GWYNNNE DYER: ‘DEKLARATA E BALFOURIT’ (2 NËNTOR 2017) I VURI THEMELET PËR KRIJIMIN E SHTETIT TË IZRAELIT

Pashtriku.org, 6 nëntor 2017: Më 2 nëntor 2017 u mbushën 100 vjet nga dita kur, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, qeveria britanike dërgoi një letër, e njohur si “Deklarata Balfour”, e cila tre dekada më vonë do të çonte në krijimin e shtetit të Izraelit.
Letra iu dërgua zyrtarisht Walter Rothschildit, kreu i Federatës Sioniste Britanike, nga Sekretari i Jashtëm britanik, Arthur James Balfour, më 2 nëntor, 1917. Versioni fillestar, megjithatë, ishte rishkruar disa muaj më herët nga Rothschild dhe Chaim Weizmann, presidenti i ardhshëm i Organizatës Botërore të Sionistëve, me kërkesë të Balfourit.
Gjërat do të kishin qenë ndryshe nëse, Sekretar i Jashtëm do të kishte qenë një tjetër politikan, konservatori George Nathaniel Curzon, i cili do ta merrte këtë detyrë vetëm dy vjet më vonë. Në atë kohë, Curzon i kishte thënë Balfourit: “Unë nuk besoj se lidhja e hebrenjve me Palestinën, që mori fund 1 200 vjet më parë, legjitimon çdo lloj pretendimi. Nëse do të ishte kështu, do të kishim më shumë të drejtë të kërkonim Francën”, (një pjesë e madhe e territorit francez ishte nën sundimin e mbretërve Britanikë, deri në shekullin e pesëmbëdhjetë).
***
Por letrën e shkroi Balfouri. Pasazhi kryesor thotë: “Qeveria e Madhërisë së Tij, e mirëpret krijimin në Palestinë, të një shtëpie kombëtare për popullin hebre, dhe do të punojë për të lehtësuar arritjen e këtij qëllimi, pasi është e qartë se asgjë nuk duhet bërë, që të paragjykojë të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve jo-hebraike në Palestinë, as të drejtat dhe statusin politik të hebrenjve në vende të tjera”.

Në tekst ka disa shprehje të paqarta: “shtëpi kombëtare” ishte një term i shpikur për të shmangur premtimin e judenjve për një shtet të vërtetë. Por “komuniteteve jo-hebraike të Palestinës” (600,000 banorë, kryesisht arabë muslimanë) u premtoheshin vetëm “të drejtat e tyre civile dhe fetare”, dhe jo ato politike. Nënteksti ishte i qartë: qëllimi përfundimtar ishte krijimi i një shteti hebre.
Po pse britanikët donin të humbisnin kohën e tyre me një çështje kaq periferike, në një kohë kur kishin frikë se do të humbnin luftën? Fakti është se revolucioni rus po nxiste Moskën, një aleat i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, që të tërhiqej nga lufta, dhe duhej të kalonte shumë kohë përpara se aleati i ri, Shtetet e Bashkuara, të dërgonte një ushtri të madhe në Evropë. Arka e Londrës po zbrazej me shpejtësi. Arsyeja kryesore (megjithëse e pakonceptueshme) për deklaratën e Balfour, ishte se në Mbretërinë e Bashkuar, besohej se çifutët do të kontrollonin bankat.
Nuk ishte e vërtetë dhe i vetmi hebre i Kabinetit Britanik të Luftës, Eduin Montagu, kishte shkruar një memorandum për “antisemitizmin e qeverisë së tanishme (të Britanisë së Madhe)”. Por disa anëtarë të kabinetit ishin të krishterë të devotshëm, të cilët e merrnin Dhjatën e Vjetër pothuaj fjalë për fjalë, Franca kishte shpërndarë prej pesë muajsh, një deklaratë edhe më bujare të mbështetjes për një shtet hebre në Palestinë, dhe Mbretëria e Bashkuar druhej se Gjermania do të bënte të njëjtën gjë.
Për këtë arsye, deklarata e Balfour u botua dhe kështu filloi lufta shekullore për kontrollin e Palestinës. Fillimisht, territori përfshinte të gjithë provincën osmane të Palestinës, të cilën trupat britanike po e merrnin nën kontroll në atë kohë. Libani, i cili ndodhet në veri përgjatë bregdetit të Mesdheut, iu dha Francës gjatë marrëveshjeve të paqes.
Më pas, në vitin 1921, Winston Churchill, ministri i sapoemëruar i kolonive, thirri një konferencë në Kajro, gjatë së cilës vendosi që territori në lindje të lumit Jordan, të shndërrohej në një mbretëri arabe të quajtur Transjordani (më vonë vetëm Jordania), ku vendbanimet hebraike do të ishin të ndaluara.
Momenti vendimtar i holokaustit
Disa sionistë protestuan për këtë humbje toke, që ata besonin se u ishte premtuar atyre. Chaim Weizmann i shkroi Churchillit, duke argumentuar se “territoret e Galaadit, Moadit dhe Edomit … janë historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht të lidhura me Palestinën, dhe pikërisht nga këto fusha, tani që fushat e pasura veriore i janë marrë Palestinës dhe i janë dhënë Francës, sot varet një pjesë e madhe e suksesit të shtëpisë kombëtare hebraike … “.

Shumë sionistë mendonin se këto ndryshime ishin vetëm të përkohshme, ose ishin të vetëdijshëm se sa e vështirë do të ishte të sigurohej një shumicë hebraike edhe në territorin e mbetur, ku në atë kohë jetonin vetëm 94.000 hebrenj.
Sot, Izraeli kontrollon të gjithë territorin e mbetur, por popullsia mbetet gjysmë arabe, nëse llogariten palestinezët që jetojnë në territoret e pushtuara, të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.
Mbetet ende e hapur pyetja, nëse një shtet hebre tërësisht i pavarur, do të mund të ekzistonte ndonjëherë në Lindjen e Mesme, nëse holokausti nuk do të kishte prodhuar një rrjedhje masive të emigrantëve, që largoheshin nga shoah-u, apo pasojat e tij. Dhe ishte pikërisht holokausti, që ndryshoi pozicionin e fuqive të mëdha (duke përfshirë Bashkimin Sovjetik) në favor të lindjes së tij, duke bërë të mundur që rezoluta e OKB-së të legjitimonte shtetin e Izraelit, në vitin 1948.
Por nuk ka gjasa që Izraeli të ekzistonte, pa shtytjen fillestare të dhënë nga deklarata e Balfourit, për projektin sionist. Është e pabesueshme se çfarë mund të arrijnë të marrin, një grusht njerëzish që janë të vendosur, dhe kur gjenden në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Zionists extracted 1917 Balfour Declaration from British as price for bringing U.S. into WWI


BRITAIN IN PALESTINE 1917 1948

Palestine before 1948

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura