GJOKË DABAJ: SHABAN BRAHA, SI E KAM NJOHUR UNË

Durrës, 11. 12. 2013 – Tash që Shabani s’është më, duke i shprehur ngushëllime krejt familjes së tij, po e ndiej të nevojshme t’i hedh në letër disa kujtime, si e kam njohur unë atë njeri, i cili s’pushoi kurrë së përpjekuri e luftuari për Atdheun tonë të copëtuar. Ka shumë të tjerë që e njohin shumë më mirë se unë, por unë po shkruaj aq sa di. Në vitin 1961 shkova në Prizren dhe rasti e solli që të ulesha në të njëjtën bankë me Salajdin Brahën, njërin prej vëllezërvet të Shabanit. Rrinim zakonisht në rreshtin e fundit, bashkë me Ukë Kabashin, se ishim më të rriturit e klasës. Ukë Kabashi, pasi kish bërë 2 vjet burg, e pat ndërruar emrin në Ukë Ymeri, për të mos rënë fort sy fort.
Me Salajdinin u bëmë shokë shumë shpejt dhe bisedat tona, kuptohet, silleshin rreth hallevet tanë kombëtarë. Ai më tregonte, midis tjerash, edhe për Shabanin, që ish në Tiranë. Kish qenë normalist i Gjakovës, sekretar i Komitetit të Rinisë për shkollën, por një natë, pa pritur, sapo ish marrë vesh që “Enver Hoxha u prish me Titon”, kish kaluar kufirin. Deri para 8 vjetësh, dmth deri në vitin 1953, dilte ilegalisht në Kosovë, për të prurë udhëzime dhe për të organizuar rezistencën e luftën kundë pushtuesvet jugosllavë.

 Një herë e patën rrethuar diku, në rrethinë të Prizrenit, bashkë me grupin, në të cilin bënte pjesë. Qe bërë një përpjekje e ashpër me armë. Njëri nga të rrethuarit, si duket, qe vrarë dhe e patën prurë dhe lënë për ta parë populli në Sheshin e Shatërvanit. Kishin përhapur fjalë se ishte trupi i Shaban Brahës. Mirëpo, nuk ia zbulonin fytyrën. “Në këtë mënyrë”, thoshte Salajdini, “ne e morëm me mend që Shabani mund të mos ishte vrarë, por UDB-a e bënte këtë punë për të justifikuar internimin tonë.”
Pas kësaj ngjarjeje, familjen Braha e patën internuar në Vojvodinë dhe atje kishin vuajtur shumë për gati 3 vjet. “Nuk kishim as bukë për të ngrënë,” thoshte Salajdini.
Atë dimër, mbasi qemë kthyer nga pushimet, Salajdini më ftoi për një vizitë te shtëpia e tij. Atje njoha Mixhën Jakup, nënën e Salajdinit dhe Qemalin, vëllanë më të madh. Hajrien e kishim në shkollë, një klasë më lart dhe ajo, më vonë, është martuar me Ukë Kabashin (Ymerin). Merimani, vëllai më i vogël, nuk më kujtohet a ish aty, por më vonë, kur dilte nga mësimi, e takonim dhe unë e pyesja si po shkonin punët në gjimnaz. Merimanit i shkëlqenin sytë dhe thoshte: “Shumë mirë po shkojnë.” Më pritën, siç pritet ndër ne një shok i djalit, që do të thotë, me biseda shumë të përzemërta dhe pa kurrfarë rezervimi.
Pasi kemi krijuar, atë pranverë, grupin ilegal “Liria”, me vendim të grupit, Salajdinin dhe Ukën nuk i kemi vënë në dijeni, sepse e dinim që survejoheshin dhe se, duke i bërë pjesëtarë, UDB-a do të mund të na zbulonte më lehtë. Megjithatë, shoqërinë nuk do ta shkëpusnim, jo vetëm me ta, por me shumë të tjerë, që e dinim se ishin shpirtërisht të së njëjtës kauzë me ne.
Në korrik të 1962-shit, kur edhe unë kam kaluar kufirin, vetëkuptohet që kam deponuar për shoqërinë time me Salajdinin dhe për çdo gjë që dija në lidhje me familjen Braha. Por Shabani nuk është takuar me mua. Ka ardhur vetëm njëherë Sali Shatri, shoku i ngushtë i Shabanit, është ndalur te dera e dhomës ku më kishin vendosur gjatë hetimevet, ka bërë pak shaka, siç e kishte zakon dhe, midis tjerash, më ka thënë: “Ne mund ta dimë që dikush e pi duhanin edhe pa e pa me cigare në dorë. E njohim nga gishtat që i ka me nikotinë.” Unë i jam përgjigjur: “A nuk ekziston mundësia që dikush t’ia ketë lyer me jod ata gishta?”
Në vitin 1964 është deportuar në Republikën Popullore të Shqipërisë me gjithë familje Rifat Kuçi, profesor gjuhe në Normalen e Prizrenit. UDB-a nuk mund ta toleronte veprimtarinë e tij atdhetare dhe e ka gjetur mënyrën për ta dëbuar nga Kosova. Sapo ka marrë vesh që unë ndodhesha në Tepelenë, Rifati ka ardhur nga Korça, bashkë me të shoqen, Zymryten, për të më parë dhe për të më folur mbi ngjarjet që kishin ndodhur në Prizren pasi unë isha larguar. Midis tjerash, më tha: “Kam folur me Shaban Brahën. I kam thënë: ‘Pse e keni çuar Gjokën në Tepelenë?’ Shabani ka shprehur dyshimin: ‘Gjoka është i dyshimtë. Si mundi të arrijë ai, që nga Tivari, nga anë e anës, dhe të hyjë në familjen time sikur të ish djali i shtëpisë?!’” Ma tha këtë Rifati dhe unë i thashë: “Ka të drejtë Shabani. Shabani ka të drejtë të dyshojë.” “Nuk ka të drejtë!”, më kundërshtoi Rifati dhe shtoi: “Unë do të shkoj përsëri tek ai dhe do t’i them troç: Në dyshoftë për mua, le të dyshojë edhe për ty.”
Në vitin 1967, kur kam shkuar për studime në Tiranë (dhe për këtë kanë meritë edhe Namik Luci e Rifat Kuçi), kemi shkuar për vizitë te Shabani, bashkë me Shefki Kuçin, nipin e Rifatit, që gjithashtu ishte student në Tiranë.
Nuk e di a i kish hequr dyshimet, sepse jeta na ka bërë ne shqiptarët, në të 2 anët e kufirit, që të mos i besojmë lehtë as këmishës së vet. Të dyja na kanë dëmtuar, por besimi dhe naiviteti na kanë dëmtuar më shumë se mosbesimi dhe dyshimet.
Shabani kish punë me të gjithë ne që kishim kaluar kufirin. Ish oficer në Ministrinë e Punëvet të Brendshme dhe kish atje detyra të rëndësishme. Njerëzit shkonin dhe e kërkonin ditë për ditë te hyrja e ministrisë. Ai u kryente punë hallexhinjvet, por, në rastet kur nuk mund t’ua plotësonte kërkesat, të gjitha përgjegjësitë i merrte mbi vete dhe kish prirjen ta kundërshtonte kërkuesin me argumente. Kjo pat bërë që një pjesë e jona të ishin të pakënaqur me të, sikur ai të ishte shkaktari, në një kohë kur nuk ish fort lehtë të koordinoheshin punët me organet e PPSH-s në terren dhe me ekzekutivin.
Në ata vite Shabani bëri kërkesën për të shkuar në Akademinë Ushtarake. Ish i moshuar tashmë, por donte të specializohej në fushën e ushtrisë. Skënder Backa, që ishte drejtor i drejtorisë ku punonte Shabani, na tha njëherë Namik Lucit dhe mua: “Shabani do që të bëhet oficer i lartë, strateg i përgatitur kur të vijë dita për të çliruar Kosovën.” E mbaroi Akademinë dhe u kthye prapë në Ministrinë e Punëvet të Brendshme, këtë herë në postin që e kishin pasë më parë Skënderi dhe, një farë kohe, Haki Keta.
Kohët erdhën edhe më të vështira, sepse, UDB-a dhe zbulimet e tjerë të huaj, e kishin synim kryesor shpartallimin nga brenda të organevet të Sigurimit Shqiptar.
Njëherë, tek po hanim një drekë bashkë me Ymer Mekulin në një restorant te Plazhi i Durrësit, Shabani, në bisedë e sipër, tha: “Momenti më i vështirë i jetës sime ka qenë në fund të 1953-shit, kur jam detyruar ta var automatikun në gozhdë. Atëherë e kuptova që dita e çlirimit tonë prej sërbëvet do të jetë shumë e largët.” Nuk përfaqësonin asgjë, as për Shabanin, as për Ymer Mekulin, rrethimet apo mundësia për t’u vrarë në ata rrethime, në krahasim me pamundësinë për të vepruar në Kosovë. I kishim duart të lidhura, sepse nuk na përkrahte asnjë shtet në botë.

Shabani jetonte në Tiranë, por mendjen dhe shpirtin s’i kish në Tiranë. Mendjen dhe shpirtin i kish atje, përtej kufijvet. Ish në dijeni, si edhe Ymeri apo Sali Shatri, për çdo gjë që ndodhte në Prishtinë, në Gjakovë, në Pejë, në Tetovë. Takoheshim rrallë, por, kur takoheshim, na informonin për të gjitha, me dhimbje për sakrificat, por me entuziazëm për rininë që po vepronte heroikisht kudo në viset tanë përtej kufijvet. Një ditë po ecte në sheshin para ministrisë me një burrë të moshuar nga Llapi. Ma prezantoi llapjanin dhe më tha: “Këta janë shpirti dhe zemra e Kombit, jo unë e ti që vijmë nga periferitë.” E kuptova se e kish për mua, se edhe vetë s’ish nga periferia, por nga qendra, dhe i thashë: “Ne, që ti po na quan periferi, jemi gjoksi, parzmat e Kombit. Kur nuk qëndruan dot më Tivari dhe Shestani, u bë Shkodra periferi. U përgjakën dhe u pushtuan Toplica dhe Kosanica, mbeti Podujeva periferi.” Atëherë Shabani iu kthye burrit që kishte pranë: “Gjoka asht katolik nga malësitë e Tivarit. Ne duhet t’ua dimë për nder këtyne, se na e kanë ruejt Kombin ndër shekuj. Na i kanë ruejt të pastër gjuhën dhe zakonet.”
Njëherë tjetër, s’më kujtohet a më herët a më vonë, më pat ardhur një letër nga një kushëri. Letra ish e thjeshtë fare. Kushëriri im s’kish veçse 4 klasë shkollë në gjuhën sllave. Por për mua, ajo letër ishte më tepër se skandaloze. Qe shkruar me shkronja cirilike, si sërbishtja e si rusishtja, por fjalët i kish shqip. Midis tjerash, kushëriri më njoftonte që Gurrza, fshati ku ishim rritur, tashmë po shkretohej fare. E futa atë letër në një zarf dhe, të shoqëruar me një sqarim të mbushur me indinjatë dhe me revoltë ndaj padrejtësive që po na bëheshin prej sllavëvet, ia postova Enver Hoxhës. Krahina, ku është krijuar Meshari, libri i parë në gjuhën tonë dhe me shkronjat tona, sot, ja se si po detyrohej të shkruante!
Pas disa kohësh, ndoshta pas disa muajsh, më takon Shabani. Nuk më tha që letrën e ka marrë dhe lexuar Enveri, por më përmendi, si rastësisht, një letër që Reshit Çollaku, dikur, në kohën e Luftës, ia paskësh çuar “Tarasit” (Enverit) një letër dhe si Enveri e paskësh vlerësuar shumë atë letër.
Shkova, në një rast, bashkë me time shoqe, Fotininë, për vizitë te Shabani. Aty ra biseda për Idriz Zeqirajn, që unë e kisha shok dhe që tash i kishin ndodhur disa telashe. E mbrojtëm Idrizin të 2, edhe unë, edhe Fotinia. Fotinia i tha: “Idrizi është djalë shumë i mirë. Kur na është helmuar Dardani nga gjella e prishur në një hotel, Idrizi më ka ardhur me vrap te spitali për ta parë fëmijën dhe për të më ndihmuar me çdo gjë që mund të kisha nevojë.” Por Shabani na kundërshtoi: “Ju thoni se e keni shok,” na tha, “por nuk e njihni mirë Idrizin.” Pastaj shtoi: “Edhe mua më vjen shumë keq për të. Saliu e ka nga krahina e vet, por s’kemi ç’i bajmë. E kanë çue në Përmet. Atje le të rrijë urtë dhe s’ka me i thanë gja askush.”
Pas vitit 1990 jemi takuar disa herë. Ish koha kur Republika e Shqipërisë po tronditej në themele nga kaosi gjithpërfshirës. Unë fola ashpër kundër Ramiz Alisë. Ai i kish fajet për të gjitha, sepse ish në krye të shtetit. Shabani nuk e pranoi mendimin tim. Ish anëtar i asaj partie. Unë isha nënkryetar i një partie tjetër, e cila shumë shpejt do të më zhgënjente më keq se kjo e Ramizit.
Nuk e mbaj mend mirë, a para 1990-s, a mbas 1990-s, patën ardhur te Shabani, Salajdini dhe Uka. Më çuan fjalë. Shkova. U shmallëm. Ndenjëm gjatë. Folëm shumë për situatën në Kosovë. Me Salajdinin nuk jam takuar më, por Fadil Cukaj më ka thënë që i është bërë në Prizren një varrim madhështor. Sigurisht që e kish merituar.
Më 1992 Shabani e pat botuar librin “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa e shqiptarëvet” dhe ma pat dërguar dorazi në Klos të Matit, ku unë jetoja me familje. Është një libër me vlera të mëdha dokumentare, sepse Shabani e ka pasur mundësinë për t’i shfrytëzuar edhe arkivat sekretë.
Shabanin e kam takuar edhe njëherë në Kukës, në 2005-n a në 2006-n. U gëzua shumë që u pamë. Ma përmendi prapë që ne katolikët paskemi qenë ruajtësit më të mirë të gjuhës shqipe. Unë i tregova që kam botuar librin “Shestani”. Ai më uroi dhe më tha: “Shih mos ke ndonjë të njoftun atje në Amerikë. Libri im “Genocidi…” duhet me u përkthye e me u botue të paktën në anglisht, sepse bota as që e di ç’kemi hjekë ne prej sërbit.” “Nuk e di apo nuk dëshiron ta dijë?!” I thashë unë. “Asht edhe ashtu edhe kështu,” më tha, “por na shqiptarët duhet me ba punën tonë.” E thirri një të njohurin e vet shofer, që shkonte për Tiranë dhe e porositi të më merrte edhe mua dhe të më kish kujdes gjatë rrugës.
Qysh atëherë s’e pashë më Shabanin. Jemi matur disa herë, unë dhe ime shoqe t’i bëjmë një vizitë këtu në Tiranë, por s’e gjetëm dot kohën asnjëherë. Kur lexuam te “pashtriku.org” lajmin, na erdhi shumë keq.
Familja Braha, e Bicajvet të Kukësit, njëkohësisht edhe e Prizrenit, ka bërë vend në historinë tonë të shekullit XX: Secili nga vëllezërit dhe motrat, Merimani dëshmor, i cili ka edhe një këngë të bukur, Lija, e cila u vra në kohën e luftës mu në prag të derës, Qemali që mbajti mbi shpinë hallet e familjes në vitet më të vështirë, Salajdini, i cili dha kontribut të dallueshëm në luftën e fundit, por që vdiq para kohe, Hajria, që ish një mësuese nga më të mirat, Merimani tjetër, edhe ai me kontribut të veçantë, dhe Shabani mes tyre, i cili qysh djalë i ri, hoqi dorë nga të gjithë privilegjet që mund t’i ofroheshin dhe iu kushtua luftës shumë të gjatë e të vështirë për çlirimin e visevet tanë të paçliruar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura