GJOKË DABAJ: RUSIA NUK E MORI KRIMENË PËR TË KËCËNUAR POLONINË, ZOTI B.OBAMA!

Durrës, 05. 06. 2014 – Sigurisht, unë nuk kam asnjë kundërshtim në lidhje me vizitën Tuaj në Poloni. Por Rusia nuk e ka marrë Krimenë për të kërcënuar Poloninë. Rusia e ka marrë Krimenë për Bosforin, për Mesdheun dhe për Gjibraltarin. Mirëpo, unë kam përshtypjen sikur Ju nuk e njihni këtë realitet ashtu si do të duhej ta njihnit. Nuk e njihni, sepse vetë zyrtarët Tuaj, qoftë ushtarakë, qoftë civilë, nuk e zotërojnë historinë tamam ashtu si duhet.
Ata ndoshta dinë diçka për Betejën e Sevastopilit (1853-1856), por nuk e kuptojnë që, pikërisht pasi Rusia e pushtoi Sevastopolin, erdhën me radhë: Traktati evropëdenigrues i Shën Stefanit, Kongresi sllavofuqizues i Berlinit, Konferenca sllavokonsoliduese e Ambasadorëvet në Londër, Lufta e Parë Botërore, e provokuar prej sllavëvet dhe e fituar prej sllavëvet, Lufta e Dytë Botërore, e nisur si gjermanofuqizuese, por e përfunduar me fitoren e sllavëvet.

 Këshilluesit Tuaj, zoti B.Obama, dhe politikorientuesit tuaj, nuk janë as afër të kuptuarit të politikës, të cilën JANË TË DETYRUAR të ndjekin SHBA-ja dhe BE-ja. Ata janë tepër larg asaj që duhej të Ju këshillonin në këta çaste dhe mua më vjen shumë keq.
Nuk është aspak reale ajo që dikush tha: “E morën Krimenë?! Epo mirë! Le të vërtiten nëpër Det të Zi, se Bosforin e kemi ne!” Nuk është ashtu! Është krejt ndryshe!
Rusia do të provokojë përgjakje midis sllavëvet të Ballkanit dhe shqiptarëvet. Në të njëjtën kohë Rusia ka për ta futur në konflikt me shqiptarët edhe Greqinë. Turqia do të përpiqet t’i ndihmojë shqiptarët, por Rusia do t’i thotë: “Mbylle gojën, se të erdha në Stamboll!”
Ja përse iu desh Krimeja Rusisë! Edhe në qoftë se Turqia vërtet do ta mbyllë gojën, Rusia do të gjejë sebepe për t’ia marrë asaj Bosforin. Jo vetë, por me anë grekëvet dhe bullgarëvet. Grekët kanë në Stamboll kryeqendrën e tyre fetare, Patriarkanën. Kanë, pra, mjaft “arsye” për t’iu futur aventurës, duke pasur në mbrojtje jo vetëm një flotë të fuqishme në Krime, por edhe mbushje të të gjithë llojevet, gati për t’i shkrepur mbi Ankara.
Kur t’i lexojnë këta rreshta komentuesit e cekët, siç janë shumica e komentuesvet të sotëm, me siguri do të thonë: “Po ky?! A e di që Turqia e Greqia janë anëtare të NATO-s?!”
Unë e di që Greqia e Turqia janë anëtare të NATO-s, por e di gjithashtu që, kur SHBA-ja kërkoi për të ndërhyrë në mbrojtje të popullit sirian, Britania dhe Franca u tërhoqën. Në një konflikt, si me shaka, përreth Bosforit, sërish do të ketë nga ata që do të tërhiqen. Pastaj, a mendoni se e ka vështirë Rusia të shkaktojë trazira në Greqi e në Turqi?!
As shqiptarët nuk do t’I mbrojë askush, kur të vijë puna: “A t’u dalim zot shqiptarëvet e të shndërrohemi në pluhur radioaktiv, apo ta shtyjmë edhe ca ditë?!”
Në këtë mënyrë, me këtë politikë jolargpamëse, që po ndiqni Ju, Zoti B.Obama, dhe partnerët Tuaj në Evropë, Rusia do t’i ketë një ditë të vetat: edhe Bosforin e Dardanelen, edhe Kotorrin, Tivarin, Durrësin e Vlorën, e, rrjedhimisht, edhe Gjibraltarin. Bëni ju çfarë të doni nga Deti I Veriut e nga Baltiku!
Ndërkohë, nëse Perendimi nuk do të ndryshojë taktikë veprimi, edhe BE-ja, edhe NATO-ja do të jenë shpërbërë e shkërmoqur, ndërsa SHBA-ja, mbetur fare vetëm, do të jetë e detyruar të përballet, e vetme, me Kinën.
Po cila është rruga e duhur, zoti B.Obama, në kohën kur Ju po merreni me ca sanksione qesharakë, me ca trupa fare simbolike, që i çuat në Poloni, dhe me ca përforcime që po i bëni Ukrainës pas pilafit. A e dini ç’kuptim ka në shqip shprehja “pas pilafit”?! Në të vërtetë, Ukrainën e keni lënë në mëshirë të fatit, më keq se Sirinë.
Puna e parë, zotëri, është: të bisedoni seriozisht me anglezët, me gjermanët dhe me francezë, për ta shndërruar BE-në në një shtet të centralizuar, sipas modelit të SHBA-së. Rrugë tjetër nuk ka! Vetëm pasi të ketë ndodhur kjo, duke futur automatikisht në atë shtet krejt Ballkanin dhe Azinë e Vogël, do të mund t’u vihen Rusisë edhe Kinës kushte miqësie dhe partneriteti. Ndoshta, në rrjedhë të kohës, do të duhet krijuar një shtet i vetëm (I centralizuar!): Amerikë Veriore – Evropë. Dua të Ju them edhe njëherë: Në të gjitha kohët Evropës i kanë ardhur mendtë PAS PILAFIT! Por këtë herë “pilafi” është me rreze!
Sa i përket Ballkanit, edhe ju, zoti B.Obama, edhe Gjermania, Franca e Britania, që nuk denjuan t’i japin vjeshtën e kaluar statusin e kandidatit për në BE Republikës së Shqipërisë, duhet ta kuptoni se, pa i përkrahur INTENSIVISHT shqiptarët, Ballkanin nuk do të mund ta keni kurrë të stabilizuar. Përkrahja kryesore për shqiptarët duhet të jetë ajo EKONOMIKE. Jo me pikatore, në mënyrë poshtëruese, me 20 milionë, me 50 milionë, apo me 500 milionë, por me huara e me kredira dhjetëramiliardëshe. Fuqizim ekonomik me shuma dhjetëramiliardëshe kërkojnë në radhë të parë 2 shtetet ekzistues shqiptarë. Resurset ekonomikë, që nga minierat e Trepçës e lignitet e Kosovës deri në Bulqizë, Mirditë, Pishkash, Patos e Mallakastër, që nga Sharri e Thethi deri në Ulqin, Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë, duhet t’i marrin në dorë kapitalistët shqiptarë, të ndihmuar me para hua pikërisht nga SHBA-ja dhe BE-ja. Shqiptarët në shtetin e Ish-Rep.Jug të Maqedonisë kanë nevojë për t’u përkrahur financiarisht. Shqiptarëvet në Kosovën Lindore duhet t’u jepen hua bankare. Shqiptarët në shtetin malazias duhet të përkrahen me para. Jo falas, por hua, me projekte të garantuar. Sa më shumë para hua që t’u jepen shqiptarëvet, aq më i garantuar do të jetë Ballkani nga rrëziqet që sapo i prognozova.
Vetëm unë, një qytetar shqiptar (nuk them se jam i zakonshëm, por them se si unë ka edhe shumë të tjerë), do të kisha nevojë për një hua 4-miliardëdollarëshe dhe Ju siguroj që krejt ajo hua do të shërbente shumë mirë kundër luftëravet në Ballkan dhe kundër konfrontimevet Lindje-Perendim. Huaja do t’i kthehej huadhënësit me gjithë kamatat, ky do të ish njëri fitim i SHBA-së, kurse në anë tjetër, kompania që do të vepronte këtu, do t’i shërbente krejt natyrshëm kompaktësimit edhe politik në rajonin përkatës.
Unë nuk thashë e nuk them, zoti B.Obama, që Ju të hiqni dorë nga të përkrahurit e Polonisë, as të ndonjë vendi tjetër të Evropës Verilindore. Krejt Evropa ka nevojë të jetë, sa unike, aq edhe e fuqishme. Por po dua, me seriozitetin më të madh, të Jua tërheq vëmendjen: PUTINI NUK E KA KRYER AUSHLUCIN E KRIMESË PËR TË KËRCËNUAR POLONINË E GJERMANINË, POR PËR T’I DALË EVROPËS NGA KRAHU I SAJ JUGOR DHE PËR TA SHKËPUTUR ATË NGA SHTETET E LINDJES SË MESME DHE NGA AFRIKA VERIORE. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk e kuptojnë këtë problem me kthjelltësinë e nevojshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura