GJOKË DABAJ: SAMITI I DIASPORËS, TIRANA KAQ MUNDI, KAQ BËRI

Durrës, 23. 11. 2016: Që ditën kur u njoftua se do të bëhej një Samit i Diasporës Shqiptare, unë e dija dhe shumë të tjerë e dinin se si mund të organizohej dhe si mund të përfundonte ky Samit. Megjithkëtë, u gëzova dhe shumë shqiptarë të tjerë u gëzuan.
Vetë thënia e Edit se “kjo ishte ideja e Lindës”, të imponon një varg retorizmash: Sa studime, sa libra, sa artikuj, sa kumtesa ka botuar Linda në lidhje me diasporat shqiptare dhe në përgjithësi në lidhje me problemet e sotëm të Kombit Shqiptar?!
E prapë, askush nuk duhet të thotë që kjo punë ish një punë e keqe. U mblodhën 1000 mërgimtarë, thanë mendimet, shtruan kërkesat, shprehën dëshirat dhe gatishmerinë për të mbetur të lidhur me vendrrënjën ne vet dhe, mbi të gjitha, na i trazuan mendjet dhe na nxitën të mendojmë.
Vetë kryeorgnizuesi i këtij Samiti tha: “E kemi hedhur gurin e parë kilometrik, por nuk e kemi bërë kilometrin e parë.” Është krejt e logjikshme. Diasporat tona kanë bërë deri tash mijëra kilometra rrugë, por s’e kanë ngulur dot as edhe një gur, për të matur e numëruar kilometrat. Kjo mbledhje është, pa kurrfarë dyshimi, një punë e pastër patriotike, por jo e gjithë puna.
Madje, as përafërsisht e gjithë puna, dhe kjo jo për faj, as të Ed Ramës, as për faj të ndonjë tjetri kryeministër të Republikës së Shqipërisë, nëse do të bënte diç si ky. Filluar prej vitit 1913, kur Konferenca e Ambasadorëvet në Londër vendosi ta bëjë lafsha-lafsha Shqipërinë, shtetit shqiptar, duke pasur nën administrim vetëm një të tretën e tokavet shqiptare, i është prerë mundësia e të përkujdesurit për krejt Kombin dhe, rrjedhimisht, i është prerë mundësia edhe për të bërë punë efikase me diasporat e Kombit.

Republika e Shqipërisë, ndaç edhe Mbretëria Shqiptare e vitevet 1928-1939, është quajtur shteti amë nën një nxitje thjeshtë romantike. Po dua të them, edhe cakërrimi që ndodhi dje me zv-ministrin e kulturës të Republikës së Kosovës ishte thjeshtë pasojë e copëtimit, bërë prej të tjerëvet. Sepse, as Republika e Kosovës dhe as të dy shtetet së bashku nuk kanë mundësi as juridike, as praktike, për ta kryer efektivisht rolin, as të një dadoje, jo më të nënës apo amës.
Le t’i marrim konkretisht gjërat.
1.Regjistrimi i shqiptarëvet, të përhapur gjithandej nëpër qindra diaspora. A është në gjendje dhe a ka të drejtë juridike qeveria e Tiranës të kryejë regjistrimin zyrtar ndër shqiptarët, ta zëmë, në shtetin turk? Po e lëmë shpenzimin. Të themi se Tirana i ka milionat e eurovet për ta kryer këtë punë. Por a do t’ia lejonte qeveria turke një të tillë veprim administrativ një shteti të huaj?.. Le të ndërmarrë nesër qeveria e Tiranës një fushatë regjistrimi ndër arvanitët e Greqisë! (Nuk them ndër arbëreshët e Italisë, por në Greqi.) A do ta lejojë qeveria greke? Dhe, në fund të fundit, cila është mundësia praktike për ta kryer ashtu si duhet regjistrimin frymë për frymë në të gjitha diasporat, kur edhe brenda Republikës së Shqipërisë apo brenda Republikës së Kosovës e aq më keq brenda IRJM-së, kjo punë ka çaluar e vazhdon të çalojë?
Këtë punë do të mund ta kryenin vetëm FJALËMIRAT SHQIPE dhe, që të dyja qeveritë, së bashku me “qeveritë” e diasporavet shqiptare, duhet pikërisht këto FJALËMIRA t’i përkrahin me çdo formë të mundshme.
2.Problemi i shoqatavet. Diasporat tona kanë me qindra shoqata anembanë botës. Ka midis tyre shumë të suksesshme, si ajo e Ontarios në Kanada, por ka me tepricë edhe grupime separatistë, ka shoqata që prodhojnë më shumë grindje se sa harmoni. Grindje mbi baza partishë politike, grindje mbi baza bindjesh e ritesh fetarë, sado që shqiptarët shquhen për tolerancë ndërfetare, përçarje krahinore, deri edhe cic-mice të natyrës personale. Do të ish utopi të mendohej që këto shoqata do të mund të “strehoheshin” nën të njëjtën ombrellë të cilësdo parti në pushtet, qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në Republikën e Kosovës, por qoftë edhe nën qeveritë e të dy këtyre shteteve të marrë së bashku.
I vetmi organizëm që do të mund t’u ofronte shoqatavet shqiptare “strehë”, do të ishte institucioni i PËRKUJDESJES SHQIPTARE me qendër në Prizren. Pra, as në Tiranë e as në Prishtin, por me përkrahjen edhe të Tiranës, edhe të Prishtinës.
3.Arsimimi në gjuhën shqipe. Qeveritë tona kanë vite me radhë, ngre e lësho, problemin e një abetareje „të përbashkët”. Puna ka arritur deri aty, sa autorët e të tilla abetareve e kanë më lehtë të mos e përmendin askund emrin Shqipëri, se sa ta sqarojnë njëherë e mirë domethënien e vërtetë të këtij emri. Shfletojeni atë abetare dhe shihni a u është folur gjëkundi vogëlushvet shqiptarë tekstualisht për “Nënën Shqipëri”!?
Ç’mund të bëjnë atëherë, qoftë Tirana, qoftë Prishtina, për një tekst të përbashkët të gjeografisë së Shqipërisë apo për një tekst të historisë së shqiptarëvet!?
Në këtë Samit të Parë të Diasporës Shqiptare, shkruar me të drejtë me shkronja të mëdha, sado që nuk e kish përfaqësimin të plotë, u ngrit me shumë vend dhe u trajtua aq sa mund të trajtohej, çështja e arsimimit shqip, si një faktor i domosdoshëm i ruajtjes së identitetit. Por, a u fol konkretisht se si do të mund të arsimohet shqip diaspora shqiptare në Turqi? Diaspora shqiptare në Turqi është më e madhja diasporë shqiptare dhe pjesëtarët e saj nuk kanë as të drejtën për t’u regjistruar në dokumentet e identifikimit si shqiptarë! Apo nuk u dashka ta marrim në shqyrtim këtë mërgatë, meqë shteti turk qenka i këtilë e i atillë?!
Vetëm PËRKUJDESJA SHQIPTARE (apo GJITHSHQIPTARE) me organin e vet vendor FJALËMIRËN SHQIPE (apo FJALËMIRËN E GJUHËS SHQIPE), përhapur gjeografikisht kudo ku jetojnë qoftë edhe 20 shqiptarë, do të mund ta vinte në rrugën e zgjidhjes këtë punë në mënyrën më optimale! Qeveria e Tiranës dhe qeveria e Prishtinës, si dhe të gjithë organet apo miniorganet e pushtetit shqiptar në cilindo shtet rretherrotull, do të kishin vetëm një detyrë patriotike: Ta përkrahnin këtë institucion mbarëshqiptar me ç’të mundnin.
4.Diaspora dhe veprimtaria e organizuar ekonomike në Kombin Shqiptar. Ky është problemi më kryesor i yni, të cilin, o duhet ta trajtojë ky Komb me përparësinë që i takon, ose nuk duhet as ta ëndërrojë progresin. E tha këtë shumë qartë edhe zoti Ekrem Bardha, por e thanë edhe pjesëmarrës të tjerë, nga ata që i njohin mirë vlerat e faktorit ekonomi. E kush prej nesh nuk e njeh rëndësinë e të qenit i pasur! Por rëndësisë së të qenit KOMB I PASUR kam përshtypjes se pakkush nga ne ia ka kushtuar vëmendjen e duhur.
Një diasporë e organizuar ashtu si duhet dhe siç e kanë disa kombe të tjerë, do të ishte në gjendje ta lulëzonte ekonominë e atdhuet të vet, jo me pikatore, por me forcën e një turbine gjigante. Shembull është Izraeli, por ne nuk mund të ndjekim pikë për pikë përvojën e tij, sepse as rrethanat nuk i kemi krejt si hebrenjtë. Prandaj edhe samitet e kësaj forme, as përafërsisht nuk mund t’u japin përgjigjen një shumice të elementëvet konkretë të ekonomisë sonë, gërshetuar, si çdo ekonomi tjetër kombëtare, edhe me politikën kombëtare.
