GJOKË DABAJ: URDHËR SHEKULLI PËR SHQIPTARËT (POEMË)

Pashtriku.org, 25. 04. 2013 – Ne nuk e kemi SHKRUAR jetën tonë NË GJUHËN TONË! Ja, ky është harrimi ynë i pafalshëm! Për shkak të tij ne sot s’i kemi: një Platon, një Shekspir, një Hegel, një Ajnshtajn dhe, për shkak të tij, miliona paraardhësit tanë, me talent, i ka mbuluar harresa, si gjethin, si barin! Ore!!! Si kafshën!! (…) Rroftë Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit! Rroftë Shoqëria “Agimi”! Rroftë Kongresi i Manastirit! Ata ia sollën Shqipërisë Ditën e 28 Nëntorit! Pa ata iluministë, prushi i Shpirtit tonë do të ish fikur kaherë dhe kalimtarët do të kishin derdhur ujin e hollë sipër hirit! (…) Tani dëgjojeni mirë URDHËRIN E SHEKULLIT, në të cilin po hyjmë! N’emën t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit Shenjt! Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! TË GJITHË SHQIPTARËT QË E KAPËRCEJNË TË GJALLË SHEKULLIN XX, JANË TË DETYRUAR TË SHKRUAJNË NË GJUHËN SHQIPE, E PAKTA GJYSMË FAQE FLETOREJE NË DITË!
1.
N’emën t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit Shenjt! Ati ynë është Pellazgu i Vjetër, Biri është Iliri, Shpirti i Shenjtë është ajo që, çuditërisht e mrekullisht, na ka mbajtur gjallë këtu e 4 mijë vjet. Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim!.. Nëse të autorizuarit e Zotit s’do ta kishin SHKRUAR Biblën, nëse Kur’ani, mrekullia e shprehur me fjalën e Allahut, do të kish mbetur fjalë E PASHKRUAR, sot s’do të ekzistonin mbi dhe, as fe islame, as krishtërim. Amin!
2.
Mallkuar qofshin 50 mbretërit, ilirë e parailirë, që nuk i mbajtën administratat mbretërore në gjuhën e vet! Mallkuar qofshin të 12 perandorët, të gjakut ilir, me nënë e me tatë, që nuk dhanë urdhër PËR T’U SHKRUAR kjo gjuhë, të paktën në provincat ilire! Të gjithë atyre dijetarëve që s’na lanë asgjë TË SHKRUAR në këtë gjuhë, pendimit t’u dridhen eshtrat! Më në fund, t’u dridhen eshtrat të gjithë atyre pellazgëve, atyre ilirëve, atyre arbërve e atyre shqiptarëve, që jetën e vet nuk e përjetësuan me këtë gjuhë kaq të mirë!
3.
Por mallkimi nuk mbaron këtu! Këtu fillon ai më këmishëdridhuri! Mallkuar të gjithë ju që do të lindni, që emrin e keni e do ta keni: arvanitë, arbëreshë apo shqiptarë, dhe, nëse nuk do ta vlerësoni mbi të gjitha gjuhët e Globit gjuhën tuaj, nëse në gjuhën shqipe nuk do të lini TË SHKRUAR të paktën një copë ditar, u harroftë emri juaj, ju hëngshin krimbat gjysmë të gjallë dhe u kalbshi, siç kalbet një qen, i hedhur në përrua!
4.
Tragjedia e ka një shkak të vetin, doemos. Kur një gjigant rrëzohet papritur, shkaku është, thonë, vetë pesha e tij, që e shemb, e rropos. Por kur gjiganti shkon 4 mijë vjet drejt rrëzuarjes, kur rrëgjohet dalëngadalë, dhe mbetet në jetë e nuk vdes, mbetet për 4 mijë vjet i gjallë, kjo do të thotë që ai është një fenomen dhe rimëkëmbja, sidoqoftë, e ka një shpresë.
5.
Mjafton t’i gjendet sëmundjes shkaku kryesor. Virusi i rrëgjimit, i tharjes pak nga pak, diagnoza, siç i thonë mjekët. E unë gjithë jetën e kam gjurmuar e hulumtuar dhe, më në fund, e kam gjetur atë shkak. Shkaku i katastrofës sonë është thjeshtë një neglizhencë, një nënvleftësim mendjelehtë dhe i cekët!
6.
Ne nuk e kemi SHKRUAR jetën tonë NË GJUHËN TONË! Ja, ky është harrimi ynë i pafalshëm! Për shkak të tij ne sot s’i kemi: një Platon, një Shekspir, një Hegel, një Ajnshtajn dhe, për shkak të tij, miliona paraardhësit tanë, me talent, i ka mbuluar harresa, si gjethin, si barin! Ore!!! Si kafshën!!
7.
Aleksandri, i Madhi, e gjeti mundësinë për të rrëzuar mbretër e perandorë, por s’e gjeti dot një mënyrë, s’e pa të arsyeshme, PËR TA SHKRUAR maqedonishten! Dhe vdiq nga pickimi i një mushkonje, mu pranë Nilit, Aleksandri jomadhështor! Jomadhështor, se, bashkë me të, i vdiqën edhe gjuha a dialekti, a blegërima, a çfarëdo që ishte… pickuar bletësh mjaltdhënëse, që ishin fare të vockla, por që dinin TË SHKRUANIN, e që e SHKRUANIN greqishten!
8.
Shën Jeronimi, s’e përktheu dot Biblën në gjuhën hyjnore ilirishte, se bletët rreth tij nuk e mblidhnin mjaltin për vete. Bletë naive! Bletë hiçe!.. Karl Topia, për të përjetësuar veten dhe Shën Gjon Vladimirin, 3 gjuhë i kishte! Por s’e kish të vetën! S’e kish, se mjaltin, për të tjerët e mblidhnin, mundimkotat bletë arbëreshe!
9.
Si qindra princër të tjerë, po aq mendjepakët, na qenë edhe Balshajt. S’e patën fajin as turqit, as sllavët, as ata të Venedikut, që Balshajvet iu thërrmua principata! Zulmëfikura principatë! E patën vetë ATA fajin, që e harronin gjuhën e mëmëdheut, sa herë që shtriheshin në shtrat me gratë. Arbër të cekët e vetepërçmues! Në vend që t’i mësonin Jelenës sërbe të njomën arbërishte, ata njomën të sajën dhe e lanë arbërishten në të thatë!
10.
Pastaj na erdhën, i lemerishmi Ali Tepelena dhe fisi i bubullimshëm Bushat! Donin të shporrnin Sulltanin, pa shkresa, pa, të paktën, evidenca tregtie në gjuhën e shqiptë! Dhe, të ziun Mahmut, pa mend, e vrau një çetë hajdutësh, në Krusë, papritur, një natë, e Ali-ziut ia çapëlyen qafën e mjekrën ia dogjën, në mangall, pranë nargjilesë, një ditë.
11.
Të ishin mjaftësisht të mençur Aliu dhe Bushatasit, i urdhëronin tregtarët shqiptarë TË SHKRUANIN në gjuhën shqipe të Perendisë dhe regjistruesit e pasurivet dhe tatimmledhësit i urdhëronin TË SHKRUANIN në gjuhë shqipe. Të shihje pas kësaj çfarë shteti aleat do të kishin perandorët e Francës e të Austrisë! Shqipëria VETËM do të mund t’i thoshte Sërb-Rusit, atëherë edhe sot, që nga maja e Sharrit: Ke qejf ta shohësh Durrësin? Hip këtu e shihe!
12.
NATO-ja, sot, në këtë ditë, do të na llogariste për forcë të madhe, ndo përballë, ndo krahas, siç ka një Anglez a një Gjerman. S’do të kishim mbetur lypsarë emergjencash, dëbuar nga Sërbi, nga shtëpitë tona, me flakë e me fshesë! Rrahur nga Greku me kopaçe e me këpucë, e ne të themi: “Mos na rrih, aman!” O, mjerë ne, viktimë e neglizhencës! Do të rrinim krah për krah me popujt kampionë, jo në kontrabandë, por në sport, në art, në shkencë!..
13.
ATA nuk qenë sa duhej të mençur! As NE, sot, sa duhet të mençur nuk jemi! Dimë TA SHKRUAJMË gjuhën tonë, por NUK E SHKRUAJMË…Sa shqiptarë, për jetën e vet, NUK SHKRUAJNË qoftë edhe një germë?! Sa shqiptarë, kur vdesin, nuk u lënë dot fëmijëvet një fletore 200-fletëshe, TË SHKRUAR?! Një fletore, po them!
14.
Bëni një panair DITARËSH e JETËSHKRIMESH, jo: TË BOTUAR, por thjeshtë trashëgimi për stërnipërit që do të lindin pas 2-mijës! Ta dinë kush kanë qenë gjyshërit e prindërvet të tyre. Ç’probleme kanë pasur në jetë, si janë grindur, si kanë bërë dashuri? Do të shihni sa e kotë ka qenë përpjekja e çdo prindi analfabet, për t’i mësuar alfabetin të birit apo së bijës!
15.
Se shkonjat e alfabetit, përse i duhen njeriut, në mos PËR TË SHKRUAR?! E, NË MOS SHKROFSH për jetën tënde, atëherë, o shqiptar, kujt i duhesh edhe vetë ti?! Ja kështu! Mallkimi i MOSSHKRIMIT ka rënë mbi ne, dhe, në 4 mijë vjet, pak nga pak, na ka tkurrur e na ka zvogëluar… Mallkuar, të gjithë ata që shqiptarë lindën e në gjuhën shqipe asgjë NUK SHKRUAN! Rroftë Shpirti ynë i Shenjtë që, megjithatë, të gjallë na solli deri në vitin 2 mijë!
16.
E patëm pasur ne një Lidhje Shqiptare të Prizrenit. Lëvizje më të vrullshme kombet rrallë i kanë. Por Lidhja jonë nuk dinte TË SHKRUANTE në gjuhën e vendit! Një shtet që NUK E SHKRUANTE dot as emrin e vet në shqip, a do të mund të quhej shtet shqiptar?
17.
Rroftë Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit! Rroftë Shoqëria “Agimi”! Rroftë Kongresi i Manastirit! Ata ia sollën Shqipërisë Ditën e 28 Nëntorit! Pa ata iluministë, prushi i Shpirtit tonë do të ish fikur kaherë dhe kalimtarët do të kishin derdhur ujin e hollë sipër hirit!
18.
Tani dëgjojeni mirë URDHËRIN E SHEKULLIT, në të cilin po hyjmë! N’emën t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit Shenjt! Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! TË GJITHË SHQIPTARËT QË E KAPËRCEJNË TË GJALLË SHEKULLIN XX, JANË TË DETYRUAR TË SHKRUAJNË NË GJUHËN SHQIPE, E PAKTA GJYSMË FAQE FLETOREJE NË DITË!
19.
I bie, në vit, 182 faqe. Por Shpirti i Shenjtë i Etnisë sonë, zemërfalës, zemërbutë, zemërlëshues e mbijetues, po i heq 52 ditë pushimi, nga 1 për javë, dhe mbetet që shqiptari TË SHKRUAJË, për të lënë trashëgim,130 faqe në vit. Kaq është minimumi! Më tepër, sa të duash!
20.
20 vjeç kush fillon, e rron 80 vjet, ditën e vdekjes, kur qiriri i tij s’do të bëjë më dritë, kur të dridhet për t’u fikur qiriri i tij, ai do t’u dorëzojë të afërmvet 7 800 faqe, 3 900 fletë TË SHKRUARA, dhe kjo do të jetë më e vlefshme se një shtëpi, më e vlefshme se një fabrikë.
21.
Kush nuk e bën këtë punë kaq të vogël, qoftë i mallkuar përjetë! U kalbtë nën dhe si një urith ose mbi dhe, siç kalbet një mace e ngordhur! U harroftë edhe nga më të afërmit e tij, që në ditën e dyzetë! Dhe Zoti, edhe Djalli, atje në jetën e përtejme, i thënçin: “Ik, se s’je për mua!” Dhe: “Shporru!”
22.
Kush nuk e zbaton këtë borxh që i ka vetëvetes e që si punë është fare e lehtë, iu thafshin 2 këmbët e 2 duart, si 4 shkopinj të prerë! Iu dridhshin duart, e buza vend mos i zëntë e mos mundtë ta çojë lugën te goja për kiamet! Dhe mos iu qetësoftë shpirti, dhe mos iu ngoptë barku me bukë asnjëherë!
23.
Kush do ta kryejë këtë detyrë fisnike, këtë punëz të vogël, por të përditshme, që Kombit i sjell shkëlqim e madhështi, dhe që, pa dyshim e zbukuron edhe njerëzimin, ai do ta ketë jetën të pambarueshme, do të ruhen në të gjithë brezat, dora, fjala dhe shpitri i tij dhe, në 4 mijë vjetët, që pas kësaj dite, vijnë, Kombi ynë do të jetë KAMPION, krah për krah me kombet e tjerë, TË VËLLAZËRUAR. Amin!
Gjokë Dabaj – 24. XII. 1999

_________________
Shënim: Për pak më shumë se 12 vjet vonesë në publikimin e këtij “urdhëri”, fajin po e merr përsipër autori. Merita, që ky “urdhër”, më në fund, po publikohet, është e “Pashtrikut.org”, si dhe e informatikës elektronike mrekullibërëse, e cila i ka çliruar tashmë krijuesit nga skllavëria redaksionale e njërit apo tjetrit botues. Gj.D.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura