HAZIR MEHMETI: MBAHET TRYEZË DISKUTIMI RRETH MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË AUSTRI

Vjenë, 24 mars 2017: Vetëm 2500 nxënës vijojnë mësimin shqip nga 13 mijë nxënës shqiptarë në Austri. Prindërit vendimmarrësit për regjistrim. Shqiptarët të tretët me përqindje në shkolla, injorohet gjuha amtare. Të nevojshme aksione konkrete nga shoqatat, klubet dhe veprimtarët në evidentim dhe regjistrim.
Nën organizimin e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, Ambasadave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Austri u mbajt tryezë diskutimi me temë: “Mësimi në gjuhën shqipe, rëndësia, organizimi, vijueshmëria. Si në të ardhmen?” Studiuesi Lutfi Emini e ftoi nikoqirin në të dy gjuhët për ta hapur takimin. Fillimisht u dha një minutë heshtje në nderim të të ndjerit Arif Demolli, shkrimtar, autor i teksteve mësimore dhe mik i Shkollës Shqipe në Mërgatë.
Në emër të nikoqirit takimin e hapi Imer Lladrovci, konsull duke u dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve. “Ju dëshiroj mirëseardhje të gjithëve dhe ju dëshiroj sukses në Tryezën Diskutuese. Ishte kjo në nismë e kryetarit të Shoqatës e cila u përkrah prej nesh dhe është hera e parë një bashkim i të gjithë komunitetit rreth një teme aq më rëndësi siç është mësimi shqip”

Të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo: ”Tema për të cilën jemi mbledhur sot, e iniciuar nga kryetari i Shoqatës është e një rëndësie të veçantë dhe do dëshiroja që sot të dilet nga ky takim me detyra konkrete. Ne ambasadat; e Kosovës dhe e Shqipërisë, e vlerësojnë shumë punën e bërë deri më tani për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Jemi të ndërgjegjshëm se mbetet shumë për të bërë dhe do doja që sot të dalim me plane veprimi konkret. Në parim kjo temë bartë një rëndësi shumë të madhe lidhur me ekzistencën e komunitetit shqiptar në Austri dhe më gjerë. I falënderoj të gjitha shoqatat pa marr parasysh objektivet qe kanë, Këshillin Koordinues të Shoqatave, pasi mësimi i gjuhës shqipe është me rëndësi kulturore e letrare të ngritjes së gjuhës shqipe në nivelin e kërkuar. Për të arriturat duhet të jemi krenar dhe të punojmë më tutje në ngritje të aktiviteteve në të ardhmen” Ilir Ismaili, nga Ambasada e Maqedonisë përshëndeti Tryezën e Diskutimit duke shtuar: “Mësuesit shqiptarë ishin më patriotët në historinë tonë kombëtare. Ky projekt i juaj rreth gjuhës shqipe në Austri, ne si shqiptar duhet treguar unitetin tonë veprues” Nuhi Gashi MASHT së Kosovës: “Kjo tryezë është edhe një pikënisje veprimi në sensibilizimin rreth mësimit shqip dhe për një komunikim më dinamik. Është shqetësuese numri i ulët i nxënësve këtu në Austri, diku rreth 2 mijë nga numri dhjetëra mijërave që vijojnë shkollën në gjuhën e shkollës, kur dihen gjithë ato favore që ofron shteti nikoqir për të çka e falënderojmë. Ne po mundohemi të bëjmë disa punë të dobishme, si bie fjala kuizi i diturisë, dhe do donim të kemi sukses shtimin e fëmijëve që vijojnë mësimin amtar”

Ymer Avdiu, nga Ministria e Diasporës: “Për Ministrinë e Diasporës janë të gjithë nxënësit të barabartë pa marr parasysh prej cilave rajone nga vendlindja vijnë. Tubimin e përshëndeti edhe Anel Bajra nga Ministria e Diasporës. Në takim mori pjesë edhe zj. Ermira Zhuri, kryetare e bizneseve në Itali dhe shoqatës “Iliria” në Trevizo të Italisë. “Ndihem e lumtur që jam në mesin tuaj. Kosova ka bërë hapa të mbarë përmes ministrive në përkrahjen e diasporës… Nuk është e lehtë ta formosh e mbash një shoqatë sikurse kjo e mësuesve të cilët punojnë tërë kohën e lirë pa pagesë. Kjo është për çdo respekt. Suksese”.Morën pjesë edhe Abdullah Abdullahu, Dr.Sabri Osmani, Halil Jashari,
Tezat për diskutim nga rendi i ditës i paraqiti shkurt kryetari i Shoqatës së Mësuesve, Hazir Mehmeti. Ndër to më e rëndësishmja vijueshmëria e nxënësve, shkaqet, çka duhet ndërmarr, ku janë detyrat e shoqatave dhe komunitetit.
Kumtesat
Imer Lladrovci mbajti kumtesën me titull: “Shkolla shqipe ka qenë, është dhe do të
mbetët institucioni ynë më i rëndësishëm kombëtar“. Nuhi Gashi mbajti kumtesën: “Fenomeni ‘shacat’ shikuar nga perspektiva të shumta dhe në raport me mësimin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare. Nismë për një hulumtim ndërdisiplinor”. Dr.Xhevat Hasani kryetar i Këshillit Koordinues për Mësimin Shqip në Austri” në vitet 1993/95 paraqiti kumtesën “Mësimi shqip në Austri “, e cila u lexua nga studiuesja Albia Shala. Anton Marku nga Lidhja e Shkrimtarëve e Krijuesve “Aleksadër Moisiu” në Austri: “Roli i Shoqatave në Promovimin e Mësimit Shqip në Austri” . Osman Ademi: “Mësimi Shqip në Austri”. Bukurije Limani, nënkryetare e Shoqatës së Mësuesve dhe mësuese në Graz, u paraqit me kumtesën: “Shqetësime e dilema për të nesërmen e nxënësve të Shkollës Shqipe në diasporë”. Ismet Sinani, mësues në Linc, mbajti kumtesën: “Zhvillimi i procesit mësimor në gjuhën shqipe në Landin e Austrisë së Epërme-OÖ”. Ndërsa për ta shpejtuar hapjen e debatit lidhur me temën dorëzuan kumtesat me shkrim: Hazir Mehmeti, ““Mësimi në gjuhën shqipe, sfidë kohe”, Miradije Berisha, Mark Demaj etj. Nga mësues tjerë në Tryezë ishin të pranishëm: Rafete Kosumi nga Austria e Epërme; Ina Arapi nga Vjena; Ibrahim Hasani mësues në Austrinë e Ulët. Në diskutim u cekë vijueshmëria e ulët e nxënësve shqiptarë kur dihet se numri i fëmijëve shqiptarë në Austri është i madh. Që nga fillimet e mësimit shqip në vitet e themelimit 1987 e më herët, dhe viteve 1993, është shtuar vijueshmëria. Në vitin shkollor 2005/06 kishte 1346 nxënës dhe 17 mësues, në vitin shkollor 2013/14 janë 2438 nxënës me të cilët mbajnë mësim 23 mësues në 417 orë mësimore. Ky numër nga ky vit shkollor i shënuar nuk ka ndryshuar shumë deri në vitin e tanishëm shkollor, me rreth 19 për qind vijueshmëri. Mësimi i 25 gjuhëve amtare në Austri është i garantuar brenda sistemi publik dhe financohet sikurse gjithë procesi mësimor. Prindërit duhet vetëm ta lajmërojnë fëmijën e tyre përmes nënshkrimit. Në Regjistrin e teksteve shkollore tani e disa vite mund të porositen falas: A-B-C –Fibel (Abetare e parë shqip në Austri); Fjalori për ciklin e ulët dhe fjalori për ciklin e lartë. Mësimi përkrahet nga organet vendore në projekte të ndryshme dhe aktivitete tjera. Aktivitet e organizuara nga Ministria e Arsimit të Kosovë siç është Kuizi i Diturisë, nga Ministria e Diasporës e Kosovës, ekskursionet në atdhe, seminaret, furnizimi me tekstet, harta, mjete të caktuara mësimore, financimet e botimeve të veprave të veçanta etj, e kanë ngritur interesimin për mësimin shqip. Përkundër kësaj, vijueshmëria akoma është më e ulët krahasuar me përkrahjen nga organet vendore austriake Në diskutim u tha se Shoqatat shqiptare kanë rol më të rëndësishëm në organizimin e takimeve me prindër për t’i bindur se mësimi i gjuhës amtare e ndihmon nxënësin në mësimin e shkollës.
Projektet madhore në hartimin dhe botimin e teksteve nga MASHT e Kosovës dhe IPE e Zürich-ut të programuara dhe drejtuara nga Prof. Dr. Dr. Basil Schader me grupin e koordinatorëve e autorëve e kanë pasuruar gamën e teksteve mësimore për mësimdhënësit në diasporë. Rreth teksteve pati kërkesa në përmirësimin e tyre të vazhdueshëm gjatë ribotimeve. Përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit, z.Nuhi Gashi, dha informata të duhura rreth mundësive të shfrytëzimit të tyre përmes faqes elektronike, si të vetmet tekste që mund të shkarkohen direkt nga kërkuesi bashkë me doracakët e tyre. Nga pak individ pati edhe mendime paushallë lidhur me standardet e hartimit të teksteve , pa dhënë argumente e duhura profesionale edhe pse nuk i shfrytëzojnë ato por tekste tjera. Koha e dhënë prej disa minutave për paraqitjen e kumtesave e pastaj dorëzimi i tyre nga organizatori, nuk u respektua, kjo shkaktoj stërzgjatje duke marr kohë nga faza e debatit.
Tryeza pati sukses në sensibilizimin e mësimit shqip si baza e qenies sonë identitetet kombëtar për të ardhmen. Mësuesit janë shembull i sakrificës së kohës dhe mundit të tyre të vazhdueshme në të mirën e nxënësit dhe shkollës shqipe. Kështu ishte dhe sot. Shpresojmë se zëri i ngritur për veprim në shtimin e numrit të nxënësve, respektivisht mësimit shqip do jetë pjesë e shoqatave, forumeve, unioneve, klubeve e veprimtarëve në Austri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura