GJOKË DABAJ: VETËM KËTA TË NA SHPORREN!

Durrës, 30 prill 2018: (Monolog i një lexuesi të Fejzbukut, gjysmë i sinqertë.) – Mora vesh që Pëllumb Xhufi qenka një pinjoll i nomenklaturës komuniste! O Zot, sa jam zhgënjyer! E ëma dhe i jati paskan qenë partizanë dhe paskan luftuar, jo vetëm kundër italianëvet dhe gjermanëvet, por edhe kundër ballistëvet, ku ka marrë pjesë edhe gjyshi im! Mbas luftës, në Kohën e Enver Hoxhës, prindët e Pëllumb Xhufit paskan qenë nëpunës të atij regjimi!
Vetëm mbasi i lexova këto pjesë të biografisë së tij familjare, e kuptova, pse ai nuk është dakord që Kampi i Tepelenës të quhet një Aushvic apo një Dakau. Nuk është dakord, doemos, sepse është pjellë komuniste! (Lexuesi i Fejzbukut kish shkruar këtu edhe ca fjalë të tjera, por unë nuk po i citoj. Gj.D.)
Ishin komunistët, ata që i kishin çuar gjyshin dhe gjyshen time në atë kamp të tmerrshëm, i cili ua kalonte Aushvicit, Dakaut e cilitdo tjetër kamp të nazizmit! I kishin internuar atje me 4 fëmijë, njëri prej të cilëvet edhe ka vdekur aty dhe është varrosur, siç thonë, mu në zall!
…E pse do t’i internonin?! Sepse ishin kundërshtarë të atij regjimi! Sepse xhaxhai i babit tim, vëllai i gjyshit tim, kish dalë në Jugosllavi dhe vinte natën andej, për të organizuar kryengritjen!
Ja, kështu ka qenë puna! Në qoftë se ne do ta kishim rrëzuar qeverinë komuniste qysh atëherë, me ndihmën e komunistëvet jugosllavë dhe të kapitalistëvet amerikano-anglezë, nuk do të kishim nevojë, më 1991-shin e këndej, as të plaçkisnim e digjnim magazinat e tregtisë, as të thyenim xhamat e shkollavet, as t’i shkulnim pllakat e kanalevet ujitës, as t’i rrënonim fabrikat e uzinat. Nuk do të kishim nevojë t’i prishnim koopertivat, sepse ato as që do të ishin krijuar! Nuk do të kishim nevojë t’i rrënonim e t’i shkatërronim fabrikat e uzinat, sepse ato as që do të ishin ndërtuar!

…Ç’është e vërteta, në shkatërrimin e çdo gjëje që kish ndërtuar komunizmi, na ndihmuan vetë bijtë e komunistëvet. Ata ishin në krye të atyre shkatërrimeve, sepse donin t’u hynin në qejf Perendimorëvet.
Mirëpo, ky Pëllumbi nuk paska qenë me ta! Ky paska ndenjur nën hije dhe qenka marrë me ca shkrime! Paska shkruar një libër për Muzakët! Paska shkruar një libër tjetër për arbërit e Jonit, thonë, mbi 1400-faqesh!.. Të gjitha i ka bërë për t’u maskuar! Për t’u shitur gjoja patriot! …A mund të jetë patriot një bir komunisti?! Kurrën e kurrës!
Komunisti Enver Hoxha, prindi ideologjik i këtyre, si puna e Pëllumb Xhufit, e ka pasë shkatërruar familjen time! Na i ka pasë marrë tokat dhe ua ka pasë shpërndarë fshatarëvet! Na i ka pasë marrë florinjtë dhe i ka pasë futur në bankën shtetërore, për vete! Pastaj, diç më vonë, edhe fshatarëvet ua ka marrë krejt tokat dhe i ka kolektivizuar, për vete! Për t’i pasur vetë! Për të bërë ç’të donte, edhe me floririn, edhe me tokat! E populli të mos ketë asgjë! As bukë për të ngrënë!
Ja, ky na qenka Pëllumb Xhufi, pinjoll i një familjeje partizane dhe, aq më keq, komuniste! Sado që vetë, thonë se s’ka qenë kurrë anëtar i asaj partie.
Ndërsa familja ime ka qenë dhe mbetet një familje e nderuar. Gjyshi i gjyshit tim ka qenë çifligsahibi, nga më të pasurit këtu në Shqipëri. Ka pasur nën sundimin e vet disa dhjetëra fshatra bujkrobërish! Ka qenë trim i madh! I ka pasë shërbyer sulltanit të Turqisë me besnikëri dhe sulltani e ka pasë shpërblyer me çifligje. Ka marrë tokë sa i ka dashur qejfi dhe kufijtë e çifligjevet, thonë, i ka pasë shënuar në një lëkurë kau. Çudi e madhe kjo lëkura e kaut! E kam pasë dëgjuar nga të moçmit. Thoshin se, e kripur dhe e tharë, i ruan vizat dhe shkrimet njësoj si letra. Madje kam dëgjuar që, dikur, edhe lëkura regjur e kecit qenka pëdorur në vend të letrës.
Në Kohën e Mbretit Zog, gjyshi im, a gjyshi i babit tim, e ka marrë atë lëkurë kau, të bërë tub, dhe e ka çuar në zyrat kadastrale. Nëpunësit e Zogut i kanë hedhur në letër ato që lexoheshin mbi lëkurën e kaut dhe ato letra janë ruajtur në sarajin tonë deri sa ka ardhur regjimi kriminal i Enver Hoxhës. Bashkë me dokumentet e kohës së Zogut, kemi pasur edhe një tufë të madhe letrash me shkrim arab.
Të gjitha na i patën marrë komunistët dhe i patën arkivuar në Arkivin e Shtetit! Njerëzit e familjes sime pothuaj kishin hequr dorë nga e gjithë ajo pasuri, e fituar me gjakun e me djersën e të parëvet tanë.
Mirëpo, erdhi kjo demokracia perendimore dhe i përkrahu pinjojtë e ish-pashallarëvet, të ish-bejlerëvet dhe të ish-çifligsahibinjvet. Midis tyre, natyrisht, demokracia perendimore e përkrahu edhe familjen time, e cila, tashmë ishte shtuar. Çuditërisht shtuar! Sado që kishim vuajtur nëpër internime, e më vonë, në kooperativë, në tregti e në industri, si punëtorë të thjeshtë ose si nëpunës fare pa rëndësi, prapëseprapë jemi shtuar në Kohën e Kriminelit Enver Hoxha.
Mirëpo, erdhi demokracia perendimore dhe i përkrahu pinjojtë e ish-pashallarëvet, të ish-bejlerëvet dhe të ish-çifligsahibinjvet. Midis tyre, natyrisht, edhe familjen time. Babai im shkoi në Arkivin e Shtetit, i pagoi flori një ish-komunisti (nga floriri që gjyshja ime kish arritur ta fshihte para se t’i internonin) dhe i mori dokumentet e pronësisë.
Kemi hequr të zitë e ullirit, deri sa i kemi rikthyer një pjesë të tokavet që na i kish rrëmbyer krimineli Enver Hoxha, për vete. Por prapë s’i kemi marrë dot të gjitha, sepse këta ish-komunistët nuk ngopen kurrë.
Mirëpo, qenkan edhe më të mbrapshtë kjo kategoria e Pëllumb Xhufit që nuk marrkan as flori, as para, që nuk pranokan kurrfarë ryshfeti, për të mbyllur gojën!
O Zot i madh! Kur do t’i vijë fundi kësaj pjelle të mallkuar, që ta kemi krejt pushtetin ne pinjojtë e ish-feudalëvet dhe të ish-tregtarëvet?! Duhet t’u kërkojmë edhe më shumë ndihmë: amerikanëvet, anglezëvet, francezëvet, gjermanëvet! More, edhe të sërbëvet apo rusëvet, turqvet a kujtdo tjetër, vetëm këta të na shporren!
Gjokë Dabaj – Durrës, 27-28 prill 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura