GJOKË DABAJ: TË JESH I KTHJELLËT EDHE NË KOHË PANDEMIE

Durrës, 29 gusht 2020: Tek po lexoja librin më të fundit të Agim Vincës “Ditari i pandemisë”, nuk di pse po më rrinte mendja te kthjelltësia mendore e njeriut.
Agim Vinca ka qenë një ndër më të kthjelltët intelektualë shqiptarë të brezit tonë, në të gjitha fazat (etapat), në të cilat na ra shorti të jetojmë. Dhe, s’kemi kaluar pak prova. Kemi kaluar shumë prova.
Ç’qëndrim duhej mbajtur ndaj Jugosllavisë titiste, pushtuese, sunduese, në jo më pak se gjysmën e atdheut tonë, duke qenë edhe vetë pjesë e asaj gjysme?! S’ka qenë aspak e lehtë ta pozicionoje veten në krahun e duhur dhe të mundoheshe të bëje jetë disi normale.

Ç’qëndrim duhej mbajtur ndaj atij që shqiptarët e përtejkufirit e quanin shteti amë, të cilin në atë kohë e qeveriste Enver Hoxha?! Kundër Enver Hoxhës botoheshin në Beograd me tonelata libra. A duhej edhe shqiptarët të bashkoheshin me Beogradin në qëndrimin ndaj Enver Hoxhës?!
Vitet e riinstalimit të sistemit kapitalist në Jugosllavinë titiste, shoqëruar me shovinizëm nga më të shfrenuarit, ishin jo vetëm të vështirë për t’u përballuar shpirtërisht, por shoqëroheshin në çdo çast edhe me rrezik jete. Ku të futeshe, në kohën kur edhe fëmijët nëpër shkolla po i helmonin me mijëra?!
Cili duhej të ishte qëndrimi, jo vetëm i një pjese të intelektualëvet tanë, por i krejt inteligjencës sonë, në vitet kur në Republikën e Shqipërisë ndodhën ndryshimet sistemorë? Për fat të keq, ndryshime ekonomi-shkatërrues dhe popull-largues, në vend që të ishin: ndërtues, përmirësues dhe zbukurues të jetës sonë!
Erdhi, në po këta vite, koha e kërkimit të pavarësisë për ato pjesë të Shqipërisë që i kish mbajtur Jugosllavia më se njëqind vjet. A do të realizohej pavarësia me “politikë paqësore”, apo me armë lufte?! As Sllovenia e Kroacia nuk e kishin përzënë dot Sërbinë pa mitraloza e pa topa!

Agim Vinca, njëri nga intelektualët më kontribues të kohës sonë, në të gjitha këto situata, aspak të lehta, as për t’u konceptuar e le më për t’u përballur me ‘to, ka mbajtur qëndrimin që duhej.
Tani, na zuri edhe pandemia. Pandemi e shumëfishtë. Sëmundja, nga e cila po kërcënohet krejt planeti, është e rrezikshme, por edhe situata politke në mbarë kombin shqiptar është tejet e ndërlikuar. Bir Selmani nënës, kë të qaj më parë! Ka mbetur ndër ne kjo shprehje, e cila, me sa duket, është edhe pasqyrë e historisë sonë. A të mendojmë për Anamoravën?! A të mendojmë për Sanxhakun, Rozhajën, Tivarin, Manastirin dhe Ohrin?! (Ah, “Sazet e Ohrit”, me tekst të Agim Vincës, kompozuar nga Ilir Shaqiri dhe kënduar nga Selvete Bajrami! (faqe56) Apo të mendojmë për gjysmën e Shqipërisë Jugore (Çamërinë, Konicën, Kosturin), që dita-ditës po na greqizohet?! Po greqizohet ajo, por po rrëzikohen për t’u greqëruar (dreqëruar) edhe Gjirokastra, Përmeti e Korça!
Të mendojmë për të gjitha këto, apo të përqëndrohemi te Republika e Kosovës, te rrezikimi i saj nga një ricopëtim mirëfilli kanceroz?! “Shko e ngrije flamurin në Vlladimir!”, i thotë Hashim Thaçi Albin Kurtit. (faqe 42-43)
Në Republikën e Kosovës, për çudinë të paktën të atyre që nuk shikojnë turbull, është Vetëvendosja ajo që po jep shenja se do t’i dalë zot si duhet asaj pjese të vendit tonë. Asnjëri nga të tjerët nuk po jep kurrfarë garancie. Agim Vinca, në këtë problem, është nga personalitetet tanë më të kthjellët dhe, në krejt këtë libër prej 300 faqesh, mban qartësisht anën e Albin Kurtit.
Kur erdhi në pushtet, (“Njëqinditëshi”, faqe 221), sado që i detyruar të bënte koalicion me një parti, e cila udhëheqjen e kish dhe e ka negative, antikombëtare (me përjashtim të Vjosë Osmanit e ndonjë tjetri), Vetëvendosja arriti të bëjë disa punë të mira.
Mirëpo, nuk e lanë! Kush nuk e la?! Nuk po dimë. Kushdo që të jetë, u pa e po shihet qartë se nuk ua donte dhe nuk po ua do të mirën shqiptarëvet. Në mes të pandemisë së korona-virusit, në një kohë kur asnjë forcë politike, vërtet atdhetare, nuk do të ngutej për ta rrëzuar kundërshtarin politik, aleatja në qeverisje, nxitoi, u ngut dhe s’priti parë, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Çdo gjë mund të ketë në të këtillë veprime, por atdhedashuri jo! Patriotizëm jo! Pala që e rrëzoi Qeverinë Kurti në këtë kohë sëmundjeje, nuk ka atdhedashuri! Nuk e do Kosovën!
A mund të ndodhë diku, në traditën pozitive shqiptare, në kohën kur një pjesëtar i familjes është në arkivol e të tjerë në rrëzik jete, të kërkojë dikush zëvendësimin e të zotit të shtëpisë? Është si është i zoti i shtëpisë, ai lihet deri sa të kalojë mordi.
Si gjithmonë, Agim Vinca mban qëndrim të drejtë edhe ndaj këtyre problemeve, kaq shqetësues për krejt kombin tonë. Në faqen 65 ai njofton: “37 intelektualë botërorë publikuan një letër në mështetje të Albin Kurtit”.
Letra u publikua, përkrahja e intelektualëvet progresistë botërorë erdhi, por ne, si komb, si tërësi kombëtare, a u treguam të mençur, kur i lejuam rrëzuesit e Qeverisë Kurti të uzurpojnë pushtetin?! Në vend që të tregohemi komb i mençur, lejuam që bota keqdashëse të tallet me ne. Pushtetarët sërbë po fërkojnë duart nga gëzimi se në Prishtinë po shkojnë punët ashtu si po duan ata.
Zhanri i ditarit i jep mundësi autorit ta shprehë kohën në të cilën jeton, si një fotograf, në mos edhe më mirë. Sepse nuk trillon asgjë. Shkruan atë çfarë ndien e çfarë sheh. Shkruan për veten, shkruan për familjen, shkruan për fqinjët e për të njohurit, por shkruan edhe për krejt botën. Ditar kanë mbajtur e mbajnë shumë njerëz, midis të cilëvet sidomos njerëz të mëdhenj. Ditar të rregullt po mban Rexhep Qosja, ditar ka mbajtur Haki Stërmilli. Më vonë, Enver Hoxha. Apo ditari i Ismail Kadaresë “Ra ky mort e u pamë” dhe ditari i polakut Vitold Gombrovic.
Por mua, ky Ditari i Agim Vincës po më ngjan pak me Ditarin e Ana Frankut. Ç’po bëjnë kështu me ne fuqitë e sotme të botës?! Pse nuk po e njeh Rusia Republikën e Kosovës?! Pse nuk po e njeh Kina Republikën e Kosovës? A kaq shumë po i rrezikokemi ne shqiptarët banorët e Moskës e të Pekinit?! A kaq të dëmshëm qenkemi ne shqiptarët për rusët dhe për kinezët, sa të na trajtojnë kështu edhe në kohën kur të gjithëvet po na rrezikon njësoj kovidi?!
Ku është humanizmi i pushtetarëvet të Evropës, që vetëm banorëvet shqiptarë të Republikës së Kosovës nuk po u japin të drejtë për të udhëtuar (apo edhe për të mos udhëtuar) si të gjithë popujvet të tjerë?! Në kohën e Ana Frankut hebrenjtë trajtoheshin si dele e zezë, e cila, o duhej therur, o duhej lënë të ngordhte me lemeri. Në kohën e Agim Vincës shqiptarët po trejtohen si dele e zezë. Të na vrasin, të na shpërngulin, të na dënojnë, sepse luftuam për të çliruar vendin tonë! Dhe varret masivë të rrimë duke i kërkuar brez pas brezi!
Duhej pa tjetër të ndërrohej Qeveria Kurti dhe të sillej aty një qeveri pa dinjitet! Duhej pa tjetër të çohej në gjyq presidenti! Duhet të thuren plane deri edhe për t’i lënë pa ujë shqiptarët, duke ia dhënë Sërbisë Ujmanin. Sërbët le t’i shesin mallrat e tyre nëpër Kosovë, si të duan! Shqiptarët të mos mund të udhëtojnë me pasaportat e veta as deri te farefisi në Preshevë!
Jo vetëm Rusia e Kina, por edhe dikush nga SHBA-ja po sillet me ne sikur të ishim ne prodhuesit e kovidit. “Grenelli cicëroi alaminutë nga Uashingtoni: Mezi pres ta vazhdoj punën me qeverinë e re”. (f. 280) Shkruan Agim Vinca… Por unë, Gj. D, po druhem shumë, mos po na punon ndonjë rreng ai Trumpi i Amerikës me këtë Hotin tonë. Po druhem, sepse ky Hot nuk i ngjan aspak atij Hotit tonë të dikurshëm që e kish emrin Dedë Gjo Lul.
Sa herë që lexon një ditar, varësisht nga mjeshtria e të shkruarit, njeriu, veç informacionit që merr, mbushet edhe me emocione. Por me “Ditarin e pandemisë” të Agim Vincës, lexuesi jo veç emocionohet, por edhe alarmohet, sado që autori është munduar të përdorë një stil të qetë. Revoltohet, jo aq për sëmundjen (sepse sëmundja “ka punën e vet”), por për punët e këqia që po ndodhin, si rrotull nesh, ashtu edhe brenda nesh. A do ta gjejmë dot një mënyrë, që shqiptarët, këndej e tutje, të mund t’ia ndërtojnë ndryshe historinë vetëvetes?!
Për mbylljen e këtij ditari, Agimi ka zgjedhur një poezi të kilianit N. Parra: “Po t’i bëjmë mirë llogaritë, mbetet veç e nesërmja” (faqe 292).
…Agimi erdhi para dy ditësh te unë bashkë me Fluturën. Ndenjëm e biseduam disa orë. I thashë që e kisha lexuar “Ditarin” e tij dhe i tregova ç’kisha shkruar në fund: “Do të doja ta lexonte këtë libër edhe Fotinia. 1 gusht 2020”. Fotinia është shoqja ime e jetës, ndërsa ai ia ka kushtuar këtë libër shoqes së tij të jetës. Në këtë mënyrë, kisha menduar unë, dy familjet tona do të lidheshin më mirë. Por Agimi ma ktheu pak me zemrim: “Ti je i pari që ta kam dërguar këtë libër këtu në Republikën e Shqipërisë! Askujt tjetër s’ia kam dërguar para teje!”
Dhe kjo do të thoshte që nuk mjafton vetëm Fotinia për ta lexuar. Duhet ta lexojnë sa më shumë shqiptarë, sepse vetëm ashtu do të mund të kuptojmë më mirë në ç’kohë po jetojmë.
27 gusht 2020 Gjokë Dabaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura
Read More

RUSIA DHE SERBIA

Njëra superfuqi e tjetra tifoze e verbër e sajë! Njëra mësuese e tjetra nxënëse! Njëra kundërshtare dhe oponencë…