A mund të realizojë Tirana, pra qeveria e Tiranës, me fondet që do të krijonin diasporat tona ose me fonde të përbashkët qeveri-diasporë, psh, krijimin e subjektevet ekonomikë në Hot e në Grudë?! Në Prevezë e në Paramithi?! Në Kumanovë, në Manastir, në Ohër apo në Follorinë e Konicë?! T’i krijojë ata subjekte ekonomikë, në mënyrë që në ata vende shqiptarët vendës, shqiptarët autoktonë, të mos mbeten ekonomikisht në shkallën më të papërfillshme?!
Sepse, fundja, nëse flasim për ekonominë e shqiptarëvet, në Tiranë, në Prishtinë, në Prizren, në Pejë e në Shkodër, në Sarandë e në Ferizaj, në këta vende bëjmë si bëjmë, por në vendet periferikë si do t’ia bëjmë?! Kjo është strategjia jetike e ekonomisë sonë kombëtare! Të rrosh a të mos rrosh! Ose të pranojmë të ngushtohemi, deri sa të mos mund të mbijetojmë as në Tiranë!!
Të gjithë po e shohim se si Sërbia po kërkon të drejta administrativo-territoriale në Graçanicë, një hap larg Prishtinës, dhe të gjithë po e shikojmë se si sërbët imigrantë të Graçanicës po mbështeten në radhë të parë ekonomikisht. A i kuptoi kështu problemet ky samit i parë i shqiptarëvet? Jo! As afër nuk u shkoi!
Vetëm institucioni mbarëkombëtar i PËRKUJDESJES SHQIPTARE do të mund ta vinte për vijë edhe politikën ekonomike të Kombit Shqiptar. Askush tjetër, dhe kjo për të vetmen arsye se strategjia e PËRKUJDESJES SHQIPTARE është edhe teorikisht, edhe organizativisht e detajuar, qoftë në hapësirë, qoftë edhe në shtrirjen kohore.
5.U fol në këtë Samit edhe për elektoratin. A do të mund t’ua siguronte Tirana, qeveria e Tiranës, elektoratin shqiptar, Shkupit, Preshevës, Tivarit, Podgoricës, Margëlliçit dhe Negovanit?! Për çfarë elektorati dhe për çfarë sistemi votimesh mund të bënin fjalë Ed Rama apo Erion Veliaj, përveç votuesvet që do të votonin në favor të njërës apo qoftë edhe tjetrës parti të Republikës së Shqipërisë?! Në këtë mënyrë, a nuk duket se po ia nënshtrojmë edhe diasporën shqiptare Konferencës së Ambasadorëvet të vitit 1913?! Po i ndajmë pra, copa-copa edhe diasporat, ashtu siç është edhe atdheu i tyre i ndarë copa-copa?!
Ndërkaq, me krijimin e FJALËMIRAVET TË GJUHËS SHQIPE në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, (Po them të Shqipërisë dhe jo të Republikës së Shqipërisë!) të cilat s’kanë tjetër mision, përveç emancipimit permanent të shqiptarëvet, vetëvetiu do ta kenë të zgjidhur edhe aspektin elektoral të tyre, cilitdo shteti t’i përkasin ata dhe në cilindo shtet t’i ketë hedhur dallga e jetës.
Të gjitha këto që u thanë deri këtu e vërtetojnë se Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare, i organizuar në Tiranë në nëntorin e vitit 2016, nuk i plotësoi as përafërsisht kërkesat e kohës së sotme të Kombit Shqiptar dhe të diasporavet të tija, përhapur në rrjedhë të shekujvet anekënd botës. Megjithkëtë, unë prapë po mendoj që Ed Rama, qoftë edhe nën ndikimin e zonjës Lindë, nuk bëri keq që e organizoi një tubim të tillë. Nuk mund të themi që Ed Rama nuk po do, nuk po ka dëshirë, të bëjë diçka më shumë, por ai nuk po ka mundësi objektive as ta përfaqësojë dhe as ta qeverisë krejt Kombin. Rrjedhimisht, ai nuk ka mundësi juridike të merret as me të gjitha diasporat arbo-shqiptare dhe s’na mbetet tjetër, veçse t’i jemi mirënjohës edhe për kaq sa bëri.
Dhe në fund, unë s’kam tjetër ç’të them, veç të uroj që Ed Rama ta lexojë literaturën 600-faqëshe që e trajton gjërë e gjatë institucionin e PËRKUJDESJES SHQIPTARE.
Gjokë Dabaj, Durrës – 21 nëntor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura