiji, mund të ishte më i keq se i pari.
Dhe njerëzit, siç duket, kishin ardhur tashmë në përfundimin, që ndryshimi duhej filluar QË NË IDEOLOGJI. Që të hiqej tirania TOKËSORE, duheshin hequr zotat QIELLORË. Zotat, moria e zotavet, ishin bërë prej kohësh “të paaftë” për të zgjidhur çfarëdo lloj pune. Ishin bërë edhe të padurueshëm, sepse ishin të paefektshëm: Ziheshin njëri me tjetrin! Qëlloheshin me rrufera! Në thelbin e vet qëndronte ndarja e shoqërisë njerëzore në skllevër e në skllavopronarë. Duhej bërë diçka, që kjo ndarje të zhbëhej dhe kjo mund të ndodhte vetëm duke shpikur një Zot të vetëm për të gjithë njerëzit. Duhej që, që të gjithë njerëzit të ishin TË BARABARTË përpara Zotit. Por cili do të mund të bëhej Zoti i të gjithë njerëzvet?! Zeusi? Jupiteri? Marsi? Hera (Junona)? Venera? Apisi? Poseidoni? Ra-ja? Asnjëri prej këtyre nuk do të mund ta merrte “përgjegjësinë” e një gjykuesi të paanshëm.
Nuk është se njerëzit ishin MASIVISHT aq largpamës e aq thellëpamës, që të mblidheshin në ndonjë kongres dhe të gjykonin: Cilin zot do të zgjedhim tash, për të na i vënë në rregull disa punë? Megjithatë, Zoti i Izraelit ngjanë se doli më i përshtatshëm. Ai doli më shumë spontanisht, se sa i paramenduar apo i paracaktuar. Këtu ndihmoi doemos edhe fakti që ai zot e kish TË SHKRUAR “biografinë” e vet, në atë që më vonë u quajt Dhjata e Vjetër. Kish edhe një rrethanë tjetër: Të gjithë zotat e deriatëhershëm kishin pasur fëmijë të shumtë. Jehovai nuk kish pasur deri atëherë ndonjë fëmijë. U bë edhe ai me një fëmijë, për t’u lidhur me njerëzit, me mënyrën që njihej prej shumë shekujsh, dhe ashtu feja e re filloi të marrë formë.
Jezusi, siç e ka vërtetuar më vonë historia, ndoshta edhe disi pa dashur, ka dalë një njeri tepër LARGPAMËS. Ai, kur i thanë të bëhej mbret i radhës i izraelitëvet, shqiptoi këtë shprehje KAPITALE: “Unë jam mbret i të gjithë njerëzvet.” A ish vërtet largpamës, apo puna i doli e tillë, kjo s’ka shumë rëndësi, por shihet qartë që, në rrethin ku vepronte ai, zhvillohej një filozofi HORIZONTÇELËSE në një botë tashmë TË ERRËSUAR, të mbyllur, nga të gjitha anët. Shën Pjetri dhe Shën Pali ishin edhe më QËLLIMREALIZUES se Jezusi, sepse ata arritën TA LIDHIN, në mënyrën më efikase të mundshme, mitin, bestytninë, me realitetin historiko-social të kohës. (Këtu do të kishim shumë për t’u ndalur, por ne nuk po ndalemi.)
U krijua ashtu një fe e re, MONOTEIZMI brenda shtetit gjigant POLITEIST të Mesdheut, shtet, të cilit s’kish ç’t’i bënte asnjë forcë tradicionale çlirimtare. Asnjë kryengritje, asnjë përpjekje “nacional-çlirimtare”, asnjë reformë e brendshme, asnjë luftë rivalësh, nuk do të mund ta shpërbënte shtetin e pamposhtshëm skllavopronar të Romës. Zatën, përse duhej shpërbërë shteti?!
I vetmi shpërbërës i atij pushteti skllavopronarësh, jo i shtetit, dhe njëherësh edhe krijues i një perspektive të re gjithnjerëzore, mirëfilli shpëtimtare, do të ishte, do të bëhej, kjo fe e re, që s’duhej të ish vetëm e izraelitëvet, por e të gjithë njerëzvet.
Vizionarët, me merita tepër madhore gjithnjerëzore ishin, pa dyshim, APOSTUJT e asaj feje, të cilët, si mjet të vetëm shpëtimi, e konsideruan ORGANIZIMIN INSTITUCIONAL KISHTAR. Shën Pjetri e, veçanërisht, Shën Pali, bënë aty një punë prej titanësh, SHPIRTËRORE edhe ADMINISTRATIVE, duke themeluar KISHËN MONOTEISTE.
Feja e re hyri ashtu në jetën gjithnjerëzore, siç NJIHET tashmë prej të gjithëvet, dhe njerëzimi, filluar nga kjo hapësirë gjeografike e Perandorisë së dikurshme të Romës, eci në rrugën që tashmë NJIHET.
* * *
Por, pse ndodhi PËRÇARJA në gjirin e këtij religjioni, të krijuar për të pasur TË GJITHË NJERËZIT një Zot TË VETËM dhe për të qenë të gjithë të barabartë përpara tij?!
Me sa di unë, para Konstantinit të Madh, dmth para vitit 313, nuk ka pasur kurrfarë përçarjeje në gjirin e Krishtërimit. Përçarjet, pra, erdhën atëherë kur ky monoteizëm u bë fe edhe e pushtetmbajtësvet. Por, a mund të përfytyrohet një fe E TË GJITHËVET, pa qenë pjesëtarë të saj edhe pushtetarët? E gjithë kjo ka nevojë të shikohet, jo njëanësisht, por gjithanësisht. Kisha e Romës, në emër të një Zoti TË VETËM, po kërkonte me të drejtë të jetë drejtuesi I VETËM i këtij religjioni. Në këtë rrugë, ajo s’po bënte tjetër, veçse, në emër të Zotit, po vendoste vullnetin e njerëzvet, individë apo grup individësh. Në anë tjetër, grupe njerëzish, ose kombe apo etnitete, nuk dëshironin t’i nënshtroheshin vullnetit, jo rrallë të gabueshëm, të një sundimtari të vetëm NJERËZOR.
PËRÇARJA më kryesore ndodhi ajo midis Papatit dhe grekëvet. Grekët ishin ndër përqafuesit e parë të Krishtërimit dhe kjo nuk mund të kish ndodhur rastësisht. Ata s’kishin pasur forcë për t’i bërë ballë fizikisht, as pushtimit dhe as sundimit të Romës. Përballimin ishin përpjekur ta realizonin me anë të kulturës dhe deri diku ia kishin arritur. Roma qe detyruar të marrë shumë dhe pat marrë shumë prej kulturës helene. Tash Roma po kërkonte të ketë rolin sundues edhe në ideologji, dmth në kulturë, konkretisht në kulturën e re të Krishtërimit.
Qe krijuar, në anë tjetër, e pakta që në 395-n, premisa e një NDARJEJE. Shekujt që erdhën, ishin shekuj përpjekjesh të kota. Justiniani i Madh, i etnitetit ilir, u mundua të harmonizojë sundimin LAIK të Konstantinopolit me sundimin SHPIRTËROR të Papatit, por nuk ia arriti.
Përfundimisht, shkëputjen e Patriarkanës, tashmë greke, të Konstantinopolit, nga Papati, duhet ta konsiderojmë si një shkëputje NACIONALE, e cila do të rezultojë E DËMSHME në të gjithë shekujt që do të vijnë, sado që ish Papati ai që nuk po donte t’i njihte etnitetet dhe gjuhët e tyre.
PËRÇARJA e dytë kryesore erdhi nga Gadishulli i Arabisë. Atje doli, u shfaq, profeti Muhamed, i cili mori ÇDO GJË nga 2 Dhjatat, përveç GJUHËS dhe MERITËS, të cilën e donte për vete, sepse, përndryshe, s’mund të kish kurrfarë suksesi. Feja e Muhamedit ish gjithashtu një fe NACIONALE, e cila më vonë do të bëhej diskriminuese ndaj të gjithë popujvet që nuk ishin arabë. Brenda fesë islame, duke qenë vetë një religjion sektar, nuk mund të mos krijoheshin dhjetëra sekte: synitë, bektashi, halveti, rufai, kadri, dhe e gjithë kjo nuk mund të mos rezultonte E DËMSHME në shekujt nga VII deri më sot, sidomos në praktikën e Perandorisë Osmane, tepër të rëndë për popujt e robëruar. Madje edhe në jetën e vetë arabëvet, kjo formë separatiste e monoteizmit nuk mund të mos rezultonte PRAPALËNËSE.
Në gjirin e ortodoksisë ndodhën të tjera NDARJE, nga të cilat u krijuan kishat autoqefale të sllavëvet. Puna erdhi deri atje, sa Moska e proklamoi veten si një Romë të Tretë.
Protestantizmi dhe përpjekjet për ta mbajtur pushtetin në duart e veta nga ana e Papatit, sollën prapë gjakderdhje të shumta në truallin e Europës.
Në këtë mënyrë, MONOTEIZMI KLASIK, i cili ishte krijuar për t’i bërë njerëzit VËLLEZËR dhe për t’i mbledhur nën vullnetin qëllimmirë të një Zoti të vetëm, u shndërrua përsëri praktikisht në një POLITEIZËM VËLLAVRASËS.
Ç’do të bëjë NJERËZIMI tash me këtë lloj religjioni JOFUNKSIONAL? Sidomos, kur edhe Revolucioni Komunist dështoi, siç pat dështuar Kryengritja e Spartakut?!