IBRAHIM SKENDERI: FATMIRJA – VRAPUESJA PRIZRENASE DREJT VLERAVE ARTISTIKE

Brrut – Sharr, 2. 7. 2016: Shekulli numëron hapat shtigjeve të hapura. Një maratonase e re nga Prizreni për më se një çerekshekulli si flutur shtegton shtigjeve artistike duke pushtuar hapësira. Ecja e saj krijon simbolikën e “Vrapueses prizrenase”. E quajnë Fatmire. Fatmire Shehu – Sallah.
Ajo tanimë ka lënë gjurmë shtigjeve të hapura të krijimtarisë artistike. “E ka trashëgim artin!”- do të thonin ata që e njohin. Gjithsesi! Por, Fatmirja jo vetëm që dijti ta ruaj vlerën e trashëguar të babait artist – Tahsin Shehut, njërit nga piktorët e parë prizrenas të shkolluar profesionalisht, por e ngriti lart e më lartë dhe e nderoi atë, nderoi komunitetin artistik, nderoi vendlindjen e saj dhe më gjerë.
Qasja artistike e saj, stili dhe materialet e përdorura në krijimtarinë artistike, kanë bërë që Fatmirja të jetë vetvetja që është shumë me rëndësi për krijimin e identitetit artistik të artistit.
Në rastin konkret realizimi artistik ndodh përmes punës artizanale. Ndërkaq, materialet e përdorura në krijimtarinë e saj, krijojnë poashtu veçantinë artizanale dhe artistike.

Fatmirja si material përdor lëkurën, që në historinë e etnogtrafisë ka vendin e merituar në krijimin e vlerave materiale të kohës kur krijohet. Dhe, pikërisht këtu Fatmirja bënë gërshetimin e tradicionales me modernen, ngase lëkura që e përdor është e përpunuar dhe e ngjyrosur.
Funksionin praktik dhe atë artistik që është karakteristikë e punimeve artizanale, Fatmirja e realizon përmes punimeve praktike si çanta, kollare, aksesorë, mbulesa tavolinash e të ngjajshme…
Ngjyrat në krijimtarinë artizanalo-artistike bëjnë që vepra e Fatmirës të jetë art për të gjithë. Shumëllojshmëria e ngjyrave të dhezta mbulon emocione e karaktere njerëzish – ashtu sikur janë natyrshëm ata në jetë.
Ndërkaq, ornamentet si elemente dekorative me motive kryesisht florale dhe gjeometrike, me shumë sukses e kryejnë funksionin estetik në punimet e saj, sa që lirisht mund të hiqet dilema: Punime artizanale me një qasje artistike apo Vepra artistike realizuar përmes punimeve artizanale?!
Padyshim, krijimet e Fatmires i takojnë Veprës artistike realizuar përmes artizanateve. Këtë e vërtetojnë shumë nga punimet artistike, sikur janë:
– “Vrapuesja e Prizrenit”,
– “Përkrenarja e Skënderbeut”,
– “Hyjnesha në fron”,
– “Helmeta ilire” e të ngjajshme.
Përfundimisht arti që e krijon Fatmirja përveç vlerës artistike që mbartë në vete, është art që të nxitë të njohësh të panjohurën e zhvilluar ndër shekuj, mbështetur kryesisht në tabanin kombëtar.
Në shtegëtimin e saj artistik, Fatmirja ndonëse është vlerësuar dhe çmuar për punën artistike të saj, çmimi më i madh do të jetë mbijetimi i artit të saj në kohë dhe hapësirë.

……………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura