GJOKË DABAJ: Z I E Z Y M T Ë M B I S H Q I P Ë R I!

Durrës, 24 mars 2018: Para 92 vjetësh, një hero të Kombit tonë, kështu do ta qanin shqiptarët: „Nëno, moj, mbaj zi për vllanë,/ Me tre plumba na i ranë,/ Na e vranë e na e shanë,/ Na i thanë tradhëtor.// Se të deshte dhe s’të deshnin,/ Se të qante kur të qeshnin,/ Se të veshte kur të çveshnin./ Nëno, moj, të ra dëshmor.“// (F.Noli, Vep.1,f.88)
Sot, mbas 92 vjetësh, nuk po mbajmë zi për heronj e për dëshmorë, por po mbajmë zi për 80 deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët na u vranë përfundimisht dhe u shtrinë gjithë jargë nën moralin e tyre të kalbur dhe me erë të rëndë.
– Si guxuan, prej vetes, jo prej dikujt tjetër, t’i falin dikujt, kujtdo qoftë, edhe një copë tjetër të tokës amëtare?!
– Si ua mbajti ndërgegjja, por edhe përgjegjësia ndaj popullit të vet, ndaj nipërvet dhe ndaj të gjithë atyre që do të lindin në të ardhshmen nënat shqiptare?!
– Si guxuan të shtrijnë gishtin e të shkelin butonin për t’i thënë PO një tradhtie kombëtare, e cila nuk dihet se deri ku do ta përcjellë jehonën kobzezë?!
Nuk janë pak, por janë 80, bij të Shqipërisë, që s’e deshën Nënën e vet, që e qeshën dhe që e çveshën Nënëzezën tonë!
– 80 zgaqër, që Shqipëria i volli siç vjell njeriu një gjellë të prishur!
– 80 gjakqelbëzuar „ndejun mbi thasë t’florive/ ndër valle jevkash, n’lodrë dudumash/“ tallen t’knaqun… „si qentë mbas trumash“. (Krs: N.Mjeda “Juvenilia“,f.91-92)
E tash njerëzia do të pyesë:
– A i qan nëna bijtë e vet tradhtar?!.. I qan, doemos, i qan në heshtje, duke i ardhur keq që i ka lindur dhe duke mallkuar barkun e vet, që nuk lindi dot në vend të tyre, një Luigj, një Bajram Beg, një Çerçiz, një Spiro Bellkamen, një Azem Bejtë a një Adem Jashar. Zia e nënavet të atyre ditëzezëvet është e zymtë, në ngjyrën e mykut, dhe krejt Kombi ynë po përjeton këto ditë një zi të zymtë.
Qajini, pra, nëna shqiptare, të 80 bijtë tuaj sylëbyrur, qajini me lot e me kujë, brenda vatravet tuaja, dhe lutjuni Zotit tonë që nënat e tjera shqiptare të mos lindin më zgaqër të tillë fytyrëturpërues të Kombit të vet!

Gjokë Dabaj, Durrës – 23 mars 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura