HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (36)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (36)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 26 gusht 2021

DËSHIRA E FAMILJES SIME ËSHTË QË HALIL ALIDEMA TË RIVARROSET NË KOSOVË

Njeriu i Madh, Halil Alidema, si një nga luftëtarët më të mëdhenj për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb dhe si kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar të Kosovës, ka banuar, ka jetuar e punuar në familjen Dervishi gjatë një kohe prej 5 vjetësh 1991-1996. Për këtë janë dëshmitarë e tërë udhëheqja e Partisë së këtyre viteve, si dhe të gjithë militantët e kësaj partie, brenda dhe jashtë Shqipërisë e Kosovës, sidomos ata që banonin në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Suedi , Maqedoni e Turqi.

Halili këtë shtëpi, këtë familje e kishte shumë të përshtatshme në të gjitha drejtimet e me kushtet maksimale për të banuar, jetuar e punuar normalisht. Pikërisht për këto shkaqe, për këto arsye e të tjera, ai ka ushtruar lirshëm të gjitha funksionet e detyrimet si drejtues e udhëheqës i atyre viteve të njerëzve që luftonin për çlirimin e Kosovës.

Në këto dhoma, në këtë ambient, ku përfshihen dy dhoma, një aneks, një banje e një korridor, Halili ka pritur e ka përcjellë të gjithë njerëzit me të cilët ai ka luftuar e bashkëpunuar brenda dhe jashtë Shqipërisë në vendet e zëna ngoje.

Pikërisht në këtë ambient, Halili, për një kohë prej 5 vjetësh ka pritur e përcjellë të gjithë anëtarët e familjes së tij, si Teutën, Linden, Atdheun e Yllkën, duke e bërë këtë herë pas here. Po kështu ka pritur e përcjellë njerëzit e gruas së tij, Teutës, si vëllezërit e saj: Fuatin, Ekremin, Aliun e motrën. Ndërsa, kur i vdiq, e shoqja, Teuta, dy vjet para se të vdiste vetë, Halili me përjashtim të tri ditëve të para, të gjitha ngushëllimet e vizitat brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka kryer në këtë shtëpi.

Në vitin 1995, Halili sëmuret rëndë nga mëlçia, dhe mbasi u kurua disa herë në spitalet tona, nën kujdesin e kësaj familjeje, në muajt e parë të vitit 1996, gjendja e tij u keqësua shumë, prandaj duke u konsultuar me mjekun e tij, vendosëm që Halilin ta shtronim në spitalin e kësaj sëmundjeje në Tiranë, ku më 19 mars 1996 ai vdes. Bashkë me djalin e tij, Atdheun e vajzën Lindën, të cilët u ndodhën në Tiranë në kohën kur vdiq e me disa shokë e bashkëluftëtarë të tij, si Ramadan Bunjaku, Ismet Fejzullahu, etj. Trupin e tij e sollëm menjëherë në shtëpinë tonë, ku mbasi iu bënë të gjitha shërbimet që i kërkonte tradita e Kosovës si dhe funksioni partiak, që mbajti për një kohë të gjatë, u varros pranë varrit të gruas së tij – Teutës, në varrezat e Kombinatit, atje ku janë edhe sot mbas tetë vjet të vdekjes së tyre.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë një numër i madh njerëzish nga Shqipëria, Kosova e disa vende jashtë Shqipërisë, si Rexhë Gjakli nga SHBA etj. Fjalën e rastit e mbajti Ramadan Bunjaku, i cili u vlerësua mjaft prekës.

Vdekja e Halilit u shënua edhe në shtyp e në televizor, por më tepër në aspekt kurtuazie.

 Pas kryerjes së procesit të varrimit, kjo shtëpi në prani edhe të njerëzve më ta afërt të Halilit, priti e përcolli një numër të konsiderueshëm shqiptarë nga Kosova për shtatë ditë rresht.

Atdheu dhe Linda (vajza e madhe) dhe i shoqi i saj, Hamza, brenda të gjitha rregullave e normave i dorëzuan Ramadan Bunjakut invetarin dokumentar, ndërsa sendet personale të Halilit u administruan nga vetë ata.

Halil Alidema erdhi në këtë familje si qeraxhi, ku punoi e jetoi pesë vjet, por u nda nga ne si pjesëtar i kësaj familjeje: Yzeiri, Afeseja, Kreshniku, Mira dhe Oni e kemi vlerësuar, trajtuar e konsideruar tamam pjesëtar të denjë të kësaj familjeje. Por e themi me plot gojën se dhe vetë Halili i bëri kaq vend vetes në këtë familje, tamam si pjesëtar i mirë i kësaj familjeje.

Në të gjitha gëzimet e hidhërimet, lodhjet e mundimet, dertet e hallet, ne i kaluam bashkë pa bërë asnjë qëllim dhe duke e vënë secilin në nderin e vet.

Në të gjitha bisedat që bënte Halili me njerëzit e vet, miqtë e shokët, e nënvizonte këtë fakt që “unë jam pjesëtar i gjashtë i kësaj familjeje dhe i tillë do të vdes”.

Halil Alidema përfaqësonte njerëzit më pozitiv të Kosovës, atdhetar e luftëtar i rrallë, patriot i flakët në kuptimin më të plotë të fjalës.

Ai ishte njeri me kulturë e horizont të gjerë, i mendjes dhe i penës. Ai veç “Librit të Bardhë” ka shkruar e trajtuar në shtypin e kohës mjaft probleme e shqetësime që lidheshin me historinë e Kosovës e Shqipërisë dhe me to çështje që kërkonin zgjidhje, për të cilat ai jepte edhe mendime konkrete për zgjidhje konkrete.

Si njeri, Halili ishte një personalitet me vlera të rralla, bi të gjitha patriot i zjarrtë për lirinë e pavarësinë e Kosovës; ishte bujar e mikpritës, i sinqertë e i palodhur në punë, bile edhe në dëm të shëndetit të vet.

Shëndetësisht ai nuk ishte mirë; ishte i vrarë shumë nga jeta. Torturat e jetës 11 vjeçare në burgjet serbe, e kishin dërrmuar fare atë njeri të mirë e patriot të rrallë.

Me njerëzit ka mbajtur lidhje të rregullta e korrekte, nderonte e i respektonte të tjerët, e ruante karakterin dhe dinjitetin e tij, e respektonte punën e tjetrit.

Përveç, pjesëtarëve të familjes sonë, tek e cila ai kishte besim të palëkundur, ai nderonte e respektonte: Rexhë Gjaklin, Hazir e Selim Shabanin, Ramadan Bunjakun, Hidajet Beqirin, Hamza Morinën, Xhemën, Malën e Muharremin në Maqedoni e shumë të tjerë, që mua aktualisht nuk më kujtohen.

Shtoj se një person tjetër, tek i cili ai ka pasur shumë besim, është Ramazan Sala, i cili me të vërtetë i ka shërbyer me besnikëri e korrektësi të madhe Halilit për një kohë të gjatë, deri në orën e fundit të jetës së Halilit. Edhe Ramazani është sjell korrekt e që i qëndroi besnik në të gjitha drejtimet e jetës së Halilit dhe punës së Tij.

Ne si familje kemi një merak për këtë njeri të madh, për këtë personalitet të rrallë të Kosovës: Ka tetë vjet që ai ka vdekur, por eshtrat e tij janë akoma atje, ku ishin edhe kur Kosova ishte nën sundimin e Serbisë.

Ne, të gjithë anëtarët e familjes, kemi pritur vit pas viti që të dëgjonim ndonjë lajm të ri për këtë luftëtar të madh të Kosovës, pasi ai i ka dhënë më shumë Kosovës, sesa po i jep ajo Halil Alidemës.

Për këtë luftëtar, mund të shkruash edhe më gjatë, por për këtë herë mendojmë ta lëmë me kaq.

Me respekt Yzeir Dervishi, d.v., Tiranë dhjetor 2004                                                  

NJË PERSONALITET I SHQUAR I POPULLIT TË KOSOVËS

Një mbrëmje të fundvitit 1991, më merr në telefon kushëriri im Hysen Imeri, kolonel, duke më pyetur si me humor; “A do miq o i zoti i shtëpisë”? dhe duke shtuar me të njëjtin ton se bëhesh fjalë për miq 24 karat, nga Kosova. Kujtoj se në atë kohë, vizita të tilla ishin të rralla, dhe sidomos kushërira për të njohur njerëz të shquar nga Kosova, për ne shqiptarët e tokës amë, ishte e madhe. Atë mbrëmje në apartamentin tim të vogël, unë u njoha me Halil ALIDEMËN, me të cilin na lidhi një miqësi e ngushtë, që pavarësisht nga ndryshimet, do ta quaja të qëndrueshme e pacenuar asnjëherë deri me ditën që Halili ndërroi jetë.

Halili, ishte një shqiptar, një përfaqësues i denjë i kësaj race me të mirat e të metat që e karakterizojnë atë. Krenar për qenien e tij kosovar, krenar për fshatin e tij të lindjes dhe traditat e shkëlqyera patriotike, për të cilat nuk reshte kurrë së foluri. E donte shumë Prishtinën, dhe nuk përtonte të na e përshkruante atë deri në hollësi, apo rrugicë me rrugicë, duke përsëritur shpesh që ke me e pa vetë shpejt.

Halili ishte vizionar. Ai dukesh i tillë dhe atëherë, dhe koha e vërtetoi plotësisht vizionin e tij për një Kosovë të lirë, të pavarur nga Serbia. Ai besonte se kishte ardhur koha dhe ishin pjekur kushtet kombëtare dhe ndërkombëtare për organizimin e një lëvizjeje rezistente të mirë organizuar, që gradualisht do të çonte në një kryengritje të armatosur, si rrugë e vetme për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Mburrej me Lëvizjen Studentore të vitit 1981, nuk e quante atë të dështuar, por arritje pasi te kosovarët zgjoi ndjenjën e lirisë. Ndonëse personalisht për të, pas kësaj filloi kalvari i burgjeve dhe torturave çnjerëzore, plagë të cila, ndonëse e kishin forcuar shpirtërisht dhe moralisht, e kishin dobësuar rëndë shëndetin e fizikun e tij.

Halili ishte politikan i nivelit të lartë. Kryetar i UNIKOMB-it së pari kishte kuptuar qartë dhe pa mëdyshje se misioni i partisë, qe ai përfaqësonte ishte tepër i vështirë të realizohej, pa një program objektiv, të saktë e të realizueshëm, pa mbështetjen e Shqipërisë, që tashmë po ndahej përfundimisht nga regjimi i vjetër. Kërkonte partnerë politikë në të gjithë spektrin e politikës shqiptare, të majtë dhe të djathë, pasi siç mendonte ai me të drejtë; “Kosova është një problem mbarëkombëtar.” Ndjehej mirë kur takonte personalitete shqiptare të asaj kohe, politike apo të botës akademike, por, sidomos për  ushtarakët kishte dobësi të veçantë.

Halili kishte koncepte të qarta për krahun e armatosur, që duhet të shoqëronte krahun politik të partisë së tij. Ai donte ta krijonte atë, ta përgatiste atë siç nisi së pari me disa grupe djemsh e vajzash, që zhvilluan realisht trajnime, teorike dhe praktike, për luftë guerile, për mjekimin e plagëve të armëve të zjarrit, dhënies ndihmë të popullsisë civile në rast evakuimi etj. Jeta tregoi se Halili kishte të drejtë. Në luftën e Kosovës, në radhët e UÇK-s, bile mjaft komandantë të shquar të saj, janë “Djemtë” e Halilit. Në një shkrim timin në të përditshme shqiptare, në ditët e para të UÇK-ës, ku asaj i kërkohej të “gjente” krahun politik të saj, unë pohoja që ky krah ekzistonte në Partinë e UNIKOMB-it, qysh në vitin 1991 dhe shprehja jo vetëm habinë time, por dhe mosmiratimin tim që ky krah të krijohet artificialisht dhe aq më tepër të drejtohej nga Adem Demaçi. Duke rikujtuar emrin e Halil Alidemës tashmë të ndarë nga jeta, unë i bëja thirrje Ukshin Hotit, si kryetar i kësaj partie, për të marrë përsipër përgjegjësinë historike pa e njohur drejtpërdrejt këtë të fundit.

Halili ishte publicist, letrar me një frymë do të thoja të theksuar epike. Shkrimet e tij kryesisht në gazetën “Albania”, godisnin gjithmonë në të njëjtin objektiv, sensibilitetin e opinionit vendas dhe të huaj, për gjendjen në Kosovë, historinë e saj, si pjesë e pandarë e trungut iliro-shqiptar. Dardania e vjetër dhe e re ishin origjina përfaqësuese e Kosovës dhe vetëm e saj. Serbët origjinën e tyre e kishin andej dhe dihej saktësisht prej kah dhe kur kishin ardhur , përtej Karpateve diku së pari në shekullin e VI-VII. Nuk harroj kurrsesi përpjekjet e tija të mëdha për botimin e Librit të Bardhë, plot 11000 kopje në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht. Vështirësi të mëdha për mbledhjen e financimeve, gjetjen e përkthyesve apo të shtëpisë botuese. Kujtoj që Shqipëria jonë e dashur nuk ishte kaq “demokratike” sa sot, që po shkruaj këta rreshta, për mikun tim të paharruar Halil Alidemën. Ai ishte dhe poet, bile këtë gjini mendonte se e kishte fituar në periudhën e burgut. I këndonte bukur dhe me varg kryesisht të lirë, jetës, lirisë dhe veçanërisht heronjve. Mbaj mend një poezi shumë të bukur, ku të them të drejtën “dyshova” për autorësinë e saj, pasi ishte gati perfekte në strukturën dhe në mendimin e saj.

Halili e donte shumë familjen e tij, shtëpinë e tij. Për mendimin tim ai ishte njeri me fat, që kishte për bashkëshorte Teutën, një grua me vlera të mëdha morale, shpirtërore dhe qytetare. Nuk kam njohur kurrë më parë një grua si ajo, që ta adhurojë e ta respektojë të shoqin, në çdo qelizë apo në çdo hap të jetës me aq përkushtim. Kemi kaluar shumë mbrëmje familjare së bashku, përfshirë dhe festat e Vitit të Ri, si pak çaste të gëzuara aso kohe, sa i kujtojmë shpesh, bashkë me gruan time Fatbardhën. Ndodhi që në një nga aventurat e mia, në mars 1993 hyra në Kosovë, ilegalisht, me dokumentet personale të një shkupjani, meritë jo fort e imja sesa e Ali Limanit, prej Ferizajt, të cilit iu luta të vazhdoja aventurën time, duke bërë një vizitë në Prishtinë, ku mundësisht të shihja nga afër dhe shtëpinë e mikut tim Halilit. U bë, si dëshiroja unë. Kemi përshkruar Prishtinën me kerrin e Alisë dhe kaluam me ngadalë, pranë shtëpisë së Alidemës, e cila, ndonëse e parë kalimthi më bëri përshtypje të veçantë, për bukurinë dhe madhështinë e saj. Kur u ktheva në Tiranë për të përballuar lumin e kritikave të Halilit ndaj meje për vizitën ilegale në Kosovë, i përgjigjem me thënien; “More Profesor, po ti e kishe shtëpinë më të bukur se vilën e E. Hoxhës”?! Në fillim shtangu dhe në sytë e tij të thellë e zhbirues u pa dukshëm malli dhe gati u përlot. Pastaj nisi të më flasë jo pa pasion për përpjekjet dhe punën e madhe që i ishte dashur për ta ndërtuar atë. Si duket vuri re që unë nuk po e ndiqja me vëmendje e m’u drejtua; “A di çka? A e bajmë një marrëveshje bashkë. Unë po të fali shtëpinë time në Prishtinë, e ti më falë apartamentin tënd në Tiranë” dhe shtoi me plot dhembje; “E kujt i lypet shpia pa njerëz, aq më tepër rrethuar me ushtarë serbë, me e ni veten si n’burg”. Halili i donte shumë fëmijët e tij. Vlerësonte shumë vajzën e madhe, e cila aso kohe ishte e martuar dhe jetonte jashtë. Fliste pak për djalin e vetëm, Atdheun, duke mos fshehur tek unë ndonjë pakënaqësi, shpesh baballarët shqiptarë, rezervojnë për djemtë. Nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë djalin e Halilit, por di të them që Yllkën, vajzën e vogël me të vërtetë e donte pa masë.

Kur Z.Sabit Alidema më foli për nismën e tij për të bërë një libër për Halil Alidemën, me vlerësimet e njerëzve, që e kanë njohur, pasi e përgëzova atë i kërkova që të kontaktojë e të bisedojë me personalitetet kosovare si: I. Rugova, R. Qosjen, A. Demaçi, A. Thaçi, R. Haradinaj, përfaqësues të partisë UNIKOMB-it, etj dhe të marrë prejt tyre vlerësimet për Halil Alidemën. Unë mendoj se është e drejtë e përfaqësuesve të Halilit ta kërkojnë atë dhe kam bindjen se personalitetet e mësipërme e plot të tjerë, do të japin vlerësime të larta për këtë figurë madhore të Kosovës, jo vetëm pasi për të vdekurin nuk flitet keq, por se Halil Alidema e meriton atë.

Në vend të mbylljes;

Muajt e fundit të jetës dukej shumë i mplakur dhe i dërrmuar. Vetëm sytë e tij, ndonëse ishin futur më thellë, nuk e kishin humbur dritën dhe shkëlqimin e tyre. E pashë prap, pas një shkëputje time disa mujore, jashtë Shqipërisë, pak javë para se të vdiste, rastësisht në një nga trotuaret e Tiranës, duke ecur ngadalë dhe të mendueshëm. Si gjithmonë njerëzit e thjeshtë e ngatërronin me Rexhep Qosjen. Unë e dija që ishte tepër i sëmurë dhe se po vdiste, duke u tretur si qiri. – Vazhdon po ajo gjendje, vetëm pak të njohin Ty – i them duke e përqafuar, ndërsa Rexhepin e njohin të gjithë. Ai buzëqeshi dhe m’u përgjigj “Është forca e librit, më e fortë se pushka, por të dyja na duhen në Kosovë”.

Në mesnatë më merr në telefon Yzeiri, familja e të cilit e strehoi dhe i shërbeu, vite me radhë me përkushtim, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, duke më thënë jo pa ngashërim që Halili vdiq. Ndonëse e prisnim lajmin e kobshëm, u tronditëm shumë. Heroi im nga Kosova nuk ishte më. Halil Alidema vdiq. Vdiq në atë mënyrë që ai urrente më shumë. Vdiq në shtrat, duke lënguar jo pak. Fizik tejet i dëmtuar nga torturat çnjerëzore në burgjet naziste të Serbisë, vdiq nga shkaqe natyrore. U përfol dhe një helmim i mundshëm i tij, me veprim të ngadaltë, gjë që nuk ka pse të përjashtohet. Një gjë është e sigurt, që ai, vërtetë u “helmua”, nga që nuk u kuptua nga mjaft  bashkëpunëtorë të tij. E dëshpëronin shumë telefonatat pa mbarim me Kosovën e Maqedoninë, ku jo rrallë arrinin ta akuzonin, për shpërdorim të fondeve të Partisë, duke bërë jetë luksoze në një vilë në Tiranë. I gjori, miku im jetonte në një aneks të një familjeje të thjeshtë me shpenzime minimale, duke punuar pa reshtur për ardhmërinë e Kosovës edhe atëherë kur jo vetëm e kishin shkarkuar si Kryetar të partisë, por edhe përjashtuar fare nga radhët e saj?!

Varrimi i tij u bë në varrezat e Tiranës, aty ku më parë pushonte përjetësisht e shoqja-Teuta, sipas amanetit të tij. Në këtë ceremoni ishte një pjesëmarrje e gjerë popullore. Me sa mbaj mend unë nuk pati asnjë personalitet të njohur të politikës shqiptare, por vetëm miq e dashamirës në mbarë kombin. Tek dëgjoja fjalën e rastit të mbajtur, në pak sekonda, me kaloi para syve e gjithë jeta e Halilit në Tiranë. Folësi me një ton të lartë e luftarak, përpiqej të tërhiqte vëmendjen , më shumë të shfaqte oratorinë e tij, sesa të shprehte vlerësimin për të ndjerin. Ai nuk harroi të përmendte mjaft emra të bashkëpunëtorëve të Halilit, që kishin ardhur nga gjithë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit, duke mos harruar edhe emrin e tij. Aty m’u kujtuan që disa nga këta “bashkëpunëtorë” ishin ata të parët që ia kthyen shpinën dhe e “helmuan” me helmin më të rrezikshëm për një njeri si Halili. Mosmirënjohjen, harresën, për ta bërë atë të mos i duhej kërkujt dhe që të ndihej i pavlefshëm. “Abuzuesi” i fondeve të Partisë së tyre, vitin e fundit të jetës, e kaloi duke shitur në një magazinë të marrë me qera, fruta-perime dhe së fundi çorapë………..?! Shpresoj që sot të kenë kuptuar fajin e tyre. Rashë në kompromis me ndërgjegjen dhe moralin tim, të mos ua përmend emrin në këta rreshta, me mendimin që t’u japë dhe më tepër kohë të reagojnë dhe minimalisht të shkruajnë për Halilin, kuptohet si mendojnë ata. Përsa më përket mua si Vladimir , jam fare i qartë. Nëse nuk arrita të njoh Mujin, kam qenë me fat, që të paktën njoha HALILIN, kreshnikun e Kosovës.

Tiranë, më 05.03.2005

Vladimir Bejo     K/Admiral në Rezervë

(…)

I NDERUARI ALIDEMA

Posaçërisht më erdhi mirë që ishe duke shkruar monografinë për Halilin, i cili ka merita të mëdha kombëtare, sidomos lidhur me krijimin e UÇK, në të cilën veprimtari ne ishim të parët që krijuam edhe Programin e rezistencës aktive kundër okupatorit. Halili dhe Kryesia e UNITETIT më patën caktuar mua që këtë program ta hartoj dhe ta shpërndajmë në Kosovë e më gjerë. Kjo punë jonë patriotike në krye me Halilin bëri jehonë të madhe dhe pati filluar menjëherë zbatimi i tij në terren. Kështu në Shqipëri, në rrethin e Elbasanit dhe të Tiranës themeluam celulat e kazermave të UÇK në të cilat vullnetarët e shumtë përgatiteshin në çdo aspekt për rezistencën luftarake. Nëpër këto qendra kanë kaluar shumë personalitete, të cilat më vonë e bënë epror të UÇK-ës. Në këto kurse ka pasur shumë të rinj e të reja, që veç, të tjerave përgatiteshin për sanitete lufte.

Pas  vdekjes së Halilit pjesa Kryesisë së kësaj partije qe ndodhej në Shqipëri vazhdoi punën pa ndërprerje në këtë lemi, duke mobilizuar dhe aftësuar kuadro të UÇK-ës. Kjo vërtetohet me dokumente, te cilat gjenden në arkiva të ndryshme në bazë të cilave një shkencëtar- historia ka shkruar një vepër të madhe “Shesta”, ku në mesin e 1400 faqeve thukshëm është cekur ky aktivitet i yni kombëtarë, i cili është edhe kontribut i Halilit. Fotokopjen e këtij botimi lidhur me vazhdimësinë e veprimtarisë së Halilit dhe timit.

         Është fakt i gjallë që përkundër veprimtarisë sonë në Tiranë një pjesë e kryesisë që pati ngelur në Prishtinë përpiqeshin që të vetëmbrohen si eprorë e Kryetarë. Kështu ish sekretari Ramadani, ish gazetari Gaxufi e disa tjerë bënin çmos ta devalvonin Halilin , mua dhe disa të tjerë që për shkak që na kërcnohej rreziku në Kosovë, kishim kaluar në Shqipëri, ku vazhduam me të madhe veprimtarinë tej të frytshme.

         Përgatitëm Kuvendin mbarë-kombëtar intelektual në Tetovë, në Tiranë dhe në Stamboll. Po ta dërgoj edhe gazetën kushtuar këtij Kuvendi madhështor, i cili i dha impulse të qartë çlirimit tonë dhe forcimit të UÇK-ës se na siguruan edhe përkrahje të gjera ndërkombëtare, posaçërisht nga ShBA-ja. Pastaj shkuam me një delegacion zyrtar nëpër shtete të ndryshme të Evropës, ku fituam jo vetëm përkrahje morale nga burrat e shteteve të tilla, por edhe përkrahje të madhe materiale për forcimin e UÇK-ës. Tani ka edhe të tjerë që na thonë sot se rrënjët e UÇK-ës na i filluan disa të tjerë, por realiteti i argumentuar dëshmon qartë që Partia e Unitetit Kombëtarë në krye me mr.Halil Alidemën, është e para që aktivisht organizoi rezistencën e popullit shqiptarë të Kosovës me plane e programe nëpër të cilat ushtrime kaloi edhe vetë heroi ynë legjendar – Adem Jashari, i cili ndoqi ligjëratat tona në Elbasan dhe pastaj i përcjellur me shumë shokë, ushtarë të UÇK-ës dhe me ndihmë të konsiderueshme materiale u pat nisë për Drenicë! Lidhur me këtë aksion një gazetë e asaj kohe na pati kritikuar si radikalë e luftënxitës, enveristë etj etj. sa që patën filluar edhe të na i ndryjnë shokët si Ismet Kryeziun nga Prizreni, Drinin, Burimin etj. se na i zunë me do armë. Iu patëm lutur Zotit që nuk kishin arritur që të na i zënë shokët tjerë që bartnin me qindra mjete lufte dhe armatime. Me përpjekjet e të gjithë neve në krye me Halilin, me mjete të mëdha financiare arritëm që t’i lirojmë shokët tanë nga burgjet e atjeshme, ku ish pushteti i Berishës me këto qëndrime synonte të “lajnë duart” kundër “ekstremistëve”!!

Dokumentet e shumta të verifikuara, flasin qartë për këtë veprimtari të kësaj Partie, e cila synonte krijimin e shtetit shqiptar me të gjitha trojet tona etnike, të cilat na i kanë gllabëruar armiqtë. Ky popull dhe kjo Parti nacionale pa shkuar shumë do ta realizojë këtë se pa Bashkimin shqiptar nuk ka liri kombëtare.

Prof. Dr. Bahri Brisku

BUKOSHI NUK E REALIZOI TAKIMIN E PREMTUAR ME HALIL ALIDEMËN

Që të flasë për jetën, veprën dhe aktivitetin politik e luftarak të Halil Alidemës, mua më duhet një përgatitje dhe njohuri e thellë e këtij personaliteti të shquar atdhedashës.

Unë pata fatin e keq (por edhe të mirë) që të përgatis varrimin e Halilit. Mua m’u dashtë të merrem me organizimin e varrimit të Halil Alidemës në tërësi.

U përpoqa të organizoj një varrim sa më dinjitoz e sa më të mirë në botën e amshueshme. Krahas veprimit politik Halil Alidema, nuk ndejti kurrë duarkryq. Madje, edhe atëherë  kur luftonte me vdekjen, nuk pushoi të punonte për çështjen kombëtare, për interesin e popullit e atdheut të vet. Në këtë drejtim e në momentet e fundit të jetës së vet kërkoi një takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës – Bujar Bukoshin, sepse Bukoshi kishte premtuar një shumë të madhe mjetesh financiare për ushtrime ushtarake të djemve të Kosovës në Shqipëri për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Megjithëkëtë, Bujar Bukoshi nuk gjeti kohë ta realizojë premtimin e vet dhe të takohej me patriotin, luftëtarin e strategun  ushtarak – Halil Alidemën.

Ismet Hajrullahu

TRAJTIMI DHE VLERËSIMI I PERSONALITETIT TË HALIL ALIDEMËS NË SHTYPIN E KOHËS DHE NË ORGANET GJYQËSORE:

Në gazetën “Bota sot” 27 shtator 2001, f.13 në faqen me titull Ekskluzive me titull: Si u formua Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dhe cilat ishin veprimet e saj në vitet 1990-1993?

Me titujt: FORMIMI I KOMANDËS SË SHTABIT USHTARAK TË KOSOVËS ISHTE NJË HAP DREJT INSTITUCIONALIZIMIT TË MINISTRISË SË MBROJTJES TË KOSOVËS

Duke shtruar pyetjet: Kush ishin iniciatorët e parë për institucionalizimin e Mbrojtjes dhe Vetëmbrojtjes së popullatës shqiptare në Kosovë? Pse dr. Ibrahim Rugova përkrahu këtë iniciativë të Grupit iniciues? Kur u mbajt takimi i parë mes Ramë Marajt, Fehmi Aganit dhe dr. Ibrahim Rugovës për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës? Shkruar nga Hajzer HAJZERAJ në vazhdime. Kështu në grupin inicues ndër të tjerë, që përfaëson një numër bukur të madh veprimtarësh, ishte edhe Halil ALIDEMA. Kjo të dëshmohet me faksimilin e artikullit të botuar në “Bota sot”.

Dr. Abdullah Vokrri, në monografinë e vet me titull: SHKOLLA NORMALE E PRISHTINËS (1953-1974), ku merr në shqyrtim veprimtarinë e gjithanshme edukativo-arsimore të personelit arsimor të kësaj vatre të kulturës, sukseset e nxënësve të kësaj shkolle brenda këtij intervali kohor dhe aktivitetet e lira të nxënësve të kësaj shkolle, edukatorëve të Konviktit afirmimi i sporttit të kësaj shkolle ndër emrat të tjerë lidhet kryesisht me emrin e Halil Alidemës, të cilën e dëshmon kjo monografi me fakte argumente e fotografi. Shih faqet: f. Fotografia: Kompleksi i Shkollës Normale të Prishtinës (f.5); Ekipi i hendbollit “Normalisti” (viti shkollor 1953-1954) (f.47)

NË AKTGJYKIMIN, ku Halili Alidema dënohej në emër të popullit bashkë me shokë të tjerë, përfaqëson figurën më të rëndësishme dhe më të rrezikshme për armikun serboçetnik, që dëshmohet nga AKTGJYKIMI P-nr. 73/82

NË EMËR TË POPULLIT

GJYKATA E QARKUT NË PRISHTINË, në kolegjin e të pestëve të përbërë nga gjyqtarët: Ismet Emra – kryetar, Sllobodan Zhivkoviq,Skano

“GRUPI I INTELEKTUALËVE TË KOSOVËS”

PROKURORIA PUBLIKE E QARKUT

PP. nr. 281/81

Datë 31 maj të vitit 1982

Prishtinë

MJ/ASH

GJYKATËS SË QARKUT

PRISHTINË

Në bazë të nenit 45 par. 2 pika 3 të Ligjit të procedurës penale, ushtrojë

AKTAKUZË

Kundër:

Halil Alidemës, i lindur më 15.III.1936 në fshatin Pozheran, me banim të përhershëm tani në Prishtinë, magjistër i shkencave të historisë.

Ekrem Kryeziut, i lindur më 1.VI.1943 në Pejë, me banim të përhershëm tani në Prishtinë, me profesion regjisor në TV të Prishitnës.

Ukshin Hotit, i lindur më 16.VI.1943 në fshatin Krusha e Madhe, tani me banim të përhershëm në Prishtinë. Magjistër i shkencave politike, ligjërues në Fakultetin Filozofik – Katedra e Sociologjisë Politike.

Mentor Kaçit, i lindur më 7.VI.1952 në Gjakovë, me banim të përhershëm tani në Prishtinë, montazher në TV Prishtina, absolvent i Fakultetit të Drejtësisë.

Hilmi Ratkocerti, i lindur më 15.VIII.1955 në fshatin Llugaxhi, apsolvent i Fakultetit Filozofik, sektori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë.

Ali Kryeziut, i lindur më 9.VIII.1950 në Pejë, ku dhe jeton, të kryer Fakultetin Juridik.

Nezir Halitit, i lindur më 16.IX.1948 në fshatin Firajë, me banim të përhershëm tani në Ferizaj, profesor i gjuhës shqipe, ka të kryer Fakultetin Filozofik – Drejtimi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Shemsi Reçices, i lindur më 2.IX.1952 në fshatin Gllavicë. Pf. Bablak, ku dhe jeton, profesor i filozofisë marksiste dhe logjikës. Fakultetin Filozofik dhe shkallën e tretë të studimeve.

Muharrem Fetiut, i lindur më 7.I.1945 në fshatin Peçan, KK Suharekë, me banim të përhershëm tani në Prishtinë magjistër i shkencave të historisë.

I pandehuri Halil Alidema:

Që nga viti 1979 në takime dhe gjatë bisedave me të pandehurin Hilmi Ratkocerin dhe Nezir Halitin si dhe me persona tjerë në Ferizaj, filloj t’i përhapi qëndrimet e t’ia armiqësore në drejtim të realizimit të statutit për Republikën e Kosovës dhe të bashkimit të popullit shqiptar, e në këtë drejtim kërkoi përkrahje dhe angazhimin e këtyre, e pastaj pas demonstratave armiqësore e kundërrevolucionare të muajit mars dhe prill të vitit 1981, në shumë takime, kontakte, ndeja dhe gjatë bisedave me të pand. Ekrem Kryeziun, Ukshin Hotin, Mentor Kaçin, Hilmi Ratkocerin, Nezir Halitin, Shemsi Reçicën dhe Muharrem Fetiun, në Prishtinë, Ferizaj dhe gjetiu, i përkrahu në tërësi demonstratat, kërkesat dhe parullat e këtyre demonstratave, nga i pandehuri Ekrem Kryeziu muar dhe lexoi materialin propagandistik nga revista “Liria” nr.3 të organizatës ilegale “Marksiste-Leniniste të Kosovës” me titull “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe patjetër do të triumfojë”, e pastaj këtë e lexuan, e analizuan dhe komentuan së bashku edhe me të pand. Ekrem Kryeziun dhe Ukshin Hotin, nga i pand. Ukshin Hoti kërkojë që t’i shkruaj Organizatës së kombeve të bashkuara lidhur me kërkesat e demonstrantëve për statusin e “Republikës së Kosovës”, në mënyrë që atje të nxitet përkrahja për këtë kërkesë, nga i pand. Hilmi Ratkoceri kërkojë që t’ia sigurojë geshtetnerin për shumëzimin e materialit propagandistik dhe që ai si dhe i pand. Nezir Haliti të angazhohen për masovizimin e qytetarëve për dalje në demonstrata dhe shkruarjen dhe shpërndarjen e parullave dhe pamfleteve në Ferizaj, u furnizua me materialin propagandistik “Teoria dhe praktika e revolucionit” të Qendrës për edukimin marksist pranë Këshillit qendror të PKMLSHJ, të cilin pastaj ia dha për ta lexuar të pandehurit Ali Kryeziut. Nga i pand. Mentor Kaçi kërkoi që të mbledhë shënime dhe ta informojë lidhur me numrin, vendosjen dhe lëvizjen e forcave të APJ dhe atyre policore në territorin e Komunës së Gjakovës, si dhe llojin e armatimit dhe mjeteve transportuese të këtyre forcave, si dhe shënime për numrin e studentëve të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në fakultete dhe shkolla të larta të Universitetit të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata e me qëllim që për këtë t’i shkruajnë OKB, kinse për padrejtësirat që u bëhen këtyre studentëve, nga i pand. Ekrem Kryeziu kërkojë dhe muar njofitme lidhur me objektet transmetuese të RTV të Prishtinës me qendër në Golesh dhe mundësinë e depërtimit fshehurazi në këtë transmetues si dhe për mundësinë e sigurimit të armëve në rast nevoje nga depot e RTV të Prishtinës dhe atyre ushtarake për rreth këtij transmetuesi, me të pand. Ali Kryeziun e shqyrtuan nevojën e ikjes-largimit nga treva e Kosovës të njërit prej personave më të aftë dhe i cili gëzon autoritet të lartë në popull me qëllim për të krijuar kështu situatë të rëndë psikike në opinion në drejtim të destabilizimit dhe të krijimit të situatës së rëndë politike në RSFJ dhe i cili kishte për të vepruar në mënyrë armiqësore nga jashtë, pastaj në muajin nëntor të vitit 1981 i dha për detyrë këtij të pandehuri që pas shkuarjes në ShBA të kërkojë ndihmë materiale për blerjen e armëve nga emigrantët e atjehit, ndërsa gjatë pushimeve verore në Stamboll të Turqisë është takuar me konsullin e RPSSH në Stamboll, me të cilin bisedoi dhe e komentoi situatën dhe gjendjen politike në Kosovë pas demonstratave, me këtë ka kryer veprën penale cenimi kontrarrevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 të LP të RSFJ.

I pandehuri Ekrem Kryeziu

Pas demonstratave armiqësore e kundërrevolucionare të muajit mars dhe prill të vitit 1981, në shumë biseda, kontakte dhe ndeja me të pandehurit Halil Alidemën dhe Ukshin Hotin, i përkrahu në tërësi demonstratat, kërkesat dhe parullat e demonstratave, e pastaj në kërkesën e të pand. Halil Alidemës, këtij ia vizatoi skicën e objekteve transmetuese të RTP me qendër në Golesh, duke i shpjeguar mundësinë e afrimit fshehurazi pa u vërejtur nga i vetmi rojtar që e ruan këtë objekt dhe depërtimin në të për të mundur që të pengohet programi televiziv si dhe i ofroi të dhëna për mundësinë e sigurimit të armëve në rast nevoje nga depot e RTP për të cilat ka treguar se janë të mbyllura me dyer të konstruksionit dhe prej materialit të dobët si dhe në depot ushtarake, të cilat nuk janë mirë të ruajtura, nga i pandehuri Mentor Kaçi, muar dhe e lexoi artikullin në formë të pamfletit nga revista “Liria” nr. 3 të organizatës ilegale “Marksiste-Leniniste të Kosovës” me titull “Lufta e popullit…”, e cila i është kushtuar demonstratave në Kosovë, rezultateve dhe arsyeshmërisë së këtyre demonstratave, të cilin pastaj ia dha të pandehurit Halil Alidemës e më vonë që të tre këta të pandehur e lexuan dhe e komentuan së bashku në shtëpinë e të pandehurit Ukshin Hotit, të ndërmjetësojë ndërmjet të pandehurit Halil Alidemës dhe Ukshin Hotit lidhur me shkruarjen e apelit OKB nga i pand. Ukshin Hoti, si dhe së bashku me të pand. Ukshin Hotin në fshatin Krusha e Madhe, dëgjuan incizime në shiritin magnetofonik të artikullit të gazetës së RPSSH “Zëri i Popullit” që është emetuar në valët e radios dhe TV të Tiranës, në të cilin janë përkrahur demonstratat, kërkesat dhe parullat e këtyre demonstratave në Kosovë, ndërsa nga i pand. Ali Kryeziu u njoftua se me rastin e shkuarjes së këtij në ShBA do të angazhohet që të mbledh ndihma në të holla nga emigrantët e atjehit për të blerë armë.- me këtë ka kryer veprën penale të cenimit kontrarrevolucionar të rregullimit shoqëror nga neni 114 të LP të RSFJ.

I pandehuri Ukshin Hoti     

Pas demonstratave armiqësore dhe kontrarevolucionare të muajit mars dh prill të vitit 1981, në shumë biseda, kontakte dhe ndeja me të pandehurit Halil Alidemën dhe Ekrem Kryeziun në Prishtinë dhe gjetiu, i përkrahu në tërësi demonstratat, kërkesat dhe parullat e këtyre demonstratave, e në biseda me këta është deklaruar se për fitimin e Republikës së Kosovës duhet vazhduar aktivitetin e shkruarjes së parullave, shpërndarjes së pamfleteve dhe të shkaktimit të aksidenteve me organet e sigurimit publik si dhe udhëheqësit politiko-shoqëror gjatë mbledhjeve të ndryshme nëpër organizata punuese dhe të OTH të LK, në këtë drejtim duhet mobilizuar masën e gjerë, pastaj muar për sipër që lidhur me kërkesën për statusin e Republikës së Kosovës t’i shkruajnë një apel OKB në mënyrë që atje të nxitet përkrahja për këtë kërkesë, me të pandehurit Halil Alidemën dhe Ekrem Kryeziun e lexuan dhe e komentuan artikullin në formë të pamfletit nga revista “Liria” nr. 3 të Organizatës ilegale “Marksiste-Leniniste të Kosovës” me titull “Lufta e popullit tonë…”, e cila u është kushtuar zhvillimit të demonstratave, arsyeshmërisë së demonstratave dhe të kërkesave të demonstratave në Kosovë, pastaj së bashku me të pand. Ekrem Kryeziun në shtëpinë e dëshmitarit Xhemajl Dema në Krushë të Madhe dëgjuan incizime në shiritin e manjetofonit të emetimit të artikullit të “Zëri i Popullit” në Radio dhe TV të Tiranës, ndërsa në shtëpinë e vet dy herë incizoj në shiritin e magnetofonit artikuj tjerë të gazetës “Zëri i Popullit” që janë emituar në valët e radio dhe TV të Tiranës, ndërsa në shtëpinë e vet dy herë incizoi në shiritin e magnetofonit artikuj tjerë të gazetës “Zëri i Popullit”, që janë emetuar në valët e radio dhe TV të Tiranës, e të cilët artikuj përkrahen demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 në Kosovë dhe sulmohet sistemi i RSFJ, si dhe të pandehurit Ekrem Kryeziut i propozoi që pas shkuarjes legale në Greqi, të kërkojnë azil politik në ambasadën e ShBA në Greqi ku pastaj të shkojnë në ShBA, prej ku do të vazhdonin veprimtarinë armiqësore kundër RSFJ  në drejtim të fitimit për statusin e Republikës së Kosovës.

VIJON …

___________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (35)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura