ILAZ HYSAJ: KOSOVA, KY LABORATOR IN VIVO!

Ronchin (Francë), 03. 03. 2015 – Kush jemi ne shqiptarët? A jem popull i vjetër apo i vjetruar? Mos jemi arketipe që një ditë do të përfundojmë në muzeumet e famshme të historisë natyrore të njerëzimit, si fosile për të kuptuar evolucionin e civilizimeve? Apo mos në kapitalin tonë gjenetik, në zingjirin e gjatë të ADN’së na ka ngelur ende ndonjë sekuencë që nga koha e dinosaurëve? Apo ndoshta, në alelet tona gjenike mund të shihen ende, sikur në celluloid, kalimi nga iracionalja drejt racionales, nga njeriu i padijshëm në njeri të dijshëm, nga njeriu i egër në njeriun e butë, gërshetimi urrejtje-dashuri, frikë-trimëri, egërsi-butësi, gëzim-trishtim, besnikëri-tradhëti, bardhë-zi, pa nuancë të grisë, sepse, të gjitha këto i gjejmë si drita e ditës tek shqipari i sotëm, e që alternojnë në mënyrën më bizare, më të pakuptueshme.
A mos jemi rastësisht pjesë e një studimi apo experimentimi IN VIVO të ndonje laboratori të madh sekret, fshehur diku në akullnajat e polit të veriut, sikur në filmat fantastiko shkencor?
Një gjë është e sigurt, se gjatë 500 vjet sundimi osman, ishim të përzgjedhur nga kjo perandori e fuqishme, për të testuar metodat më të egra të asimilimit apo zhdukjes. Megjithatë mbijetuam 1912-ën, perandoria osmane ra, ne dolëm gjallë, gjallë e për gazepi.
Edhe një gjë tjetër është e sigurt, se gjatë 50 vjet të sundimit komunist ishim “pacovë” të një laboratori të tmerrshëm Stalinist, ku u testua versioni më barbarë i një ideologjie e cila nuk u aplikua me këtë egërsi as aty ku lindi, në gulaget ruse.
Megjithatë mbijetuam dhe dolëm gjallë por të lodhur, të uritur, besa pak edhe të qartur nga dhunimi 50 vjeçar.

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Specia shqiptare kishte pësuar edhe ndryshime antropometrike. Më nuk ishim ata shqiptarë të bukur, shtatlartë, krenar siç i përshkruante Loydi Bayron. Por kjo farë filloi të ndriqet me të shijuar kilogramët e parë të bananeve dhe oksigjenin e paktë të lirisë.
Në anën tjetër të kufirit shqiptarët e Kosovës gjatë këtyre 50 vjetëve ishin objekt i një studimi tjetër, jo programe të asimilimit por zhdukjes totale të një populli të vjetër. Në tre memorandumet dhe në plot programe tjera, u vunë në dispozicion të gjitha metodat:
– deportim,
– dhunë,
– frikësim,
– vrasje masive,
– shitje,
– blerje.
.. dhe ne prap mbetëm gjallë, gjallë e për gazepi.
Një konstelacion yjor, që rrallë ndodhë në galaksinë tonë, bëri që Kosova të lirohet në vitin 1999.
U bënë 16 vjet e ne ende sot përpëlitemi, zhagitemi, si një i plagosur rëndë që vështirë ngritet në këmbë. Edhe sot pas 7 viteve shtet, defilojnë si somnambul gërshetimet bardhë-zi, i mirë-i keq, urrejtje- dashuri, frikë-trimëri, egërsi-butësi, errësirë-dritë, besnikëri-tradhëti, gëzim-trishtim, në format më bizare të mundura.
A MOS ËSHTË KOSOVA RASTËSISHT NJË LABORATOR IN VIVO ?!.

Ilaz HYSAJ , Lille – 03/03/2015.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura