IDRIZ MEHMETI: A MUND TË HARROHEN NËNAT – HEROINAT TONA?!

Bern, 22. 03. 2015 – Të dashur përfaqësues të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Pyetja ime u drejtohet juve, jo të ashtuquajturve deputetë, e pushtetarëve profiterë!.. Shkurt: Cili është statusi i nënave tona, i motrave tona, i vashave dhe i grave tona?!.. Komisioni i parlamentit të Republikës së Kosovës, i autorizuar për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së, në bazë të një ligji (ligj i thënçin) të miratuar paraprakisht, më në fund, ndonëse me vonesë, filloi publikimin e listave të veteranëve të luftës. Çuditërisht, posa filloi publikimi i listave, shumë shpejtë filluan të çfaqen pakënaqësi nga më të ndryshmet, dhe për mëndimin tim, me vend e pavend!.. E para pakënaqësi ishte fryrja e listave vërtet pa kurrfarë kriteresh. Thënë më drejtë, edhe vet nuk mund të pajtohem se është përzgjedhje korrekte dhe e bazuar në argumente korrekte e të sakta.
Megjithatë është e kuptueshme, që gabime edhe mund të ndodhin, por gabimi dhe qëllimi i mbrapsht nuk është i njëjtë. Ndaj edhe shqetësimi i shumë veteranëve, edhe i imi natyrisht, mendoj se ishte dhe është plotësisht i arsyeshëm. Fryerja aq e madhe e listave, thuaja trefishimi i tyre, përveç që është fyese dhe përçmuese për Kosovën, është dhe antihumane për vet karakterin human të një luftëtari të lirisë, jo vetëm në kufij kombëtar, por edhe jashtë këtij dimensioni të pakufishëm… Sidomos, kur në ato lista përfshihet edhe një numër i konsiderueshëm dezertorësh, sabotatorësh, mashtruesish e profiterësh!

Posa filloi publikimi i listave, filluan edhe reagimet e pritshme, siç e thashë edhe me lart, vend e pa vend. Pra, veç reagimeve dhe shqetësimeve të arsyeshme në njërën anë, në anën tjetër, në mënyrën më djallëzore është intensifikuar edhe lufta për t’u radhitur në listat e veteranve të luftës së UÇK-së edhe e atyre emrave, që realisht, vendin e kanë diku tjetër!.. Nuk është aspak e vështirë të identifikohet surrati i paidentitet i profiterëve “atdhetarë”, të cilët janë vënë në lëvizje në Kosovën jetime dhe të pazot, për t’u sistemuar, dhe eventualisht për të zhvatur pjesët e mbetura të majmura të saj!..
E ,,çuditshme”, së paku për mua! Ky veprim makabër dhe i paturp nuk bën të lejohet nga shtresa e ish luftëtarëve, sot veteranë të ish UÇK-së… Unë them Jooo!.. Jo, sepse luftëtarët e vërtetë nuk mund të futen në të njëjtin thes me faqezinjtë e këtij soji të pasoj…
Por, të ndalem tek qëllimi i këtij shkrimi, tek përpjekja ime për të shprehur admirimin tim për kontribueset e ,,harruara” dhe më të mëdha të luftës sonë çlirimtare, (të pa përfshira si kategori në ligjin, siç e thash, ligj i thënçin). Dhe jo vetëm të luftës së fundit, por edhe të ndihmesës aktive të tyre gjatë periudhave të mëhershme historike… Kontributi i nënave, i motrave, i grave dhe vashave tona ka qenë frymëmarrje e përhershme e luftërave për liri në teritoret e Shqipërisë… Mirëpo, unë, meqë është rasti, do përpiqem të shpreh admirimin tim, me theks të veçantë, për kontributin e tyre gjatë luftës së fundit çlirimtare.
E ndjej të nevojshme të sqaroj lexuesin se ç’më shtyri të merrem me këtë çështje fisnike!
E para: Mendoj se asnjëherë nuk është trajtuar mjaftueshëm kontributi i madh i kësaj kategorie të rezistencës tonë kombëtare. A nuk ishin ato pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në këtë luftë për jetë a vdekje, ku përveç qëndresës në vijat e para të frontit me pushkë në dorë, ato gatuan e na dhanë bukë, ato i bënë shtëpitë spitale; na i pastruan rrobat e leckat në çdo kohë!..
Dhe e dyta: Yryshi anadollak i rrahagjoksëve për të fituar statusin e veteranit pa kurrfarë merite (sidomos sabotatorët e dehur të Laprakës, por edhe disa nga ish aktivistët e fondeve financiare) do të sjellë situata të paparashikueshme në Kosovë!..
Si mund të barazohen mbledhësit e fondeve financiare me pjesëmarrësit në beteja!.. Pra aktivisti ishte dhe mbetet aktivist dhe luftëtari mbetet luftëtar!..
Duke mos dalë nga konteksti i problemit, do të përmend këtu fjalën e simbolit të qëndresës shqiptare, Bacit Adem, lidhur me kontributin e femrës shqiptare në luftërat e armatosura: ,,Pa ndihmën e nënave dhe të motrave tona asnjë luftë nuk mund të fitohet” – thotë ai…
Edhe veprimtari tjetër i pathyeshëm i çështjes kombëtare, tashmë i ndjerë, Kadri Osmani, përkulej me respekt përpara kontributit kombëtar të nënave dhe motrave shqiptare… Shpresoj që këtyre absurdeve të turpshëm t’u bëhet vendi sa më shpejt…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura