MR. AVDI GJATA: RËNDËSIA E LUFTËS TEORIKE TEK SHOQËRITË NË KALIM

(Prishtinë, 14. 04. 2012) – Frazat e bujshme për funksionimin e mendimin e shprehjes së lirë në shtetet ‘demokratike’ shprehin dobësi dhe injorim në lidhje me funksionimin e zhvillimin teorik të mendimit kritik. Organizimi dhe veprimi i partive politike në Kosovë është shembulli më i mirë që ilustron në mënyrë mjaftë konkrete, e që është edhe një fenomen i përgjithshëm në ish vendet komuniste në Evropë. Liria teorike e kritikës nuk bënë zëvendësimin e një teorie me një mendim tjetër, por vetëm largimin nga çdo teori koherente dhe e studiuar mirë në bazë shkencore, e cila shënon eklektizëm dhe mungesë parimesh.
     Çdo, qytetar që e njeh sado pak gjendjen e lëvizjes kombëtare shqiptare nuk mund të mos e vërej se krahas përhapjes së demokracisë e idesë për bashkimin kombëtar, heshtazi dhe pa u diktuar ka një ulje të nivelit teorik dhe ati moral të masës. Për shkak të rëndësisë praktike dhe sukseseve të saj reale të asaj kohe, ishin bashkuar tepër pak njerëz nga pikëpamja intelektuale e teorike të cilët ishin të përgatitur, bile shpesh herë ata janë bërë edhe pengesë e masës revolucionare pasi deklaratat e tyre në vete përmbanin defetizëm, mbillnin frikë dhe ndasi përbrenda vetë popullit.
     Pa përgatitje teorike kombëtare, nuk mund të ketë as lëvizje atdhetare kombëtare. Asnjëherë nuk do të jetë e mjaftueshme përgatitja teorike, kur dihet edhe predikimi i oportunizmit nga njerëzit e pushtetit të asaj kohe, e që në anën tjetër ishte bërë edhe një lloj mode e kohës, ku njerëzit tanë ishin dhënë pas formave të ngushta të veprimtarisë atdhetare e revolucionare praktike.

_____________________________________

KËSHTU VRITET TRADHTIA….

_______________________________

     Mirëpo, një gjë duhet ta dinë të gjithë se; rëndësia e teorisë për real-demokracinë, në trojet e banuara me shqiptar duhet të shtrohet e analizohet edhe më shumë duke ditur numri e madh të rrethanave ekzistuese politike e shoqërore në nivel botëror. Më së pari duhet ditur se ‘Lëvizjet Ilegale’ dhe partitë tona politike, tani vetëm sapo kanë filluar të formohen, sapo kanë filluar të krijojnë fizionominë e tyre dhe ende nuk kanë arritur t’i tejkalojnë e lajnë hesapet me rrymat e tjera të mendimit politik kombëtar të cilat që tani po rrezikojnë ta kthejnë lëvizjen nga rruga e drejtë dhe e sigurt.
     Në kushtet momentale shoqërore e politike apo më mirë thënë në kushte të tilla politike në të cilat ndodhet sot populli shqiptar i Kosovës, një gabim i vogël, e që në fillim na duket i ‘parëndësishëm’ mund të na shkaktoj pasoja të rënda e të hidhura. Për, këto çështje të rëndësishme, vetëm njerëzit dritëshkurtër mund të mendojnë se janë të pavend apo të tepërta diskutimet dhe tryezat e rrumbullakëta që duhet organizuar së paku një herë në muaj në nivel shkencor e gjithë kombëtar nga dy akademitë tona me të drejtë pjesëmarrjeje të strukturave të ndryshme e veçanërisht të rinisë e studentëve tanë.
     Së dyti, lëvizja social demokratike në Kosovë nga vetë thelbi dhe natyra e saj ka qenë dhe është ndërkombëtare. Mendimi i deritanishëm se parti e persona të caktuar e kanë ‘ndërkombëtarizuar’ problemin e shqiptarëve të Kosovës nga vitet e 90-ta, sigurisht se nuk do t’i përballoi kohës. Andaj, kjo nuk do të thotë se ne shqiptarët, duhet të angazhohemi e luftojmë vetëm kundër shovinizmit të huaj, por edhe kundër atij të brendshëm i cili është duke e përcjellë këmba këmbës lëvizjen qysh nga fillimi i shek XX-të. Në pozitën ku është populli shqiptar duhet përmendur thënjën e djalit të Abdyl Frashërit ‎”Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, posa ta kenë përfunduar betejën e fundit mes vete” – Mit’hat Abdyl Frashëri
Për këtë arsye lëvizja atdhetare e cila ka filluar qe disa dhjetëra dekada në një vend të ri siç është Kosova, mund të ketë sukses vetëm në qoftë se ajo vë në zbatim eksperiencën e vendeve të tjera. Për ta zbatuar këtë përvojë, duhet të dimë të mbajmë kundrejt saj një qëndrim kritik e të kemi mundësi ta kontrollojmë atë vet.
     Së treti, qëndrimi politik përpara lëvizjes demokratike shqiptare janë shtruar detyra të shumta kombëtare, të tilla dhe të ndryshme që nuk i kanë pasur deri sot asnjë parti politike e demokratike në Evropë, Amerikë e vende të tjera të rruzullit tokësor. Kjo mund të arrihet vetëm nëse arrijmë që t’i kryejmë ato detyra politike dhe organizative që shtron përpara nesh, detyra e çlirimit e bashkimit të popullit shqiptar nga zgjedhja e klasës autokratike të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të cilat kanë arritur të ngulfasin çdo ide e mendim të kundërt të individit apo ndonjë subjekti politik tjetër.
     Në fund, deklaroj me një bindje absolute se rolin drejtues të popullit shqiptar mund ta kryejnë vetëm ato parti politike që udhëhiqen nga njerëz të dëshmuar në praktikë e të mbështetur në teori e të bazuara në baza shkencore e politike.
     Për fatin e keq të popullit tonë, ne nuk arritëm e nuk po arrimë të kemi sukses ta ndajmë të vjetrën nga e reja. E një gjë duhet ta dimë se: e reja nuk mund të ndërtohet me relikte të së kaluarës, por ajo mund të ndërtohet vetëm me ide të reja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura