GJOKË DABAJ: TA NGREJMË NË KËMBË INSTITUCIONIN ‘PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE’

Tiranë, 1 tetor 2019:

 

 


FJALA NË MBLEDHJEN E 20 KORRIKUT, ORGANIZUAR NGA FONDACIONI ‘ALBANA’
Të nderuar pjesëmarrës!
Të nderuar organizues!
Uroj që ky tubim të na shkojë mbarë dhe uroj që, në fund të këtij kuvendimi të dalim jo vetëm me konkluzionet e duhur, por edhe me vendimet përkatës!

Flas këtu si përfaqësues i grupit nismëtar të institucionit kulturor PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE. Platformën e këtij institucioni dhe arsyet pse shqiptarët duhet ta krijojnë më në fund një të këtillë institucion, e kemi publikuar qysh në vitin 2011 në librin „Strategjia e shqiptarëvet“ (tregohet libri). Në vitet në vazhdim kemi publikuar edhe rreth 300 faqe përpunim dhe konkretizim të kësaj platforme. E gjithë kjo lëndë gjendet, veç tjerash, edhe te portali ‚pashtriku. org‘, të cilin e editon në Shtutgart luftëtari për çlirimin e Kosovës dhe sot njëri ndër kontribuesit më të shquar për çështjen tonë kombëtare, miku im Sheradin Berisha.
Programi, tashmë i detajuar, i PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE është fare i thjeshtë për t’u kuptuar, por, me sa duket, tepër i vështirë për t’u vënë në jetë. Tepër i vështirë, jo sepse ai nuk mund të vihet në jetë, por sepse ne shqiptarët kemi secili nga një program më vete dhe mendojmë që‚ ‘vetëm programi im’ është ai që mund ta shpëtojë Kombin Shqiptar.
Edhe unë ashtu mendoj, prandaj, ju lutem, gjykojeni dhe vendosni: Ta pranoni ose ta hidhni poshtë! Ta hidhni poshtë, në mënyrë që të mund të përqafojmë dhe t’i hyjmë punës për të zbatuar një program tjetër që doemos duhet të jetë më i mirë se ky i yni.

PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, në dokumentet e gjykatës që e ka miratuar, emërtohet si shoqatë. Por ajo nuk është shoqatë në kuptimin e saj të mirëfilltë. Ajo është një institucion kulturor shqiptar, me afat për të mos u shuar kurrë më deri sa të ekzistojnë kombet mbi dhe. Ajo duhet të krijohet tani dhe duhet t’i shërbejë këtij Kombi me qindra vjet.
Ju thashë se skema organizative e saj është fare e thjeshtë për t’u kuptuar, por, po të duam ne, ajo është fare e thjeshtë edhe për t’u zbatuar.
Organ drejtuaes i PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE duhet të jetë KRYESIA e përbërë prej 9 anëtarësh. Organ rregullaprurës dhe kontrollues duhet të jetë KËSHILLI I LARTË me 171 anëtarë, i cili duhet të mblidhet e pakta njëherë në vit. Selia e Kryesisë dhe vendtubimi i Këshillit të Lartë është përcaktuar të jetë në Prizren. Organ zbatues i krejt programit, i cili duhet të ketë formën e një libri të shenjtë, duhet të jenë FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE, të cilat duhet të krijohen dhe të veprojnë në të gjithë vendbanimet brenda Atdheut, prej Leskovcit deri në Sajadhë e prej Kumanovet deri në Himarë, si dhe jashtë Atdheut kudo ku ka shqiptarë në të gjithë botën (tregohet skema).
Problemi i parë e më i rëndësishmi është financimi. Megjithkëtë, nëse duam ne, ai nuk është i pamundshëm. Në platformën tonë, mënyra se si do të bëhet financimi, është e detajuar deri në hollësi. Shembull se si mund të bëhet ky financim janë: sinagogat, kishat dhe xhamitë. Ne nuk kemi shpikur këtu asgjë të re.
Thjeshtë kemi vënë në themel maksimën tonë kombëtare, tashmë 138-vjeçare, FEJA E SHQYPTARIT ASHT SHQYPTARIJA dhe i kemi kompiluar, në shërbim të kësaj FEJE të shqiptarëvet, mënyrat se si kanë vepruar themeluesit e fevet të tjera, midis tjerash edhe në aspektin financiar.
Natyrisht, duke vënë në jetë këtë formulë, formulën FEJA E SHQYPTARIT ASHT SHQYPTARIJA, që është tejet përparimtare edhe për sot e le më për shekullin 19, ne nuk cënojmë religjionin personal të asnjërit prej pjesëtarëvet të këtij institucioni. Secili shqiptar është i lirë të ushtrojë besimin që i pëlqen, ndërsa këtu do të mblidhemi rreth njëri-tjetrit vetëm për të ruajtur e kultivuar gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare. I njëjti parim, siç u sqarua për religjionet, do të ndiqet në institucionin tonë edhe në lidhje me përkatësitë partiake.
Problemi i dytë është ai i grumbullimit praktik të shqiptarëvet në sendërtimin e përditsdhëm të këtij programi dhe këtë detyrë do ta ketë Fjalëmira e Gjuhës Shqipe që s’është tjetër veçse një ndërtesë ku duhet të mblidhen njerëzit.
Fjalëmira e Gjuhës Shqipe është parashikuar të ketë tri pjesë të domosdoshme. Dmth, 3 ambiente, secili me nga një funksion të caktuar.
Njërin ambient do ta frekuentojnë ata pjesëtarë të komunitetit që lexojnë libra shqip dhe që shkruajnë shqip.
Në ambientin e dytë, zakonisht atë të mesit, do të mblidhet komuniteti të paktën njëherë në javë dhe do të dëgjojë fjalën e predikuesit, që duhet të ketë doemos arsim të lartë në fushën e filologjisë dhe historisë dhe që do të jetë udhëheqësi i të gjitha punëvet në një Fjalëmirë të caktuar.
E ndara e tretë e Fjalëmirës do të shërbejë për ruajtjen e dokumentacionit të komunitetit dhe aty, mbas 100 vjetësh apo mbas 300 vjetësh pasardhësit do të mund të gjejnë të dhëna mbi jetën e paraardhësvet të vet.
Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të bëhemi një komb gjithanësisht i kulturuar.
Secili prej nesh duhet ta ketë të qartë se, pa Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, asnjë veprimtari e jona, sado patriotike të jetë, nuk mund t’i sigurojë Kombit Shqiptar jetëgjatësinë dhe as mund t’ia ndalojë këtij Kombi tkurrjen dhe rrudhjen fatale, e cila i ka fillimet e vet e pakta qysh prej shekullit IV e këndej.
Të gjitha janë të mira: edhe televizioni, edhe fejzbuku, edhe të gjithë llojet e komunikimit elektronik, edhe koncertet, edhe simpoziumet, edhe shoqatat, edhe gazetat, edhe kongreset, por punën permanente të Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe askush dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë. Vetëkuptohet që krejt Kombi nuk mund të pajiset, as brenda vitit, as brenda 10 vjetësh dhe as brenda shekullit, me numrin e duhur të Fjalëmiravet. Ndërtimi dhe vënia në punë e Fjalëmiravet fillon njëherë dhe nuk mbaron asnjëherë. Ndërtimi i Fjalëmiravet kudo ku ka një komunitet shqiptarësh duhet të mbetet detyrë brez pas brezit dhe vetëm atëherë ne nuk do të na tjetërsohen e shuhen me qindra fshatra e qytete në Veri e qindra të tjerë fshatra e qytete në Jug të Shqipërisë. Vetëm atëherë disa milionë shqiptarë me banim në Turqi nuk do të vazhdojnë të na turqizohen. Vetëm atëherë disa qindra mijë arvanitë e shqiptarë në Greqi, jo në pjesët e Shqipërisë që i ka Greqia, por në Greqi, poshtë Gjirit të Prevezës, nuk do të vazhdojnë të na greqizohen. Vetëm atëherë, kur t’i kemi hyrë themelimit të Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, në mbarë Evropën shqiptarët do të mbeten shqiptarë përjetësisht dhe brez pas brezit. Jo vetëm kaq, por të gjithë këta do t’i japin jetë krejt Atdheut të vet dhe vetëm atëherë statistikat ogurzeza nuk do të mund të parashikojnë që “deri në vitin 2050 në Republikën e Shqipërisë nuk do të mbetkan më shumë se gjysmë nilioni njerëz”.
Le t’i hyjmë, pra, punës dhe le ta ngrejmë në këmbë institucionin PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE sa më parë!
Rroftë Kombi Shqiptar!
Gjokë Dabaj – Tiranë, 20 korrik 2019.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura