IDIOTI MODERN  

 Idioti modern

Nga Skënder Sadri KAPITI, Durrës 15 janar 2023

Dhe, çdo kohë dhe epokë ka banalitetet e veta, por kjo kohë moderne ka shumë të tilla; ka idiotin e ri që duke synuar një mënyrë jetese pa probleme ekonomike e materiale; jete të gatshme dhe emocionale në të njëjtën kohë  kërcënon veten, shoqërinë dhe ambientin.

Prej çfarë?

Nga shija dhe motivimi materialist se mund të kesh gjithçka dhe nga ai jomoral se mund të bësh ç’të duash; pasurimi i shpejtë  dhe realizimi i dëshirave të shfrenuara me shpenzime të kota e të tepruara; diplomimi me dije të pamësuara; të kërcënuar prej alkoolit e drogës e të mashtruar prej reklamave, modës, luksit, pornofilmit dhe telenovelave të fabrikuara; prej basteve, bixhozit e prostitucionit të paligjëruar; rritjes së divorcit e të fëmijve pa prindër; prej deficitit prindëror  dhe atij të përgjegjёsisë shoqërore.

Bota moderne po sundohet prej vlerës së letrës së parasë e cila   bën pasurinë, blen e çnderon pushtetin e politikën; e cila  korrupton shtetin dhe shoqërinë; zhvlerson mendjen, talentin e moralin.

Paraja dhe privatizimi i gjithçkaje nxisin individualizmin egoist, papërgjegjshmërinë dhe pandjesinë sociale që janë dhe argumentet kryesorë amoralë që çojnë në korrupsione e skandale politike, ekonomike e financiare.

Modernizimi sot e ka liruar kapitalizmin e ri   në instiktet amorale, grabitçare e shkatërrimtare të tij që fatkeqësisht edhe institucionet shtetërore, politike e publike janë bërë pre ose palë me të, dhe ndjesia, përgjegjegjshmëria e ndërgjegjësimi reagojnë dobët qoftë si protestë apo masë kufizuese për pasojat katastrofike që vijnë prej tij.

Cili na qenka ky njeriu modern dhe ky idioti i ri?

Është politikani, pushtetari, biznesmeni, profesori, doktori, filozofi, punëtori, i pasuri, i varfëri, juristi, administrattori  etj., pra është apo mund të jetë  sot idiot modern çdokushi kokëbosh i mashtruar e i çmendur pas kënaqësive materiale të jetës dhe që bie pre e të këqijave të saj, dhe duke u mbërthyer nga lakmia e shfrenuar për lumturi, mëndjemadhësi, kënaqësi e pasuri, gjë  kjo që dëmton të mirat morale njerëzore dhe shkatërron burimet dhe begatitë që na ka mundësuar bujaria e planetit.

A nuk është ky idiotizmi më i madh?

Idiotizmi nuk njeh kohë e vend dhe nuk e çan kokën për të kundërtat e veprimeve të tij, dhe e kundërta ndaj vetë tij është ndërgjegjësimi për mëkatet dhe katastrofën që po vjen prej tij. Janë mençurimi racional, ndjesia shpirtërore e shoqërore, është virtyti dhe ligji moral e qytetar si ilaçe për kufizimin deri diku të këtij idioti modern.

Edhe idioti i kohëve moderne nuk e njeh njerëzoren nga brenda, sepse po ta njihnin do të frikësoheshin nga idiotizmi dhe do të kishim pak të tillë (idiotë) që pretendojnë se gjithçka dinë e zotërojnë dhe kanë të drejtë të bëjnë ç’të donë; në fakt nuk njohin dhe nuk ndjejnë dhimbshurinë,  të drejtën, të vërtetën e as ndershmërinë dhe nga përsosja e moralit nuk e kërkojnë lumturinë.

_____

– Skënder Sadri KAPITI është autor i librave “NJERIU FILOZOF, ETIK E POLITIK”, “TRIUMFI I KOMBIT” dhe “MORALOKRACIA”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura