GJOKË DABAJ: SI ËSHTË ARRITUR QË SËRBËT TË FITOJNË TERREN ME TË PAVËRTETAT E NE TË MOS ECIM DOT PËPARA AS ME NJË MAL TË VËRTETASH?!

 Durrës, 03. 03. 2016: Një ndërtesë me tulla e llaç, me një çati sipër dhe, për çdo tufë banorësh, një predikues NË GJUHËN E TYRE! Ky është sekreti! Me sakrifica. Me përkushtim. Me krijim dhe kultivim qoftë edhe iluzionesh brenda vetëvetes. Me kultivim të sedrës nacionale, duke përdorur Kishën Pravosllave sërbe si një institucion të pazëvendësueshëm kohezioni, qoftë edhe imponues. Me ruajtjen fanatike, deri në bestytni, të gjuhës sërbe, sado që ajo mund të jetë deri në 80% një lëndë gjuhësore e huazuar. Me propagandë intensive brenda kombit të vet, duke filluar që nga familja, dhe me propagandë gjithashtu intensive e vetëlavdëruese edhe jashtë kombit të vet. Një vetëlavdërim i papërmbajtshëm, deri në paraqitjen e absurdevet si realitete të pakontestueshëm dhe, me dhunë e genocid, sa herë t’u paraqitej rasti. Kjo është, fare shkurt, rruga historike e të fituarit terren të një grushti popullate me emrin SERVUS, që u vendos në fillim të shekullit VII në jug të Savës e Danubit, në formë enklavash fare të papërfillshme.
Kur e kanë krijuar, më 1219-n, Kishën Pravosllave Sërbe Autoqefale, sërbët nuk kanë pasur as edhe 1 shenjtor. Ne kishim gati 12 shekuj të krishterë dhe s’kishim kishë autoqefale, dmth s’kishim kishë NË GJUHËN TONË dhe kokë më vete, ata kishin pak më shumë se 2 shekuj të krishterë, gjithnjë në gjuhën e vet dhe e panë të nevojshme që ta kenë kishën jo vetëm në gjuhë të tyre, por edhe kokë më vete, autoqefale. E kishin, pra, për hatër të vet. S’e kishin aspak për hatër të Zotit.
Mund ta lexojmë librin, me shumë vlera, të Mirosllav Qosoviqit “Shenjtorët e rremë të Kishës Sërbe” (“Bizarni sveci Srpske crkve”), botuar në Cetinjë më 2014-n. Nuk i kishin shenjtorët, por shenjtorët u duheshin, sepse, përndryshe, nuk mund të kompaktësoheshin si komb. Shën Sava Nemanjiqi, një largpamës me merita të pazëvendësueshme në historinë e kombit sërb, e krijoi “shenjtin” e parë sërb “Shën” Simeon (Stefan) Nemanjën. E krijoi në mënyrën më antifetare të mundshme, por që u përqafua me gjithë shpirt prej turmës sërbe.
Stefan Nemanja kish qenë gjithë jetën një kriminel nga më monstruozët. Kish vrarë e djegur në zjarre trupa të gjallë bogumilësh, kish pushtuar e shkatërruar qytetet e vendbanimet tanë në krejt Dardaninë Veriore, kish grabitur e përvetësuar pasuri të pafundme në të quajturat Toka të Konstantinit, ish veshur nga koka gjer në fund të këmbëvet me flori, pasi kish bërë të vetat të gjitha minierat tona në *Mal të Ri (Novobërdë) dhe në *Malin e Mihnavet, që më vonë do të quhej Kopaonik. Por, e gjithë kjo paraqitej në predikimet e priftërinjvet si një vepër shenjtërore. Lartësohej kryqi nëpër procesione në emër të tij dhe fytyra e tij pikturohej në muret e manastirevet tanë, dmth manastirevet të Dardanisë, me aureolën e shenjtorit rreth kokës. E njëjta mënyrë “shenjtërimi” u praktikua edhe me bijtë e nipërit e Stefan Nemanjës, që të gjithë kriminelë e vrasës, deri edhe të etërvet të vet.
Të tillë u zunë dhe u mbyllën për sërbët shekulli XIII dhe gjysma e parë e shekullit XIV dhe pikërisht mbi një të tillë “shenjtëri” të kthyer përmbys, u predikua dhe vazhdon të predikohet nëpër botë e quajtura “E DREJTË HISTORIKE” e sërbëvet në atë që ata i thonë “Kosovë e Metohi”. Por jo vetëm atje. Edhe në Shkodër, edhe në Librazhd, edhe në Korçë, edhe në Përmet, edhe në Vlorë, sërbët e sotëm shikojnë “TË DREJTËN E TYRE HISTORIKE”. Lexo për këtë librin “Popullata me prejardhje sllave në Shqipëri” (“Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji”, Titograd 1991).
Ata përpiqen. Ata luftojnë në çdo hap për t’i bindur të tjerët se kanë të drejtë. Atyre nuk u intereson të mos gënjejnë. Atyre u intereson të shtiren të sinqertë dhe t’ua mbushin mendjen të tjerëvet se vërtet janë të tillë.
P a s o j a t.
Kalova nëpër duar një ditë një Larus francez (Nouveau Larusse elementaire, Paris, 1967). E dini se u tmerriva, u lemerisa!? U mbusha me vrer dhe s’po dija nga kush po më shkaktohet ai vrer dhe kundër kujt duhej ta shkarkoja atë vrer!? Për Republikën e Shqipërisë (te zëri Albanie), në atë Larus, ishin shkruar JO PLOT 9 RRESHTA. Për Jugosllavinë (Yougoslavie), 69 rreshta, pastaj për Sërbinë, ndonëse pjesë e Jugosllavisë, edhe 21 rreshta të tjerë dhe, duke përmbledhur krejt ç’thuhej për territoret e atij shteti, bëheshin 124 rreshta, që do të thotë 14 herë më shumë se për Republikën e Shqipërisë.
Epo, thashë, meqë Jugosllavia ishte një shtet i madh, po shoh njëherë ç’thonë francezët për Greqinë. Për Greqinë (Grece) ishin shkruar 123 rreshta. Pra, edhe këtu 14 herë më shumë se për Republikën e Shqipërisë.

Ishte një DISKRIMINIM tepër revoltues! Ishte një SHOVINIZËM nga më të ulëtit! Në ata 9 rreshta, ku flitej pë Republikën e Shqipërisë, s’ish thënë pothuaj asgjë. Madje ata 9 rreshta ishin qëndisur, si pa të keq, me një fill të mykur poshtërimi: “Vend i vogël në jug të Jugosllavisë”! As Gjergj Kastrioti s’përmendej, as Aleksandër Moisiu, as ilirët si paraardhës të shqiptarëvet, as Pirroja, as Diokleciani, as Konstantini i Madh, as Justiniani ligjehartuesi, as Tefta Tashko Koço, as Enver Hoxha, në një kohë kur komunisti Tito përmendej si kryetar shteti i Jugosllavisë. Madje as emri i ndonjë lumi që rrjedh nëpër vendin tonë nuk përmendej. Thashë me vete, mos hartuesit e asaj enciklopedie ishin injorantë në drejtimin të vendit tone. Megjithatë, nuk mund të mos i bëja disa pyetje: A thua vërtet Jugosllavia dhe Greqia i vlejnë Evropës dhe botës 28 herë më shumë se Shqipëria dhe kombi shqiptar?! A u kanë dhënë Evropës dhe botës këta 2 shtete 28 herë më shumë vlera se Shqipëria dhe kombi shqiptar?! Autorët e atij Larusi nuk i kishin shënuar Shqipërisë as edhe 1 meritë, në një kohë kur Jugosllavisë dhe Greqisë u numëroheshin nga një varg i gjatë kontributesh historikë dhe kulturorë. Në fund, m’u gufua vreri deri në grykë me pyetjen: A MOS E KEMI VETË NE FAJIN QË DISKRIMINOHEMI KAQ KEQ PREJ ASAJ EVROPE?!
Mund të thotë dikush se ka arsye fetare. Nuk është ashtu, sepse po në atë Larus flitet gjërësisht edhe për Turqinë, për vendet arabë dhe për të gjithë shtetet e tjerë me popullsi myslimane. Që sllavët dhe grekët na trumbetojnë ne si komb mysliman, nuk është shkak, por është alibi. Po të mos kish midis nesh myslimanë, ata do të kërkonin me këmbëngulje dhe do të gjenin një tjetër alibi.
Sërbët, para 2 vjetësh, e festuan me të madhe 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos, shpallur prej Konstantinit të Madh në vitin 313. Sërbët s’kanë asnjë lidhje gjinie me Konstantinin e Madh. Konstantini i Madh është drejtpërsëdrejti njëri prej paraardhësvet tanë dhe, o na takonte ne ta përkujtojmë atë akt të tijin, me anën e të cilit hapej një kapitull i ri i historisë gjithnjerëzore, o nuk i takonte askujt.
Sërbët kanë bërë e bëjnë çmos për Toplicën, Kurshumlinë, Leskocin, Vranjën, Pazarin e Ri, që të harrohet njëherë e përgjithmonë se kanë qenë dikur të populluara me shqiptarë. Sërbët bëjnë çmos që të harrohet NËNSHTRESA e manastirevet tanë në Kosovë dhe të mbahet mend vetëm MBISHTRESA e tyre.
Sërbët, gjithë jetën, janë munduar ta përjetësojnë veten kudo ku janë ndalur, qoftë edhe për 5 vjet me vetëm 5 familje ose me vetëm një prift, edhe ai më shumë i sërbizuar, se sa sërb i mirëfilltë. Ata nuk i ka zënë gjumi pa ia ndërruar emrin qoftë edhe një përroi, ndërsa ne duket se s’na është bërë vonë në ç’gjuhë po përdoret një emër, as i përroit, as i malit, as i fshatit apo krahinës. Ne jemi xhymerë të mëdhenj! I japim gjithkujt çdo gjë që kemi! Shtëpia jonë nuk është e jona, por „E MIKUT DHE E SHTEGTARIT“!
N ë k ë r k i m t ë r r u g ë d a l j e s.
Jam munduar gjithë jetën ta gjej shkakun.
Sërbët nuk janë popull as më i zgjuar as më i virtytshëm se ne. Sërbët nuk kanë talent më shumë se ne, edhe ne, edhe ata, jemi popuj si të gjithë popujt e tjerë. Në popullin sërb madje ka aq shumë mangësi, qoftë në formimin e tyre kulturor, qoftë në formimin moral të tyre, megjithatë, mijëra individë, duke mos qenë sërbë, shndërrohen vazhdimisht në “sërbë”. Sidomos vllehët edhe shqiptarët. Si ta shpjegojmë këtë?! Në krahun tjetër, mijëra shqiptarë ortodoksë shndërrohen në “grekë”.
Ata kanë me dhjetëra shenjtorë, shumicën të rremë, madje negativë, në kundërshtim me çdo lloj shenjtërie, të cilëvet u falen dhe rreth të cilëvet mblidhen ndër faltoret e tyre, dhe kjo ndodh vetëm e vetëm sepse atje PSALLET NË GJUHËT E TYRE: në gjuhët sërbe dhe greke. Madje kanë edhe shenjtorë arbër, që i kanë përvetësuar. Psh një shenjtëreshë, bijë e Arianitëvet, në Frushka Gora të Vojvodinës, konsiderohet shenjtëreshë “sërbe” dhe kjo ndodh thjeshtë sepse lutjet dhe adhurimi që i blatohen asaj, shprehen NË GJUHËN SËRBE.
Ne do të kishim mundësi t’u faleshim dhjetëra shenjtorëve tanë, realë, jo të rremë, dhe pa qenë nevoja t’i mistifikojmë, por nuk u falemi. Pse nuk u falemi ne shenjtorëvet tanë jo të rremë? Thjeshtë fare: Sepse komunitetet tanë, banorët tanë, shqiptarët kudo që ndodhen, s’kanë nga një vend ku të mblidhen dhe s’kanë një ritual kombëtarisht të formuluar, i cili të celebrohej NË GJUHËN TONË, prej predikuesish të specializuar për këtë punë. Nëse çdo 100 familje shqiptare do ta kishin një ambient ku të mblidheshin, e pakta njëherë në javë, qoftë edhe një kasolle, ato familje nuk do të kishin arsye as për t’u sërbizuar, as për t’u greqizuar dhe as për t’u turqizuar, italianizuar, anglo-amerikanizuar etj.etj.
Janë shkollat, të hapura shumë vonë, me më shumë se 1000 vjet vonesë, dhe jo në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, por ato janë vetëm për fëmijë, nuk janë për të rritur. Pra, edhe sikur të funksiononin në çdo cep të globit ku banojnë shqiptarë, ato nuk do të mjaftonin për ta mbajtur gjallë shpirtin e kombit tonë.
I kemi tani televizionet dhe të quajturit rrjete socialë. Ata janë shumë të vlefshëm. Ata po bëjnë një punë të madhe për t’i ruajtur edhe cilësitë tona kombëtare, siç po i ruajnë të gjithë kombet e tjerë, por përsëri nuk janë të mjaftueshëm. Që, as mediat elektronike dhe as librat e gazetat nuk janë të mjaftueshme, do ta dëshmonte një statistikë fare e thjeshtë: Sa mijëra fëmijë lindin në botë prej prindërish shqiptarë dhe nuk rriten e nuk vdesin shqiptarë?
Kemi me dhjetëra shoqata shqiptarësh në të gjithë botën. Megjithatë, në po ata ambiente ku veprojnë ato shoqata, janë me mijëra shqiptarë që “FIROJNË”, që ZHBËHEN dhe TJETËRSOHEN ditë për ditë. A ndodh kështu, dua të them, në këtë masë, me sërbët, me hebrenjtë dhe me grekët? Pse po ndodh kjo dukuri e tjetërsimit veçanërisht me ne shqiptarët?! Sepse shqiptarët nuk e kanë një INSTITUCION UNIFIKIMI. Nuk kanë një teori kombëtare të formuluar qartë (Aq sa as emrin e atdheut të vet, emrin Shqipëri, shqiptarët nuk po dinë ta përdorin!) Nuk kanë një qendër udhëheqëse kombëtare dhe nuk kanë predikatore kombëtare, të ndërtuara me gurë, tulla e llaç, që shqiptarët të kenë ku të mblidhen të paktën njëherë në javë.
Ky është shkaku tragjik i të shprishurit të gjakut tonë!
A bëhet kiameti se po pakësohemi e po shkojmë drejt zhdukjes ne shqiptarët? Jo! Popujt rrojnë e do të vazhdojnë të rrojnë edhe pa ne. Secili popull e ka gjetur modus vivendin e vet. Por mua, si pjesëtar i këtij kombi, më vjen për të plasur: Pse edhe ne të mos e gjejmë mënyrën e të mbijetuarit? Pse të na shkojnë për dhjamë qeni gjithë ai kontribut që i kemi dhënë njerëzimit dhe pse një Larus i Parisit të na përmendë ne vetëm në 9 rreshta, ndërsa për 2 kombet fqinjë me ne, të shkruajë 28-fish më shumë se për ne?! / Gjokë Dabaj /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura