AGIM SYLEJMANI: KADRI ZEKA – NJË JETË NË SHËRBIM TË POPULLIT

Pashtriku, 20 mars 2021: Në 40 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

I lindur në një familje të varfër fshatare në Poliçkë të Kamenicës, por patriote të flaktë, Kadri Zeka pati fatin të frymëzohej që në vegjëli. Si i vogël iu ndejti pranë burrave të shtëpisë në bisedat dhe ndejat e pasdrekës në odë. Në këto ndeja e kuvendime Kadriu i vogël pati rastin të dëgjonte shumëçka nga ngjarjet, personalitetet dhe historira të shumta që në shkollë nuk përmendeshin. Që në vegjëli, pra, Kadriu u ballafaqua me një të vërtetë të hidhur, se shqiptarët dhe Kosova, edhe pranë luftës së pandërprerë ndër shekuj, qenkan të robëruar e të shtypur, të shfrytëzuar e të ndjekur.
Kadriu, si dhe shumë e shumë fëmijë të tjerë, u rrrit pa fëmijëri, pa lodra, pa gëzimin e fëmijës. Kjo fëmijëri e burrërimit Kadriun e drejton në rrugën e luftës e të revolucionit. Që në bankat e gjimnazit njihet dhe lidhet fort me kryetrimin e Gjilanit kryengritës, Rexhep Malën, dhe përmes tij edhe inkuadrohet si i ri në radhët e organizuara të revolucionarëve të Kosovës, epitet të cilin ai do ta bartë me dinjitet deri në fund të jetës së tij.
Që si gjimnazist Kadriu mori pjesë aktive në aksionet konkrete që ndërmori Grupi Revolucionar i Kosovës, anëtar i të cilit ishte. Këtu erdhi në shprehje vendosmëria, guximi, konspiracioni, gjakftohtësia dhe shkathtësia e Kadriut si revolucionar i devotshëm. Kadriu ishte lexues i pasionuar dhe njihet si luftëtar i nxënies së dijeve. Ai vazhdimisht ishte i angazhuar edhe me ngritjen personale ideopolitike dhe revolucionare. Dijet e fituara do të vijnë më vonë në shërbim të gazetarisë së tij revolucionare ilegale, ku ai u shqua me një talent të jashtëzakonshëm. Gjatë kohës kur punoi në Radio Prishtinë, ishte i nxënë edhe me veprimtari të ndryshme ilegale, ku ai u shqua me një talent të jashtëzakonshëm. Puna në Radio Prishtinë, ku merrej me përgatitjen e emisioneve për bashkatdhetarët, ishte tejet e vështirë për të, sepse nuk mund të shprehte lirisht atë që e mendonte, edhe pse me zgjuarësi të rrallë thoshte shumëçka që censurës së rreptë policore nuk i pëlqente fare. Atë që nuk e thoshte dot përmes emisioneve të radios, e thoshte përmes shtypit ilegal revolucionar të kohës.

– KADRI ZEKA –

Gjatë kësaj kohe ai shquhet edhe si organizator profesionist dhe konspirativ i thellë. Në mesin e rinisë studentore të Prishtinës, ku edhe ishte i caktuar të vepronte, veproi me plot sukses dhe gjurmët e veprimtarisë së tij do të përhapen shumë shpejt në të gjitha viset nga vinin studentët. Kështu edhe e zgjeroi rrjetin e tij organizativ me të rinj, duke freskuar edhe më tej Organizatën Marksiste – Leniniste të Kosovës, sekretar politik i së cilës ishte. Pas një veprimtarie të frytshme revolucionare gati dhjetëvjeçare të ilegalitetit të thellë, Kadri Zeka detyrohet të arratiset nga Kosova dhe veprimtarinë e tij revolucionare ta vazhdojë në Perëndim, në mesin e punëtorëve shqiptarë kurbetçarë. Tani Kadriu kishte mundësitë më të mira për të vënë në shërbim të luftës aftësitë e tij gazetareske dhe propagandistike. Tanimë ai del hapur me shkrimet e tij, të cilat do të jehojnë fuqishëm në mesin e punëtorëve kurbetçarë, e sidomos në Kosovë.
Pos tubimeve të punëtorëve në radhët e organizuara dhe tubimeve që organizonte për punëtorët shqiptarë me rastin e festave dhe datave të shënuara të historisë sonë kombëtare, Kadriu merret aktivisht edhe me profesionin e tij propagandistik dhe gazetaresk. Që më 1980 fillon botimin e organit të OMLK-së “Liria”. Boton shqipërimin e parë të elaboratit famëkeq “Shpërngulja e shqiptarëve” të neofashistit serb Vaso Çubriloviq, parathënien e të cilit e shkroi vetë Kadriu. Të njëjtin vit (1980) boton përmbledhjen e poezive të revolucionarëve të Kosovës me titull “Këngët e lirisë”.
Kur shpërtheu revolta e popullit shqiptar në Kosovë, në pranverën e kuqe të vitit 1981, Kadriu me shokët e tij, pa u hamendur hidhet në aksione konkrete të përkrahjes së popullit dhe kërkesave të tij më se të ligjshme, duke organizuar e udhëhequr protesta e demonstrata nëpër metropolet evropiane, përmes të cilave opinioni evropian njihej me kërkesat e vërteta të popullit tonë, të shprehuara hapur nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës. Gjatë vitit 1981 Kadriu organizoi dhe udhëhoqi nëntë demonstrata dhe shumë e shumë tubime e protesta të punëtorëve shqiptarë.
Meqë punonte edhe nga 12 orë në ditë, për veprimtarinë dhe aktivitetin e tij patriotik e gjente kohën e gjumit të cilën nuk e kursente për asnjë moment. Sytë e tij të mavijosur nga pagjumësia dhe lodhja tregonin qartë për jetën e tij shpirtërore dhe fizike. Jetën e një njeriu patriot e revolucionar të devotshëm që tërë forcat e veta mendore e fizike ia kishte kushtuar luftës së shenjtë për lirinë dhe pavarësinë e popullit dhe Atdheut. Edhe pse jetoi shkurt, jeta e tij dhe veprimtaria ishin shumë të frytshme dhe të tëra në shërbim të kësaj lufte. Pos organit “Liria”, më 1981 Kadriu botoi edhe përmbledhjen e artikujve “Jehona e ngjarjeve në Kosovë”.
Gjatë vitit 1980-1981 Kadriu pati një bashkëpunim të ngushtë revolucionar me Jusuf Gërvallën, i cili posa e lexoi numrin e parë të organit “Liria” ndërpreu botimin e gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe e ndihmoi aktivisht Kadriun në botimin e organit “Liria”. Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i ngushtë vëllezëror e revolucionar i Kadriut e Jusufit ishte bërë halë në sytë e UDB-së. Prandaj edhe nuk është e rastit pse edhe kreu aktin mizor të atentatit kundër të dy këtyre figurave nga më të shquarat e kohës.
Lavdi në vite e shekuj veprës së pavdekshme të dëshmorit Kadri Zeka!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura