ING.AHMET ÇOLLAKU: QEVERIA ZBYTHI 100 VJETORIN E NAFTËS SHQIPTARE!

Tiranë, 2 tetor 2018: Shkatërrimi i gjithë ekonomisë shqiptare, pas vitit 1990, ishte tradhëtia më e madhe, që i është bërë kombit shqiptar. Çdo argument, se për të ndërtuar ekonominë kapitaliste duhet të shkatërrohej ajo socialiste, është një justifikim banal dhe fyes. Edhe njeriu më i pa shkollë e di, se nga zero vetëm zero vjen, dhe asgjë tjetër. Në asnjë vend të ish bllokut komunist nuk ndodhi ajo, që ndodhi tek ne, për të vetmen arsye se tradhëtarët i çuan në gijotinë, kurse ne i bëmë presidenta dhe kryeministra dhe sot, pas 27 viteve, bredhim si çifuti nëpër shkretëtirë, kur pasuritë e vendit tonë po na i vjedhin ujqërit e çakejtë vendas e të huaj.
Nga lexuesit e mi
Festimin e100 Vjetorit të Naftës Shqipatre të cilin po e prisnim brenda dhe jashtë vendit, më me gëzim se ai i Pavarësisë, qeveria jonë e kaloi pa bujë, thjeshtë si një takim rutinë për kafe në qytetin e Kuçovës. Ky eveniment i madh duhej të kishte hapjen, peshën, dhe vlerën e një simposiumi akademik, mbarëkombëtar, ti bënte një analizë të thellë naftës shqiptare, prodhimit dhe etapave ku ajo e ka dhënë efiçensën e vetë më të madhe. Një Jubile që do të filtronte “armiqtë”, sasinë e Squfurit, koncesionet, lojrat e partive dhe qeverive Shqiptare, perspektivën e saj, gjakun e këtij vendi, kutitë e votimit mbushur me naftë dhe listën emërore të specialistëve të naftës të kësaj armate të pa pëefillshme…
Ky veprim qeveritarë nuk është naivitet apo paditurí. Kjo është një sjellje makabre, që i bëhet popullin tim, naftës së tij, kësaj energjie që vjen tek ne mistershëm që nga lashtësia, por që vitet e fundit populli ynë e ka pasur vaj kuzhine. Nafta e mban botën të ngrohët dhe gati për eksplozion… Eric Laurent në librin “Ana e fshehët e naftës” shkruan, të gjitha fushat e jetës e të aktivitetit janë të lidhura me naftën… bota është e preokupuar me prodhimin dhe transformimin e kësaj energjie… Kurse Daniel Yergn, në librin, “The prize, the epic quest for oil, money & power”, ku ai naftën e trajton si një magjistar që luan me zjarrin, thotë, Oil imports have been a political and strategic concern since the United States moved from being on oil exporter to an oli importer in the late 1940…

Po le të kthehemi në 100 vjetorin e naftës shqiptare. Ky jubile u zbyth aq shumë, saqë nuk mund të qaset as me festimet familjare të pushtetarve, me këto festa private horrash që bëjnë jehonë të madhe në shtyp dhe ndezin fishekzjarre pa numërim. Ka edhe shumë festime të tjera kot që ata bejë fshehur me lekët e taksapaguesave të urtë shqiptarë si delet. Kurse për naftën tonë, për këtë 100 vjeçar, nuk u ndez asnjë kandil. Me këtë veprim, qeveria shqiptare vërtetoi pozicionin e saj armiqsor ndaj popullit të vet, se ajo na detyron ta harrojmë naftën. Po, sadoqë në këtë sakrilegj ata kanë marrë të këndojë në kor edhe SHELL-in, destinacionin shqiptar me njëqind pikë pyetje, Ambasadorin Italian, e me radhë, qeveritarët shqitarët, nuk do ta arrijnë kurrë synimin e tyre ogurzi që populli ta harrojë naftën dhe historinë e saj që vjen bashkë me ne që nga lashtësia…
Qeveria për këtë jubile bëri një botim tepër të shkurtër dhe mashtrus, unë do ta quaja Manifesti Mashtrimit, kjo kronike fillon kështu: “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi në Kuçovë një konferencë kushtuar 100 vjetorit të industrisë së naftës. Pusi i parë i kërkimit të naftës në Shqipëri filloi shpimin pikërisht 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës… Nuk kam ndërmend ta kopjojë të gjithë atë kronikë të thatë qeveritare, por këtu më poshtë do të bëj këto replika të shkurtëra. Pusi i parë që dha naftë u shpua në Drashovicë të Vlorës, kurse kjo qeveri e sposton Jubileun në Kuçovë. Kjo nuk është e moralshëme… Minister Gjiknuri, lavderon shell-in per Shpiragun, por ai duhet ta dijë se Shpiragu është puro prognozim shqiptarë. Ja çfarë autoresije na ofron naftëtari Daut Velaj për këtë pus ne librin e tij te fundit për naften: Pusi SQEPURI – 6 H = 5300 m. Grupi i projektimit gjeologjik : Inxh. gjeolog HASAN BAKIA, inxh. gjeolog VASIL MISHA, inxh. gjeofizik ALI MEMA, inxh. gjeofizik SPIRO KOLONJARI, inxh. gjeolog THEODHORI NIKOLLA, inxh. gjeofizik SPARTAK NASTO etj. Grupi i projektimit teknologjik : (Për H = 4200 m) Inxh. shpimi VASIL TUPE, inxh. shpimi FATMIR SHEHU, inxh. shpimi ENVER PLAKU, ekonomist JORGO JANÇE, inxh. shpimi PIRO NIKOLLA. (Për H = 5300 m) Inxh. shpimi VASIL TUPE, inxh. shpimi FATMIR SHEHU, inxh. shpimi ENVER PLAKU, inxh. shpimi BAHRI SHANAJ, inxh. shpimi PIRO NIKOLLA, ekonomist JORGO JANÇE, inxh. shpimi VIKTOR SUKU. Me poshte Ministri flete edhe për mundësi të tjera të eksplorimit qoftë në tokë, qoftë në det nga kompani shumë të mëdha ndërkombëtare. Po përse nuk vinë kur ju keni hapur gjithë portat? Më tej ai i referohet çështjes së statusit të naftëtarit, si një vlerësim i qeverisë për sakrificën e kësaj shtrese. Z.Ministër, lexoni më poshtë në shkrimin tim, çfarë thonë kolegët e mi për Stasusin e Naftëtarit që ju e përdorni si parfum për të pastruar ajërin e ndotur rreth vetes. Këto janë e vërteta dhe jo ato që përrallisni ju.
Përfaqësuesi i kompanisë SHELL, Turker Sengonul, thuhet në atë kronikë, u shpreh gjithashtu i kënaqur, që kjo kompani po bëhet tanimë pjesë e historisë së naftës në Shqipëri…“Ne si SHELL jemi shumë të nderuar që jemi pjesë e historisë së naftës së Shqipërisë. Historia jonë në Shqipëri nisi më 1994, kur kërkuam për naftë… I nderuar, ju nuk mund të jeni pjesë e historisë së naftës Shqiptare. A e dini ju se Shpiragu që ju flisni është prognozim shqiptar?.. Pa na thoni sa tonë naftë keni nxjerrë që nga viti 1994 siç thoni vetë? Specialistët shqiptarë prognozojnë mjaftë objekte të tjerë që nuk janë kaq thellë e kaq të komplikuar sa Shpiragu, por çedo se kjo qeveri kërkon me çdo kusht që juve të dukeni superior, të shkëlqeni, të na hipni sa më shumë.
…U trishtova shumë kur lexova këtë parodi shqiptare kundër popullit tim. Nuk dua të dëgjojë asnjë nga këto kompani, shefa apo ambasadorë. Unë dua të dëgjojë emrat e gjeologve të brezit tim, autorët e naftës shqiptare, ata që e njohin gjeologjinë e Shqipërisë, sepse bënë rilevime fushore, studime dhe projektime. Pelegrinet e të dy sistemeve!
Unë dua të di a u kujtuan dikush aty, në këtë “takim” për kolegët tanë që nuk jetojnë më? A u mbajt për ‘ta një minutë heshtje? Dua të di, a u shkrua diku aty në faqe muri sa tonë naftë ka dal deri më sot nga nëntoka shqipatre, ku ka shkuar, dhe, me sa kuaj fuqi konvertohet e gjithë energjia e saj, që nga dalja e parë në Drashovicë? A u interesua dikush të shikojë aty në atë sallë botimet për naftën të cilat janë të rralla si prurje kozmike, konkretisht a e di dikush nga ju se është botuar libri “Nafta dhe Politika”, shkruar nga Prof. Maksim Shuli, ish deputeti i PS-sës, ku juve paditeni në gjyq? Gjithashtu dua të di sa naftëtarë u dekoruan, cili konkretisht, dhe përse nuk u shpallë një konkurs shqiptar, për prognozimin më të mire, per zbulimin e naftës shqiptare nga vetë specialistët shqiptarë?
Jubileu i Naftës Shqiptare duhej të merrte përmasat e një simposiumi ndërkomëtar, të një festë kombëtare, sepse nafta jonë është nxirë kryesisht nga poshtërsitë qeveritare shqiptare se sa nga të huajt. Kupolat e nafës shqptare, si ajo moniste dhe kjo demokratike, janë puro monstra shqiptare… Nafta jonë e shkruan vetë Apologjinë e saj, pa mendjën dhe dorën e askujt.
Në shqipëri të gjithë jemi të çmendur. Të gjithë duam të jemi të pasur, kryepleq, kapadainjë. Vini re! Kompania Bankers në mes të shqiperisë vazhdon të vjedh naftën shqiptare, tani me emër tjetër, ndërsa ne bëjmë sehir. Ne u kushtojmë më shumë vëmëndje shfaqjeve të kurvave shqiptare, që financohen nga qeveritarët tanë. Ja çfarë thotë mathematikani ekstra Naun Priftaj që bëri shumë studime në Qëndrën Eletronike të Sizmikës në Fier vite më pare: O naftëtarë. Mendoj se duhen lënë mënjanë “xhixhiletë” dhe humori në hava, shprehuni më kritikë për këto probleme të vendit!
Si e motivon kjo qeveri faktin, që gjatë kësaj kohe të gjatë, gati tridhjetë vjeçare, në Shqipëri nuk është zbuluar asnjë vëndburim nafte apo gazi? Si nuk thonë këta maskarenjë qeveritarë, të paktën ku kanë bërë një gabim të vetëm, përse prishen të gjithë istuticionet e naftës bashkë me bazën mekanike dhe u thanë specialisteve ikni ku te doni. Nëse juve nuk kërkoni të gjeni shkatërrimtarët e naftë fshehur nëpër kompani të huaja me pasaporta të tjera, apo surdisur jashtë vendit, kjo do të thotë se edhe juve jeni bashkëfajtorë, vandalë… Enver Hoxha në vitin 1983 porosiste, tani na vihen dy detyra: detyra e parë është të gjejmë fusha të reja. Detyra tjetër është të rishikojmë të gjitha strukturat e puseve që janë prekur dhe që, për një arsye ose për një tjetër, janë lënë mënjanë…
Në naftë, ku vjedhjet bëhen me thasë këtej dhe andej oqeanit, deri më sot nuk është piketuar për t’u dënuar asnjë! Vetting-u duhet të fillojë në sektorin e naftës! Ja çfarë thotë në biseda konfidenciale një legen, një nga ata që ka më shumë se njëzetë vite që luan me naftën, që kthehet sa PD-ist në PS-ist: Unë-thotë ai-kam aq shumë pará, sa qytetin e Gjirokastrës mund ta ndërtojë nga e para..! Kurse ambientalisti, miku im Ali Coka, që të bënë armik po I këpute një lule apo një gjethe të gjelbër, më lutet që ti jap vetëm një botë me naftë që ai ta pyllëzoj Shqiperinë jug-veri, këtë vend të bukur të kafshuar që shtrire ngjan si një grua shterpe që do të lind…
Kolegët e mi shkruajnë autoportrete. Ata nuk duan të bëjnë opozitë, sepse kanë frikë. Militojnë në parti të ndrysheme, po hajde zbulojuani këtë sekret, se, ata marrin nishane, të gjuajnë. Këta monstra, këto ditë veshën kostume ekstra, dhe u mprehën për të marrë dekoratat e 100 vjetorit, por nuk u eci. Të gjithë u zhgënjyen. Ua rrasi mirë e mirë Rama me kompani. Kolegët e mi nuk shkruan asgjë për këtë jubile, ata pasurojnë albumet personale me foto të… vonuara. Ata bënë vetëm ca sugjerime për Statusin e vonuar të Naftëtarit. Pra, asgjë për naftën, për moralin tonë. Megjithëatë, ne, ku e ku duam të krekosemi!
K/Ministri ynë aktual, në këtë jubile kishte një raste ideal të tregonte se e donte naftën tonë, Shqiperinë. Rastin më të mire të mblidhëte specialistët e naftës nga ishin dhe nga nuk ishin, të bisedonte shtruar me ta për naftën tonë, sic filloi dikur me mjeket shqiptare shperndare neper bote. Te paktën te bënte një verifikim sa janë gjallë dhe sa nuk jetojnë me, sepse të gjithëve u takon diçka nga kjo pasuri … Të mos harrojmë se në sektorin e madh të naftës punonin edhe shumë gra dhe vajza… Nafta është një gjë e të rrallë, është gjak. Të mos harrojmë atë që thotë një president Amerikan, ai popull që nuk di të manazhojë burimet natyrore të tij, ai popull nuk ka të drejtë morale të ekzistojë… Ose lexoni intervistën e ish Presidentit Ramiz Alia në vitet ’90, kur ai ia mbathi me vrap për naftën në Amerikë. Perse?
Të shkruash për naftën duhet shumë kurajo. Nafta nuk është ajo, që ne gjejmë nëpër fonde apo zyra kuadrosh, radhitje emëra sipas paraqitjes alfabetike… Nafta jonë ka më shumë dhëmbje sesa kalori. Ajo është nëpër puse, nëpër burgjet e monizmit, në miniera, në rrudhat e të moshuarve, në lotët dhe lutjet e Ramadan Perhatit, atje ne qytetin e Shkodrës, në formulat dhe preventivat e Fatmir Shehut, në vagonat mbushur me krom dhe urrejtje nga gjeologu Kadri Rama, në hipokrizinë e instruktorve të partisë dhe qeverisë moniste. Nafta shqiptare është në plumbat, që shpuan gjeologët Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli. Atëhere nuk kishte demokraci, por kishte heronjë, tani nuk ka as demokraci dhe as heronjë. Tani ka horra. Shqiptarët bëhen heronjë droge, por jo heronjë nafte, sepse për drogë të fusin në burg nga dera e pare, dhe të nxjerrin nga dera e prapesme, kurse për naftën të vrasin me pagesë, të gjitha palët, këta vëndas dhe ambasadorët e huaj.
Për këtë 100 vjetor fishekëzjarret e naftës duhej të ngjiteshin deri në qiell, të binin përtej piramidave tona të mbrojtura nga NATO. Ne kete jubile duhej te hapeshin thesaret e shtetit, sepse, edhe nese aty ka dicka, nga ajo u takona naftetareve. Nafta jonë është edhe në ata dhjetëra objekte të vizatuar nga specialistët tanë por që istruktorët e partive të naftës, këta të graduar tani afër, nuk dinë ti lexojne… Frederic Bastiat, ekonomist dhe shkrimtarë Francez, thotë, gjthëkush dëshiron të jetojë në kurriz të shtetit. Ata harrojnë se shteti jeton në kurriz të të gjithëve.
Pa dyshim do të vijë koha, që aty në Drashoicë të Vlorës të ndërtohet një lapidar i lartë sa kulla Eifel që shikohet nga një distancë 80 km larg. Në atë lapidar të lartë, krahas emrave të italianve L. Madalena dhe Amoretti, do skaliten edhe emrat e S. Zuber, Sh. Toptanit dhe të gjeologve tanë, të cilët i dhanë Shqipërisë atë energji, që e mbajti në këmbë për shumë vite… Naftëtarët, shokët e mi, janë të vetmuar si priftërinjtë skocezë. Vetmi dhe mallkim!.. Lojrat më të fshehta në botë bëhen për naftën. Këtë e dinë mirë naftëtarët, por nuk ua mban ta thonë, sepse kanë frikë nga diktatura demokratike. Prandaj, kohë pas kohe u thonë shokëve, çme duhet mua.
Ja e-mailet e shokve të mi. I nderuar – fillon i pari – “Nuk e kuptova se çfarë doni të dini më shumë për 100 Vjetorin e naftës… Ju e dini mendimin tim. Të bësh sikur po festoon 100 vjetorin e naftës, d.m.th. të tërheqësh vëmendjen e grabitjes së naftës, se gjoja gjërat në naftë ecin për bukuri, se nuk po ndodh asgjë e keqe në naftë… Të bëshë një manifestim te tille me bujë, kur nafta grabitet plotësisht, do të thotë ta shprehësh tradhëtinë hapur. Kush e mbështet këtë manifestim?.. E mbështesin disa maskarenj si… Festimi i njëqind vjetorit të zbulimit të naftës shqipëtare, i gjakut të ekonomisë së vendit, i lëndës jetësore për zhvillimin dhe mbrojtjen e Atdheut, duhet të shprehej me protesta të fuqisheme të naftëtarëve dhe të gjithë shqiptarve. Shikoni çfarë po bëjnë minatorët? Përse nuk shkojmë të bashkhemi me ta edhe ne naftetarët?… Shteti shqiptar tani nuk ka pothuajse asnjë pasuri, asnjë prodhim për eksport, asnjë të ardhur, veç taksave dhe doganave. Pra, shteti është shumë i dobët. Dikujt i intereson që shteti shqiptar të jetë i dobët! Ketij mileti i mungon guximi…”. Shqiptarët kanë lindur në një vend hakmarrjesh, inatesh dhe dredhish – thote dikush në një libër.
“Bllokun 4, ku ndodhet struktura ime, e madhe dhe e cekët – vazhdon një tjetër,- qeveria ia fali kompanisë SHELL. Rama deklaroi në Berat, se nga Shpiragu shteti do të marrë vetëm rentën minerare, dhe asgjë tjetër, asnjë pikë nafte!!. Shpiragu është marreveshje e vjetër, ku merret vetëm renta minerare. E gjithë Shqiperia u jepet të huajve me konçesione. Albpetroli do të privatizohet (do të shiten dhe grabiten fushat e naftës të Albpetrolit!). Armata e bretkocave ngul dhe shkul foto në facebook…”
“Miku im i shtrenjtë – vazhdon akoma një tjetr. – Unë kam qenë me shërbim jashtë shtetit për rreth një muaj e gjysëm. Pra, kam qenë shumë i ngarkuar. Në lidhje sa më pyet për 100 vjetorin e naftës, është një turp i madh, që gjoja u festua. Ishte një skandal i vërtetë. Unë rastësisht kalova atë ditë në Kuçovë. Qëndrova dhe pashë se çfarë po ndodhte. Më mirë të mos kisha qenë. U skandalizova. E hapi 100 vjetorin një i quajtur Dh. Më duket se ka punuar në Institutin Teknologjik, një ish sekretar byroje, një pleh, që fliste kot e më kot. Pastaj vazhdoi një idiot tjetër, dhe më pas e mbylli Bankers…Ishte një turp për faqe të zezë. Mos më pyet më, se kam neveri…”
“I dashur – përfundon një tjerët – Festimi u bë pa bujë, festim i thjeshtë… Intelektualët zvarranikë dhe puthadorë”. Në librin Brenga e Ballkanit , nje gazetare huaj thotë se në Shqipëri tani kërkohet naftë, dhe nëse toka e bekuar nuk do të kundërshtojë ta japë, vendin do ta gllabërojnë spekullatorë të huaj!.. Librin tim me titull: Britma në “shkretëtirë”, për mbrojtjen e naftës shqiptare”, e kam pothuajse gati për botim…”. “Statusin e kam përfituar, por deri tani asgjë nga ana financiare nuk kam përfituar, përveç një kartoni, që nuk i hyn në punë as dreqit… Mua nuk më derguan ftesë…”. Kjo qeveri gaboi, që zgjodhi qytetin e Kuçovës për të përkujtuar këtë jubile Shqiptar. Ajo duhej të zgjidhte Drashovicën e Vlorës. Qyteti i Kuçovës, sado që vjen erë gazi, ruan hijen e Prof. Zuberit, shakatë e Inxh. Toptanit, zhurmat e lëkundësve të puseve të atyre viteve, nuk është vendi historik real, i moralshëm i lindjes së naftës shqiptare, shumë-shumë qyteti I Kuçovçs mund te jetë muzeu I naftës shqiptare…
Qyteti i Kuçovës më kujton Kombinatin e Naftës, Pentagonin e parë shqiptar, rrugët dhe shkallët si ngjitje mbretërore, gjithçka, por jo fillimin e naftës shqiptare. Lufta e klasave na mori shumë kohë, por naftën nuk na I morën të huajit, atëhere mirë keq naftën e gatuam vete në vënd.
Ku është Enciklopedia e Naftës shqiptare? Njeriu më shumë I trëmbet të ardhëmes se sa të shkuarës. Këto qeveri të korruptuara shqiptare, bashke me servilat partiak, do të dënohen edhe për të shkuarën, edhe për të ardhëmen!! Edhe për faktin se e zbythën 100 vjetorin e naftës shqiptare! Korrupsioni shqptar I ka rrenjet në naftën shqiptare…
Nuk di përse një shtysë më cyt ta mbyll këtë shkrim me fjalët e historianes dhe gazetares angleze Edith Durham, që I ra Shqiperisë kryq e tërthor, nga jugu ne veri, i pa mire e mire gjithe brinjet dhe zorret, ajo thotë, shumë perandori janë ngritur e shumë kanë rënë, kurse shqiptari ka mbetur po ai, I pashtrur. Kurse Stephen Leed, Ph.D, në faqen 75 ne librin e tij Kolapsi Ekonomik I Ardheshëm, shkruan, kriza energjetike do të jetë problemi më i madh që qytetërimi ynë ka hasur ndonjëherë. Dhe është jetësore që drejtuesit tanë dhe shoqëria në tërësi të njihen me këtë situatë dhe të marrin masa parandaluese në kohë.
Sido të vinë ditët e ardhëshëme, me votime apo pa votime, me protesta apo pa protesta, te mos harrojme se kjo qeveri e zbythi Jubileun e Naftës Shqipatre, feste qe e prisnim me vite me padurim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura