GJYKATËSIT E HADESIT …

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin, kallnor 2024

Gjykatësit e Hadesit…

(Dhe një mall i largët)

1. Përballja e vështirë

Ç’prej lashtësive të mugëta, pos librave të jetës, vijnë ende turbullues dhe ata të mortit: libri tibetian dhe, tjetri, egjiptian, i të vdekurve. Do t’më mrekullonte, ndërkaq, një fragment i të dytit, në restaurimin intelektualisht mjeshtëror të Borgesit, që jep rrënqethshëm ndëshkimin e të ikurit gabimtar…

“…I vdekuri betohet se nuk ka qenë shkak urie e dhimbjeje, se nuk ka vrarë a nuk ka cytur të tjerët që t’vrasin për të, se nuk ka bërë hile n’kandar, se nuk ka hequr qumshtin nga goja e foshnjeve, se nuk ka ndjekur bagëtinë nga kullosat, se nuk ka zënë me kurthë zogjtë e perëndive. Nëse ai do gënjejë, aherë dyzetedy gjykatësit ia dorëzojnë  Ngrënësit të madh të të vdekurve, që sipas Plutarkut,  ndihmohet nga Titani që lindi Kimerën homerike të armatosur me flakë..!”

Këtë rishtjellon gjeniu i hollë në Librin e Qenieve imagjinare, që, si thotë vetë, do të përligjte qysh në titull përfshirjen e zhvillimeve përmasore të princit Hamlet e, ndoshta, të secilit prej nesh dhe Hyjnisë…

Përveç mëkatit të trashëguar zanafillor, vështirë të shpëtojë njeri pa prekur ligshtinë e mëkatit të fituar. Por ka një shkallëzim, më i veçanti i të cilit është dallesa e thellë mes të poshtmëve, ndër njerëz që e vuajnë atë vetë me ndoca të tjerë rreth tij dhe atyre që mëkatojnë lartë, atje në majat fshehatare të fuqisë dhe e vuajnë dhjetëra, mijëra, një popull i tërë, përtej një brezi a një kohe…

Athua do të besoheshin despotët provincialë të regjimeve dhunëtare rrotull nesh, nga dyzetedy gjykatësit nëntokësorë të Borgesit, ringjallësit letrar të krijesave fantaste që s’patën njëherë pranishmëri historike?

Më pak se rrallëkush, sigurisht.

2. Kumti i Nënës…

“Nëna e votrës”, një plakë e urtë e flokëbardhë, tjerr kujtime e gazmon jetën. Kështu do të përftyrohej ajo kryehershëm. Në prrallat e bukura me dimër e dëborë.

Mirëpo më vonë, doli t’mos  ishte pos një mashtruese e ligë. Zgjohej natën dhe verbonte bijtë e saj.

Kohët e fundit kujtoj shpesh këtë figurë të mitologjisë shqiptare. Është Nëna e Votrës Sonë, që, anise e përflakur dashurie e adhurimi, thur fijen përlidhëse mes mitikes e reales. Veçse, ndryshe nga mitikja, kjo hallakatet frikshëm ditën për diell, me një maskë të huaj mbi ftyrë. Dhe, jo vetëm verbon, por vret fëmijët e saj. Ëndrrën e tyre që pret e pret orën e paardhshme.

3. Ofshâmë poetike

“Malli për të pambërritshmën”, nuk është shuar ende si një klithmë e dikurshme poetike.

Poetit Mekuli i ngryste zemrën “vëllai me sharrë në krah”. Tani ata nuk bredhin më rrugicave pa diell të Belgradit. Po janë sërish të mundur. Fuqinë e trupit ua shesin tashmë uzurpatorëve të lirisë: politike e kombëtare! E pra, atyre që iu volis mosdija dhe ngatërrojnë kapitalizmin me lirinë.

“Liria punon”, thoshte amerikani James Baker në fillimvitet 90-të. Ashtu vërtetë, porse në tokat e shqiptarëve nuk është liria, veç kapitalizmi që punon. Një kapitalizëm i egër. I dhunshëm. Larg kulturës politike që i shkon natyrës së tij. Ndaj, shalon shtetin dhe mohon shansin egalitar, barazinë e së drejtës në kërkimfatin e jetës.

Të lumnisë që mbetet ende prorë një “mall për të pambërritshmën”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura