GJOKË DABAJ: PLUTOKRACIA BOTËRORE DHE KATRAHURA BOTËRORE! EPOKA E LAMPEDUZËS (NR.3)

Durrës, 27. 04. 2015 – Fjalën PLUTOKRACI e kam lexuar për herë të parë në romanin „Thundra e hekurt“ të Xhek Londonit, ndërsa fjalën KATRAHURË e kam hasur diku në veprat e Ismail Kadaresë. Kush mund ta merrte me mend që pikërisht bashkimi i këtyre 2 fjalëve, të 2 shkrimtarëve të mëdhenj botërorë, kaq larg njëri-tjetrit, do të pasqyronte një ditë një tragjedi shumëfish më tronditëse se të gjitha tregjeditë e Uilliam Shekspirit të marra së bashku?!
PLUTOKRACIA e sotme botërore, e cila nuk përbën më shumë se 5% të krejt popullsisë 7-mliardëshe të planetit Tokë, është pjesa më e pamoraltë dhe MË E PAMEND e species njeri. Kur themi më e pamoraltë, s‘është për t’u çuditur, sepse dihet që kastat e sunduesvet (pa shumë përjashtime), si edhe një pjesë e madhe e josunduesvet, e quajtur vulg, në të gjitha kohët kanë predikuar ose pranuar moral, por për vete nuk janë shquar kurrë për kurrfarë morali të mirë. Mirëpo, kur themi që kjo PLUTOKRACI, e sotmja, është pjesa MË E PAMEND e species njeri, kjo duhet sqaruar.
Në të gjitha kohët e mëparshme, PLUTOKRATËT, sundimtarët e pasur, e dinin që, sado egërsisht t’i shfrytëzonin e shtypnin turmat e të nënshtruarvet, prapëseprapë, ai shfrytëzim e ajo shtypje nuk do t’ia sillnin fundin botës së gjallë. Nuk mund t’ia sillnin fundin botës së gjallë, sepse armatimet dhe mundësitë e tjera jetëshkatërruese, sado mizore të ishin, nuk e çonin dot deri në zero krejt jetën. Ndërsa sot, po ajo pashpirtësi e dikurshme e PLUTOKRACISË, e çon VETË ATË në zhdukje të pashmangshme. PLUTOKRACIA, pjesa më e pasur e njerëzimit, është njëkohësisht edhe pjesa MË E PAMEND e species njerëzore, edhe për faktin se ajo „mendon“ që, sidoqoftë, me anë manipulimesh, do të mund ta shpëtojë vetëveten.

Plutokracia globale dhe katrahura në Lampeduzë!

Kur themi: Megjithse i sheh rrëziqet, PLUTOKRACIA „mendon“ se mund të shpëtojë pa u zhdukur, kemi parasysh edhe faktin që ajo e shikon veten në mënyrë egoiste, jo si një e tërë globale, por pjesë-pjesë. Amerikania ushqen iluzione se, edhe në u zhduktë krejt bota, ajo do të mbetet gjallë. Po kështu halucinon edhe plutokracia ruse, edhe kjo e Evropës sonë, edhe e Kinës, edhe e Japonisë. Të gjithë e shohin vagëllimthi që bota e gjallë po rrokulliset në rrugën e moskthimit më tragjik të mundshëm, por që të gjithë shpresojnë, PËR VETE, të mos zhduken.
Ky, në një farë mënyre, është gjykimi tradicional i PLUTOKRACISË, një gjykim që do të mund të ish edhe realist në kohën e shpatavet e të shigjetavet, por ndoshta edhe në kohën e topavet e të tankevet, por që, në kohën e sotme, kohë e armëvet bërthamore, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si GJYKIM IDIOTËSH.
Fundja, a nuk është idiot një njeri, i cili zotëron miliarda dhe s‘është në gjendje të kuptojë ç’do t’i duhen ato miliarda, pasi të jetë shndërruar në pluhur radioaktiv?! Vetëkuptohet, këtu kemi të bëjmë, jo me 1 idiot, por me KASTË IDIOTËSH.
Pikërisht duke u gjendur në shkallën më të ulët të idiotësisë mendore, social-historike dhe morale, kësaj PLUTOKRACIE po i duket sikur, sidoqoftë, me anë të KATRAHURËS do të mund t’ia dalë për t’iu shmangur, të paktën përkohësisht, rrëziqevet që i kanosen, bashkë me krejt njerëzimin, edhe asaj vetë.
Pra, gjendja që i DUKET se i intereson sot më së shumti PLUTOKRACISË, është KATRAHURA. Në të gjitha fushat, dëshirohet, kërkohet, lejohet dhe krijohet KATRAHURË.
Në ideologji e filozofi, KATRAHURË, në legjislacion, politikë, diplomaci e administratë, KATRAHURË, në ekonomi (dhe ky është krejt qëllimi), KATRAHURË.
Sa më e çrregullt dhe sa më e pështjelluar të jetë gjendja, aq më për shtati i shkon PLUTOKRACISË, për ta shtyrë edhe sado pak vite konfliktin përfundimtar. Aq idiote është kjo PLUTOKRACI, sa nuk mendon fare as për fëmijët e vet, le më për nipërit dhe për brezat, dua të them, për farën që duhet ta lërë prapa. Mendon vetëm kaq: Si t’i shtyjë, AI VETË, sa më „bukur“ (në të vërtetë, moralisht krejt të ndyta), ditët që ia ka falur Zoti dhe, se ç’do të bëhet me fëmijët që i ka pjellë, as që përpiqet ta lodhë trurin.
Skema e KATRAHURËS, sendërtuar prej PLUTOKRACISË, është kjo:
Shtetet e vegjël le të hahen e le të bëjnë luftëra lokale sa më shumë të jetë e mundur, mjafton që të mos përfshihet i gjithë globi në flakë. Ne, PLUTOKRATËT, të bëjmë sikur po duam t’i pajtojmë shtetet e vegjël.
Brenda kombevet dhe midis kombevet le të ketë grindje pa fund. Ne të bëjmë sikur i konsiderojmë të shenjta „të drejtat e njeriut“.
Arsimi le të punojë për të nxjerrë turma injorantësh, ne të bëjmë sikur po i përsosim pa pushim metodat e mësimdhënies.
Mjekësia le të spekullojë pa fund me fatin e të sëmurëvet. Ne të mos pushojmë së përmenduri “Betimin e Hipokratit”.
I quajturi sistem i drejtësisë le të mbjellë padejtësi, ne të vazhdojmë t’i quajmë gjykatat “të pavarura”.
Familja le të shkatërrohet në të gjithë aspektet: Në marrëdhëniet midis çiftit (themelit të familjes), në marrëdhëniet me prindët, në marrëdhëniet me fëmijët, shpirtërore, etike dhe ekonomike. Ne të vazhdojmë ta quajmë familjen “të shenjtë”.
Jeta personale e individëvet le të jetë sa më e çakorduar. Le të mos dinë njerëzit as kur duhet të flënë, as kur duhet të zgjohen nga gjumi. Le të mos dinë as ç’u bën mirë, as ç’u bën keq. Ne të proklamojmë pa pushim “lirinë e individit”.
Le të mbushen qytetet me prostituta, me meshkuj të pamoralshëm që shkojnë ndër prostituta, me homoseksualë, me pedofilë, me drogmenë e me kumarxhinj. Ne të mos na mbetet tjetër, veçse t’i mirëkuptojmë këto “dukuri njerëzore” dhe t’u hapim rrugë “ligjore”.
Demokracinë le ta shfrytëzojnë e le ta mjelin si një lopë antidemokratët e të gjitha kategorive. Ne të vazhdojmë ta paraqesim demokracinë, pikërisht këtë “demokraci”, si “të vetmen rrugë prosperiteti”.
Le të mbushen bankat me kapitale të paligjshëm. Paratë e njerëzvet të ndershëm le të shkojnë sa më shumë në xhepat, në portofolët dhe në llogaritë bankare të të pandershmëvet. Ne, PLUTOKRATËT, të bëjmë sikur e adhurojmë Jezu Krishtin, por të mos e përmendim asnjëherë, se ç’qëndrim mbajti Ai ndaj skotës së fajdexhinjvet, kur i gjeti në tempull.
Religjonet le të bëhen burime e frymëzime urrejtjesh, konfliktgesh e luftërash. Ne të bëjmë sikur po predikojmë „tolerancë fetare“.
Atmosfera, ajo fizikja, le të prishet, toka le të ndotet, detet le të mbushen me lëndë helmuese. Ne të bëjmë sikur po „marrim masa“ kundër ndotjevet.
Kjo është KATRAHURA që e ka krijuar tashmë PLUTOKRACIA në shkallë botërore. Në sipërfaqe, në fasadë e në lustër, gjoja sikur bëhen përpjekje për të bërë punë të mira, gjoja sikur politikanët dhe pushtetmbajtësit, minj zyrash të PLUTOKRACISË, përpiqen ditë e natë për të rregulluar gjendjen, i përdorin avionët në vend të gomerëvet, por, në të vërtetë, i gjithë ky konstrukcion i stërmadh i burokracisë s’bën tjetër, veçse ushqen vetëveten me rroga sa më të larta. Të gjithë qeveritarët, sidomos ata të shtetevet më pak të fuqishëm, janë praktikisht nëpunës të PLUTOKRACISË botërore.
KATRAHURA është tipari kryesor i këtij çerek shekulli, në të cilin PLUTOKRACIA miopisht po e ndien veten të parrëzikuar, kurse realisht, pas katastrofës, NËSE FORCAT PROGRESISTE NUK DO TA GJEJNË DOT RRUGËN E ORGANIZIMIT E TË SHPËTIMIT, s’ka për t’u gjendur gjëkundi këmbë PLUTOKRATI.
Pas katastrofës, të cilën po e sjell, me kaq ngulm prej budallai dinak, PLUTOKRACIA, do të mund të ketë mbetur gjallë vetëm aty-këtu ndonjë tufë fshatarësh në ndonjë strehim të thellë malor. Atyre, e jo PLUTOKRACISË, do t’u mbetet detyra epokale për ta ringjallur jetën njerëzore, jo më me idenë e të stërgrumbulluarit pasuri vetjake, por me idenë e vëllazërimit racional të të gjithë popujve, të rimëkëmbur ndoshta vetëm pas 200 vjetësh. (Siç e ka parashikuar Xhek Londoni.)
***
Nuk do ta kisha hartuar këtë përsiatje, në qoftë se nuk do të ish ripërsëritur mynxyra e Lampeduzës. Por, përballë Lampeduzës u mbytën prapë qindra klandestinë. Thuhet se këtë herë s’ishin 400 si herën tjetër, por 750. Diku pranë Rodosit, thuhet, u mbytën edhe rreth 100 të tjerë. Zia dhe mjerimi e mbuluan përsëri Lindjen e Afërme, në një kohë kur, pikë për pikë sipas skenarit të PLUTOKRACISË, po atje, fanatikët islamikë po i vrasin me turma bashkëbanorët katolikë.
PLUTOKRACIA këtë herë bëri sikur u shqetësua. U bënë me ngut disa mbledhje e konsulta. Mediat u mbushën me disa lajme e pamje tronditëse. Arriti puna sa të deklarojë edhe Ban Ki Muni se „ishte shokuar“ nga ngjarjet në Mesdhe. Tani e gjeti „të shokohet“ Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nëpunësi më i lartë i PLUTOKRACISË botërore?! Kjo nuk mund të vlerësohet ndyshe, veçse si një cinizëm, mbuluar me një çarçaf hipokrizie tejendanë të tejdukshëm.
Krejt Evropën dhe botën i ka përshkuar cinizmi në këto ditë zie dhe, si rrjedhojë, edhe masat që po merren janë refleksione të po atij cinizmi.
Evropa „vendosi“ më në fund t’i japë fund Epokës së Lampeduzës! „Vendosi“ ta realizojë këtë „mision shpëtimtar“ me 4 „masa“ shumë „radikale“: 1,duke shtuar numrin e rojevet detare e bregdetare, 2,duke hapur kampe për ata klandestinë që do të arrijnë ta kalojnë kordonin e rojevet, 3,duke i kërkuar, gjetur e asgjësuar gomonet, që janë fabrikuar (në Evropë) pikërisht për transport klandestinësh, si dhe 4,duke i fundosur mjetet e lundrimit, bashkë me ngarkesat, ashtu siç ua kishin bërë shqiptarëvet para disa vjetësh.
Doli kështu në shesh, që Italia i paska mbytur VETË, me qëllim tepër human, të 81 klandestinët shqiptarë dhe u zbulua kështu thelbi i metodavet që ka ndjekur dhe po ndjek pushteti i PLUTOKRACISË në Epokën Moderne të Lampeduzës.
Sa na përket ne shqiptarëvet, 2 gjëra që duheshin thënë, nuk u thanë dhe as që mund të shpresohet që PLUTOKRACIA do ta thotë ndonjëherë: 1.Askush nuk tha që, në kohën e Enver Hoxhës, për 50 vjet, ne shqiptarët e RPSSH-së nuk e kemi shqetësuar Evropën me kësi eksodesh dhe askush nuk e falenderoi Enver Hoxhën për këtë shërbim që i ka bërë Ai Evropës kapitaliste. 2.Askujt, as ambasadorit gjerman, as atij francez, nuk i shkoi mendja të paktën ta thotë se, sikur t’u akordohen shqiptarëvet 100 miliardë euro kredira (3 a 4 herë më pak se Greqisë), para që PLUTOKRACIA i ka nxjerrë disafish prej nesh në këto 25 vjet KATRAHURË, asnjë shqiptar nuk do t’ia mësynte më Evropës, veçse për qejf.
Nuk u tha kështu, sepse PLUTOKRACIA e sotme botërore nuk ka ndërmend të heqë dorë nga fabrikimi i KATRAHURAVET, me shpresë se vetëm ashtu do ta shtyjë sado pak ekzistencën e vet. Forcat më largpamëse botërore, përfshirë aty edhe pjesën largpamëse të vetë PLUTOKRACISË, duhet t’i hyjnë punës për të dalë sa më parë nga KATRAHURAT njerëzimshfarosëse.

…………………………………………………………..

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura